Seminari
Njësia 7: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 24–26


Njësia 7: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 24–26

Hyrje

Përndjekja ndaj Profetit Jozef Smith dhe anëtarëve të Kishës ishte bërë e fortë gjatë verës së vitit 1830. Gjatë kësaj kohe të vështirë, Zoti i forcoi dhe udhëzoi Jozef Smithin, Ema Smithin dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës nëpërmjet zbulesave që përmbahen te Doktrina e Besëlidhje 24–26.

Doktrina e Besëlidhje 24

Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri marrin këshillë në lidhje me thirrjet e tyre

Mendoni për një nga ditët ose javët më të vështira ose më zhgënjyese që keni pasur ndonjëherë. Si iu bëtë ballë vështirësive që përjetuat?

Profeti Jozef Smith përjetoi shumë periudha të vështira në jetën e tij. Një periudhë e tillë ishte në verën e vitit 1830. Në qershor 1830, Jozef Smithi dhe disa shokë shkuan në Kollsvill të Nju-Jorkut, për të vizituar njerëzit që ishin të interesuar për t’u pagëzuar. Në një përrua u ndërtua një pritë në përgatitje për pagëzimet ditën vijuese (të dielën), por një turmë armiqësore e shkatërroi pritën gjatë natës.

Të hënën herët në mëngjes, prita u rindërtua dhe 13 njerëz u pagëzuan, duke përfshirë Ema Smithin. Gjithsesi, në kohën që pagëzimet kishin përfunduar, ishte mbledhur një turmë me pothuaj 50 burra, duke fyer dhe kërcënuar se do t’u bënin keq shenjtorëve.

Atë mbrëmje, shenjtorët u takuan për të konfirmuar njerëzit që ishin pagëzuar më herët atë ditë, por përpara se të mund të kryheshin konfirmimet, Jozefi u arrestua me akuzën e “të qenit një person shqetësues, duke krijuar trazira në vend me anë të predikimit të Librit të Mormonit” (Joseph Smith, në History of the Church, 1:88).

Rrugës për në gjyq, Jozefi u arratis nga turma me ndihmën e një oficeri dashamirës. Pas daljes në gjyq dhe gjetjes i pafajshëm për akuzat, Jozefi menjëherë u arrestua sërish në një konte tjetër. Atë natë Jozefin e tallën dhe e dhunuan një “numër burrash, që përdorën çdo lloj mjeti për ta keqtrajtuar, tallur dhe fyer” atë (Joseph Smith, në History of the Church, 1:91). Të nesërmen në mëngjes Jozefi doli në gjyq, u gjet sërish i pafajshëm dhe u arratis nga një turmë tjetër teksa udhëtonte për në shtëpi.

Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri bënë një përpjekje tjetër për t’u bashkuar me anëtarët e sapopagëzuar në Kollsvill, por një turmë u mblodh pak pasi ata mbërritën. Jozefi dhe Oliveri u detyruan të largoheshin dhe mezi shpëtuan ndërkohë që turma i ndoqi gjatë gjithë natës.

Jozefi foli për këtë kohë sfiduese: “Megjithë tërbimin e armiqve tanë, ne kishim shumë ngushëllim dhe ndodhën shumë gjëra që e forcuan besimin tonë dhe i gëzuan zemrat tona” (në History of the Church, 1:101; për rrëfimin e këtyre ngjarjeve në Kollsvill nga Jozef Smithi, shih History of the Church, 1:86–97, 101).

Lexoni kreun e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 24 duke kërkuar qëllimet e zbulesave që përmbahen në Doktrina e Besëlidhje 24–26.

  1. ikona e ditaritPlotësojini të dyja ushtrimet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Bëni dy kolona në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Emërtojeni kolonën e parë me titullin Forcon dhe Nxit; emërtojeni kolonën e dytë me titullin Udhëzon. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 24:1–12 dhe në kolonën e duhur renditni frazat që mund t’i forconin e nxitnin apo udhëzonin Jozefin dhe Oliverin.

    2. Nga një prej kolonave përzgjidhni një frazë që është domethënëse për ju. Shkruani dy apo tri fjali duke shpjeguar mënyrën se si nxitja apo udhëzimi i veçantë nga Zoti mund ta ndihmojë dikë që po kalon një përvojë të vështirë.

Një thënie domethënëse për nxitje dhe udhëzim nga Zoti gjendet te Doktrina e Besëlidhje 24:8. Me fjalët tuaja, shkruani një parim që jepet mësim në këtë varg:

Një mundim është një shkak apo një gjendje e dhimbjes, ankthit ose vuajtjes. Çfarë mendoni se do të thotë të “j[esh] i duruar në mundime” dhe “duroi ato”? Të qenit këmbëngulës dhe i duruar në mundimet tona nuk është gjithmonë i lehtë, por Zoti na premton se Ai është me ne gjatë mundimeve tona.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur e keni parë dikë të ushtrojë durim dhe të mbetet besnik gjatë durimit të mundimeve?

    2. Çfarë tha personi apo çfarë patë ju që tregoi se Zoti ishte me këtë njeri?

    3. Në ç’mënyrë të pasurit besim se Zoti do të jetë me ju në kohë sprove, mund t’ju ndihmojë të keni kurajën dhe forcën për të bërë gjëra të vështira?

Te Doktrina e Besëlidhje 24:13–19 Zoti i dha udhëzime shtesë Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit lidhur me mënyrën se si t’i përmbushnin thirrjet e tyre dhe çfarë do t’u ndodhte atyre që i refuzonin dhe i kundërshtonin ato.

Doktrina e Besëlidhje 25

Ema Smithi merr këshilla lidhur me familjen e saj dhe detyrat në Kishë

Siç është përmendur më parë, Ema Smithi ishte pjesë e grupit që u pagëzua në Kollsvill të Nju-Jorkut, në qershor 1830, por për shkak të përndjekjes së turmës, ajo nuk qe në gjendje të konfirmohej deri në fillim të gushtit (shih History of the Church, 1:106, 108). Diku midis pagëzimit dhe konfirmimit të Emës, Profeti Jozef mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 25. Në këtë zbulesë Zoti dha ngushëllim dhe udhëzim për Emën, e cila do të përjetonte sprova dhe do të bënte sakrifica të mëdha gjatë gjithë jetës së saj.

Ema Hejl Smith

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 25. Pastaj mendoni për ngushëllimin dhe këshillat që iu dhanë Emës në këtë zbulesë, ndërsa lexoni hollësitë e mëposhtme rreth jetës së saj:

Ema Hejl Smithi u rrit në një shtëpi të begatë, por pasi u martua, shpesh jetoi në kushte shumë të varfra. Ajo veproi si shkruese ndërsa Jozefi përkthente fletët e arta gjatë ditëve të hershme të përkthimit. Megjithëse ajo shpesh i pa fletët të vendosura mbi tavolinë, të mbuluara me një cohë pëlhure, ajo kurrë nuk i zbuloi ato që t’i shihte.

Tre fëmijët e parë të Jozefit dhe Emës vdiqën pak kohë pas lindjes së tyre. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo do të duronte vdekjen e pesë fëmijëve të saj biologjikë dhe të një fëmije të adoptuar. Përveç kësaj, ajo dhe i shoqi do të kalonin përmes një përndjekjeje të pandërprerë. Gjatë gjithë martesës së tyre, Jozefi dhe Ema u detyruan t’i linin shtëpitë e tyre për shkak të kërcënimit të turmave. Në shtëpinë e Emës turmat do të futeshin me forcë; asaj shpesh do t’i duhej të dilte nga shtëpia dhe të jetonte me të tjerë, duke u mbështetur në mirësinë e tyre për një vend të përkohshëm për të jetuar; dhe përfundimisht, Jozefi i saj i dashur do të merrej prej saj dhe do të vritej.

  1. ikona e ditaritZoti i tha Ema Smithit të “bë[nte] një zgjedhje të himneve të shenjta … që të kihen në kishën time” (DeB 25:11). Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 25:12 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mendoni se do të thotë fraza “këng[a] e zemrës”?

    2. Si mund të jetë “këng[a] e zemrës” si një lutje?

    3. Lexoni thënien vijuese:

      “Muzika mund ta përmirësojë jetën tuaj. Ajo mund t’ju lartësojë e frymëzojë dhe t’ju ndihmojë të afroheni pranë Atit Qiellor. Muzika ka një ndikim të fuqishëm në mendjen, shpirtin dhe sjelljen tuaj.

      Zgjidhni me kujdes muzikën që dëgjoni. Tregoni vëmendje ndaj mënyrës se si ndiheni kur e dëgjoni. Disa lloj rrymash muzikore mund të përmbajnë mesazhe të këqija dhe shkatërruese. Mos dëgjoni muzikë që nxit imoralitetin ose i thur lavde dhunës përmes teksteve, ritmit ose fuqisë së saj. Mos dëgjoni muzikë që përdor gjuhë vulgare apo ofenduese ose që nxit praktika të liga. Një muzikë e tillë mund të mpijë ndjeshmërinë tuaj shpirtërore” (Për Forcën e Rinisë [broshurë 2011], f. 22).

      Çfarë mund të bëni ju për ta rrethuar veten tuaj me muzikë të denjë?

  2. ikona e ditaritSipas Doktrinës e Besëlidhjeve 25:16, këshillat dhe premtimet që iu dhanë Ema Smithit në këtë zbulesë mund të gjejnë zbatim edhe për secilin prej nesh. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Nga ajo që keni lexuar te Doktrina e Besëlidhje 25, shkruani të paktën katër parime që mësuat nga këshillat që iu dhanë Emës. (Për shembull, nëse i mbajmë vazhdimisht urdhërimet e Perëndisë, ne do të marrim një kurorë drejtësie [vargu 15], që është simbolike për marrjen e lavdisë çelestiale në mbretërinë e Perëndisë.)

    2. Zgjidhni një nga parimet që renditët, që ju ndieni se është i zbatueshëm për ju dhe shkruani rreth mënyrës se si mund ta zbatoni këtë parim në jetën tuaj tani.

Zoti i drejtohet Ema Smithit si “një zonjë e zgjedhur” (DeB 25:3). Profeti Jozef Smith më vonë dha mësim se “i zgjedhur do të thotë të përzgjidhesh për një punë të caktuar” (në History of the Church, 4:552). Rishikoni Doktrinën e Besëlidhjet 25 duke kërkuar atë për të cilën Ema Smithi u zgjodh (u përzgjodh apo u thirr) të bënte në këtë kohë dhe për atë që do të “shugurohej” (jepej autoritet) të bënte (DeB 25:7).

Pothuaj 12 vjet më vonë, Presidenti Xhon Tejlor, duke vepruar nën udhëzimin e Profetit Jozef Smith, e veçoi Emën për të shërbyer si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës në Kishë. Duke kujtuar atë përvojë, Presidenti Tejlor tha: “Në atë mbledhje, Profeti e thirri Motrën Ema të ishte një zonjë e zgjedhur. Kjo do të thotë se ajo u thirr për një punë të caktuar; dhe se kjo ishte për përmbushjen e një zbulese të veçantë [DeB 25] lidhur me të. Ajo u zgjodh të kryesonte mbi Shoqatën e Ndihmës dhe u shugurua për të sqaruar Shkrimet e Shenjta. Në përputhje me kërkesën e [Vëllait] Jozef, unë e veçova atë. … Motra Ema u zgjodh për të sqaruar Shkrimet e Shenjta dhe për të kryesuar mbi Shoqatën e Ndihmës” (“Discourse by President John Taylor”, Deseret News, 9 mars 1881, f. 83).

Lusi Mek Smith

Nëna e Jozef Smithit, Lusi Mek Smithi, dha nderimin vijues për nusen e saj, Emën: “Nuk kam parë kurrë në jetën time një grua e cila do të duronte çdo lloj lodhjeje dhe vështirësie, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, me atë kurajë, zell dhe durim të patundur, gjë që ajo e ka bërë gjithmonë; sepse unë e di se çfarë i është dashur të durojë – ajo është përplasur në oqeanin e pasigurisë – ajo u ka bërë ballë stuhive të përndjekjes dhe ka luftuar kundër tërbimit të burrave e djajve, që do të kishin rrëzuar përtokë pothuaj çdo grua tjetër” (History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 190–191).

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një shënim të shkurtër mirënjohjeje dhe admirimi rreth një gruaje që e njihni, e cila ka disa nga cilësitë që renditen për Ema Smithin te Doktrina e Besëlidhje 25 dhe tek thënia e Lusi Mek Smithit. Merreni parasysh t’i jepni asaj gruaje një kopje të shënimit tuaj.

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – DeB 25:13

Doktrina e Besëlidhje 25:13 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, kështu që të mund ta gjeni lehtësisht më vonë. Fraza “kapu pas besëlidhjeve” do të thotë të ndjekim nga afër ose të mbahemi te besëlidhjet që kemi bërë me Perëndinë. Ju mund të doni ta shkruani këtë përkufizim në anë të atij vargu.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni se çfarë kuptimi ka për ju Doktrina e Besëlidhje 25:13.

Për t’ju ndihmuar të kujtoni këshillën e Zotit për t’u kapur te besëlidhjet që kemi bërë, shkruani fjalët e Doktrinës e Besëlidhjeve 25:13 në një fletë letre ose kartë. Mbajeni letrën me vete për pak ditë, duke menduar për fjalët, dhe përpiquni t’i mësoni ato përmendsh. Ju mund të doni t’ia përsëritni dhe t’ia shpjegoni kuptimin e këtij vargu një miku apo një pjesëtari të familjes kur ta keni mësuar atë përmendsh.

Doktrina e Besëlidhje 26

Zoti udhëzon Jozef Smithin, Oliver Kaudërin dhe Xhon Uitmerin

Te Doktrina e Besëlidhje 26:1 Zoti i udhëzon Jozef Smithin, Oliver Kaudërin dhe Xhon Uitmerin lidhur me punët shpirtërore dhe fizike që duhej të kryenin. Më pas Zoti u mësoi atyre një parim të rëndësishëm lidhur me qeverisjen e Kishës.

Përfytyroni sikur një shok ose shoqe e një besimi tjetër është me ju në një mbledhje kur shumë drejtues të Kishës mbështeten në thirrjet e tyre (e tillë si një konferencë lagjeje ose dege apo një konferencë kunji). Mendoni për mënyrën se si do t’ia shpjegonit shokut ose shoqes suaj praktikën e mbështetjes së drejtuesve të ndryshëm të Kishës.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 26:2 dhe kërkoni një frazë që ka lidhje me praktikën e mbështetjes. Ju mund të doni të shenjoni parimin të gjitha gjërat duhet të bëhen me anë të miratimit të përbashkët në Kishë.

Si mendoni, çfarë do të thotë “miratim [i] përbashkët”?

Miratimi i përbashkët i referohet praktikës së anëtarëve të Kishës për të mbështetur ata që janë thirrur për të shërbyer në Kishë, si edhe për të mbështetur vendime të tjera të Kishës që kërkojnë mbështetjen e anëtarësisë. Kjo zakonisht tregohet me anë të ngritjes së dorës së djathtë.

Ka një ndryshim midis mbështetjes me anë të miratimit të përbashkët dhe votimit. Në mbretërinë e Zotit, Zoti i frymëzon udhëheqësit e Tij të caktuar, të cilët pastaj marrin vendime nëpërmjet autoritetit që Ai u ka besuar atyre. Më pas udhëheqësit kërkojnë konfirmimin e Zotit për vendimet e tyre. Ngritja e dorës së djathtë nuk është një mënyrë që anëtarët të votojnë; është një mënyrë për të bërë të ditur miratimin (ose kundërshtimin) e tyre për atë vendim që tashmë është marrë.

mbështetja në mbledhjen e sakramentit

Përveç shprehjes së miratimit apo aprovimit të tyre kur ngrenë dorën e djathtë, anëtarët gjithashtu bëjnë të ditur gatishmërinë e tyre për ta mbështetur personin apo veprimin që po paraqitet. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Procedura e mbështetjes është shumë më tepër se një ngritje e dorës në mënyrë rituale. Është një zotim për t’i mbrojtur, për t’i përkrahur, për t’i ndihmuar ata të cilët janë përzgjedhur” (“This Work Is Concerned with People”, Ensign, maj 1995, f. 51).

Merrni parasysh atë që mund të bëni për ta përmbushur më mirë zotimin tuaj që të përkrahni dikë që është thirrur dhe mbështetur për të shërbyer në lagjen apo degën tuaj.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 24–26 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: