Njësia 23: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 107:39–100; 108
Hyrje
Kjo pjesë e parë e këtij mësimi përfshin Doktrinën e Besëlidhjet 107:39–100. Megjithëse Doktrina e Besëlidhje 107, u shënua në prill të vitit 1835, pjesa më e madhe e përmbajtjes te vargjet 60–100 iu dha Profetit Jozef Smith me anë të zbulesës më 11 nëntor 1831. Vargjet e shqyrtuara në këtë mësim përmbajnë fjalët e Zotit rreth zakonit të lashtë të dhënies së Priftërisë Melkizedeke nga ati te biri. Ato gjithashtu japin udhëzim lidhur me detyrat e udhëheqësve të ndryshëm të priftërisë. Kjo zbulesë përfshin edhe Doktrinën e Besëlidhjet 108, në të cilën Zoti i dha këshilla dhe premtime Liman Shermanit.
Doktrina e Besëlidhje 107:39–100
Zoti zbulon se Priftëria Melkizedeke në lashtësi kalonte nga ati te biri
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për disa rrethana që i hasni aktualisht ose do t’i hasni së shpejti, në të cilat ju mund të përfitoni nga marrja e udhëheqjes apo e ngushëllimit prej Atit tuaj Qiellor.
Teksa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 107:39–100, kërkoni të vërtetat që mund t’ju ndihmojnë të merrni udhëheqje dhe ngushëllim nga Ati Qiellor.
Në mësimin e mëparshëm ju mësuat disa nga detyrat e Presidencës së Parë, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Të Shtatëdhjetëve. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:39, duke kërkuar një nga detyrat e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Termi “shërbestarë ungjilltarë” iu referohet atyre që mbajnë detyrën e patriarkut në Priftërinë Melkizedeke (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjilltar”, scriptures.lds.org; Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Evangelist” [“Ungjilltar”]).
Plotësojeni sa vijon bazuar në atë që keni mësuar nga vargu 39: Patriarkët thirren me anë të dhe shugurohen nën drejtimin e Dymbëdhjetë Apostujve.
Ata që e mbajnë detyrën e patriarkut, u japin bekime të veçanta priftërie, të quajtura bekime patriarkale, anëtarëve të denjë të Kishës. Një bekim patriarkal përmban këshillat e Zotit për një individ dhe shpall linjën e prejardhjes së atij personi në shtëpinë e Izraelit (shih Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], “Bekime Patriarkale”, f. 16).
Ndërsa individët e studiojnë bekimin e tyre patriarkal, ata mund të marrin udhëheqje dhe ngushëllim nga Ati Qiellor. Nëse ju nuk e keni marrë bekimin patriarkal, merreni parasysh të bisedoni me prindërit tuaj dhe peshkopin apo presidentin e degës se kur do të ishte koha më e përshtatshme për ta marrë një bekim dhe çfarë duhet të bëni që të përgatiteni për përvojën.
Fjala patriark iu referohet edhe etërve. Doktrina e Besëlidhje 107:41–57 na mëson se Adami qe një baba dhe patriark i drejtë. Hidhini një sy të shpejtë vargjeve 41–50 dhe përcaktoni një model – të dy gjërave që Adami i bëri në mënyrë të përsëritur ndërsa kryesonte mbi familjen e tij.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:53. Në këtë varg, ne lexojmë se Adami i bekoi të gjithë pasardhësit e tij të drejtë.
-
Nga ajo që mësoni te Doktrina e Besëlidhje 107:41–57, përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Cilat janë dy veprimet që bëri në mënyrë të vazhdueshme Adami ndërsa kryesonte mbi familjen e tij?
-
Në ç’mënyrë mund të shërbejë shembulli i Adamit si një model për të gjithë etërit?
-
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 107:53 është se etërit që e mbajnë Priftërinë Melkizedeke, kanë autoritetin për t’i bekuar fëmijët e tyre. Përveç shugurimit të një biri në priftëri, një baba mund t’i japë një bekim priftërie një biri ose një bije në raste sëmundjeje ose për t’i dhënë udhëzim e ngushëllim.
Përveç bekimit të fëmijëve të tyre, mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund t’u japin bekime pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe njerëzve të tjerë që i kërkojnë ato. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Shtëpitë pa priftëri duhet të mbikëqyren dhe të shërbehen nga kuorumet e priftërisë. Në këtë mënyrë, asnjë bekim nuk do të mungojë në ndonjë shtëpi brenda Kishës” (“Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 9).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, përshkruani se si ju apo njerëzit që i njihni kanë përfituar nga marrja e bekimeve të priftërisë [dhënë] nga etërit tuaj ose nga mbajtës të tjerë të Priftërisë Melkizedeke. Nëse nuk keni pasur mundësi që të merrni një bekim priftërie, shkruani se si mund të përfitonit nga kërkimi i një bekimi të tillë.
Mendoni sërish mbi rrethanat për të cilat shkruat në detyrën 1 të këtij mësimi. Mbani mend se ju mund të kërkoni udhëheqje dhe ngushëllim nga Ati Qiellor nëpërmjet bekimeve patriarkale dhe nëpërmjet bekimeve të priftërisë të administruara nga babai juaj ose nga mbajtës të tjerë të Priftërisë Melkizedeke.
Te Doktrina e Besëlidhje 107:58–98, ne lexojmë për detyrat e udhëheqësve të ndryshëm të priftërisë. Ndërsa i studioni këto vargje, merrni në shqyrtim mënyrën se si ata që i përmbushin këto detyra mund të sjellin bekime të priftërisë në jetën e të tjerëve.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:99–100, duke kërkuar udhëzimet që u dha Zoti atyre që e mbanin priftërinë.
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Priftëria në të vërtetë nuk është aq shumë një dhuratë sesa një detyrë për të shërbyer, një privilegj për të lartësuar moralisht dhe një mundësi për të bekuar jetën e të tjerëve” (“Detyrat e Shenjta të Priftërisë që na Janë Besuar”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 57; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 91).
Doktrina e Besëlidhje 108
Zoti i jep këshilla dhe bekime Liman Shermanit
Mendoni për një rast kur ju u ndiet i nxitur nga Shpirti që të bënit diçka dhe e ndoqët nxitjen. Çfarë bekimesh morët kur iu bindët nxitjeve të Shpirtit?
Liman Shermani qe një anëtar besnik i Kishës, i cili kishte shërbyer në Kampin e Sionit dhe ishte thirrur si një nga shtatë Presidentët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve. Profeti Jozef Smith shënoi në ditarin e tij se më 26 dhjetor 1835, “Vëllai Liman Sherman hyri dhe kërkoi që të merrte fjalën e Zotit nëpërmjet meje; ‘sepse’, tha ai, ‘unë jam ndikuar që t’ju bëj të ditur ndjenjat e dëshirat e mia, dhe m’u premtua se unë do të kisha një zbulesë që do të ma bënte të njohur detyrën time’” (në History of the Church, 2:345).
Kur Limani tha se ishte “ndikuar” për të folur me Jozef Smithin, do të thotë se ai u nxit nga Fryma e Shenjtë.
Në përgjigje të kërkesës së Limanit, Jozef Smithi mori zbulesën që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 108. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 108:1, duke kërkuar bekimin që Zoti i dha Limanit për shkak se iu bind nxitjes për të biseduar me Profetin.
Bazuar në atë që Zoti i zbuloi Liman Shermanit, plotësoni parimin vijues: Kur ne zërin e Zotit, ne e ftojmë faljen e Tij.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mendoni ju, përse bindja ndaj nxitjeve të Zotit e fton faljen?
Zëri i Zotit mund të dëgjohet nëpërmjet shkrimeve të shenjta, fjalëve të profetëve të Tij dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Bindja ndaj Perëndisë përfshin mbushjen e jetës suaj me veprimtari të virtytshme që sjellin fuqi shpirtërore. Bindja e plotë sjell fuqinë e plotë të ungjillit në jetën tuaj. Kjo bindje përfshin veprime që ju në fillim mund të mos i quani pjesë të pendimit, të tilla si pjesëmarrjen në mbledhjet e Kishës, pagimin e së dhjetës, dhënien e shërbimit dhe faljen e të tjerëve. Zoti premtoi: “Ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet” (DeB 1:32).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 108:2, duke kërkuar këshillën e Zotit për Liman Shermanin pasi iu tha se mëkatet e tij qenë falur.
Çfarë mendoni se do të thotë “shpirti yt duhet të jetë në paqe lidhur me gjendjen tënde shpirtërore” (DeB 108:2)?
Nga Doktrina e Besëlidhje 108:1–2 ne mësojmë që falja e Zotit sjell paqe për shpirtin tonë.
Nganjëherë njerëzit që pendohen e pyesin veten e tyre nëse janë falur për mëkatet e tyre. Në thëniet vijuese, shenjojeni këshillën që iu jepet atyre njerëzve, të cilët mund ta kenë të vështirë ta lenë shpirtin e tyre të gjejë paqe.
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ai mëngjes i mrekullueshëm i faljes mund të mos vijë i gjithi menjëherë. Mos u dorëzoni nëse dështoni herën e parë. Shpesh pjesa më e vështirë e pendimit është të falësh veten tënde. Shkurajimi është pjesë e asaj prove. Mos u dorëzoni. Ai mëngjes i shkëlqyer do të vijë.
Pastaj ‘paqja e Perëndisë, që ia tejkalon … zgjuarësi[së]’, do të vijë sërish në jetën tuaj. [Filipianëve 4:7.] Atëherë ju, si dhe Ai, nuk do t’i kujtoni më mëkatet tuaja. Si do ta dini ju? Ju do ta dini! [Shih Mosia 4:1–3.]” (“The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 20).
Presidenti Harold B. Li dha mësim: “Nëse vjen koha kur keni bërë gjithçka që mundeni për t’u penduar për mëkatet tuaja, kushdo qofshi, kudo qofshi, dhe keni bërë korrigjimet dhe zhbërjen në maksimumin e aftësisë suaj … , atëherë ju do ta dëshironi atë përgjigje vërtetuese lidhur me faktin nëse Zoti e ka pranuar këtë gjë nga ju apo jo. Gjatë kërkimit tuaj shpirtëror, nëse e kërkoni dhe e gjeni atë paqe të ndërgjegjes, me anë të kësaj shenje të paqes së mendjes, ju mund ta dini se Zoti e ka pranuar pendimin tuaj” (Stand Ye in Holy Places [1974], f. 185).
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 108:3, duke kërkuar këshillën e mëtejshme që Zoti i dha Liman Shermanit. (Mund të jetë e dobishme të dini se shprehja mbajtje në këtë varg do të thotë të pajtohesh ose të bindesh. Një betim është një premtim ose besëlidhje.)
Në çfarë mënyrash, kjo këshillë për të qenë më i kujdesshëm në mbajtjen e betimeve, është e dobishme për dikë që i është falur mëkati?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shpjegoni se si të vërtetat që përcaktuat te Doktrina e Besëlidhje 108:1–3 mund ta nxitin një shok ose pjesëtar të familjes që t’i bindet zërit të Zotit dhe të marrë falje.
A e keni dëgjuar ndonjëherë termin “kuvendi solemn”? Plaku Dejvid B. Heit, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Një kuvend solemn, sikurse e nënkupton emri, shënon një rast të shenjtë, serioz dhe plot nderim kur shenjtorët mblidhen nën drejtimin e Presidencës së Parë. Kuvendet solemne përdoren për tri qëllime: përkushtimin e tempujve, udhëzimin e veçantë të udhëheqësve të priftërisë dhe mbështetjen e një Presidenti të ri të Kishës” (“Solemn Assemblies”, Ensign, nëntor 1994, f. 14).
Në dhjetor të vitit 1832, Zoti u premtoi shenjtorëve që, nëse ata do të ndërtonin një tempull dhe do të mbanin një kuvend solemn, Ai do të derdhte bekime të mëdha mbi ta (shih DeB 88:70–75, 117–119). Në dhjetor 1835, kur zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 108 iu dha Liman Shermanit, tempulli i Kirtlandit qe vetëm tre muaj larg nga përkushtimi.
Ndërsa e lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 108:4–6, kërkoni atë që Zoti i premtoi Liman Shermanit se do të merrte në kuvendin solemn.
Më pas, lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 108:7–8, duke kërkuar udhëzimet që Zoti i dha Limanit. Si mund t’i forconi të tjerët “në gjithë bisedën [tuaj]” (DeB 108:7)? Mund të jetë e dobishme të dini se porositë janë këshilla ose shtytje për të bërë mirë.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Si mendoni ju se mund ta kishin ndihmuar Liman Shermanin udhëzimet te Doktrina e Besëlidhje 108:7–8 ndërsa u predikonte ungjillin të tjerëve?
-
Si mund ta zbatoni në jetën tuaj këshillën e Zotit në vargun 7?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 107:39–100; 108 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: