Njësia 13: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 57
Hyrje
Në qershor 1831, Zoti e urdhëroi Jozef Smithin dhe pleqtë e tjerë të mbanin një konferencë të Kishës në Misuri (shih DeB 52). Të bindur ndaj urdhërimit, Profeti Jozef Smith dhe të tjerët udhëtuan përafërsisht 1 440 kilometra nga Ohajo për në Misuri. Pasi Jozef Smithi mbërriti në Misuri, ai mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 57. Në këtë zbulesë, Zoti zbuloi vendndodhjen e qytetit të Sionit, duke përmbushur një premtim që Ai ua kishte bërë më parë shenjtorëve (shih DeB 52). Zoti gjithashtu i udhëzoi disa individë lidhur me rolet e tyre në ngritjen e Sionit.
Doktrina e Besëlidhje 57:1–6
Zoti zbulon vendndodhjen e qytetit të Sionit
Lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith për të kuptuar më mirë se si u ndie ai rreth ngritjes dhe ndërtimit të Sionit:
“Mbledhja e vëllezërve tanë [Oliver Kaudërit, Piter Uitmer të Riut, Ziba Pitersonit dhe Frederik G. Uilliamsit, të gjithë që kishin shkuar në Misuri si misionarë], të cilët kishin pritur gjatë për mbërritjen tonë, ishte një mbledhje e lavdishme dhe e mbushur me shumë lot. Dukej e mirë dhe e kënaqshme që vëllezërit të mblidheshin së bashku në unitet. Por mendimet tona ishin të shumta, duke qenë se kishim ardhur nga një rang i nivelit të lartë të shoqërisë nga lindja dhe tani duke qëndruar në kufijtë ose skajet perëndimorë të Shteteve të Bashkuara, e duke parë shkretëtirën e madhe të atyre që rrinin në errësirë; sa e natyrshme ishte të vëzhgoje përkeqësimin, mangësinë e intelektit, mizorinë dhe xhelozinë e një populli që ishte pothuaj njëqind vjet mbrapa, dhe të ndieje keqardhje për ata që endeshin pa përfituar nga qytetërimi, zhvillimi apo feja; po, dhe të thërrisje në gjuhën e Profetëve: ‘Kur do të lulëzojë shkretëtira si një trëndafil? Kur do të ndërtohet Sioni në lavdinë e tij dhe ku do të qëndrojë tempulli Yt, në të cilin gjithë kombet do të hyjnë në ditët e fundit?’ Ankthi ynë mori fund kur morëm [zbulesën e mëposhtme: DeB 57]” (në History of the Church, 1:189).
Mendoni për një rast kur mezi e prisnit diçka, të tillë si festimin e një feste apo të një ditëlindjeje, të shërbyerit në një mision, vajtjen në tempull, marrjen e një dhurate apo vizitën te një njeri i dashur për ju. Si u ndiet ndërsa ngjarja që po prisnit u afrua? Përse kjo ngjarje ishte kaq e rëndësishme për ju? Si e pasqyruan veprimet tuaja lumturinë për këtë ngjarje?
Shumë prej shenjtorëve të hershëm mezi prisnin që të mësonin vendndodhjen e saktë të qytetit të Sionit. Përpara se të jepej zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 57, ata kishin lexuar në Librin e Mormonit rreth Jerusalemit të Ri që do të ndodhej në kontinentin amerikan (shih 3 Nefi 20–21; Ethëri 13). Nëpërmjet zbulesave që iu dhanë Profetit Jozef Smith, shenjtorët kishin mësuar se Sioni do të ndodhej diku në Misuri (shih DeB 52:2, 5, 42).
Kujtoni se tri grupe kryesore të anëtarëve të Kishës ishin thirrur për të udhëtuar pothuaj 1 440 kilometra për në Misuri: Profeti dhe një grup i vogël pleqsh (shih DeB 52–53), një grup misionarësh të thirrur që të predikonin përgjatë udhës (shih DeB 52) dhe shenjtorët nga Kollsvill i Nju-Jorkut, të udhëhequr nga Njull Najti (shih DeB 54).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 57:1–3 dhe shenjoni se ku do të ndërtohej qyteti i Sionit.
Sipas këtyre vargjeve, ku ndodhej qyteti i Indipendënsit në lidhje me Sionin?
Rilexoni Doktrinën e Besëlidhjet 57:3 dhe shenjoni atë që Zoti tha se duhej të ndodhej në Indipendëns apo në vendin qendror të Sionit.
Ju mund të doni ta shkruani parimin vijues në anë të shkrimeve tuaja të shenjta: Tempulli është në vendin qendror të Sionit.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mendoni ju, përse ishte e rëndësishme që të ndodhej një tempull në vendin qendror të Sionit?
-
Përse mund të jetë e rëndësishme ta kemi tempullin në qendër të jetës sonë?
-
Mendoni rreth gjërave që mund t’i shpërqendrojnë individët nga marrja e bekimeve të tempullit. Çfarë mund t’u ndodhë njerëzve që zgjedhin ta qendërzojnë jetën e tyre te gjërat e botës?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta vizatoni një tabelë gjuajtjeje me një rreth në qendër. Emërtojeni qendrën e tabelës suaj me fjalën tempulli. Pastaj përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Si mund të jetë e ndryshme jeta juaj nëse e përqendroni atë më plotësisht te gjërat shpirtërore, të tilla si tempulli?
-
Si mund të na ndihmojë vendosja e tempullit në qendër të jetës sonë, që ta përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti?
-
Lexoni thëniet vijuese duke përshkruar bekimet që mund të merrni ndërsa e përqendroni jetën tuaj tek tempulli. Ndërsa lexoni, shenjoni cilëndo prej këtyre bekimeve që i keni përjetuar.
“Për ju që jeni të denjë dhe në gjendje të shkoni në tempull, unë do t’ju këshilloja të shkoni shpesh. Tempulli është një vend ku ne mund të gjejmë paqe. Atje ne marrim një përkushtim të përtërirë të ungjillit dhe një vendosmëri të përforcuar për të mbajtur urdhërimet” (Tomas S. Monson, “Derisa të Takohemi Sërish”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 113).
“Nganjëherë mendjet tona janë kaq të shqetësuara me probleme dhe ka kaq shumë gjëra që kërkojnë vëmendje njëherësh, saqë ne thjesht nuk mund të mendojmë me qartësi dhe të shohim me qartësi. Në tempull pluhuri i rrëmujës duket se largohet, mjegulla dhe turbullira duken se shpërndahen dhe ne mund të ‘shohim’ gjëra që nuk ishim në gjendje t’i shihnim më parë dhe të gjejmë një rrugë përmes shqetësimeve tona që s’e kishim njohur më parë” (Bojd K. Paker, “The Holy Temple”, Ensign, tetor 2010, f. 35).
“Kur ne e prekim tempullin dhe e duam tempullin, jeta jonë do të pasqyrojë besimin tonë. Kur shkojmë te shtëpia e shenjtë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. Tempulli i jep qëllim jetës sonë. Ai i sjell paqe shpirtit tonë” (Tomas S. Monson, “Bekime të Tempullit”, Ensign, tetor 2010, f. 15).
“Nëse jemi një popull që shkon në tempull, ne do të jemi njerëz më të mirë. … E di se jeta juaj është e zënë me punë. E di se keni shumë për të bërë. Por unë ju bëj një premtim që, nëse do të shkoni në shtëpinë e Zotit, ju do të bekoheni, jeta do të jetë më e mirë për ju” (Gordon B. Hinckley, “Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, korrik 1997, f. 73).
“Le të jemi një popull që shkon në tempull dhe që e do tempullin. Le të nxitojmë për në tempull aq shpesh sa ta lejojnë koha, mjetet dhe rrethanat vetjake. Le të shkojmë jo vetëm për të afërmit tanë të vdekur, por le të shkojmë gjithashtu për bekimin vetjak të adhurimit në tempull, për shenjtërinë dhe sigurinë që gjendet brenda atyre mureve të shenjtëruar e të përkushtuar. Tempulli është një vend bukurie, është një vend zbulese, është një vend paqeje. Ai është shtëpia e Zotit. Ai është i shenjtë për Zotin. Ai duhet të jetë i shenjtë për ne” (Howard W. Hunter, “The Great Symbol of Our Membership”, Ensign, tetor 1994, f. 5).
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Cilin nga bekimet e përmendura në thëniet më lart keni përjetuar ju?
-
Si e kanë ndikuar këto bekime jetën tuaj?
-
Përsiatni atë që mund të bëni, për ta bërë tempullin në mënyrë më të plotë qendrën e jetës suaj. Vini një synim që të mbeteni ose të bëheni i denjë për një rekomandim tempulli dhe për të shkuar në tempull aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat tuaja.
Doktrina e Besëlidhje 57:4–6 shënon se Zoti i urdhëroi shenjtorët të blinin tokë në kontenë Xhekson të Misurit dhe përreth saj, e cila do t’i mundësonte të fillonin ngritjen e Sionit dhe të ndërtonin një tempull.
Doktrina e Besëlidhje 57:7–16
Zoti i udhëzon individët lidhur me rolet e tyre në ngritjen e Sionit
Përfytyroni sikur të ishit me shenjtorët në Misuri kur Zoti zbuloi vendndodhjen e Sionit dhe t’ju kërkohej të qëndronit atje për të ndihmuar me ngritjen e qytetit në Indipendëns. Si do të ndiheshit po ta dinit se kishit një përgjegjësi kaq të rëndësishme? Si do të fillonit të ndërtonit një qytet për Zotin? Kë do të donit që t’ju ndihmonte me ndërtimin e tij?
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 57:7–13. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni emrat e katër burrave që Zoti i caktoi për të ndihmuar në ngritjen e Sionit dhe atë që i caktoi secilit prej tyre të bënte.
Çdo person që ishte këshilluar të vendosej në Misuri kishte dhurata dhe talente që nevojiteshin për të ndihmuar në ngritjen e Sionit. Ju mund të doni ta shkruani parimin vijues në anë të shkrimeve tuaja të shenjta: Ne duhet t’i përdorim anët tona të forta individuale për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Zotit kur Ai na thërret ta bëjmë këtë gjë.
Mendoni për njerëz që ju i njihni, që e ndërtojnë Kishën duke përdorur anët e tyre të forta vetjake, dhuratat shpirtërore apo aftësitë e tyre.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Cilat janë anët tuaja të forta?
-
Si mund t’i përdorni anët tuaja të forta për të bekuar familjen tuaj dhe Kishën?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 57 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: