Njësia 25: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 115–116
Hyrje
Më 26 prill 1838, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 115. Në të Zoti zbuloi emrin e Kishës, i urdhëroi shenjtorët të “ngrih[eshin] e [të] shkëlqeni[n]” (DeB 115:5) dhe zbuloi vullnetin e Tij lidhur me tempullin në Far-Uest. Më 19 maj 1838, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 116, e cila e përcaktoi Spring-Hillin në Misuri si Adam-ondi-Ahmanin.
Doktrina e Besëlidhje 115:1–6
Zoti i urdhëron anëtarët e Kishës së Tij të “ngrih[en] e shkëlqe[jnë]”
Cilët janë emrat e disa kompanive ose organizatave që i njihni? Çfarë përçojnë emrat e këtyre organizatave? Kush i udhëheq këto organizata? Çfarë bëjnë këto organizata?
Mendoni për emrin dhe logon e Kishës. Ndërsa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 115, kërkoni se çfarë përçon emri i Kishës rreth atij që e udhëheq Kishën dhe çfarë është Kisha.
Doktrina e Besëlidhje 115:1–3 na tregon se kjo zbulesë iu dha nëpërmjet Profetit Jozef Smith të gjithë anëtarëve të Kishës. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 115:4, duke kërkuar emrin që caktoi Zoti për Kishën e Tij.
Shiheni me kujdes secilën fjalë të emrit të Kishës dhe mendoni rreth arsyes përse çdo fjalë është domethënëse.
Lexojeni shpjegimin vijues nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Kam menduar shumë se përse Shpëtimtari i dha Kishës së Tij të rivendosur një emër të gjatë. Mund të duket i gjatë por, nëse e mendojmë atë si një përshkrim të asaj se çfarë është Kisha, papritur ai bëhet mrekullisht i shkurtër, i qartë dhe i lehtë. Si mund të jetë më i drejtpërdrejtë e i qartë ndonjë përshkrim dhe ende të shprehet në kaq pak fjalë?
Çdo fjalë është sqaruese dhe domethënëse. Fjala Kisha në trajtën e shquar tregon pozicionin unik të Kishës së rivendosur midis feve të botës.
Fjalët Kisha e Jezu Krishtit tregojnë që është Kisha e Tij. …
E Shenjtorëve do të thotë se anëtarët e saj e ndjekin Atë dhe përpiqen ta bëjnë vullnetin e Tij, t’i mbajnë urdhërimet e Tij dhe të përgatiten edhe një herë për të jetuar me Të dhe Atin tonë Qiellor në të ardhmen.
Shenjtorëve thjesht i referohet atyre që kërkojnë ta bëjnë jetën e tyre të shenjtë duke besëlidhur për ta ndjekur Krishtin. Të Ditëve të Mëvonshme shpjegon se është e njëjta Kishë me Kishën e Jezu Krishtit të krijuar gjatë shërbesës së Tij [n]ë vdekshm[ëri], por e rivendosur në këto ditë të fundit” (“Rëndësia e një Emri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 80).
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Cilat janë disa të vërteta të rëndësishme që përçohen nga emri i Kishës?
-
Kush është kreu i Kishës? Kë udhëzon dhe frymëzon Ai në tokë që ta udhëheqë Kishën?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 115:5, duke kërkuar atë që pret Zoti nga ata që i përkasin Kishës së Tij.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë mendoni se do të thotë të “ngrih[emi] e shkëlqe[jmë]” (DeB 115:5) si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Çfarë bekimi do të vijë kur anëtarët e Kishës e ndjekin këshillën e Zotit që të ngrihen e të shkëlqejnë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, përdorni vargun 5 që t’ju ndihmojë për ta plotësuar thënien vijuese: Nëse ngrihemi e shkëlqejmë, drita jonë do të jetë Merreni parasysh ta shenjoni këtë parim në vargun 5.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Çfarë mendoni se do të thotë që drita jonë, ose shembulli ynë, mund të jenë një “flamur për kombet” (DeB 115:5)? (Teksa i përgjigjeni kësaj pyetjeje, mund të jetë e dobishme të dini se një flamur është një mjet që shërben si një pikë grumbullimi ose simbol frymëzues.)
-
Si mund t’i tërheqë të tjerët drejt Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndjekja e urdhërimit të Shpëtimtarit për t’u ngritur e për të shkëlqyer?
-
Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, tregoi ngjarjen vijuese për një anëtare të Kishës e cila e ndoqi këtë parim:
“Disa vite më parë, Konstanca, një studente për infermieri, u caktua që të përpiqej e ta ndihmonte një grua e cila e kishte dëmtuar këmbën në një aksident. Gruaja nuk e pranonte ndihmën mjekësore, sepse ajo kishte pasur një përvojë negative me dikë në spital. Ajo kishte frikë dhe ishte bërë disi e mbyllur në vetvete. Herën e parë që Konstanca erdhi pranë saj, gruaja e dëmtuar e urdhëroi të dilte jashtë. Në orvatjen e dytë, ajo e lejoi Konstancën të hynte. Por tani këmba e gruas ishte mbushur me plagë të mëdha dhe një pjesë e mishit po kalbej. Por ajo ende nuk donte të kurohej.
Konstanca e bëri këtë një çështje lutjeje dhe pas një ose dy ditësh përgjigjja erdhi. Në vizitën e ardhshme ajo mori ca peroksid hidrogjeni në formë shkume me vete. Ngaqë kjo ishte pa dhimbje, gruaja e moshuar e lejoi që t’ia vinte në këmbë. Më pas ato folën rreth një kurimi më serioz në spital. Konstanca e siguroi atë se spitali do ta bënte qëndrimin e saj sa më të kënaqshëm që të ishte i mundur. Pas një ose dy ditësh, gruaja e gjeti kurajën që të hynte në spital. Kur Konstanca e vizitoi atë, gruaja buzëqeshi teksa tha: ‘Më binde’. Më pas, mjaft papritur, ajo e pyeti Konstancën: ‘Cilës kishe i përket ti?’ Konstanca i tha se ajo ishte anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Gruaja tha: ‘E dija. E dija se ti ishe dërguar tek unë që ditën e parë që të pashë. Kishte një dritë në fytyrën tënde që e kisha vënë re te njerëz të tjerë të besimit tënd. M’u desh ta vija mirëbesimin tim tek ti.’
Brenda tre muajsh ajo këmbë e qelbëzuar u shërua tërësisht. Anëtarët e lagjes ku jetonte gruaja plakë, e rimodeluan shtëpinë e saj dhe e rregulluan oborrin e saj. Misionarët u takuan me të dhe ajo u pagëzua pak kohë më pas. [Shih Constance Polve, “A Battle Won”, New Era, prill 1980, f. 44–45.] E gjithë kjo ngaqë ajo e vuri re dritën në fytyrën e asaj të reje që studionte për infermiere” (“The Light in Their Eyes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 22).
Çfarë bëri Konstanca që të ngrihej dhe të shkëlqente? Në ç’mënyrë ishte drita në fytyrën e saj një shenjë për gruan? Si u bekua gruaja për shkak të dritës që pa?
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Kë njihni ju, i cili është një shembull i mirë i ngritjes dhe shkëlqimit?
-
Si ka qenë shembulli i tij ose i saj një bekim për ju?
-
Profeti Jozef Smith ishte një shembull i mirë i asaj që do të thotë të ngrihesh e të shkëlqesh. Pak kohë pasi u mor kjo zbulesë, Jozefi filloi të shkruante historinë e tij që tani përfshihet te Perla me Vlerë të Madhe.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Në ç’mënyrë është historia e Jozef Smithit, përfshirë dëshmia e tij për Vegimin e Parë, një flamur për kombet?
-
Si është ajo një flamur për ju?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 115:6, duke kërkuar bekimet që u premtohen atyre të cilët mblidhen me Kishën në kunjet e Sionit.
Një e vërtetë që mësojmë nga ky varg është sa vijon: Ne mblidhemi në kunjet e Sionit për forcë dhe strehim. Në çfarë mënyrash mendoni se mbledhja së bashku si shenjtorë na siguron mbrojtje, siguri apo strehim?
Doktrina e Besëlidhje 115:7–19
Zoti i urdhëron shenjtorët të themelojnë qytetin e Far-Uestit dhe të ndërtojnë një tempull
Një nga mënyrat se si mund ta fitojmë mbrojtjen dhe sigurinë e Zotit është duke i shërbyer Atij dhe duke e adhuruar Atë në tempull. Pasi shenjtorët filluan të shpërnguleshin për në Far-Uest të Misurit në vitin 1836, udhëheqësit e Kishës bënë plane për të ndërtuar një tempull të ngjashëm me atë në Kirtland të Ohajos. Edhe pse u bë njëfarë gërmimi paraprak, ndërtimi i mëtejshëm u pezullua derisa Jozef Smithi të mund të merrte udhëzim shtesë nga Zoti. Zoti e zbuloi vullnetin e Tij lidhur me tempullin si pjesë të një zbulese te Doktrina e Besëlidhje 115.
Te Doktrina e Besëlidhje 115:7–16, Zoti zbuloi se një tempull duhej të ndërtohej në Far-Uest sipas modelit që Ai do t’ia jepte Presidencës së Parë. Zoti gjithashtu i këshilloi udhëheqësit e Kishës të mos hynin në borxh për ta ndërtuar tempullin.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 115:17–19, duke kërkuar atë çfarë Zoti dëshironte që shenjtorët të bënin nën drejtimin e Jozef Smithit në Far-Uest dhe në krahinat fqinje.
Një prej parimeve që mësojmë nga vargu 19 është se, Presidenti i Kishës mban çelësat për të drejtuar punën e Zotit mbi tokë.
Doktrina e Besëlidhje 116
Zoti përcakton vendndodhjen e Adam-ondi-Ahmanit
Profeti Jozef Smith e ndoqi këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 115:18 dhe i eksploroi zonat përreth Far-Uestit. Lexojeni hyrjen e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 116, duke kërkuar emrin e vendndodhjes së eksploruar nga Profeti.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 116:1, duke kërkuar atë që Zoti zbuloi rreth Spring-Hillit. Ju mund të doni të ktheheni te harta dhe fotografia e Adam-ondi-Ahmanit në fund të shkrimeve tuaja të shenjta (shih hartën 5 të Historisë së Kishës, “Zona e Missouri-t, Illinois-it dhe Iowa-s e SHBA-së” dhe fotografinë 10 të historisë së Kishës të Adam-ondi-Ahmanit).
Kjo zbulesë përcakton vendndodhjen e përmbushjes së ardhshme të një profecie të bërë në lashtësi nga profeti Daniel (shih Daniel 7:9–10, 13–14). Ajo profeci përshkruan një ngjarje të ditëve të mëvonshme, në të cilën Shpëtimtari dhe Adami do ta vizitojnë tokën dhe do të kryesojnë në një mbledhje përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit për të gjithë botën (shih DeB 27:5–14).
Përsiatni ose këndoni himnin “Adam-ondi-Ahmani” [“Adam-ondi-Ahmani”] (Hymns, nr. 49, në librin e himneve në anglisht).
Kjo tok’ dikur një kopsht ishte,
Me gjith’ lavdit’ së bashku,
Njer’zit jetonin jet’ të shenjt’,
Adhuronin Jezusin vet’,
Në Adam-ondi-Ahman.
Enoku me Per’ndin’ eci,
Mbi fuqin’ e mamonit,
Ndërkoh’ që u përhap Sioni,
Shenjtorët dhe engjëjt këndonin,
Në Adam-ondi-Ahman.
Gjith’ vendi u bekua gjer’sisht,
Përtej gjith’ Izraelit;
U njoh nga lindja në per’ndim,
Paqe pati, prehje gjeti
Në Adam-ondi-Ahman.
Hosana dit’ve që do t’vijn’,
Ardhjes së Shpëtimtarit,
Kur gjith’ toka plot lulëzim
U jep shenjtor’ve një shtëpi
Si Adam-ondi-Ahmani.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 115–116 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: