Njësia 24: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 111
Hyrje
Në vitin 1836, Kisha qe zhytur në borxhe. Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës udhëtuan për në Salem të Masaçusetsit, ku ata shpresonin se do të mund të gjenin para për të paguar borxhet e Kishës. Më 6 gusht 1836, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 111, në të cilën Zoti i dha siguri rreth shqetësimeve lidhur me borxhin dhe mirëqenien e Sionit. Zoti i dha Profetit udhëzime lidhur edhe me qëndrimin e udhëheqësve të Kishës në Salem.
Doktrina e Besëlidhje 111
Zoti jep siguri dhe udhëzime për Jozef Smithin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, renditni disa nga gjërat që sjellin stres ose ankth në jetën tuaj.
Ndërsa lexoni informacionin vijues, përsiatni mbi situatën stresuese që po hasnin Profeti Jozef Smith dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës:
Në verën e vitit 1836, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ishin të shqetësuar lidhur me financat e Kishës. Në vitet e mëparshme, Kisha kishte grumbulluar një sasi të madhe borxhi ngaqë udhëheqësit e Kishës i ishin bindur urdhrit të Zotit për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit, për të blerë toka në Ohajo e Misuri dhe për të financuar Kampin e Sionit. Kisha kishte gjithashtu nevojë për fonde që të blinte tokë për shenjtorët në Misuri, të cilët qenë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Në vitin 1834, Zoti i kishte udhëzuar Jozef Smithin dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që “t’i paguani[n] të gjitha borxhet [e tyre]” (DeB 104:78). Sidoqoftë, përpjekjet e tyre për t’i paguar këto borxhe ishin penguar nga humbja e të ardhurave të bizneseve fitimprurëse në Misuri. Pra, udhëheqësit e Kishës nuk kishin fonde të mjaftueshme për t’i përballuar kërkesat e kreditorëve të Kishës.
Nëse do të kishit qenë një udhëheqës i Kishës në këtë kohë, përse kjo situatë mund të ishte shqetësuese për ju?
Zoti u kishte thënë udhëheqësve të Kishës se Ai do t’u “dërgo[nte] mjete për çlirimin [e tyre]” (DeB 104:80) nga problemet me borxhin e Kishës. Në vitin 1836, një anëtar i Kishës i quajtur Uilliam Bërxhis, mbërriti në Kirtland të Ohajos, dhe u tregoi udhëheqësve të Kishës rreth një sasie të madhe parash që ishin në Salem të Masaçusetsit. Ai tha se paratë gjendeshin në qilarin e një shtëpie dhe se ai ishte i vetmi njeri i gjallë që e dinte vendndodhjen e parave.
Nëse do të kishit qenë një udhëheqës i Kishës në këtë kohë, si do të reagonit ndaj këtij lajmi?
Jozef Smithi, Sidni Rigdoni, Hajrëm Smithi dhe Oliver Kaudëri u nisën nga Kirtlandi në Ohajo më 25 korrik 1836, për t’u takuar me kreditorët e Kishës në Nju-Jork. Pas disa ditësh në Nju-Jork, grupi udhëtoi për në Salem të Masaçusetsit. Uilliam Bërxhisi i takoi ata atje, por tha se qyteti kishte ndryshuar kaq shumë që nga hera e fundit që kishte qenë atje, saqë nuk ishte në gjendje ta gjente shtëpinë ku gjendeshin paratë. Vëllai Bërxhis u largua nga Salemi menjëherë pas kësaj.
Si mendoni se do të ishit ndier ju pasi të udhëtonit për në Salem me shpresën se do të gjenit mënyra për të paguar borxhin e Kishës dhe të mos e gjenit atë që prisnit? Çfarë do të kishit bërë?
Udhëheqësit e Kishës harxhuan kohë duke kërkuar shtëpinë ku thuhej se gjendeshin paratë. Më 6 gusht 1836, ndërkohë që ata ishin ende në Salem, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 111.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 111:1, duke kërkuar mënyrën se si u ndie Zoti rreth udhëtimit për në Salem. Fjala marrëzi mund të përkufizohet si “një veprim i dobët ose i pakuptimtë, jo shumë i rrezikshëm; një veprim që nuk është në përputhje me parimet e arsyes ose me rregullat e zakonshme të maturisë” (Noah Webster’s First Edition of an American Dictionary of the English Language, 1828 [1967], “folly” [“marrëzi”]). Ndonjëherë kur njerëzit përfshihen në marrëzira, ata po përpiqen sinqerisht të bëjnë diçka të mirë edhe pse veprimet e tyre janë në drejtim të gabuar.
Megjithëse kërkimi për para në Salem kishte qenë i pasuksesshëm, Zoti tregoi se ky udhëtim mund të ishte ende i dobishëm për mbretërinë e Tij. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 111:2 dhe përcaktoni atë që Zoti tha se kishte në qytetin e Salemit.
Në vargun 2 vini re që Zoti tha se Ai do t’i mblidhte njerëzit që kishte në Salem në kohën e duhur. Jozef Smithi dhe ata që ishin me të kaluan disa javë në Salem dhe predikuan ungjillin gjatë qëndrimit të tyre. Pesë vite më vonë, Erastus Snou u thirr në një mision në Salem, ku ai organizoi një degë prej 120 anëtarësh (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 170–171).
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga përvoja e Jozef Smithit në Salem dhe mësimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 111:1–2 është që, Zoti mund të sjellë të mirën nga përpjekjet tona të sinqerta.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Në çfarë mënyrash mund ta sjellë Zoti të mirën nga përpjekjet tona, edhe nëse ato përpjekje janë fillimisht në drejtim të gabuar?
-
Si ndikon te ju njohuria se Zoti mund të sjellë të mirën nga përpjekjet tona të sinqerta?
-
Zoti u dha udhëzime Jozef Smithit dhe shokëve të tij që t’i ndihmonte të bënin të mirën ndërsa ishin në Salem të Masaçusetsit. Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 111:3–8, duke kërkuar atë që Zoti donte që ata të bënin. (Te vargu 4, fraza “ata nuk do t’i zbulojnë pjesët tuaja të fshehta” do të thotë që njerëzit e Salemit nuk t’i shikonin me turp këta udhëheqës të Kishës.)
Zoti i mësoi Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës në Salem se si do ta dinin se ku të qëndronin në atë qytet. Përdorini fjalët e Zotit te vargu 8 për të plotësuar të vërtetën doktrinore vijuese: Ne mund ta marrim udhëheqjen e Zotit nëpërmjet dhe Shpirtit të Tij.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth mënyrës se si të kujtuarit e kësaj doktrine mund t’ju ndihmojë në shqetësimet dhe sfidat që hasni në jetën tuaj.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 111:9–10, duke kërkuar detyrën shtesë që Zoti i dha Jozef Smithit dhe shokëve të tij të kryenin ndërkohë që ishin në Salem.
Profeti Jozef Smith dhe burrat e tjerë e ndoqën këshillën e Zotit që të “kërkoni[n] me zell lidhur me banorët më të lashtë dhe themeluesit e … qyteti[t]” (DeB 111:9). Ndërkohë që ishin në Salem ata vizituan vende historike. Nga këto vizita ata mësuan se disa banorë të Salemit në Masaçusets dhe të zonës përreth Nju-Inglandit qenë përndjekur dhe vrarë si pasojë e papajtueshmërisë dhe fanatizmit fetar. (Shih History of the Church, 2:464–465.) Këto ngjarje e çuan Jozef Smithin të shkruante në historinë e tij: “Kur do të ndalojë njeriu së luftuari me njeriun, dhe të zhvatë [të heqë] prej tij të drejtat e shenjta të adhurimit të Perëndisë së tij ashtu siç ia thotë ndërgjegjja e vet?” (në History of the Church, 2:465).
Më vonë, Profeti deklaroi se ishte një nga bindjet themelore të Kishës që t’u lejonte të gjithë njerëzve të drejtën e lirisë fetare (shih Nenet e Besimit 1:11).
Megjithëse Jozef Smithi dhe shokët e tij nuk i morën paratë që kishin menduar se mund të gjenin në Salem, ata morën thesare të tjera nga ky udhëtim. Këto përfshinin thesare njohurie dhe njerëzish në zonë, të cilët më vonë u pagëzuan dhe u konfirmuan si anëtarë të Kishës.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 111:11, duke kërkuar këshillën përmbyllëse të Zotit në këtë zbulesë. (Fjala urdhëroj siç përdoret në vargun 11 do të thotë të rregullosh.)
Plotësojeni parimin vijues duke u bazuar në atë që mësuat nga vargu 11: Nëse ne jemi dhe e shmangim , atëherë Zoti do t’i rregullojë gjitha gjërat .
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të jeni të mençur në zgjedhjet tuaja?
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë që Zoti “do t’i urdhëroj[ë] të gjitha gjërat për të mirën tuaj” (DeB 111:11)?
-
Kur e keni parë një shembull të këtij parimi?
-
-
Kthehuni te detyra 1 e mësimit të sotëm në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë – lista e gjërave që sjellin stres ose ankth në jetën tuaj. Shkruani një ose dy fjali duke shpjeguar atë që keni mësuar nga studimi juaj i Doktrinës e Besëlidhjeve 111, e cila mund t’ju ndihmojë në sfidat që hasni.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 111 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: