Seminari
Njësia 12: Dita 2, Doktrina e Besëlidhje 50


Njësia 12: Dita 2

Doktrina e Besëlidhje 50

Hyrje

Kur Profeti Jozef Smith mbërriti në Kirtland të Ohajos, ai vëzhgoi se “disa nocione të panjohura dhe shpirtra të rremë kishin depërtuar mes” disa prej shenjtorëve. Ai filloi të jepte mësim me “kujdes dhe … urtësi” për t’i kapërcyer këto gjëra (shih History of the Church, 1:146). Plaku Parli P. Prat u kthye nga një mision dhe vëzhgoi sjellje të ngjashme në degët e Kishës jashtë Kirtlandit. Ai dhe pleq të tjerë shkuan te Jozefi për të marrë udhërrëfim (shih History of the Church, 1:170). Në maj të vitit 1831, Profeti i kërkoi Zotit dhe mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 50. Në këtë zbulesë, Zoti i udhëzoi shenjtorët që ta jepnin mësim dhe ta pranonin ungjillin me anë të Shpirtit të së vërtetës.

Doktrina e Besëlidhje 50:1–9

Zoti i paralajmëron pleqtë e Kishës rreth shpirtrave të rremë

A e dini se çfarë do të thotë ta lartësosh dikë? Do të thotë ta ngresh dikë moralisht – veçanërisht ta forcosh dikë shpirtërisht ose emocionalisht apo ta udhëzosh e ndriçosh dikë. A mund të mendoni për një kohë kur u ndiet i lartësuar, ndërkohë që dikush ju mësonte parime të ungjillit? Kur e keni ndier se ju ndihmuat për të lartësuar njerëz të tjerë?

Sillni ndërmend hyrjen e këtij mësimi. Anëtarë të rinj të Kishës në zonën e Kirtlandit kishin paraqitur veprimtari të çuditshme, të zhurmshme dhe pështjelluese në shërbesat e tyre të adhurimit. Këto veprimtari i ngacmonin emocionet e njerëzve, por nuk ishin lartësuese.

Jozef Smith

Profeti Jozef Smith shkroi rreth disa prej efekteve të ndjekjes së shpirtrave të rremë: “Pak kohë pasi Ungjilli u vendos në Kirtland dhe gjatë mungesës së autoriteteve të Kishës, u paraqitën shumë shpirtra të rremë, u panë shumë vegime të çuditshme dhe u paraqitën nocione të egra, entuziaste; njerëzit dilnin jashtë duke vrapuar nën ndikimin e këtij shpirti dhe disa prej tyre hipnin mbi cungjet e pemëve dhe bërtitnin, dhe të gjitha llojet e teprimeve u futën nëpërmjet tyre; një burrë ndoqi një top, që ai tha se e pa të fluturonte në ajër, derisa ai mbërriti te një greminë, ku ai kërceu në majën e një peme, e cila ia shpëtoi jetën; dhe shumë gjëra qesharake u filluan, të bëra me qëllim që t’i sillnin çnderim Kishës së Perëndisë, që të shkaktonin që Shpirti i Perëndisë të largohej dhe që t’i shkulnin e shkatërronin ato parime të lavdishme që ishin zhvilluar për shpëtimin e familjes njerëzore” (në History of the Church, 4:580).

Disa nga pleqtë e Kishës nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte, kështu që i kërkuan këshillë Jozef Smithit. Ai i kërkoi Zotit dhe mori një zbulesë që do t’i ndihmonte shenjtorët ta lartësonin njëri-tjetrin, ndërkohë që jepnin mësim dhe mësonin vetë të vërteta të ungjillit.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 50:1–3 duke kërkuar ndikimin që po i udhëhiqte shenjtorët për të vepruar në mënyra që nuk ishin lartësuese. Sipas vargut 3, përse dëshiroi Satani t’i mashtronte shenjtorët?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 50:4–9 duke kërkuar paralajmërimin e Zotit rreth disa njerëzve mes anëtarëve të Kishës në Ohajo. Një hipokrit është një njeri, veprimet e të cilit nuk përputhen me bindjet e shprehura nga ai vetë, apo i cili shtiret të jetë i virtytshëm, por nuk është (shih Mateu 6:2, poshtëshënimi 2a). Te Doktrina e Besëlidhje 50:6, 8 shenjoni atë që Zoti tha se do t’iu ndodhte atyre.

Doktrina e Besëlidhje 50:10–36

Zoti shpall se ne duhet të japim mësim dhe të mësojmë vetë me anë të Shpirtit

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë kërkohet për të qenë një mësues frytdhënës i ungjillit?

    2. Çfarë kërkohet për të qenë një nxënës frytdhënës i ungjillit?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–20 duke kërkuar përgjigje për këto pyetje. Merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta dhe ta shtoni atë në listë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Vini re sa shumë e theksoi Zoti nevojën për Shpirtin e Shenjtë në mësimdhënien dhe të mësuarin vetë të ungjillit.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë rolesh të Frymës së Shenjtë përmenden te Doktrina e Besëlidhje 50:14?

    2. Çfarë mendoni se do të thotë ta jepni mësim ungjillin “me anë të Shpirtit” (DeB 50:14)? Çfarë mendoni se do të thotë ta jepni mësim atë “me ndonjë mënyrë tjetër” (DeB 50:17)?

    3. Çfarë mendoni se do të thotë ta “prano[sh] fjalën e së vërtetës … me anë të Shpirtit të së vërtetës” (DeB 50:19)? Çfarë mendoni se do të thotë ta pranoni atë “me ndonjë mënyrë tjetër” (DeB 50:19)?

Shihni përmes referencave të shkrimeve të shenjta, të renditura në Topical Guide [Udhëzuesin Tematik] për “Holy Ghost, Mission of” [“Frymë e Shenjtë, Misioni i”] ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për “Frymë e Shenjtë”. Përcaktoni fragmente që ju ndihmojnë të kuptoni atë që do të thotë të japim mësim të vërtetën dhe ta marrim atë (të na mësohet ajo) me anë të Shpirtit të së vërtetës.

Rrethojeni secilin prej mjediseve vijuese në të cilin keni pasur mundësi për ta dhënë mësim ungjillin ose për të dhënë dëshmi për të:

Mbrëmje familjare

Me shokët

Seminari

Mbledhje e Kishës

Mësimi i shtëpisë

Kur keni mundësi për ta dhënë mësim ungjillin, si e ndikon kuptueshmëria juaj për Frymën e Shenjtë mënyrën se si përgatiteni dhe jepni mësim?

Rrethojeni ndonjë prej mjediseve vijuese në të cilët ju keni qenë nxënësi:

Mbrëmje familjare

Me shokët

Seminari

Mbledhje e Kishës

Vizita e mësimit të shtëpisë

Në bashkëbisedime në shtëpi

  1. ikona e ditaritZgjidhni njërin nga mjediset që i rrethuat në listat paraprirëse, në të cilin ju ose dhatë mësim me anë të Shpirtit ose u mësuat me anë të tij. Shkruani rreth kësaj përvoje në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe merrni parasysh t’ia tregoni atë që mësuat një pjesëtari të familjes ose një shoku.

Përsiatni se çfarë mund të bëni për t’i përmirësuar përpjekjet tuaja për të mësuar vetë me anë të Shpirtit në këto mjedise.

Plaku Xhek H. Goslind, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi për përvojën e një të riu, i cili zbuloi se veprimet dhe sjellja e tij e ndikuan aftësinë e tij për të mësuar vetë me anë të Shpirtit:

Plaku Xhek H. Goslind

“Sa prej jush keni zënë ‘pozicionin e mërzitur’ gjatë mbledhjes së sakramentit? Ju e dini pozicionin: i përkulur përpara tek mesi, me mjekrën të vendosur në duar, bërrylat mbi gjunjë, duke vështruar në boshllëk te dyshemeja. A ju ka shkuar në mendje se është zgjedhja juaj nëse mbledhja është interesante apo jo? …

Presidenti Spenser W. Kimball tha se adhurimi ‘është një përgjegjësi individuale dhe pavarësisht nga ajo që thuhet prej podiumit, nëse dikush dëshiron ta adhurojë Zotin në shpirt dhe në të vërtetë, ai mund ta bëjë këtë. … Nëse shërbesa është një dështim për ju, ju keni dështuar. Askush nuk mund të adhurojë për ju; ju duhet të adhuroni vetë, duke pritur për Zotin.’ (Ensign, janar 1978, f. 5.)

Një i ri e përshkroi mënyrën se si ai fillimisht e përjetoi shpirtin e adhurimit. Ai kishte qenë disi aktiv gjatë viteve të tij të Priftërisë Aarone. Kur e frekuentonte mbledhjen e sakramentit, ai zakonisht ulej në fund me një grup shokësh dhe nuk ishte një shembull nderimi. Megjithatë, një ditë, ai erdhi me pak vonesë dhe nuk kishte më karrige pranë shokëve të tij. U ul i vetëm dhe, për herë të parë në jetën e tij, i mbylli sytë gjatë lutjeve, këndoi himnet, i dëgjoi lutjet e sakramentit dhe u kushtoi vëmendje folësve. Diku rreth gjysmës së bisedës së folësit të parë, i ndjeu lotët t’i rridhnin nga sytë. Paksa i zënë ngushtë, ai me kujdes i hodhi sytë përreth; askush tjetër nuk dukej i prekur me emocion. Nuk e dinte me siguri se çfarë po i ndodhte, por përvoja ia ndryshoi jetën. Ishte gjatë asaj mbledhjeje që ai me të vërtetë e filloi përgatitjen e tij shpirtërore për misionin e tij. Ai ndjeu diçka dhe, për fat të mirë, ai veproi dhe kështu i mori ato ndjenja” (“Yagottawanna”, Ensign, maj 1991, f. 46).

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një mënyrë të veçantë se si mund t’i përmirësoni përpjekjet tuaja për të mësuar vetë me anë të Shpirtit.

Si mund ta dalloni kur po jepni mësim dhe po mësoni vetë me anë të Shpirtit?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 50:21–22 duke kërkuar udhëzimin e Zotit rreth mënyrës për të vendosur nëse po jepni mësim dhe mësoni vetë me anë të Shpirtit.

Si do ta përmblidhnit mësimin e dhënë nga Zoti në ato vargje?

Te Doktrina e Besëlidhje 50:23–25 vini re ndryshimin midis asaj që ndodh kur njerëzit japin mësim me anë të Shpirtit dhe asaj që ndodh kur njerëzit japin mësim dhe mësojnë vetë me “ndonjë mënyrë tjetër” (DeB 50:17).

Si e përshkroi Zoti mësimdhënien që nuk lartëson? Si e përshkroi Ai mësimdhënien që “është prej Perëndisë” (DeB 50:24)?

Nga këto vargje ne mund të mësojmë parimin vijues: Ajo që vjen nga Perëndia, ndriçon e lartëson, por ajo që nuk është prej Perëndisë, sjell pështjellim dhe errësirë.

Kur keni parë ose ndier se diçka nuk ishte prej Perëndisë? Si ju ndihmoi Shpirti që ta dallonit atë?

Me raste ju do të dëgjoni dhe kuptoni mesazhe që kanë për qëllim ta shkatërrojnë besimin tuaj. Parimet që po mësoni sot, mund t’ju forcojnë kundrejt atyre mesazheve. Lutuni për Shpirtin në të gjithë të mësuarin tuaj dhe kushtojini vëmendje të veçantë ndikimit të mësimdhënies me anë të Shpirtit. Te Doktrina e Besëlidhje 50:13–22 mësojmë se kur japim mësim dhe mësojmë vetë me anë të Shpirtit, ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe lartësohemi e gëzohemi së bashku. Kjo është e ndryshme nga pështjellimi dhe errësira kur diçka jepet mësim me “ndonjë mënyrë tjetër”.

Te Doktrina e Besëlidhje 50:26–36 lexoni këshillën e Zotit drejtuar mbajtësve të priftërisë lidhur me fuqinë dhe përgjegjësitë që vijnë me shugurimin e tyre. Ai tha se mbajtësit e priftërisë duhet t’u shërbejnë të tjerëve dhe ta mbajnë vetveten të pastër. Kur e bëjnë këtë, Zoti do t’ju japë atyre fuqi për t’i mposhtur shpirtrat e rremë, si ata që u gjendën mes disa prej shenjtorëve.

Doktrina e Besëlidhje 50:37–46

Zoti i nxit shërbëtorët e Tij të vazhdojnë të rriten në hir e të vërtetë dhe i siguron se Ai është me ta

lutja familjare

Përfytyroni fëmijët e vegjël në lagjen ose degën tuaj duke shërbyer misione kohëplota kur të jenë më të rritur. Çfarë ju nevojitet që të jenë të përgatitur për të shërbyer? Në çfarë mënyrash jemi ne të ngjashëm me këta fëmijë të vegjël?

Te Doktrina e Besëlidhje 50:37–46 Zoti u foli veçanërisht disa prej pleqve që po shërbenin në vitin 1831. Megjithatë, fjalët e Tij gjithashtu gjejnë zbatim edhe te ne. Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 50:40–46 duke kërkuar fjalë ose fraza ngushëllimi dhe sigurie. Merreni parasysh të shenjoni atë që gjeni.

Te Doktrina e Besëlidhje 50:40 Zoti tha “ ju duhet të rriteni në hir”. Çfarë mendoni se do të thotë të “rriteni në hir”?

Teksa mendoni rreth kësaj pyetjeje, ju mund të doni të lexoni përkufizimin e fjalës hir te Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] ose te Të Vërtetë ndaj Besimit. Ajo që mësojmë te Doktrina e Besëlidhje 50:37–46, na ndihmon të dimë se Shpëtimtari dëshiron që ne të rritemi në hir dhe në diturinë e së vërtetës dhe që të kemi vetëbesim tek Ai. Ashtu sikurse u premtoi atyre pleqve, Ai do të vëzhgojë mbi ne kur mirëbesojmë tek Ai dhe kërkojmë të bëjmë vullnetin e Tij.

Çfarë do të thotë për ju kur Zoti thotë: “Ju jeni të mitë”? Si mund të na ndihmojë kjo siguri që të “mos k[emi] frikë” (DeB 50:41)?

Cilat të vërteta të tjera te Doktrina e Besëlidhje 50:40–46 janë domethënëse për ju?

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 50 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: