Seminari
Mirë se vini në Kursin Doktrina e Besëlidhje dhe Historia e Kishës


Mirë se vini në Kursin Doktrina e Besëlidhje dhe Historia e Kishës

Çfarë është Doktrina e Besëlidhje?

Doktrina e Besëlidhje është një shkrim i shenjtë dhe përbëhet nga një përzgjedhje zbulesash hyjnore dhe shpalljesh të frymëzuara që u japin udhëzim udhëheqësve të Kishës, anëtarëve të Kishës dhe banorëve të botës në kohën tonë. Ajo është zbulesë moderne dhe qëndron përkrah Biblës, Librit të Mormonit dhe Perlës me Vlerë të Madhe si një nga katër veprat standarde të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Presidenti Jozef Filding Smith

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi se sa e vlefshme është Doktrina e Besëlidhje për ne: “Kjo Doktrinë e Besëlidhje përmban fjalën e Perëndisë për ata që banojnë këtu tani. Është libri ynë. U përket shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Duke qenë më i çmuar se ari, thotë Profeti [Jozef Smith], ne duhet ta vlerësojmë atë më shumë se sa pasuritë e mbarë tokës” (Doctrines of Salvation, përm. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:199).

Përse Është i Rëndësishëm për Mua Studimi i Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Historisë së Kishës?

Zoti, Jezu Krishti Vetë, u dha një përgjegjësi atyre që e kanë në dispozicion Doktrinën e Besëlidhjet:

“I hetoni këto urdhërime, sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen.

Atë që unë, Zoti, kam thënë, e kam thënë dhe nuk justifikohem; dhe ndonëse qiejt dhe toka do të kalojnë, fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (DeB 1:37–38).

Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi:

Presidenti Gordon  B. Hinkli

“Doktrina e Besëlidhje është e pashoqe mes librave të shkrimit të shenjtë. Është kushtetuta e Kishës. Ndërkohë që Doktrina e Besëlidhje përfshin shkrime dhe deklarata të zanafillave të ndryshme, është kryesisht një libër i zbulesës së dhënë nëpërmjet Profetit të kësaj periudhe ungjillore.

Këto zbulesa hapen me një shpallje gjëmuese të qëllimeve gjithëpërfshirëse të Perëndisë në rivendosjen e veprës së Tij të madhërishme të ditëve të mëvonshme:

‘Dëgjoni, O ju populli i kishës sime, thotë zëri i atij që banon lart dhe sytë e të cilit janë mbi gjithë njerëzit; po, në të vërtetë unë them: Mbani vesh ju popuj të largët; dhe ju që jeni në ishujt e detit, dëgjoni së bashku.

Pasi në të vërtetë zëri i Zotit shkon te gjithë njerëzit dhe askush nuk mund t’i shpëtojë; dhe nuk ka sy që nuk do të shohë, as vesh që nuk do të dëgjojë, as zemër që nuk do të përshkohet.’ (DeB 1:1–2.)

Nga ajo hapje madhështore atje shpaloset një panoramë e mrekullueshme doktrinore që vjen nga burimi i jetës së përjetshme. Disa janë zbulesë e drejtpërdrejtë, me Zotin që i dikton profetit të Tij. Disa janë gjuha e Jozef Smithit, e shkruar ose e folur sikurse u nxit nga Fryma e Shenjtë. Gjithashtu i përfshirë është tregimi i tij për ngjarje që ndodhën në rrethana të ndryshme. Të gjitha të mbledhura së bashku, ato përbëjnë në një masë tepër thelbësore doktrinën dhe praktikat e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. …

Larmia e çështjeve me të cilat ka të bëjë libri, është mahnitëse. Ato përfshijnë parime dhe procedura lidhur me qeverisjen e Kishës. Përcaktohen rregulla të pashoqe dhe mbresëlënëse të shëndetit, me premtime si fizike ashtu edhe shpirtërore. Besëlidhja e priftërisë së përjetshme përshkruhet në një mënyrë që nuk gjendet askund tjetër në shkrimin e shenjtë. Shpallen privilegjet dhe bekimet – dhe kufizimet e mundësitë – e tri shkallëve të lavdisë, duke ndërtuar mbi përmendjen e shkurtër nga ana e Palit të lavdisë së diellit, të hënës dhe të yjeve. Pendimi shpallet me një gjuhë të qartë dhe bindëse. Jepet mënyra e saktë e pagëzimit. Natyra e Kreut-Perëndi, që i ka shqetësuar teologët për shekuj, përshkruhet me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Shpallet ligji i Zotit për financën, duke urdhëruar se si duhet të fitohen dhe shpërndahen fondet për funksionimin e Kishës. Zbulohet puna për të vdekurit, për t’i bekuar bijtë dhe bijat e Perëndisë të të gjitha brezave” (“The Order and Will of God”, Ensign, janar 1989, f. 2, 4).

Teksa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet, ju mund të bëheni më të njohur me zërin e Jezu Krishtit (shih DeB 18:33–36) dhe me komunikimin nga Fryma e Shenjtë (shih DeB 8:2–3).

Rreth Doktrinës e Besëlidhjeve

Doktrina e Besëlidhje përbëhet nga 138 seksione dhe dy deklarata zyrtare. Shumë prej këtyre zbulesave u botuan fillimisht në formën e një libri, të quajtur Libri i Urdhërimeve, në vitin 1833. Nën drejtimin e Presidencës së Parë, në botimet pasuese të Doktrinës e Besëlidhjeve, zbulesa shtesë ose çështje të tjera të analit janë shtuar pasi u janë paraqitur anëtarëve të Kishës dhe janë pranuar prej tyre gjatë konferencave të Kishës.

Botimi i vitit 1876, i përgatitur nga Plaku Orson Prat nën drejtimin e Presidentit Brigam Jang, i vendosi zbulesat në mënyrë kronologjike dhe siguroi krerë të rinj me parathënie historike.

Në botimin e vitit 1981 të Doktrinës e Besëlidhjeve, tri dokumente u përfshinë për herë të parë. Këto janë seksionet 137 dhe 138, të cilat paraqesin bazat për shpëtimin e të vdekurve dhe Deklaratën Zyrtare 2.

Botimi i vitit 2013 i Doktrinës e Besëlidhjeve përfshiu rishikime të mjeteve ndihmëse të studimit, fotografi të reja, harta të përditësuara dhe rregullime të hyrjeve të seksioneve. Rregullimet e vogla të hyrjeve kanë për qëllim të sigurojnë një kontekst më të qartë dhe më të saktë për shkrimet e shenjta.

Projekti i Shkresave të Jozef Smithit

Shumë prej informacionit historik në këtë manual u mor nga Historia e Kishës dhe Projekti i Shkresave të Jozef Smithit. Të një ndihmese të veçantë ishin vëllimet 1 e 2 të serisë Documents [Dokumentet] të The Joseph Smith Papers [Shkresat e Jozef Smithit], të botuara nga Shtypshkronja e Historianit të Kishës (një shtypshkrim i Departamentit të Historisë së Kishës për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme). Që t’i shikoni pamjet e dixhitalizuara dhe t’i lexoni dorëshkrimet e dokumenteve origjinale në Projektin e Shkresave të Jozef Smithit, vizitoni josephsmithpapers.org.