Njësia 8: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 33–34
Hyrje
Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 33, Zoti i thirri Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin që të shpallnin ungjillin e Jezu Krishtit. Zoti u dha këtyre burrave udhëzime edhe për mësimdhënien e ungjillit. Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 34, Zoti e përgëzoi Orson Pratin për besimin e tij dhe gjithashtu e urdhëroi që të predikonte ungjillin.
Doktrina e Besëlidhje 33:1–6
Zoti i thërret Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin që të shpallin ungjillin e Tij
Perëndia komunikon me fëmijët e Tij në shumë mënyra të ndryshme. Cili është një shembull i mënyrës se si Ai ka komunikuar me ju ose me dikë që ju njihni?
Një mënyrë se si Zoti mund të komunikojë me ne është nëpërmjet ëndrrave dhe vegimeve. Lexoni rrëfimin e mëposhtëm të një vegimi të përjetuar nga Ezra Thajri. Merrni parasysh se si lidhet vegimi i tij me një rrotull letre, një vesh dhe një bori. Gjithashtu, mendoni se cili mund të jetë kuptimi i këtij vegimi.
“Një burrë erdhi dhe më solli një rrotull letre dhe ma tregoi, dhe [më dha] edhe një bori dhe më tha t’i bija asaj. I thashë se nuk i kisha rënë kurrë më parë në jetën time. Ai tha se mund t’i bija, ta provoja. E vendosa në gojë dhe i rashë dhe nxori tingullin më të bukur që kisha dëgjuar ndonjëherë” (“Testimony of Brother E. Thayre”, The True Latter Day Saints’ Herald, tetor 1862, f. 82).
Ezra Thajri jetonte në Palmira të Nju-Jorkut dhe kishte arritur t’i njihte anëtarët e familjes Smith nëpërmjet punës që kishin bërë për të në raste të ndryshme. Në tetor të vitit 1830, Ezra Thajri dhe një tjetër banor i Palmirës, Northrop Suiti, u pagëzuan në Kishë. Pak pasi Ezra dhe Northropi u pagëzuan, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë që i drejtohej të dy burrave, që tani është te Doktrina e Besëlidhje 33. Shumë vite më vonë Ezra shpjegoi: “Rrotulla e letrës ishte zbulesa për mua dhe Northrop Suitin” (“Testimony of Brother E. Thayre”, f. 82).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 33:1–2 dhe kërkoni fjalë e fraza që lidhen me një rrotull letre, një vesh dhe një bori.
Merrni parasysh se çfarë do të thotë të “hapni veshët [tuaj] dhe [t’i] bind[eni] zërit të Zotit, Perëndisë suaj” (DeB 33:1). Përsiatni se si ju mund t’i tregoni Zotit se veshët tuaj janë të hapur për ta dëgjuar zërin e Tij.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të shpallësh ungjillin “si me tingullin e një borie” (DeB 33:2)?
-
Në vegimin e Ezra Thajrit, kur ai i ra borisë, ajo prodhoi tingullin më të bukur që ai kishte dëgjuar ndonjëherë. Nga ajo që keni mësuar te Doktrina e Besëlidhje 33:2, përse mendoni se tingulli ishte kaq i bukur?
-
Te Doktrina e Besëlidhje 33:3 Zoti përdori simbole të tjera për t’u dhënë mësim Ezrës dhe Northropit rreth thirrjes së tyre si misionarë. Lexojeni këtë varg dhe mendoni rreth simboleve që ai përmban. Në veprimtarinë që vijon, vizatoni një vijë për të përputhur çdo simbol me kuptimin e tij.
Simboli |
Kuptimi |
---|---|
Fusha ose vreshti |
Anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit që shërbejnë për të ngritur mbretërinë e Perëndisë në tokë |
Punëtorët |
Bota |
Ora e njëmbëdhjetë |
Periudha e fundit ungjillore dhe hera e fundit që Zoti do ta vendosë mbretërinë e Tij në tokë përpara Ardhjes së Tij të Dytë (shih Bible Dictionary, “Dispensations”) |
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 33:4 duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Zoti gjendjen në botë në vitin 1830. Çfarë sfidash shihni në vreshtin e Zotit sot?
Përsiatni atë që Zoti ka bërë ose po bën për t’ju ndihmuar që të jetoni në këtë botë të korruptuar. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 33:5–6. Çfarë tha Zoti se ka bërë për të na ndihmuar?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta vizatoni një figurë që ilustron një mënyrë se si Perëndia i ka ndihmuar njerëzit ta shmangin korrupsionin e botës.
Ju mund të doni të shenjoni fjalët ose frazat nga Doktrina e Besëlidhje 33:5–6 që japin mësim të vërtetën vijuese: Zoti e ka themeluar Kishën e Tij dhe po mbledh të zgjedhurit e Tij në ditët e fundit.
-
Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më tej këtë të vërtetë dhe rëndësinë e saj, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 33:6, kush janë të zgjedhurit?
-
Duke marrë parasysh korrupsionin e botës, përse do të ishte e rëndësishme që të zgjedhurit e Zotit të mblidheshin së bashku?
-
Si ju ka ndihmuar Kisha për të shmangur korrupsionin e botës?
-
Doktrina e Besëlidhje 33:7–18
Zoti i jep Ezra Thajrit dhe Northrop Suitit udhëzime për mësimdhënien e ungjillit
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 33:7–10 për të mësuar atë që Zoti i tregoi Ezra Thajerit dhe Northrop Suitit se duhej të bënin me gojët e tyre. Pranë figurës së mëposhtme, shkruani një parim të bazuar në atë që keni mësuar nga këto vargje. Parimi mund të fillojë: Nëse i hapim gojët tona për të shpallur ungjillin, Zoti do të …
-
Mendoni për një rast kur ju e ndiet se duhet të kishit folur rreth ungjillit, por nuk folët. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Cilat janë disa situata në të cilat ju mund të jeni ngurrues për ta hapur gojën tuaj rreth ungjillit?
-
Kur keni folur për ungjillin dhe u ndiet të frymëzuar që të dinit se çfarë të thoshit? Ose kur i keni parë të tjerët të flasin për ungjillin dhe ndiet se ata u frymëzuan për atë që thanë?
-
Doktrina e Besëlidhje 33:10–15 përmban udhëzimet e Zotit për Ezrën dhe Northropin për të predikuar parimet dhe ordinancat e para të ungjillit (besimin në Jezu Krishtin, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë). Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 33:16–18 për të mësuar se çfarë këshille tjetër i dha Zoti Ezrës dhe Northropit, që do t’i ndihmonte të dinin atë që duhej të thoshin si misionarë. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni. Këshilla te vargu 17 për t’i patur “llampat tuaja të rregulluara e të ndezura dhe vaj me vete” do të thotë të jesh i përgatitur shpirtërisht dhe gati gjatë gjithë kohës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një gjë nga këshilla e dhënë te Doktrina e Besëlidhje 33:16–18 dhe shpjegoni se si mund t’ju ndihmojë kjo për të qenë gati që ta hapni gojën tuaj dhe t’u flisni të tjerëve për ungjillin në çdo kohë.
Doktrina e Besëlidhje 34
Zoti e përgëzon Orson Pratin për besimin e tij dhe e thërret që të predikojë ungjillin
Doktrina e Besëlidhje 34 jep një shembull të dikujt që u bekua kur një person tjetër e hapi gojën e vet për të folur për ungjillin. Lexoni hyrjen e seksionit të kësaj zbulese në shkrimet tuaja të shenjta, për të mësuar se kush e hapi gojën për ta ndarë ungjillin me Orson Pratin.
Orson Prati ishte 19 vjeç kur u pagëzua nga vëllai i tij më i madh, Parli. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 34:1 dhe vini re se si Zoti i drejtohet Orsonit.
Tani studioni Doktrinën e Besëlidhjet 34:2–3 duke kërkuar arsyen përse Zoti iu drejtua Orsonit si biri i Tij.
Ju mund ta keni vënë re në vargun 3 se të gjithë ata që besojnë te Jezu Krishti bëhen bij të Tij. Ky është një simbol i jetës së re që ne marrim kur e pranojmë ungjillin e Shpëtimtarit. Ne mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 25:1 se ky premtim zbatohet njësoj edhe për femrat, të cilat bëhen bija të Jezu Krishtit kur e pranojnë ungjillin e Tij.
Ndërsa lexoni informacionin vijues që Orson Prati shkroi rreth jetës së tij të hershme, shenjoni atë që bëri ai për të treguar se besonte te Zoti:
“Që nga mosha dhjetëvjeçare deri në nëntëmbëdhjetë, unë pashë shumë nga bota, dhe u hodha sa andej-këndej pa një vend qëndrimi të përhershëm; por nëpërmjet hirit të Perëndisë, u ruajta nga shumë të këqija ndaj të cilave të rinjtë ekspozohen; përshtypjet e para për moralshmërisë dhe fenë, të ngulitura në mendjen time nga prindërit e mi, mbetën gjithmonë me mua; dhe unë shpesh ndjeja ankth të madh për të qenë i përgatitur për një të ardhme; por kurrë nuk fillova që ta kërkoja Zotin, me zell të vërtetë, deri në vjeshtën e vitit 1829. Atëherë fillova të lutesha me shumë zell duke u penduar për çdo mëkat. Në hijet e qeta të natës, ndërsa të tjerët dremitnin në jastëkët e tyre, unë shpesh tërhiqesha në një vend të fshehtë, në fushat e veçuara apo shkretëtirën e vetmuar, dhe përulesha përpara Zotit, dhe lutesha për orë të tëra, me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar; ky ishte ngushëllimi dhe kënaqësia ime. Dëshira më e madhe e zemrës sime ishte që Zoti të shfaqte vullnetin e Tij në lidhje me mua. Vazhdova të lutesha në këtë mënyrë të zjarrtë deri në shtator të vitit 1830, kohë në të cilën dy Pleq të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, erdhën në lagjen time, njëri prej të cilëve ishte vëllai im, Parli. Ata bënë disa mbledhje ku unë mora pjesë.
Duke qenë i bindur për vërtetësinë hyjnore të doktrinës që ata dhanë mësim, unë u pagëzova më 19 shtator 1830. Kjo ishte ditëlindja ime, duke qenë nëntëmbëdhjetë vjeç. Isha i vetmi person në [zonë] që e mori dhe iu bind mesazhit” (në The Orson Pratt Journals, përmb. Elden J. Watson [1975], f. 8–9).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 34:4–6 për të parë atë që Zoti e thirri Orson Pratin të bënte për të qenë edhe më shumë i bekuar. Shqyrtoni përse ne marrim bekime më të mëdha kur ua mësojmë ungjillin të tjerëve.
Zoti i foli Orsonit rreth disa shenjave që do të ndodhnin përpara Ardhjes së Tij të Dytë (shih DeB 34:7–9). Më pas Ai e mbylli këtë zbulesë duke e nxitur Orsonin në thirrjen e Tij për të predikuar ungjillin. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 34:10–12 duke kërkuar të vërtetat vijuese: Ata që e japin me zell mësimin për ungjillin do ta bëjnë këtë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Nëse jemi besnikë, Zoti do të jetë me ne.
Si mund ta ngushëllojë dhe forcojë dikë, gjatë një kohe shkurajimi, premtimi i Zotit te Doktrina e Besëlidhje 34:11?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani përse ju mendoni se është e rëndësishme të keni fuqinë e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë ndërsa u mësoni të tjerëve ungjillin.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 33–34 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: