Seminari
Njësia 3: Dita 4, Joseph Smith – Historia 1:66–67; Doktrina e Besëlidhje 6–7


Njësia 3: Dita 4

Joseph Smith – Historia 1:66–67; Doktrina e Besëlidhje 6–7

Hyrje

Në pranverën e vitit 1829, Profeti Jozef Smith pati një ndjenjë ngutjeje rreth përkthimit të Librit të Mormonit. Ai kishte mësuar se koha e tij për të përkthyer ishte tepër e kufizuar për shkak të nevojës për të punuar që të mbështeste familjen e tij. Ema dhe vëllai i Jozefit, Samueli, ndihmuan duke vepruar si shkrues, por ata nuk mund ta bënin këtë tërë kohën. Jozefit i ishin besuar fletët për më shumë se një vit e gjysmë dhe, me humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit, ai kishte vetëm pak faqe të materialit të përkthyer që t’i tregonte. Jozefi u lut që Zoti të dërgonte dikë që të mund ta ndihmonte atë në punën e përkthimit. Në përgjigje të lutjes së Jozefit, Zoti dërgoi Oliver Kaudërin për të shërbyer si shkrues.

Zbulesat te Doktrina e Besëlidhje 6–7 u dhanë pak kohë pas mbërritjes së Oliver Kaudërit. Doktrina e Besëlidhje 6 përmban këshillën dhënë Oliverit lidhur me rolin e tij në veprën e Zotit. Doktrina e Besëlidhje 7 përmban një variant të përkthyer të disa shkrimeve nga Gjoni, i Dashuri, që na mësojnë se Zoti e plotësoi dëshirën e Gjonit për të jetuar e për të sjellë shpirtra te Jezu Krishti deri në Ardhjen e Dytë.

Joseph Smith – Historia 1:66–67; Doktrina e Besëlidhje 6:1–9

Oliver Kaudëri bëhet shkrues për Jozef Smithin

Zbulesa nga Perëndia disa herë krahasohet me dritën. Nëse zbulesa nga Perëndia ose një përgjigje ndaj lutjes është si drita, krahasoni përshkrimet vijuese dhe mendoni se cili përshkrim paraqet më mirë mënyrën se si jeni ndier kur keni marrë zbulesë ose përgjigjet ndaj pyetjeve tuaja:

  • Drita e menjëhershme që vjen kur e ndizni një poç drite

  • Drita e përshkallëzuar që vjen nga lindja e diellit

poç drite me shkëlqim, lindje dielli me re

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përdori këtë analogji për të na mësuar rreth zbulesës vetjake:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Një dritë që ndizet në dhomë të errët, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh shpejt, plotësisht dhe përnjëherë. Shumë nga ne e kanë përjetuar këtë mënyrë zbulese kur neve na u dhanë përgjigje për lutjet e sinqerta apo kur u pajisëm me udhëzimin dhe mbrojtjen që na duhej, sipas vullnetit dhe kohës së Perëndisë. Përshkrime për shfaqje të tilla, të menjëhershme dhe të fuqishme, gjenden në shkrimet e shenjta, rrëfehen në historinë e Kishës dhe faktohen në jetën tonë. Me të vërtetë këto mrekulli ndodhin. Megjithatë, kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e rrallë se e zakonshme.

Shtimi shkallë-shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30). Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. Kumtime të tilla nga Ati Qiellor, shkallë-shkallë e butësisht ‘[pikojnë] mbi shpirtin [tonë] sikurse vesat nga qiejt’ (DeB 121:45). Kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88).

  1. ikona e ditaritMendoni rreth rasteve kur Zoti iu është përgjigjur lutjeve tuaja menjëherë dhe rasteve kur Ai iu është përgjigjur shkallë-shkallë. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth njërës prej përvojave tuaja.

Teksa studioni Doktrinën e Besëlidhjet 6, kërkoni të vërtetat që do t’ju ndihmojnë të dalloni kur Perëndia po ju jep zbulesë.

Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:66–67 dhe kërkoni se si arriti të dinte Oliver Kaudëri rreth Profetit Jozef Smith dhe punës që po bënte ai. Oliveri udhëtoi nga Palmira në Nju-Jork që të takonte Jozefin në Harmoni të Pensilvanisë, më shumë se 225 kilometra larg (shih harta 1 historike e Kishës, “Shtetet Lindore dhe Veriore të Shteteve të Bashkuara”).

Pak kohë pasi Oliveri filloi të vepronte si shkrues për Jozefin, Jozefi mori një zbulesë në të cilën Zoti i foli Oliverit. Kjo zbulesë foli për dëshirat e Oliverit dhe në mënyrë të dukshme iu dha përgjigje pyetjeve rreth të cilave ai ishte lutur, por që nuk ia kishte shprehur Jozefit. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 6:5–6, 8 dhe kërkoni për tregues që Zoti i njihte dëshirat e Oliverit.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjes vijuese: Çfarë tregojnë rreth Oliver Kaudërit Doktrina e Besëlidhje 6:5–6, 8 dhe përpjekja e tij për të udhëtuar 225 kilometra?

Shënim: Fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 6:1–9 përsëriten te Doktrina e Besëlidhje 11, një zbulesë e drejtuar Hajrëm Smithit, dhe do të diskutohen më tej në atë mësim.

Doktrina e Besëlidhje 6:10–24

Zoti e siguron Oliver Kaudërin për vërtetësinë e punës

Përsiatni nëse ju keni marrë ndonjëherë një përgjigje nga Perëndia dhe pastaj më vonë përjetuat shqetësime ose pështjellim lidhur me përgjigjen.

Te Doktrina e Besëlidhje 6:10–13 ne shohim që Zoti i tha Oliver Kaudërit se Oliveri e kishte dhuratën e zbulesës. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 6:14–17, 20 dhe shenjoni atë që Zoti i mësoi Oliverit rreth marrjes dhe dallimit të zbulesës.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani për dy ose tri të vërteta që i përcaktuat te Doktrina e Besëlidhje 6:14–17, 20, të cilat mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se si të merrni ose dalloni zbulesë.

Krahasoni atë që shkruat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta me disa nga të vërtetat vijuese që përmbahen në këto vargje:

Kur kërkojmë përgjigje nga Ati Qiellor, Ai do të na japë udhëzim (shih DeB 6:14). “Udhëzimi” mund t’iu drejtohet ideve ose kuptueshmërisë që na vjen në mendjen tonë, si edhe përvojave që mund të na udhëheqin, përgatitin ose ndihmojnë për të arritur qëllimin e duhur.

Zoti do të na e ndriçojë mendjen tonë me anë të Frymës së Shenjtë. Fraza “e ndriçova mendjen tënde” (DeB 6:15) do të thotë që nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Zoti do të na japë ide dhe kuptueshmëri. Ju mund të dëshironi ta shenjoni këtë frazë në shkrimet tuaja të shenjta.

Perëndia i di mendimet tona dhe qëllimet e zemrës sonë (shih DeB 6:16).

Kur e kemi marrë zbulesën, ne duhet ta mbajmë atë thesar në zemrën tonë. T’i mbajmë “thesar” fjalët e Perëndisë (DeB 6:20) do të thotë t’i vlerësojmë fjalët e Zotit – t’i studiojmë, përsiatim ato dhe të veprojmë sipas gjërave që Zoti zbulon, dhe të kemi mirëbesim te zbulesa që marrim.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 6:21–24 dhe kërkoni një mënyrë tjetër se si Zoti komunikon me ne.

Plotësojeni vendin bosh me atë që gjetët: Zoti i flet mendjes sonë si një dëshmi për të vërtetën. Ju mund të dëshironi ta shenjoni frazën që na e mëson këtë të vërtetë te Doktrina e Besëlidhje 6:23.

Përsiatni pyetjen vijuese: Si mund të mos i vlerësojmë ose mos i pranojmë nganjëherë përgjigjet e Zotit ndaj lutjeve tona?

Plaku Bednar e zgjeroi shpjegimin e analogjisë së lindjes së diellit që të ndihmonte për ta qartësuar mënyrën se si komunikimi nga Zoti vjen shpesh:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Nganjëherë dielli lind në një mëngjes që është i vrenjtur ose i mjegullt. Për shkak të kushteve të vranësirës, dallimi i dritës është më i vështirë dhe përcaktimi i çastit të saktë të lindjes së diellit mbi horizont, nuk është i mundur. …

Në mёnyrё tё ngjashme, ne shumë herë marrim zbulesë pa dalluar me saktësi mënyrën apo kohën kur po e marrim” (“Shpirti i Zbulesës”, f. 89).

Nuk ishte deri pasi u mor zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 6, që Oliver Kaudëri i tregoi Profetit për “natën”, të cilës i drejtohet Zoti te vargu 22. Jozef Smithi shënoi: “Mbasi e kishim marrë këtë zbulesë, Oliver Kaudëri më tha se, pasi kishte shkuar të jetonte në shtëpinë e atit tim dhe pasi familja i kishte treguar atij lidhur me marrjen nga ana ime të fletëve, një natë, pasi kishte shkuar në shtrat, ai i bëri thirrje Zotit që të dinte nëse këto gjëra ishin të tilla dhe Zoti ia shfaqi atij se ato ishin të vërteta, por ai e kishte mbajtur rrethanën tërësisht të fshehtë dhe nuk ia kishte përmendur atë askujt; kështu që pasi u dha kjo zbulesë, ai e dinte se puna ishte e vërtetë, sepse asnjë qenie njerëzore nuk e dinte gjënë për të cilën flitej në zbulesë, përveçse Perëndisë dhe atij vetë” (në History of the Church, 1:35).

  1. ikona e ditaritMendoni për raste në jetën tuaj kur e keni ndier mendjen tuaj të ndriçohet ose u ndiet plot paqe rreth diçkaje për të cilën po luteshit. Shkruani rreth një përvoje në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta; më pas merrni parasysh të shkruani disa nga këto kujtime në ditarin tuaj vetjak.

Merrni parasysh se si të kujtuarit e këtyre përvojave dhe të mirëbesuarit te zbulesa personale që keni marrë në të shkuarën, mund t’ju ndihmojnë në të ardhmen kur të keni nevojë për zbulesë apo udhërrëfim.

Doktrina e Besëlidhje 6:25–37

Zoti i këshillon Jozefin dhe Oliverin që të përkthejnë dhe të mos kenë dyshim ose frikë

Te Doktrina e Besëlidhje 6:25–31 ne mësojmë se Zoti i tha Oliver Kaudërit që nëse dëshironte, ai mund ta kishte dhuntinë e përkthimit. Zoti gjithashtu e thirri atë për të qëndruar me Profetin Jozef Smith dhe për të “sjellë në dritë këtë shërbesë” si një dëshmitar i dytë i Rivendosjes. Nëse do të ishit Oliveri, çfarë ndjenjash mund të kishit pasur, teksa e dëgjonit përgjegjësinë që po jua ngarkonte Zoti?

Mendoni rreth situatash kur ju mund të keni ndier dyshim apo frikë rreth diçkaje që Zoti dëshironte që ju ta bënit, të tillë si kur ishit ulur në podium gjatë një mbledhjeje të Kishës dhe po prisnit për të dhënë një bisedë, kur u ndiet i nxitur që ta ndanit ungjillin me një shok apo kur e dinit se kishit nevojë t’i kërkonit falje një anëtari të familjes për diçka që bëtë ose thatë.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 6:32–37 dhe kërkoni këshillën që i dha Zoti Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit lidhur me dyshimet dhe frikën në kryerjen e punës që ata ishin thirrur të bënin.

Një parim që mund të mësojmë nga kjo këshillë, është që kur shohim te Jezu Krishti, ne mund t’i mposhtim dyshimin dhe frikën. (Doktrina e Besëlidhje 6:36 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.)

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 6:36

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një bisedë të shkurtër (më pak se një faqe) lidhur me Doktrinën e Besëlidhjet 6:36. Ju mund të përshkruani mënyra të volitshme për ta ndjekur këshillën në këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të përdorni burime të tilla si Topical Guide [Udhëzuesi Tematik] ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, Të Vërtetë ndaj Besimit ose edhe anëtarë të familjes për t’ju ndihmuar ta shkruani bisedën tuaj. Përfshini një shembull vetjak se si Shpëtimtari ju ndihmoi ta mposhtni dyshimin apo frikën. Kërkojuni prindërve tuaj nëse mund ta jepni bisedën që përgatitët, gjatë një mbrëmjeje familjare.

Doktrina e Besëlidhje 7

Gjon të Dashurit i premtohet që ai do të jetojë dhe do të sjellë shpirtra te Krishti deri në Ardhjen e Dytë

Gjatë prillit të vitit 1829, ndërkohë që Oliver Kaudëri po ndihmonte Profetin Jozef Smith me përkthimin e Librit të Mormonit, ai dhe Jozefi patën “mendime të ndryshme … rreth rrëfimit të Gjonit, Apostullit, të përmendur në Dhiatën e Re [shih Gjoni 21:20–23; ku Shpëtimtari i referohet kërkesës së Gjonit që të qëndronte në tokë deri në Ardhjen e Dytë], nëse ai vdiq apo vazhdoi të jetonte” (Joseph Smith, te History of the Church, 1:35–36).

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 7:1–3 që të zbuloni përgjigjen e dhënë për pyetjen e Jozefit dhe të Oliverit. Nëse keni vështirësi për ta përcaktuar përgjigjen, lexoni përmbledhjen e seksionit për vargjet 1–3.

Përtej asaj që përshkruhet në këto vargje, asgjë nuk është zbuluar lidhur me hollësitë e shërbesës, vendndodhjet ose arritjet e Gjonit si një qenie e përndryshuar, kështu që nuk është e përshtatshme të spekulojmë rreth tyre.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Joseph Smith – Historinë 1:66–67 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 6–7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: