Seminari
Njësia 30: Dita 2, Largimi nga Navuja; Udhëtimi përmes Ajouas; Doktrina e Besëlidhje 136:1–18


Njësia 30: Dita 2

Largimi nga Navuja; Udhëtimi përmes Ajouas; Doktrina e Besëlidhje 136:1–18

Hyrje

Pasi Profeti Jozef Smith u martirizua, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, nën drejtimin e Brigam Jangut, President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, e udhëhoqi Kishën dhe vazhdoi punën e Zotit. Ata i nxitën shenjtorët ta përfundonin Tempullin e Navusë dhe të përgatiteshin për të shkuar në perëndim.

Shenjtorët Punojnë me Zell për të Marrë Bekimet e Tempullit

Mendoni për një rast kur ju bëtë diçka të vështirë sepse e dinit që rezultati do t’ia vlente përpjekjen.

Një nga detyrat e vështira që shenjtorët u udhëzuan të bënin pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, ishte përfundimi i Tempullit të Navusë. Shenjtorët bënë sakrifica të mëdha për ta ndërtuar Tempullin e Navusë. Ndërsa lexoni paragrafin vijues, nënvizoni sakrificat që bënë shenjtorët për ta ndërtuar tempullin e parë në Navu:

Në konferencën e përgjithshme të tetorit 1844, Presidenti Brigam Jang u kërkoi shenjtorëve që të jepnin të dhjetat dhe ofertat e tyre për ndërtimin e tempullit. Në përgjigje, çdo anëtare e Shoqatës së Ndihmës dha një qindarkë në javë për pajisje ndërtimi. Shumë burra dhanë si të dhjetë kohën e tyre duke punuar në tempull një herë në dhjetë ditë. Të tjerë dhanë më shumë se një e dhjeta nga burimet e tyre financiare. Jozef Toronto i dha Brigam Jangut 2.500 dollarë në ar dhe tha se donte të jepte gjithçka që kishte për ta ngritur mbretërinë e Perëndisë.

Tempulli i Navusë

Tempulli fillestar i Navusë

Si mendoni ju, përse shenjtorët qenë të gatshëm të sakrifikonin kaq shumë për ta ndërtuar tempullin?

Edhe pse shenjtorët sakrifikuan për ta ndërtuar Tempullin e Navusë, përndjekja e bëri të vështirë përfundimin e tempullit. Shumë armiq të Kishës menduan që, sapo të vritej Profeti Jozef Smith, Kisha do të shkatërrohej. Megjithatë, kur anëtarët e Kishës qëndruan besnikë dhe Kisha vazhdoi të përparonte, armiqtë e Kishës i dendësuan përpjekjet e tyre për t’i dëbuar shenjtorët nga Ilinoisi.

Ndërsa lexoni paragrafët vijues, kërkoni atë që u përpoqën të bënin armiqtë e Kishës për ta shkatërruar Kishën:

Në shtator 1844, koloneli Levi Uilliams, që qe përfshirë në vrasjen e Jozef dhe të Hajrëm Smithit, organizoi një fushatë të madhe ushtarake për t’i nxjerrë me forcë shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga Ilinoisi. Ajo u lajmërua si “një gjueti e madhe ujqërish në kontenë Hankok” (David E. Miller dhe Della S. Miller, Nauvoo: The City of Joseph [1974], f. 186) Kur e dëgjoi këtë, guvernatori Tomas Ford i Ilinoisit dërgoi në konte gjeneralin Xhon Hardin të milicisë së shtetit për të ruajtur paqen.

Një vit më vonë, në shtator 1845, koloneli Uilliams udhëhoqi një turmë prej 300 burrash, të cilët i sulmuan kolonitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në zonat përreth, duke djegur shumë shtëpi të pambrojtura, stalla, mullinj dhe mullarë me drithë. Në mes të shtatorit, Presidenti Brigam Jang kërkoi vullnetarë që t’i shpëtonin ata shenjtorë. Shenjtorët në Navu përgatitën 134 qerre për t’i sjellë familjet nga kolonitë përreth të sigurta në Navu.

Si do ta kenë bërë të vështirë këto sulme vazhdimin e punës në tempull?

Shumë banorë të Ilinoisit kishin frikë se prania e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mund të çonte në një luftë civile. Ata u kërkuan shenjtorëve të largoheshin nga shteti. Më 24 shtator 1845, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve premtoi se Kisha do të largohej pranverën e ardhshme.

Përsiatni se përse vendimi për t’u larguar nga Ilinoisi mund të ketë qenë një vendim i vështirë për t’u marrë. Gjithashtu merrni parasysh se si vendimi për t’u larguar nga Navuja mund të kishte ndikuar në përpjekjet e shenjtorëve për ta përfunduar tempullin.

Edhe pse shenjtorët e dinin se do t’iu duhej të largoheshin nga Ilinoisi, ata vazhduan ta ndërtonin Tempullin e Navusë.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mendoni ju, përse shenjtorët vazhduan të punonin në tempull edhe pse e dinin që do të largoheshin?

Në atë kohë, ordinancat e tempullit të nevojshme për ekzaltim nuk ishin ende në dispozicion për anëtarësinë e përgjithshme të Kishës. Në një zbulesë të vitit 1841, Zoti u premtoi shenjtorëve se, nëse ata do ta ndërtonin Tempullin e Navusë, ata do të ishin në gjendje t’i merrnin ato ordinanca shpëtuese (shih DeB 124:22–44).

Këta shenjtorë kishin besimin se ordinancat e tempullit do t’i përgatitnin ata të qëndronin në praninë e Atit Qiellor në përjetësi dhe se familjet e tyre mund të vuloseshin së bashku në përjetësi. Rrëfimet e sakrificave të shenjtorëve dhe të vështirësive që ata mposhtën për ta ndërtuar tempullin, na mësojnë të vërtetën vijuese: Marrja e ordinancave të tempullit ia vlen gjithë përpjekjen dhe sakrificën tonë të drejtë.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Si mendoni ju, përse për të marrë ordinancat e tempullit ia vlen të punosh shumë dhe të bësh sakrifica?

    2. Çfarë keni nevojë të bëni që të mund t’i merrni ordinancat e tempullit?

Përsiatni nëse ka ndonjë gjë që duhet të ndaloni së bëri ose të filloni ta bëni me qëllim që t’i merrni bekimet e tempullit.

Presidenti Tomas S. Monson

Presidenti Tomas S. Monson përshkroi sakrificat që bënë disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme të kohëve të tanishme për të marrë ordinancat e tempullit: “Shumë vite më parë, lexova për një grup prej më shumë se njëqind anëtarësh që u nisën nga Manausi [Brazil], i cili ndodhet në zemër të pyllit tropikal të Amazonës, për të udhëtuar për në atë që atëherë ishte tempulli më i afërt, i ndodhur në San-Paulo të Brazilit – afërsisht 4.000 kilometra larg Manausit. Ata shenjtorë besnikë udhëtuan me barkë për katër ditë në lumin Amazona dhe degët e tij. Pasi e përfunduan udhëtimin e tyre nëpër ujë, ata hipën në autobusë për tre ditë të tjera udhëtimi – në rrugë me gunga, me shumë pak gjëra për të ngrënë dhe pa pasur ndonjë vend të rehatshëm për të fjetur. Pas shtatë ditësh e netësh, ata arritën në tempullin e San-Paulos, ku u kryen ordinanca me natyrë të përjetshme. Sigurisht, udhëtimi i tyre i kthimit qe po aq i vështirë. Megjithatë, ata kishin marrë ordinancat e bekimet e tempullit dhe, edhe pse kuletat i kishin bosh, ata vetë u mbushën me shpirtin e tempullit dhe me mirënjohje për bekimet që kishin marrë” (“Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 91).

Si mund t’ju frymëzojë shembulli i këtyre shenjtorëve ndërsa përgatiteni për t’i marrë ordinancat e tempullit?

Lexojini paragrafët vijues dhe nënvizoni shembuj të përpjekjeve të drejta të shenjtorëve në Navu për t’i marrë ordinancat e tempullit:

Udhëheqësit e Kishës përkushtuan dhoma në Tempullin e Navusë ndërkohë që ato po përfundoheshin, me qëllim që ordinancat të mund të fillonin sa më shpejt të ishte e mundur. Papafingoja e tempullit u përkushtua për punën e ordinancave më 30 nëntor 1845. Shenjtorët filluan ta merrnin dhurimin [indaumentin] e tyre në mbrëmjen e 10 dhjetorit, me sesione dhurimi [indiaumenti] që vazhduan deri në 3 të mëngjesit të 11 dhjetorit.

Presidenti Brigam Jang

Presidenti Brigam Jang punoi pa u lodhur për të kryer ordinanca tempulli për shenjtorët përpara se të detyroheshin për t’u larguar nga Navuja në Ilinois.

Deri në fund të vitit 1845, mbi 1.000 anëtarë i kishin marrë ordinancat e tempullit. Në janar 1846, Presidenti Brigam Jang shënoi: “Kaq i madh ka qenë ankthi i shfaqur nga shenjtorët për t’i marrë ordinancat [e Tempullit] dhe kaq i madh ankthi nga ana jonë për t’u administruar atyre, sa unë jam dhënë tërësisht pas punës së Zotit në Tempull natë e ditë, duke pasur mesatarisht jo më shumë se katër orë gjumë në ditë dhe duke shkuar në shtëpi vetëm një herë në javë” (në History of the Church, 7:567). Shumë anëtarë të Kishës ndihmuan duke i larë rrobat e tempullit çdo natë, në mënyrë që puna të mund të vazhdonte mëngjesin vijues pa vonesë.

Më 3 shkurt 1846, Presidenti Jang u largua nga tempulli që të bënte përgatitjet përfundimtare për t’u larguar nga Navuja të nesërmen, për të udhëtuar drejt perëndimit. Megjithatë, një grup i madh njerëzish ishin mbledhur për të marrë dhurimin [indaumentin] dhe ai u kthye me dhembshuri për t’u shërbyer atyre. Kjo e vonoi nisjen e tij edhe për dy javë të tjera. Sipas dokumenteve të tempullit, 5.615 shenjtorë morën dhurimin [indaumentin] përpara se të shkonin në perëndim. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 303–304.)

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Çfarë ju bën përshtypje nga përpjekjet e shenjtorëve për t’i marrë ordinancat e tempullit?

    2. Çfarë përpjekjesh dhe sakrificash duhet të bëjmë për t’i marrë ordinancat e tempullit?

Shenjtorët Largohen nga Navuja

Pasi i morën ordinancat e tempullit, shenjtorët filluan të largoheshin nga Navuja në shkurt 1846. Sidoqoftë, jo të gjithë anëtarët e Kishës u nisën me grupin kryesor të shenjtorëve. Një numër i vogël nuk ishin të përgatitur të largoheshin dhe disa zgjodhën të qëndronin.

Shumë shenjtorë që qëndruan në Navu, vazhduan të përjetonin përndjekje. Në shtator 1846, shtatë muaj pasi ishte nisur grupi kryesor i shenjtorëve, afërsisht 800 njerëz, të armatosur me gjashtë topa, u përgatitën që të sulmonin Navunë. Pjesa e mbetur e shenjtorëve dhe disa qytetarë të rinj, që numëroheshin vetëm në 150 burra luftëtarë, u përgatitën për ta mbrojtur qytetin.

Pas disa ditë lufte, shenjtorët u detyruan të dorëzoheshin dhe atyre iu tha të largoheshin menjëherë nga qyteti. Turma më pas hyri në qytet, i grabiti shtëpitë dhe e shkatërroi tempullin. Disa shenjtorë që nuk ishin në gjendje të iknin mjaftueshëm shpejt, u rrahën ose u hodhën në lumin Misisipi. Pasi shenjtorët u larguan nga Navuja, ata ngritën kampe refugjatësh përgjatë bregut perëndimor të lumit. Shumica e njerëzve nuk kishin ushqim të mjaftueshëm ose pajisje për ta mbështetur veten e tyre.

Udhëheqësit e Kishës dërguan grupe shpëtuesish përmes territorit të vështirë të Ajouas për t’i ndihmuar shenjtorët e përvuajtur.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mendoni se do të ishit ndier nëse do të ishit thirrur për t’u kthyer që të ndihmonit ata shenjtorë të përvuajtur?

Lexojeni mesazhin vijues që Presidenti Brigam Jang u dha burrave që u ngarkuan me rekrutimin e grupeve shpëtuese:

Presidenti Brigam Jang

“Lëreni zjarrin e besëlidhjes që ju bëtë në Shtëpinë e Zotit të digjet në zemrat tuaja, si një zjarr i pashueshëm, derisa juve … të keni kërkuar çdo njeri … që [është në gjendje të niset], dhe t’i japë zemër vetes, derisa të ngrihet … dhe të shkojë drejt e të sjellë një tufë të varfërish nga Navuja. …

… Kjo është një ditë veprimi” (Journal History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 28 shtator 1846, f. 5–6, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti).

Thënia e Brigam Jangut na mëson se Zoti na kërkon që të jetojmë sipas besëlidhjeve që bëjmë.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Çfarë sakrificash keni bërë për t’i mbajtur besëlidhjet?

    2. Çfarë bekimesh keni përjetuar për shkak se keni jetuar sipas besëlidhjeve që keni bërë?

Shenjtorët e Kalojnë Ajouan dhe e Vendosin Selinë në Lagjet Dimërore

Kur grupi kryesor i shenjtorëve filloi të largohej nga Navuja në shkurt 1846, ata udhëtuan për në perëndim përmes shtetit të Ajouas. “Largimi nga Navuja ishte një vepër besimi për shenjtorët. Ata u larguan pa e ditur me saktësi se ku po shkonin ose kur do të mbërrinin në një vend për të ngritur një koloni. Ata dinin vetëm që ishin gati të dëboheshin prej Ilinoisit nga armiqtë e tyre dhe se udhëheqësit e tyre kishin marrë zbulesë që të gjenin strehim diku në Malet Shkëmbore” (Church History in the Fulness of Times Student Manualf. 309).

Ndërsa lexoni rrëfimin vijues të Orson dhe Katerina Spenserit, kërkoni shembuj të besimit dhe mirëbesimit të tyre:

“Pasi u largua nga Navuja, [Katerina], përherë e dobët dhe e brishtë, u fundos shpejt nën vështirësitë përherë e më të shumta. Bashkëshorti i hidhëruar i shkroi me përgjërim prindërve të gruas, duke u kërkuar atyre që ta merrnin në shtëpi derisa shenjtorët të gjenin një vend qëndrimi. Përgjigja erdhi: ‘Le të heqë dorë nga besimi i saj poshtërues dhe ajo mund të kthehet, por kurrë derisa ajo ta bëjë këtë’.

Kur asaj iu lexua letra, ajo i kërkoi bashkëshortit të saj ta merrte Biblën e tij dhe ta hapte te libri i Ruthit dhe të lexonte kapitullin e parë, vargjet gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë: ‘Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im’” (Memoirs of John R. Young: Utah Pioneer 1847 [1920], f. 17–18). Katerina Spenseri vdiq pak pas kësaj.

Shenjtorët hasën më shumë vështirësi gjatë udhëtimit. Për shkak të shiut të shumtë dhe pajisjeve të pamjaftueshme, shenjtorët harxhuan katër muaj për të bërë udhëtimin prej 482 kilometrash përmes Ajouas. Duke e marrë parasysh këtë hap të ngadaltë, udhëheqësit e Kishës vendosën të mos vazhdonin për në perëndim drejt Maleve Shkëmbore deri në pranverën e vitit 1847. Ata i këshilluan shenjtorët të vendoseshin diku për dimrin. Një nga kolonitë më të mëdha, Lagjet Dimërore, ndodhej në anën perëndimore të lumit Misuri, në shtetin e tanishëm të Nebraskës.

Lagjet Dimërore

Kolonia e përkohshme e Lagjeve Dimërore

Doktrina e Besëlidhje 136:1–18

Zoti i këshillon shenjtorët ta organizojnë veten e tyre dhe të përgatiten për të vazhduar udhëtimin për në perëndim

Presidenti Brigam Jang e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136 në Lagjet Dimërore në janar të vitit 1847.

Ndërsa e studioni Doktrinën dhe Besëlidhjet 136:1–18, vini re këshillën e Zotit lidhur me mënyrën se si shenjtorët duhej ta organizonin veten e tyre dhe të përgatiteshin për të vazhduar udhëtimin për në perëndim.

Ju do të mësoni më shumë rreth udhëtimit për në perëndim me mësuesin tuaj në mësimin për këtë njësi.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar “Largimin nga Navuja”, “Udhëtimin përmes Ajouas” dhe Doktrinën e Besëlidhjet 136:1–18 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: