Njësia 9: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 39–40
Hyrje
Në janar të vitit 1831, një shërbestar protestant, i quajtur Xhejms Koveli (shpesh i shkruar Kovilli në analet e historisë së Kishës), u takua me Jozef Smithin në Fajet të Nju-Jorkut dhe “lidhi besën me Zotin se do t’i bindej çdo urdhri që Zoti do t’ia jepte atij nëpërmjet shërbëtorit të tij … [Profetit Jozef Smith]” (Joseph Smith, në History of the Church, 1:143). Jozefi më pas mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 39.
Në këtë zbulesë, Zoti e udhëzoi Xhejms Kovelin të pagëzohej dhe të predikonte plotësinë e ungjillit në Ohajo. Megjithatë, ditën pasi u diktua zbulesa, Xhejmsi u largua nga Fajeti pa asnjë shpjegim. Zoti atëherë u dha një zbulesë Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit, duke shpjeguar përse Xhejmsi nuk i ishte bindur urdhërimit të dhënë atij. Kjo zbulesë shënohet te Doktrina e Besëlidhje 40. (Shih Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 233–237.)
Doktrina e Besëlidhje 39:1–12
Jezu Krishti e fton Xhejms Kovelin që ta pranojë ungjillin e Tij dhe të pagëzohet
Përfytyroni se ju është dhënë një dhuratë e mrekullueshme nga një prind ose një njeri tjetër i dashur. A mund të mendoni ndonjë arsye përse ju nuk do të zgjidhnit ta pranonit dhuratën?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:1–3 duke kërkuar një dhuratë që Ati Qiellor ua dha fëmijëve të Tij, të cilën disa zgjodhën të mos e pranonin. Zoti e përdor frazën “të vetët” për t’iu drejtuar njerëzve të cilëve Ai u shërbeu gjatë vdekshmërisë, gjatë “meridiani[t të] kohës”.
Dhurata që këta njerëz e zgjodhën të mos e pranonin, ishte Jezu Krishti. Kur zgjedhim ta pranojmë dhuratën e Jezu Krishtit dhe Shlyerjen e Tij, ne marrim shumë bekime dhe dhurata shtesë. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:4 dhe përcaktoni një dhuratë që Shpëtimtari tha se Ai ua jep atyre që e pranojnë Atë.
Nga ky varg ne mësojmë se, nëse e pranojmë Jezu Krishtin, Ai do të na japë fuqi që të bëhemi fëmijët e Tij. Merrni parasysh shenjimin e fjalëve që ua mësojnë këtë parim te vargu 4.
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më mirë atë që do të thotë të bëheni bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit:
“Shpëtimtari bëhet Ati ynë, në kuptimin në të cilin ky term përdoret në shkrimet e shenjta, sepse ai na ofron jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes që bëri për ne. …
Kështu, ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona të bindjes ndaj tij. Për shkak të autoritetit të tij hyjnor dhe flijimit të tij në kryq, ne bëhemi bij dhe bija të lindura shpirtërisht dhe ai është Ati ynë” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:29).
-
Sipas asaj që na mësoi Presidenti Smith, shkruani me fjalët tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta mënyrën se si mund të bëhemi fëmijët e Jezu Krishtit.
Siç e keni mësuar tashmë, ne duhet të zgjedhim ta pranojmë Jezu Krishtin përpara se të marrim fuqi për t’u bërë bijtë dhe bijat e Tij. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:5–6 duke kërkuar se çfarë duhet të bëjmë që ta pranojmë Atë dhe fuqinë e Tij për t’u bërë bijtë dhe bijat e Tij.
Përmblidhni, me fjalët tuaja, atë që duhet të bëjmë që të bëhemi bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit:
Sikurse e mësuat në hyrjen e këtij mësimi, zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 39 iu drejtua një shërbestari protestant, të quajtur Xhejms Koveli, pak kohë pasi ai kishte mësuar rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe kishte besëlidhur që t’i bindej çdo urdhërimi që e merrte nëpërmjet Profetit Jozef Smith.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani se si mendoni që mësimet te Doktrina e Besëlidhje 39:1–6 gjetën zbatim te Xhejms Koveli. Gjithashtu shkruani mendimet tuaja rreth mënyrës se si këto vargje gjejnë zbatim te ju.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:7–9. Çfarë tha Zoti rreth gjendjes së zemrës së Xhejms Kovelit në kohën kur u dha zbulesa? (Ju mund të doni ta shenjoni fjalën tani në vargun 8.) Çfarë arsyesh dha Zoti se përse Xhejmsi e kishte mohuar Atë në të shkuarën? Nëse do të kishit qenë në pozitën e Xhejmsit, si mund të ishit ndier pasi t’i dëgjonit këto fjalë? Përse?
-
Kopjoni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Nëse do të …
Atëherë …
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:10–12. Teksa lexoni, kërkoni atë që Zoti e udhëzoi të bënte Xhejms Kovelin. Shkruajini këto udhëzime në tabelë nën titullin “Nëse do të …”. Përveç kësaj, kërkoni atë që Zoti i premtoi Xhejms Kovelit se do të merrte, nëse i bindej Zotit. Shkruajini këto bekime të premtuara në tabelë nën titullin “Atëherë …”.
Merrni parasysh bekimet që i ofroi Zoti Xhejms Kovelit. Edhe pse Xhejmsi kishte qenë një shërbestar për rreth 40 vjet, Zoti i ofroi atij plotësinë e ungjillit, e cila përfshinte përgjegjësi dhe bekime që ai nuk i kishte më parë, të tilla si dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe shugurimin në priftëri.
Vini re fjalën nëse te Doktrina e Besëlidhje 39:10–11. Ju mund të doni ta shenjoni këtë fjalë në shkrimet tuaja të shenjta. Përsiatni rëndësinë e fjalës nëse në këto vargje dhe atë që Zoti i tha Xhejms Kovelit se ai do të kishte nevojë të bënte, me qëllim që t’i merrte bekimet e premtuara.
Nga këto vargje ne mund të mësojmë se bekimet e premtuara nga Zoti janë të kushtëzuara nga sa ia vëmë veshin zërit të Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 39:10–11.
-
Merrni parasysh disa nga bekimet që Zoti jua ka premtuar juve. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani tri nga këto bekime dhe atë që duhet të bëni për t’i marrë ato.
Doktrina e Besëlidhje 39:13–24
Xhejms Koveli thirret për të predikuar plotësinë e ungjillit në Ohajo
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:13–14 dhe përcaktoni se ku e thirri Zoti Xhejms Kovelin që ta predikonte ungjillin.
Te Doktrina e Besëlidhje 39:15–24, Zoti i dha disa udhëzime Xhejms Kovelit rreth asaj që ai duhej të jepte mësim. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:22 dhe merrni parasysh mënyrën se si lidhet ajo me parimet që tashmë i keni mësuar te kjo zbulesë.
Doktrina e Besëlidhje 40
Zoti zbulon përse Xhejms Koveli i mohoi fjalët e Tij
Ditën pasi u diktua zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 39, Xhejms Koveli u largua nga Fajeti i Nju-Jorkut, pa asnjë shpjegim. Zoti i zbuloi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit arsyen përse Xhejmsi nuk iu bind udhëzimeve të Tij dhe nuk i mori bekimet e premtuara. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 40:1–3 duke kërkuar përse ai nuk ia vuri veshin zërit të Zotit.
Krahasoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:8 dhe 40:1 për të parë se si kishte ndryshuar zemra e Xhejms Kovelit. Ju mund të doni ta shenjoni fjalën ishte te Doktrina e Besëlidhje 40:1.
Krahasoni Doktrinën e Besëlidhjet 39:9 dhe 40:2. Sipas këtyre vargjeve, renditni tri arsye përse Xhejms Koveli e mohoi fjalën e Zotit:
Presidenti Jozef Filding Smith dha sqarim të mëtejshëm: “[Xhejms Koveli] ishte i bindur për të vërtetën, sepse është e qartë që Zoti ia zbuloi atij gjërat që vetëm ai dhe Zoti i dinin se ishin të vërteta. Megjithatë, kur ai u largua nga prania e Shpirtit të Zotit dhe pati kohë për ta marrë parasysh faktin që ai do ta humbiste shoqërimin e botës dhe vendin e pozitën e tij mes bashkëpunëtorëve të tij, ai dështoi dhe i mohoi premtimet e bekimet që Zoti ia ofroi” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:174).
Çfarë mund të na tundojë ne që t’i mohojmë fjalët e Perëndisë sot? Ju mund të doni ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 40 dhe në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Frika e përndjekjes dhe përkujdesjet e botës mund të na bëjnë që ta mohojmë fjalën e Perëndisë.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta disa gjëra që i keni frikë ose disa përkujdesje të botës, të cilat mund të mos na lejojnë ta ndjekim Zotin me gjithë zemrën tonë. Më pas shkruani se çfarë mund të bëni për të pasur besim që t’i kapërceni këtë frikë ose këto përkujdesje të botës dhe se si ta pranoni me të vërtetë Zotin.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 39–40 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: