Njësia 14: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 63
Hyrje
Në verën e vitit 1831, ndërsa Profeti Jozef Smith po mbikëqyrte përkushtimin e tokës ku shenjtorët do të ndërtonin Sionin në Indipendëns të Misurit, disa anëtarë të Kishës u larguan nga urdhërimet e Zotit dhe kryen mëkate të rënda. Profeti u kthye në Kirtland të Ohajos më 27 gusht dhe më 30 gusht mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63. Në këtë zbulesë, Zoti i paralajmëroi shenjtorët rreth pasojave të ligësisë dhe rebelimit, u premtoi bekime shenjtorëve që janë besnikë në ditët e fundit dhe i këshilloi shërbëtorët e Tij të kujtonin shenjtërinë e emrit të Tij.
Doktrina e Besëlidhje 63:1–21
Zoti i paralajmëron shenjtorët rreth pasojave të ligësisë dhe rebelimit
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të jetojmë sipas bindjeve tona si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit?
Rishikoni hyrjen e këtij mësimi. Pastaj lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 63:1–2, 6 duke kërkuar atë që Zoti u tha të ligjve dhe rebelëve.
Si mendoni, përse është e rëndësishme që anëtarët e Kishës ta hapin zemrën e tyre dhe t’ia vënë veshin fjalës së Zotit?
Vini re frazën “ata që s’besojnë duhet ta mbajnë gojën” (DeB 63:6). Në këtë kohë, disa anëtarë të Kishës kishin ndaluar së besuari në vërtetësinë e Kishës dhe po flisnin hapur kundër Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. Një prej kritikëve më të zhurmshëm të Kishës ishte një burrë i quajtur Ezra Buth.
Përpara se të bashkohej me Kishën, Ezra Buthi ishte një shërbestar metodist. Ai filloi të interesohej për Rivendosjen në fillim të vitit 1831, pasi lexoi Librin e Mormonit. Ai udhëtoi për në Kirtland me Xhon dhe Alisa Xhonsonin që të takonte Profetin. Zonja Xhonson vuante nga reumatizmi, që i kishte shkaktuar dhimbje, fryrje dhe mpirje në krahun e saj. Kur e takoi fillimisht Jozef Smithin, ajo nuk kishte qenë në gjendje ta ngrinte krahun e saj mbi kokë për rreth dy vjet.
“Gjatë intervistës biseda doli tek tema e dhuratave të mbinatyrshme, si ato që u dhanë në kohët e apostujve. Dikush tha: ‘Ja ku është zonja Xhonson me një krah të mpirë; a i ka dhënë Perëndia ndonjë njeriu fuqi në tokë tani për ta kuruar atë?’ Pak çaste më vonë, kur biseda kishte kaluar në një temë tjetër, [Jozef] Smithi u ngrit dhe duke ecur përmes dhomës, duke e marrë zonjën Xhonson nga dora, i tha në një mënyrë nderuese dhe mbresëlënëse: ‘Grua, në emër të Zotit Jezu Krisht unë të urdhëroj të shërohesh’ dhe u largua menjëherë nga dhoma. … Zonja Xhonson e ngriti menjëherë [krahun e saj] me lehtësi dhe kur u kthye në shtëpi të nesërmen, ajo qe në gjendje të lante pa vështirësi ose dhimbje” (nga Haydn’s History of the Disciples, cituar në History of the Church, 1:215–216).
Mendoni se si do të ndiheshit nëse do të dëshmonit një mrekulli si kjo.
Shpejt, pasi Ezra Buthi dëshmoi këtë mrekulli, ai u pagëzua.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 63:7–9 dhe përcaktoni atë që Zoti dha mësim rreth shenjave dhe besimit. Më pas plotësoni parimin vijues: Besimi nuk vjen nga .
Pasi Ezra Buthi u pagëzua, ai mori priftërinë dhe u dërgua në një mision në Misuri. Ai me sa duket e filloi këtë mision me pritshmëri të mëdha, duke hamendësuar se do të ishte në gjendje të kthente në besim shumë njerëz duke treguar shenja dhe duke kryer mrekulli. Megjithatë, pasi predikoi për një kohë të shkurtër dhe duke mos parë rezultatet që priste, Ezra Buthi “u largua” dhe e braktisi Kishën (Joseph Smith, në History of the Church, 1:216). Profeti Jozef Smith bëri vëzhgimin vijues rreth Ezra Buthit: “Kur ai me të vërtetë mësoi se besimi, përulësia, durimi dhe mundimet shkojnë përpara bekimit dhe që Perëndia përul përpara se Ai të ekzaltojë, në vend që ‘Shpëtimtari t’i jepte atij fuqi për t’i mahnitur njerëzit dhe për t’i bërë ata të besonin’ … ai u zhgënjye” (në History of the Church, 1:216).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 63:10–12 duke kërkuar parime shtesë rreth shenjave dhe besimit. Ju mund të doni të shenjoni fjalë ose fraza te vargu 10, që na mësojnë parimin vijues: Shenjat vijnë nëpërmjet besimit, sipas vullnetit të Perëndisë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni arsyen që ju mendoni përse i marrim shenjat pasi të kemi ushtruar besim. Renditni një ose dy shembuj nga shkrimet e shenjta të njerëzve që dëshmuan shenja ose mrekulli të mëdha, por nuk treguan besim apo drejtësi të përhershme. (Nëse keni nevojë për ndihmë, shih 1 Nefi 17:43–45.)
Është e dobishme të kujtoni se shenjat dhe çuditë nuk janë gjithmonë madhështore në dukje. Shpesh ne marrim një shenjë apo dëshmi të vërtetësisë së ungjillit në një mënyrë të qetë e vetjake kur ushtrojmë besim. Ne mund të ushtrojmë besim duke u lutur, duke studiuar shkrimet e shenjta, duke agjëruar, duke dhënë shërbim dhe duke jetuar parimet e ungjillit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani se si ushtrimi i besimit ju ka ndihmuar ju apo dikë që e njihni, të merrni dëshmi për vërtetësinë e ungjillit.
Siç përmendet më sipër, përveç kërkimit të shenjave, disa anëtarë të Kishës gjithashtu ishin “larguar nga urdhërimet” (DeB 63:13) dhe po kryenin mëkate të rënda. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 63:14–19 dhe gjeni disa nga mëkatet që ata kishin kryer. Mund t’ju vijë në ndihmë të kuptoni vargun 17 nëse kuptoni sa vijon: Një kurvërues është një person që merr pjesë në mëkate seksuale. Një magjistar është dikush që merr pjesë në veprimtari që ftojnë ndikimin e shpirtrave të ligj. Fraza “liqen prej zjarri dhe squfuri” është përdorur si metaforë për gjendjen e mjerimit të rëndë që i pret të ligjtë pasi të vdesin (shih Mosia 3:27). Kjo është ajo së cilës i drejtohet edhe “vdekja e dytë” te Doktrina e Besëlidhje 63:17 (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vdekje, Shpirtërore”, scriptures.lds.org).
Ju mund të doni të shenjoni fjalët në Doktrina e Besëlidhje 63:16 që japin mësim parimin vijues: Nëse i shohim të tjerët me epsh, ne nuk do ta kemi Shpirtin, por do të mohojmë besimin. Epshi përfshin shikimin e pornografisë.
Doktrina e Besëlidhje 63:22–66
Zoti u premton bekime besnikëve në ditët e fundit
Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63 Zoti foli për shkatërrimin që do të vijë mbi të ligjtë në ditët e fundit, por Ai u bëri edhe premtime të fuqishme shenjtorëve.
Ndërsa mësoni rreth shkatërrimit dhe premtimeve për të cilat foli Zoti, përgjigjiuni thënieve duke i shenjuar ato e vërtetë (V) apo e rreme (Rr) pas leximit të referencave shoqëruese të shkrimeve të shenjta. Ju mund të doni të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta parimet që ju mësoni ndërsa plotësoni këtë detyrë.
-
Gjatë luftërave në ditët e fundit, njerëzit e ligj do të shkatërrojnë njëri-tjetrin. (Shih DeB 63:32–33.)
-
Shenjtorët do t’u shpëtojnë me lehtësi gjykimeve dhe shkatërrimeve të ditëve të fundit. (Shih DeB 63:34.)
-
Kur Jezu Krishti të vijë përsëri, Ai do të shkatërrojë çdo njeri të lig që është ende në tokë. (Shih DeB 63:34.)
-
Ata që janë besnikë, do të mposhtin përfundimisht të gjitha sfidat në këtë jetë. (Shih DeB 63:47–48.)
-
Njerëzit e drejtë që vdesin përpara Ardhjes së Dytë, do të ringjallen kur Shpëtimtari të vijë në tokë. (Shih DeB 63:49.)
-
Njerëzit e drejtë që jetojnë në tokë në kohën e Ardhjes së Dytë, nuk do të vdesin kurrë. (Shih DeB 63:50–51.)
Pohimi 1 është i vërtetë dhe pohimi 2 është i rremë. Thënia vijuese nga Profeti Jozef Smith shpjegon përse pohimi i dytë është i rremë: “Është ide e rreme që shenjtorët do t’u shpëtojnë gjithë gjykimeve ndërsa të ligjtë vuajnë; sepse gjithë mishi i nënshtrohet vuajtjes dhe ‘të drejtët mezi do të shpëtojnë’; përsëri shumë prej shenjtorëve do të shpëtojnë, sepse i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij; përsëri shumë prej të drejtëve do të bien pre e sëmundjes, murtajës etj., për shkak të dobësisë së mishit, dhe përsëri do të shpëtohen në Mbretërinë e Perëndisë” (në History of the Church, 4:11).
Thëniet 3–5 janë të vërteta dhe thënia 6 është e rreme.
Doktrina e Besëlidhje 63:47 përmban një premtim nga Zoti. Plotësoni parimin vijues nisur nga ky varg: Nëse jemi , atëherë ne do të .
Në ç’mënyra mund t’ju ndihmojë Zoti ta “mposhtni botën” në jetën tuaj të përditshme?
Ashtu siç shpjegoi Profeti Jozef Smith, ne nuk do të jemi në gjendje t’u shpëtojmë të gjitha vështirësive që na vijnë në këtë jetë. Megjithatë, nëse jemi të drejtë, ne “ende [do të] shpëtohemi në Mbretërinë e Perëndisë” (në History of the Church, 4:11). Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 63:49 duke kërkuar bekimet që marrin ata të cilët e mposhtin botën me besnikëri.
Një mënyrë se si mund ta shprehim besnikërinë tonë është nëpërmjet mënyrës se si e përdorim emrin e Zotit, siç shpjegohet te Doktrina e Besëlidhje 63:59–64. Teksa studioni këto vargje, kërkoni fjalë dhe fraza që japin mësim parimin vijues: Emri i Jezu Krishtit është i shenjtë dhe duhet të thuhet me kujdes. Ju mund të doni të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta fjalët dhe frazat që e japin mësim këtë parim.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni disa situata kur ju mund ta përdorni siç duhet emrin e Jezu Krishtit. Pastaj përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Si mendoni, përse e përdorim emrin e Shpëtimtarit kur lutemi, dëshmojmë dhe kryejmë ordinanca priftërie?
-
Kur ju e përdorni emrin e Shpëtimtarit, çfarë mund të bëni për të mbajtur mend se ai është i shenjtë dhe duhet të thuhet me kujdes?
-
Ky parim nuk gjen zbatim vetëm për emrin e Shpëtimtarit. Mendoni rreth disa fjalëve ose temave të tjera që “vijnë nga lart” dhe që janë të shenjta. Pastaj mendoni se si mund të siguroheni që të flisni për to “me kujdes”.
Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se parimet që ju i keni mësuar rreth emrit të Jezu Krishtit, zbatohen edhe për emrin e Atit Qiellor: “Nuk ka fjalë më të shenjta ose më domethënëse në gjithë gjuhën tonë sesa emrat e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit” (“Reverent and Clean”, Ensign, maj 1986, f. 50).
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 63 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: