Seminari
Njësia 1: Dita 4, Studimi i Shkrimeve të Shenjta


Njësia 1: Dita 4

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Hyrje

Ky mësim do t’ju ndihmojë të mësoni se si t’i kuptoni më mirë shkrimet e shenjta, të përcaktoni doktrinat dhe parimet e ungjillit që ato i përmbajnë, dhe t’i zbatoni ato të vërteta në jetën tuaj. Kur e bëni këtë, shkrimet e shenjta do të bëhen një burim më i madh udhërrëfimi e zbulese në jetën tuaj.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta në Seminar

A e keni ndihmuar ndonjëherë dikë që të kërkojë për diçka që ishte humbur? Përpara se të fillonit të kërkonit, a patët një përshkrim të asaj që po kërkonit? Nëse me të vërtetë nuk e dinit se për çfarë po kërkonit, sa të suksesshëm ishit në kërkimin tuaj, ose si mendoni, sa i suksesshëm do të kishte qenë kërkimi juaj?

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Në mënyrë të ngjashme, studimi juaj i shkrimeve të shenjta mund të jetë më domethënës kur ju e dini se për çfarë të kërkoni teksa studioni.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani atë që shpresoni të fitoni kur i studioni shkrimet tuaja të shenjta.

Presidenti Marion  G. Romni

Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth një arsyeje përse shkrimet e shenjta janë shkruar, që mund t’ju ndihmojë të dini se për çfarë të kërkoni teksa i studioni shkrimet e shenjta: “Një njeri nuk mund t’i studiojë ndershmërisht shkrimet e shenjta pa mësuar parimet, sepse shkrimet e shenjta janë shkruar për t’i ruajtur parimet për të mirën tonë” (“The Message of the Old Testament”, [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të SAK-ut, 17 gusht 1979], f. 3, si.lds.org).

Sipas Presidentit Romni, përse janë shkruar shkrimet e shenjta?

Ajo që po kërkojmë kur i studiojmë shkrimet e shenjta, si rrjedhim, duhet të jetë më shumë se sa thjesht hollësitë rreth ngjarjeve dhe njerëzve në shkrimet e shenjta. Ne duhet të përpiqemi që të gjejmë të vërtetat e ungjillit, të cilat profetët e lashtë i ruajtën nëpërmjet ngjarjeve, predikimeve dhe zbulesave që ata i shënuan në shkrimin e shenjtë. Këto të vërteta quhen doktrina dhe parime.

Doktrinat janë të vërteta themelore, të pandryshueshme, të ungjillit të Jezu Krishtit, të tilla si Ati Qiellor ka një trup prej mishi e kockash. Parimet janë të vërteta të qëndrueshme apo rregulla që ne mund t’i përdorim për të na udhëzuar në marrjen e vendimeve dhe në zbatimin e doktrinave në jetën tonë. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi mënyrën se si parimet e ungjillit mund të jenë dobiprurëse për ne: “Parimet janë e vërteta e përqendruar, e mbledhur për zbatim në një mori të gjerë rrethanash. Një parim i vërtetë i bën vendimet të qarta edhe nën rrethanat më të ngatërruara dhe shtrënguese” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 86).

Sipas Plakut Skot, çfarë bën për ne një parim?

Një shembull i një parimi të dhënë mësim në shkrimet e shenjta gjendet në Vegimin e Parë të Jozef Smithit. Nga përvoja e Jozefit, ne mund të mësojmë se Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve.

  1. ikona e ditaritShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një doktrinë ose parim që e keni mësuar nga studimi i shkrimeve të shenjta.

Të Kuptuarit e Kontekstit dhe Përmbajtjes së Shkrimeve të Shenjta

Vizatoni një copë frute që ka një lëkurë apo një mbështjellëse të jashtme, të tillë si një banane ose një portokall.

banane

Cila pjesë e frutës është më e dobishmja? Çfarë duhet të bëni përpara se të mund ta hani frutën?

banane pjesërisht e qëruar

Nëse pjesa më e rëndësishme ose më e dobishme e frutës është në brendësi, cili është qëllimi i mbështjellëses së jashtme?

Fruta me mbështjellësen, të cilën ne e përdorim për forcë dhe ushqim, mund të krahasohet me doktrinat e parimet që gjenden në shkrimet e shenjta. Mbështjellësja që e rrethon frutën, mund të krahasohet me ngjarjet dhe njerëzit e shkrimeve të shenjta. Ashtu sikurse mbështjellësja e jashtme e ruan frutën dhe ndihmon në transportimin e frutës së brendshme, këto tregime nga shkrimet e shenjta i mbajnë doktrinat dhe parimet e ungjillit dhe na i përçojnë ato në një mënyrë që na ndihmon t’i kuptojmë, kujtojmë dhe zbatojmë në jetën tonë.

Nëse keni një copë frute në dispozicion, qërojeni që të mund të shihni frutën brenda (ose thjesht mendoni rreth mënyrave të ndryshme se si do të arrinit te fruta e një bananeje ose një portokalli). Puna që nevojitej për ta hequr mbështjellësen e jashtme dhe për ta nxjerrë në dukje frutën e brendshme, është e ngjashme me atë që duhet të bëjmë për ta hapur e për ta zbuluar një fragment të shkrimit të shenjtë. Për ta hequr mbështjellësen e shkrimeve të shenjta dhe për ta nxjerrë në dukje frytin e brendshëm, ne kemi nevojë të kuptojmë vendosjen historike të një zbulese dhe gjithashtu të përpiqemi të kuptojmë ngjarjet, njerëzit dhe kuptimin e fjalëve. Kur e bëjmë këtë gjë, doktrinat dhe parimet që përmbahen brenda rrëfimeve të shkrimeve të shenjta, bëhen më të lehta për t’u parë dhe kuptuar.

Sa vijojnë janë disa metoda dhe teknika bazë për t’ju ndihmuar që t’i kuptoni më mirë shkrimet e shenjta teksa i studioni ato. Në fund të mësimit ju do të gjeni teknika dhe metoda shtesë të studimit të shkrimeve të shenjta.

Vendosja historike: Secili seksion i Doktrinës e Besëlidhjeve përfshin një hyrje të seksionit, e cila shpesh përshkruan shqetësimet, pyetjet ose ngjarjet historike që e paraprinë zbulesën në atë seksion. Njohja e këtyre hollësive mund t’ju ndihmojë ta kuptoni zbulesën.

  1. ikona e ditaritPër të parë se si vendosja historike mund ta shtojë kuptueshmërinë tuaj për një zbulesë, lexoni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 121 dhe vargjet 1–8. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani se si njohuria se Profeti Jozef Smith ishte burgosur në Burgun e Libertisë për disa muaj i shton kuptim lutjes së tij dhe përgjigjes së Zotit në këto vargje.

Përkufizimet e fjalëve: Disa fjalë të përdorura në shkrimet e shenjta mund të mos jenë të njohura. Bible Dictionary [Fjalori Biblik], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, poshtëshënimet në faqet e shkrimeve të shenjta dhe një fjalor i rregullt mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni atë që duan të thonë ato fjalë.

Për shembull, lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 121:1, 4. Fjala vendi i fshehjes i drejtohet një tende ose një strukture mbrojtëse. Si mund t’ju ndihmojë njohja e kësaj që ta kuptoni më mirë domethënien e këtyre vargjeve?

Referencat kryq: Një fragment i shkrimeve të shenjta shpesh mund të ndihmojë për të shpjeguar ose qartësuar domethënien e një fraze ose konceptin që gjendet në një fragment të ndryshëm. Për shembull, lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 10:55. Ky varg duket se tregon që e vetmja gjë që kërkohet për ta trashëguar mbretërinë çelestiale është të jeni anëtar i Kishës. Tani lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 10:67 dhe vini re atë që na mëson rreth të qenit anëtar i Kishës.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni se si Doktrina e Besëlidhje 20:37 ju ndihmon të kuptoni domethënien e Doktrinës e Besëlidhjeve 10:55 dhe 10:67. Ju mund të dëshironi të shkruani DeB 10:67; 20:37 si referencë kryq në anë të vargut pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 10:55.

Përcaktimi i Doktrinave dhe Parimeve

Ndërkohë që e shtoni kuptueshmërinë tuaj për sfondin, fjalët, njerëzit dhe ngjarjet në shkrimet e shenjta, ju përgatiteni më mirë që të përcaktoni të vërtetat e ungjillit që përmbahen brenda tyre.

Disa doktrina dhe parime të ungjillit janë më të lehta për t’u përcaktuar, sepse ato thuhen haptazi në shkrimet e shenjta. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 130:22 dhe shenjoni doktrinat e parimet që thuhen haptazi në këtë varg. Mes doktrinave të thëna në këtë varg janë të vërtetat që Ati dhe Biri kanë trupa prej mishi e kockash si një njeri i prekshëm dhe që Fryma e Shenjtë është një personazh i Shpirtit.

Shumë doktrina e parime nuk thuhen haptazi në tekstin e shkrimit të shenjtë, por ato tregohen ose përshkruhen përgjatë disa vargjeve. Për t’i përcaktuar këto doktrina dhe parime, ne kemi nevojë të dallojmë të vërtetat që ilustrohen në fragmentin e shkrimeve të shenjta dhe më pas t’i themi këto të vërteta në mënyrë të qartë e të thjeshtë. Kjo shpesh kërkon kohë dhe mendim të matur.

Plaku Riçard G. Skot

Plaku Riçard G. Skot dha këshillën vijuese: “Teksa kërkoni njohuri shpirtërore, kërkoni parime. Veçojini me kujdes nga detaji që përdoret për t’i shpjeguar ato. … Ia vlen përpjekja e madhe për ta organizuar të vërtetën që grumbullojmë në formulime të thjeshta të parimeve” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, f. 86)

Teksa mësoni se si t’i përcaktoni doktrinat e parimet që nuk thuhen haptazi, ju mund të bëni pyetje të tilla si: Përse shënohet ky informacion në shkrimet e shenjta? Çfarë dëshironte shkruesi që lexuesit të mësonin dhe kuptonin? Çfarë mund të mësoj nga kjo që mund të më ndihmojë në jetën time? Çfarë mund të mësoj nga kjo që mund të më ndihmojë t’ua tregoj të vërtetat e ungjillit të tjerëve?

  1. ikona e ditaritPraktikoni përcaktimin e doktrinave dhe parimeve duke rishikuar Doktrinën e Besëlidhjet 121:1–8 dhe duke i bërë vetes disa prej pyetjeve të mësipërme. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një ose dy të vërteta që i mësoni nga lutja e Profetit Jozef Smith dhe përgjigjja e Zotit ndaj asaj lutjeje.

Zbatimi i Doktrinave dhe Parimeve në Jetën Tuaj

Mendoni përsëri rreth frutës së diskutuar më herët në këtë mësim. Çfarë vlere do të kishte fruta nëse nuk përdorej kurrë pasi të hiqej nga mbështjellja e saj?

Nëse e krahasojmë frutën brenda mbështjellëses me doktrinat e parimet që përcaktojmë në shkrimet e shenjta, çfarë duhet të bëjmë me këto të vërteta pasi t’i gjejmë ato?

Vlera e punës që bëjmë për ta hequr mbështjellësen është ushqimi dhe forca që mund të marrim nga fruta e brendshme. Në të njëjtën mënyrë, vlera e studimit të shkrimeve të shenjta vjen kur ne i marrim doktrinat e parimet që i përcaktojmë, dhe i zbatojmë ato në jetën tonë. Shumica e zbulesave në Doktrinën e Besëlidhjet u dhanë për individë me pyetje ose shqetësime, por ne gjithashtu mund t’i zbatojmë këshillën dhe mësimet në vetë jetën tonë. Megjithëse shumica e seksioneve u drejtohen anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mesazhet, paralajmërimet dhe këshillimet janë për dobinë e çdo njeriu.

  1. ikona e ditaritMendoni për një shembull të një të vërtete të ungjillit që e keni mësuar nga shkrimet e shenjta dhe se si ajo e bekoi jetën tuaj kur e vutë atë në jetë. Shënojeni përvojën tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Presidenti Bojd K. Paker

Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u dha premtimin vijues atyre që i studiojnë shkrimet e shenjta dhe i vënë në jetë të vërtetat që përmbajnë ato: “Nëse [ju] njiheni me zbulesat, nuk ka pyetje – vetjake, apo shoqërore, apo politike, apo profesionale – që ka nevojë të mbetet pa përgjigje. Këtu gjendet plotësia e ungjillit të përjetshëm. Këtu ne gjejmë parimet e së vërtetës që do ta zgjidhin çdo pështjellim, çdo problem dhe çdo mëdyshje që do të hasë familja njerëzore ose ndonjë individ në të” (“Teach the Scriptures” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 14 tetor 1977], f. 3-4, si.lds.org).

Ju mund të doni të shenjoni pjesët e këtij premtimi që janë kuptimplota për ju.

Merrni parasysh të caktoni një synim për t’ju ndihmuar që ta vini në jetë një prej të vërtetave që keni lexuar gjatë studimit tuaj të shkrimeve të shenjta sot.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar mësimin “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Teknika dhe Metoda Shtesë për Studimin e Shkrimeve të Shenjta

Zëvendësimi i emrit: Për t’ju ndihmuar që t’i zbatoni shkrimet e shenjta në jetën tuaj, zëvendësojeni me emrin tuaj një emër në shkrimet e shenjta. Provojeni këtë teknikë me Doktrinën e Besëlidhjet 6:20.

Shkaku dhe pasoja: Për t’ju ndihmuar të përcaktoni doktrinat dhe parimet e ungjillit në shkrimet e shenjta, kërkoni marrëdhëniet “nëse–atëherë” dhe “sepse–si rrjedhim”. Provojeni këtë teknikë me Doktrinën e Besëlidhjet 5:24.

Fjalët kyçe: Fjalë dhe fraza si “vër re”, “prandaj”, “sepse”, “si rrjedhim”, “megjithatë” ose “kështu ne shohim” janë ftesa për të ndaluar dhe për të kërkuar mesazhe të veçanta. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 58:26 dhe vini re se si fjalët kyçe mund t’ju ndihmojnë që të përcaktoni doktrina dhe parime.

Listat e shkrimeve të shenjta: Shkrimet e shenjta shpesh përmbajnë lista, të tilla si lista të tipareve të karakterit, të udhëzimeve ose paralajmërimeve. Kur gjeni lista, merrni parasysh t’i caktoni një numër secilit element. Provojeni këtë teknikë me Doktrinën e Besëlidhjet 4:5–6.

Krahasimet: Shkrimet e shenjta shpesh tregojnë krahasime në ide, ngjarje dhe njerëz. Këto krahasime i theksojnë parimet e ungjillit. Kërkoni krahasime te vargjet e vetme, te kapitujt, si dhe përmes kapitujve dhe librave. Provojeni këtë teknikë me Doktrinën e Besëlidhjet 50:23–25.

Përfytyrimi: Kërkoni detaje përshkrimi që mund t’ju ndihmojnë të krijoni një përfytyrim mendor të asaj që lexoni. Përfytyroni sikur të jeni të pranishëm në ngjarje të caktuara. Kjo mund të ndihmojë për ta forcuar dëshminë tuaj për realitetin e asaj që lexoni në shkrimet e shenjta. Provojeni këtë teknikë me Doktrinën e Besëlidhjet 45:44–46.

Simbolizmi: Fjalë dhe fraza të tilla si “sikurse”, “si” ose “ngjan” mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni simbole. Shihni përtej një simboli duke shqyrtuar natyrën e tij dhe duke përsiatur tiparet e tij. Poshtëshënimet në faqet, Bible Dictionary [Fjalori Biblik] dhe Topical Guide [Udhëzuesi Tematik] ose Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta mund t’ju ndihmojnë që t’i interpretoni disa simbole. Provojeni këtë teknikë me Doktrinën e Besëlidhjet 88:46, 51–61.

Përsiatja: Përsiatja përfshin të menduarin, meditimin, bërjen e pyetjeve dhe vlerësimin e asaj që dini dhe të asaj që keni mësuar. Përsiatja shpesh na ndihmon të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë për t’i zbatuar parimet e ungjillit. Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim: “Përsiatja është një nga dyert më të fshehta, më të shenjta, përmes të cilave ne hyjmë në praninë e Zotit” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 32). Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 138:1–4 për një shembull të dikujt që po e përdor këtë teknikë.