Njësia 18: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 85–86
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 85 është pjesë e një letre të frymëzuar që Profeti Jozef Smith ia dërgoi Uilliam W. Felpsit më 27 nëntor 1832. Në këtë letër Profeti shpjegoi se Zoti dëshironte që të mbahej një anal i saktë për ata që po e jetonin ligjin e përkushtimit në Misuri. Më vonë, më 6 dhjetor 1832, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 86, ndërkohë që po punonte me rishikimet e frymëzuara të Biblës. Kjo zbulesë siguroi shpjegim të mëtejshëm të shëmbëlltyrës së grurit e të egjrave dhe të rolit të priftërisë në të ndihmuarin e Zotit për t’i mbledhur të drejtët në ditët e fundit.
Doktrina e Besëlidhje 85
Nëpunësi i Zotit duhet të mbajë një anal të popullit të Perëndisë
Përfytyroni se jeni në një skuadër sportive që ka mundësi të jetë me të vërtetë e shquar. Pas disa ditësh loje me këtë skuadër, ju vini re që një anëtar i skuadrës është lojtar egoist, disa anëtarë të skuadrës nuk i luajnë siç duhet pozicionet e tyre dhe lojtarë të tjerë e shpërfillin trajnerin. Përse mund të jetë e vështirë për skuadrën tuaj që të fitojë? Çfarë mund të jetë e nevojshme të ndryshohet me qëllim që skuadra të mund të luajë më mirë?
Një situatë e ngjashme filloi të krijohej në vitin 1832, ndërsa gjithnjë e më shumë anëtarë të Kishës mbërritën në Misuri. Shumë prej shenjtorëve në Misuri jetonin në harmoni me ligjet që Zoti i kishte caktuar për ndërtimin e Sionit. Megjithatë, një numër anëtarësh të Kishës nuk iu bindën urdhërimeve të Zotit dhe udhëtuan drejt Misurit pa e marrë një certifikatë nga udhëheqësit e tyre (e cila kërkohej sipas ligjeve që Zoti i kishte vendosur te DeB 72:17–18, 25). Një certifikatë ishte një fletë letre e nënshkruar nga Peshkopi i Kishës ose tre Pleqtë kryesues të Kishës, që shpallte se personi ishte i denjë e në gjendje të mirë dhe i aftë të merrte një kujdestari. Edhe pse të gjithë anëtarët e Kishës në Misuri u urdhëruan t’ia përkushtonin pronësinë e tyre Kishës, disa njerëz mbërritën pa ndonjë të ardhur për ta përkushtuar, gjë që i shtoi sfidat me të cilat po përballeshin njerëzit. Të paktën një anëtar, i cili e kishte përkushtuar pronën, e kërkoi atë që t’i kthehej kur u largua nga Kisha. Njerëz të tjerë në Misuri nuk pranuan t’ia përkushtonin pronat e tyre Kishës.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si krahasohet kjo sjellje e disa anëtarëve të Kishës me qenien një anëtar jo i frytshëm i një skuadre?
-
Përse mund të ketë qenë e vështirë për ta ngritur qytetin e Sionit nën këto rrethana?
-
Lexojeni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 85 që të kuptoni se si Profeti Jozef Smith iu përgjigj këtyre vështirësive në Misuri.
Letra e Jozef Smithit siguroi udhëzime për nëpunësin e Zotit, Xhon Uitmerin, i cili jetonte në Misuri. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 85:1–2, duke kërkuar se çfarë e udhëzoi Zoti të bënte nëpunësin e Kishës në Misuri. (Teksa i studioni këto vargje, mund t’ju ndihmojë të dini që braktisësit janë ata që braktisin apo që largohen nga Kisha dhe e mohojnë besimin.)
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 85:3–5, duke kërkuar arsyet përse disa prej njerëzve nuk do ta kishin emrin të shkruar në analet e Kishës. Në vargun 3 fraza “ata që nuk e marrin trashëgiminë e tyre me anë të përkushtimit”, i referohet anëtarëve të Kishës që nuk pranuan ta jetonin ligjin e përkushtimit, siç kishte urdhëruar Zoti.
Ashtu siç u mbajtën anale në ditët e hershme të Kishës, anale gjithashtu mbahen në kohën tonë që të ruajmë një anal të emrave të njerëzve besnikë, si edhe një dokument të veprave të tyre. Një parim që e mësojmë nga letra e Profetit është që, nëse i jetojmë ligjet e Perëndisë, emrat tanë do të shkruhen në analet e Kishës si anëtarë besnikë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth gjërave që duhet të bëni për ta pasur emrin tuaj të shënuar si anëtar besnik i Kishës. (Pasi ta mbaroni këtë detyrë, krahasojeni atë që shkruat, me përgjigjet e përcaktuara në fund të këtij mësimi.)
Përmendja e “një të fort[i] e të fuqish[mi]” (DeB 85:7), i cili do të vendosë rregull në shtëpinë e Perëndisë dhe përmendja e njërit që e “shtrin dorën e tij për ta bërë të qëndrueshme arkën” (DeB 85:8), janë përdorur prej shumë njerëzve braktisës për ta justifikuar largimin e tyre nga Kisha. Ata pretendojnë që Presidentë të ndryshëm të Kishës e kanë humbur hirin para Perëndisë e janë mohuar dhe se ata, braktisësit, janë “[i] fort[i] e [i] fuqish[mi]”, të thirrur nga Perëndia për t’i rregulluar gjërat. Pretendime të tilla bien në kundërshtim me domethënien e shkrimeve të shenjta. Në një deklaratë zyrtare të nxjerrë në vitin 1905, Presidenca e Parë (Jozef F. Smithi, Xhon R. Uinderi dhe Enthëni H. Landi) diskutuan rrethanat që e sollën në dritë këtë zbulesë dhe njerëzit të cilëve iu drejtoheshin këto dy fraza:
“Duhet të vërehet, para së gjithash, që tema e tërë kësaj letre [letrës së Profetit drejtuar Uilliam W. Felpsit], si edhe pjesa e saj që më pas u pranua si një zbulesë [DeB 85], lidhet me punët e Kishës në Misuri, mbledhjen e shenjtorëve në atë tokë dhe marrjen e trashëgimive të tyre sipas ligjit të përkushtimit dhe të kujdestarisë; dhe Profeti shqyrton veçanërisht çështjen e asaj që duhet të bëhet për ata që nuk ia dalin t’i marrin trashëgimitë e tyre me anë të urdhrit ose dekretit nga peshkopi. …
Ishte ndërkohë që këto kushte të kryengritjes, xhelozisë, krenarisë, mosbesimit dhe ngurtësimit të zemrës mbizotëronin mes vëllezërve në Sion – konteja Xhekson në Misuri – në të gjitha të cilat mori pjesë Peshkopi Partrixh, që u shkruan fjalët e zbulesës, të marra nga letra drejtuar Uilliam W. Felpsit, e datës 27 nëntor 1832. ‘Njeri[u], i cili u thirr nga Perëndia dhe u caktua’ që t’ua ‘nda[nte] shenjtorëve trashëgimin e tyre’ – Eduard Partrixhi – nuk ishte në atë kohë nën kontroll, duke e lënë pas dore detyrën e tij dhe duke e ‘shtri[rë] dorën e tij për ta bërë të qëndrueshme arkën’; prandaj, ai u paralajmërua për gjykimin e pashmangshëm nga Perëndia dhe parashikimi u bë që një tjetër, ‘një [i] fortë e [i] fuqishëm’, do të dërgohej nga Perëndia që ta zinte vendin e tij, që të kishte detyrën e tij si peshkop – një burrë i cili e kishte shpirtin dhe fuqinë e asaj detyre të lartë të vendosur mbi të, me anë të të cilave ai do të kishte fuqi për ta ‘vënë në rregull shtëpinë e Perëndisë dhe për t’i rregulluar sipas vendit trashëgimitë e shenjtorëve’; me fjalë të tjera, një që do të bënte punën të cilën ishte caktuar ta bënte Peshkopi Eduard Partrixh, por që ai nuk ia kishte dalë mbanë ta përmbushte. …
… Dhe përderisa nëpërmjet pendimit e sakrificave dhe vuajtjes së tij, Peshkopi Eduard Partrixh pa dyshim e fitoi një zbutje të gjykimit të kërcënuar kundër tij për rënien ‘nga shigjeta e vdekjes, sikurse një pemë që është goditur nga shigjeta e shpejtë e rrufesë’, po kështu rasti për të dërguar një tjetër që ta zinte vendin e tij – ‘një të fortë e të fuqishëm për të vënë në rregull shtëpinë e Perëndisë dhe për t’i rregulluar sipas vendit trashëgimitë e shenjtorëve’ – mund të merret gjithashtu parasysh si të ishte kaluar dhe e tërë ngjarja e profecisë e mbyllur” (në James R. Clark, përmb., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. [1965–1975], 4:112, 115, 117.)
Përfytyroni që keni plane të ndiqni një ngjarje të shënuar (për shembull, dasmën e një njeriu të mirënjohur ose një gosti me dikë që gjithmonë keni dashur ta takoni). Si do të ndiheshit nëse do të arrinit në atë ngjarje, por nuk do të lejoheshit brenda ngaqë emri juaj nuk ishte në listën e të ftuarve?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 85:9–11, duke kërkuar atë që Zoti tha se do t’iu ndodhte atyre shenjtorëve të hershëm emrat e të cilëve mungonin në librin e kujtimit të Zotit ose në librin e ligjit të Perëndisë. (Mbani mend që këta tituj i referohen dokumentit të shkruar të besimit dhe veprave të shenjtorëve të hershëm.)
Analet mbahen si këtu në tokë, ashtu edhe në qiell. Ne të gjithë do të duhet të japim llogari për veprimet tona dhe për besimin tonë në të jetuarin e ligjeve të Perëndisë. Përsiatni qëndrimin tuaj kundrejt ligjeve të Perëndisë dhe bindjen ndaj tyre.
Doktrina e Besëlidhje 86
Zoti më tej shpjegon shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave
Një shëmbëlltyrë është një histori që e përdor krahasimin për të dhënë mësim një të vërtetë. Lexojeni shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave te Mateu 13:24–30.
Çfarë mendoni se përfaqëson gruri?
Çfarë mendoni se përfaqësojnë egjrat?
Ju mund t’i kontrolloni përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve më lart duke iu drejtuar Mateut 13:38.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse burri në shëmbëlltyrë donte të priste përpara se t’i duhej të shkulte egjrat?
Egjrat janë një lloj bari i keq helmues. Gruri dhe egjrat janë pothuajse të njëllojtë kur janë të njomë, por ata mund të dallohen pasi të jenë rritur plotësisht. Nëse një korrës përpiqej t’i shkulte egjrat përpara se gruri dhe egjrat të piqeshin, shumica e grurit me gjasë do të shkatërrohej gjithashtu.
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 86:1–6, duke kërkuar domethëniet e [simboleve të] fushës, të mbjellësve të farës dhe të armikut. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nisur nga shpjegimi i Zotit për simbolet, si do ta përmblidhnit kuptimin e shëmbëlltyrës?
Profeti Jozef Smith po rishikonte dhe redaktonte variantin e frymëzuar të Biblës kur e mori këtë zbulesë. Sipas Mateut 13:30, Zoti tregoi se egjrat do të mblidheshin fillimisht dhe do të bëheshin duaj për t’u djegur dhe më pas gruri do të mblidhej në hambar (shih Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Mateu 13:29 [në Mateu 13:30, poshtëshënimi b (te botimi shdm i Biblës)].
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 86:7, duke kërkuar një ide që jep kjo zbulesë rreth radhës së mbledhjes. Si mendoni se do të mblidhen të drejtët në ditët e fundit?
Merrni parasysh se si të mësuarit e njerëzve nga misionarët rreth ungjillit të rivendosur, lidhet me shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave.
Ne gjithashtu mund të ndihmojmë në mbledhjen e të drejtëve duke folur për ungjillin me të tjerët. Njerëzit mblidhen në tufë kur e pranojnë Krishtin dhe pagëzohen. Të kujtuarit e mënyrave të shumta në të cilat bekohemi si anëtarë të Kishës së Zotit, mund ta shtojë dëshirën tonë për t’i ndarë ato bekime me të tjerët.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 86:8–10 dhe përcaktojini mënyrat në të cilat jemi bekuar si anëtarë të Kishës së Zotit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
Fraza “ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm” te vargu 9 do të thotë që anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë pjesë e besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin, nëpërmjet së cilës Abrahamit iu premtua se pasardhësit e tij do të gëzonin bekimet e priftërisë dhe do t’i ndanin ato bekime me të tjerët (shih Abrahamit 2:9–11).
Përsiatni pyetjen vijuese: Si jeni bekuar nëpërmjet priftërisë?
Ndërkohë që e përsiatnit pyetjen më lart, ju mund të keni menduar rreth ordinancave që keni qenë në gjendje t’i merrni nëpërmjet priftërisë, duke përfshirë ordinancat shpëtuese të pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 86:11 dhe përcaktoni mënyra se si ne duhet t’i ndihmojmë të tjerët.
Fraza “një dritë për Johebrenjtë” do të thotë dhënien e një shembulli të drejtë për ata që nuk i kanë bekimet e ungjillit. Vargu 11 na mëson që ne mund t’u sjellim shpëtim të tjerëve duke i ndihmuar ata që t’i marrin bekimet e priftërisë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta.
Përsiatni përvoja kur ju [vetë] ose dikush që ju njihni, dha një shembull të drejtë për dikë ose e ndihmoi një njeri tjetër t’i merrte bekimet e priftërisë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth asaj që do të bëni që të jeni “një dritë” për të tjerët që ata të mund t’i marrin ordinancat dhe bekimet e priftërisë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 85–86 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: