Njësia 32: Dita 1
Organizatat dhe Programet e Kishës
Hyrje
Ndërsa Kisha ka vazhduar të rritet, Zoti i ka frymëzuar udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës që të vënë në përdorim organizata dhe programe brenda Kishës për t’i bekuar shenjtorët. Kur këto organizata dhe programe u krijuan fillimisht, nuk nevojiteshin patjetër si tani, por, ndërsa Kisha është rritur, ato janë bërë vendimtare në punën e Kishës për shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë.
Organizatat dhe Programet e Kishës na Ndihmojnë që të Përgatitemi e të Përparojmë drejt Jetës së Përjetshme
Mendoni për mënyrën se si organizatat dhe programet e Kishës e kanë bekuar jetën tuaj.
Çfarë do të thoshit se është qëllimi i organizatave të Kishës si Të Rinjtë dhe Të Rejat? Si mund t’i ndihmojë njohja e qëllimit të një organizate ata që marrin pjesë në të?
Lexojeni Moisiun 1:39, duke kërkuar se cili është qëllimi i Atit Qiellor në gjithçka që Ai bën. Mbani mend se pavdekësia i referohet të jetuarit përgjithmonë në një gjendje të ringjallur. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen, pavarësisht nga ligësia apo drejtësia e tyre në këtë jetë. Jeta e përjetshme i referohet të jetuarit përgjithmonë si familje në praninë e Atit Qiellor dhe të bërjes si Ai.
Duke marrë parasysh se qëllimi i Atit Qiellor është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij, cili është qëllimi i Kishës?
Për shkak se qëllimi i Atit Qiellor është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij, qëllimi i Kishës është i njëjtë. Ati Qiellor e themeloi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për t’i ndihmuar fëmijët e Tij të marrin jetë të përjetshme.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, rendisni disa mënyra se si Kisha e ndihmon Atin Qiellor që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij.
Kisha ka një numër organizatash – të quajtura organizata ndihmëse të priftërisë – dhe programe të tjera që na ndihmojnë të përparojmë drejt jetës së përjetshme. Përpiquni të përmendni disa prej tyre.
Ju mund të keni përmendur Të Rinjtë, Të Rejat, Filloren, Shoqatën e Ndihmës dhe Shkollën e së Dielës dhe programe të tilla si Seminaret e Institutet e Fesë dhe mbrëmjen familjare.
Për të parë se si organizatat dhe programet e Kishës na ndihmojnë të mësojmë dhe të përparojmë në ungjill, me qëllim që ne të marrim jetë të përjetshme, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kjo thënie është rreth programeve të seminarit dhe të institutit, por parimi që na mëson mund të gjejë zbatim edhe për organizatat ndihmëse dhe programet e tjera të Kishës.
“Në historinë e Kishës nuk ka ilustrim më të mirë të përgatitjes profetike të këtij populli se sa fillimet e programit të seminarit dhe institutit. Këto programe u filluan kur ishin të mira, por nuk nevojiteshin patjetër. Atyre iu dha kohë për të lulëzuar dhe u bënë një pritë [mburojë] për Kishën. Tani ato bëhen një dhuratë nga Perëndia për shpëtimin e Izraelit modern në kohën më sfiduese” (“Teach the Scriptures” [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të SAK-ut, 14 tetor 1977], f. 3, si.lds.org).
Zoti i ka frymëzuar udhëheqësit e Tij të themelojnë shumë programe dhe organizata në Kishë që të na përgatitin për sprovat dhe sfidat që hasim gjatë kësaj jete të vdekshme dhe që të na ndihmojnë të përparojmë drejt jetës së përjetshme.
Teksa lexoni përmbledhjet vijuese historike, kërkoni përgjigje për pyetjet vijuese:
-
Si filloi organizata apo programi? (Merreni parasysh t’i shenjoni përgjigjet për këtë pyetje.)
-
Si mendoni se na përgatit që të përballemi me sprovat dhe sfidat e kohës sonë?
-
Si mendoni se na ndihmon që të përparojmë drejt jetës së përjetshme?
Shkolla e së Dielës
Në vitin 1849 një anëtar i Kishës, i quajtur Riçard Ballentajn, ndjeu se fëmijët kishin nevojë për një vend që të mësonin ungjillin në ditën e Shabatit. Ndërkohë, shenjtorët në Britaninë e Madhe po bënin klasa të Shkollës të së Dielës dhe Vëllai Ballentajn filloi klasën e parë të Shkollës të së Dielës në Juta, në lagjen e tij në Solt-Lejk-Siti, në dhjetor të vitit 1849. Pak kohë pas kësaj, lagje të tjera filluan të zbatonin të njëjtën praktikë, secila duke përdorur programin e vet mësimor. Në vitin 1867, udhëheqësit e Kishës formuan Bashkimin Deseret të Shkollës të së Dielës, i cili nxiti njëtrajtshmëri në programin mësimor. Deri në vitin 1870 ishin formuar më shumë se 200 klasa të Shkollës të së Dielës. Sot, lagjet dhe degët kanë klasa të shumta të Shkollës të së Dielës.
Të Rejat
Presidenti Brigam Jang u takua me bijat e tij, në shtëpinë e tij, më 28 nëntor 1869 dhe u kërkoi atyre të ishin udhëheqëse për t’i ndihmuar bashkëmoshataret e tyre që të fitonin dëshmi për ungjillin, të ishin të thjeshta në veshjet e veprimet e tyre dhe t’i shmangnin prirjet dhe sjelljet e botës. Në vitin 1870, u formua një organizatë zyrtare e të rejave për t’i nxitur këto synime. Kjo organizatë më së fundi u bë e njohur si Shoqata e Përmirësimit të Përbashkët të Të Rejave [Young Women’s Mutual Improvement Association] (YWMIA), e cila më vonë ndryshoi në Të Rejat. Në fillim të viteve 1970, udhëheqëset paraqitën programin e Përparimit Personal. Në vitin 1985, ato paraqitën vlerat dhe temën e Të Rejave.
Të Rinjtë
Shoqata e Përmirësimit të Përbashkët të Të Rinjve [Young Men’s Mutual Improvement Association] (YMMIA) u organizua më 10 qershor 1875, nën drejtimin e Presidentit Brigam Jang. Kjo organizatë kishte si qëllim që t’i ndihmonte të rinjtë të zhvilloheshin shpirtërisht dhe intelektualisht, si edhe t’u siguronin atyre veprimtari argëtuese. Në vitin 1913, Kisha u bë bashkëpjesëmarrëse me organizatën Skautistët e Amerikës në Shtetet e Bashkuara. Në mënyrë ndërkombëtare, bashkëpjesëmarrje me programe të tjera skautizmi janë formuar atje ku është e përshtatshme. Emri i organizatës pësoi gjithashtu zhvillim, fillimisht duke ndryshuar në Priftëria Aarone – MIA [Shoqata e Përmirësimit të Përbashkët], më pas Priftëria Aarone dhe më pas në Të Rinjtë. Në vitin 2001, udhëheqësit e Kishës paraqitën programin Detyra ndaj Perëndisë.
Fillorja
Në vitin 1877, Orelia Spenser Roxhers “ndjeu fuqishëm se duhej të bëhej diçka rreth sjelljes së djemve të lagjes ku banonte, të cilët vraponin lirisht përmes qytetit ditë e natë. Ajo mendoi se shumë prej këtyre fëmijëve nuk po u mësoheshin parimet dhe vlerat bazë [që t’i përgatitnin ata] si në njohuri apo sjellje për ta çuar përpara ungjillin, ose edhe që të ishin prindër apo qytetarë të mirë” (“History of Primary”, lds.org/callings/primary/getting-started/history-of-primary). Ajo u takua me Eliza R. Snoun, e cila në atë kohë ishte duke shërbyer si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe ato morën leje nga Presidenti Xhon Tejlor që të organizonin një Fillore në Farmington të Jutës, nën drejtimin e Peshkopit Xhon Hes. Mbledhja e parë e Fillores, e mbajtur më 25 gusht 1878, u përbë nga 224 djem e vajza. Në vitin 1880 u thirr një presidente e përgjithshme e Fillores dhe klasat e Fillores filluan të organizohen në shumë lagje.
Seminaret dhe Institutet e Fesë
Në vitin 1888, Kisha themeloi një Këshill të përgjithshëm për Arsimimin dhe akademitë e Kishës dhe krijoi klasa të fesë për të siguruar një themel shpirtëror për të mësuarin laik, për ata që nuk i ndiqnin akademitë e Kishës. Në vitin 1912, Jozef F. Merill, një profesor dhe anëtar i Kishës, paraqiti një plan për t’i lejuar studentët në shkollat publike që të ndiqnin klasa të fesë si pjesë e ditës së tyre shkollore. [Programi] u quajt seminari dhe klasat e para u mbajtën pranë shkollës së mesme “Granit” në Solt-Lejk-Siti të Jutës, me 70 studentë të regjistruar. Ndërkohë që programi i seminarit u përhap, një program i ngjashëm u themelua për të rinjtë e moshës universitare. Ai u quajt Instituti Shenjtor i Ditëve të Mëvonshme për Fenë dhe klasat e institutit filluan në vitin 1926 në Moskë të Ajdahos. Në fillim të viteve 1950, në Kaliforni filloi një program i seminarit herët në mëngjes, në vitet 1960 filloi programi i seminarit të studimit në shtëpi dhe seminaret e institutet e fesë kanë vazhduar të zgjerohen anembanë botës.
Mbrëmja Familjare
Presidenti Jozef F. Smith dha mësim se programet e Kishës duhet të jenë “shtesa të mësimdhënieve dhe trajnimeve tona në shtëpi. Asnjë fëmijë ndër njëqind nuk do të shkojë në udhë të gabuar, nëse mjedisi, shembulli dhe trajnimi në familje do të ishin në harmoni me të vërtetën në Ungjillin e Krishtit” (“Worship in the Home”, Improvement Era, dhjetor 1903, f. 138). Në vitin 1909, Kunji Granit në Solt-Lejk-Siti, në Juta, filloi një program javor të mbrëmjes së shtëpisë, për të cilin Presidenti Smith tha se ishte i frymëzuar. Në vitin 1915, Presidenca e Parë rekomandoi që mbrëmjet mujore të shtëpisë të zbatoheshin kudo në Kishë. Presidenca e Parë premtoi: “Nëse shenjtorët i binden kësaj këshille [për t’i mbajtur mbrëmjet e shtëpisë], ne premtojmë se do të vijnë bekime të mëdha. Dashuria në shtëpi dhe bindja ndaj prindërve do të rriten. Besimi do të zhvillohet në zemrat e rinisë së Izraelit dhe ata do të fitojnë fuqi për t’i luftuar ndikimin dhe tundimet e liga që i sulmojnë ata” (në James R. Clark, përm., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. [1965–1975], 4:339). Pesëdhjetë vjet më vonë, Kisha botoi manuale për familjet që t’i përdornin në udhëzimet javore të ungjillit. Në vitin 1970 udhëheqësit e Kishës i përcaktuan mbrëmjet e të hënave për mbrëmjen familjare dhe shpallën se asnjë veprimtari tjetër e Kishës nuk duhej të mbahej atë natë.
Secila organizatë dhe secili program i Kishës veproi fillimisht i pavarur. Ndërsa Kisha u zgjerua jashtëzakonisht në vitet 1950, udhëheqësit e Kishës e panë të nevojshme që të vlerësonin se si organizatat e Kishës po i arrinin synimet e Kishës. Ata vendosën t’i përmbledhin dhe bashkërendojnë të gjitha organizatat dhe programet e Kishës si në administrim ashtu dhe në përzgjedhjen e programit mësimor. Këto ndryshime i ndihmuan organizatat dhe programet që t’i përmbushnin më mirë nevojat e ndërlikuara të Kishës në rritje dhe ta forconin familjen. Nën këtë përpjekje për bashkërendim, të gjitha organizatat e Kishës veprojnë nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë, të cilët mbajnë çelësat për të kryesuar.
Përveç kësaj, nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u formua Departamenti i Bashkërendimit, për të rishikuar, vlerësuar dhe bashkërenduar të gjitha materialet e botuara nga Kisha. Kjo u bë për të ndihmuar që doktrina të mbahej e pastër kështu që mësimet e Kishës të mos keqkuptoheshin.
Përsiatni se si të pasurit e organizatave ndihmëse të Kishës, të njësuara dhe të bashkërenduara nën drejtimin e Priftërisë, mund të ndihmojnë për ta arritur më mirë qëllimin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij.
-
Përsiateni parimin vijues: Kur marrim pjesë në organizata e programe të Kishës, ne marrim bekime që mundësohen nëpërmjet tyre. Më pas, përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Si e kanë bekuar jetën tuaj organizatat dhe programet e Kishës?
-
Në ç’mënyrë e kanë bekuar jetën tuaj programet Detyra ndaj Perëndisë apo Përparimi Personal?
-
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani një apo dy qëllime për ta përmirësuar pjesëmarrjen tuaj në organizatat ndihmëse të Kishës dhe programet e saj. Pyetjet vijuese mund t’ju ndihmojnë të mendoni se çfarë qëllimesh të vendosni: Si do të merrni pjesë në mënyrë më të plotë tek Të Rinjtë ose Të Rejat? Po në Shkollën e së Dielës? Po në mbrëmjen familjare? Po në seminar?
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mund t’ju ndihmojë pjesëmarrja në këto organizata ndihmëse dhe programe për t’u përgatitur që të merrni priftërinë Melkizedeke ose të bëni kalimin te Shoqata e Ndihmës?
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
E kam studiuar mësimin “Organizatat dhe Programet e Kishës” dhe e përfundova më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: