Seminari
Njësia 32: Dita 2, Deklarata Zyrtare 2


Njësia 32: Dita 2

Deklarata Zyrtare 2

Hyrje

Gjatë shekullit të 20-të, puna misionare u përhap në mbarë tokën. Udhëheqësit e Kishës u lutën për udhërrëfim lidhur me kufizimet e shugurimit në priftëri dhe të ordinancave në tempull për anëtarët e Kishës me prejardhje afrikane. Një zbulesë përfundimtare i erdhi Presidentit të Kishës, Spenser W. Kimballit, dhe iu pohua këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në tempullin e Solt-Lejkut, më 1 qershor 1978. Ata e shpallën zbulesën në një letër të datës 8 qershor 1978.

Deklarata Zyrtare 2

Zoti zbulon që bekimet e priftërisë dhe të tempullit mund t’i shtrihen çdo anëtari të denjë të Kishës

Përfytyroni sikur keni një mik që është shenjtor i ditëve të mëvonshme dhe po has vështirësi me disa pyetje rreth doktrinës, rregullave ose praktikave të Kishës.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë do ta nxitnit mikun tuaj të bënte?

Në thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, shenjoni pjesët që janë veçanërisht të dobishme për ju:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Po për dyshimet dhe pyetjet? Si e zbuloni se ungjilli është i vërtetë? A është mirë të kemi pyetje mbi Kishën apo doktrinën e saj? Miq të mi të dashur, ne jemi njerëz që bëjmë pyetje sepse e dimë që kërkimi çon tek e vërteta. Ajo është mënyra se si e pati Kisha nisjen e saj – nga një i ri që pati pyetje. Në fakt, nuk jam i sigurt se si dikush mund ta zbulojë të vërtetën pa bërë pyetje. Në shkrimet e shenjta ju rrallë do të gjeni ndonjë zbulesë që nuk erdhi si përgjigje e një pyetjeje. Kurdoherë që u ngrit një pyetje dhe Jozef Smithi nuk qe i sigurt për përgjigjen, ai iu qas Zotit dhe rezultatet janë zbulesat e mrekullueshme te Doktrina e Besëlidhje. Shpesh njohuria që mori Jozefi, u shtri shumë përtej pyetjes fillestare. Kjo ndodh sepse jo vetëm që Zoti mund t’u përgjigjet pyetjeve që bëjmë, por edhe më e rëndësishme, Ai mund të na japë përgjigje për pyetje që duhet t’i kishim bërë. Le t’i dëgjojmë me vëmendje ato përgjigje.

Përpjekja misionare e Kishës bazohet te kërkues të ndershëm që bëjnë pyetje të çiltra. Kërkimi është vendlindja e dëshmisë. Disa mund të ndihen në siklet ose të padenjë sepse kanë pyetje zhbiruese në lidhje me ungjillin, por ata nuk duhet të ndihen ashtu. Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie; është një pararendëse e rritjes.

Perëndia na urdhëron të kërkojmë përgjigje për pyetjet tona (shih Jakob [Bibël] 1:5–6) dhe lyp vetëm që të kërkojmë ‘me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht[in]’ (Moroni 10:4). Kur bëjmë kështu, e vërteta e të gjitha gjërave mund të na shfaqet ‘nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë’ (Moroni 10:5).

Mos kini frikë; bëni pyetje. Jini kureshtarë, por mos dyshoni! Gjithmonë kapuni fort te besimi dhe te drita që tashmë keni marrë. Ngaqë nuk shohim përsosurisht në vdekshmëri, jo çdo gjë do të ketë kuptim pikërisht tani. …

… Kërkimi i përgjigjeve për pyetjet tuaja mund t’ju sjellë më pranë Perëndisë, duke e forcuar dëshminë tuaj në vend që ta lëkundë atë. Është e vërtetë se ‘besim[i] nuk është … një njohuri [e] përsosur’ (Alma 32:21), por ndërsa ushtroni besimin tuaj, duke i zbatuar parimet e ungjillit çdo ditë në çfarëdo rrethanash, ju do t’i shijoni frytet e ëmbla të ungjillit dhe nëpërmjet këtij fryti ju do të dini për të vërtetën e tij (shih Mateu 7:16–20; Gjoni 7:17; Alma 32:41–43)” (“The Reflection in the Water” [bisedë në mbrëmjen rreth vatrës të Sistemit Arsimor të Kishës, 1 nëntor 2009], LDS.org).

Rrëfimi vijues ilustron mënyrën se si dy njerëz, Elvesio dhe Ruda Martins, kërkuan ta merrnin dhe ta kuptonin të vërtetën duke bërë pyetje:

Plaku Elvesio Martins

Plaku Elvesio Martins

“Në një natë të kthjellët prilli të vitit 1972 … Elvesio Martins mendoi rreth kërkimit të familjes së tij për të vërtetën. Ai dhe gruaja e tij, Ruda, kishin hulumtuar shumë besime fetare, por asnjë nuk dukej se e mbushte zbrazëtinë e tyre shpirtërore. ‘Fola me Perëndinë atë natë, duke i kërkuar ndihmë’, thotë ai” (“Elder Helvécio Martins of the Seventy”, Ensign, maj 1990, f. 106).

Pak ditë më vonë, misionarët shkuan në shtëpinë e tyre në Rio-de-Zhanejro në Brazil. Plaku Martins kujtoi: “Në çastin kur ata dy djem të rinj vunë këmbë në apartamentin tonë, gjithë zymtësia ime dhe shqetësimi im shpirtëror u zhdukën menjëherë dhe u zëvendësuan nga një qetësi dhe kthjelltësi që tani e di se erdhi nga ndikimi i Shpirtit të Shenjtë” (me Mark Grover, The Autobiography of Elder Helvécio Martins [1994], f. 43).

Ndërsa Elvesio dhe Ruda, të cilët janë me prejardhje afrikane, bashkëbiseduan me misionarët, Elvesio pyeti për rolin e njerëzve me ngjyrë në Kishë. Çifti Martins mësoi se në atë kohë rregulli i Kishës i kufizonte meshkujt me ngjyrë me prejardhje afrikane nga të qenit të shuguruar në priftëri. Kjo i çoi ata që t’u bënin misionarëve pyetje të mëtejshme.

Nëse do të kishit qenë në vend të familjes Martins, çfarë pyetjesh mund të kishit pasur kur mësuat për kufizimin e priftërisë?

Thënia vijuese është hyrja për Deklaratën Zyrtare 2 në botimin e vitit 2013 të shkrimeve të shenjta. Ndërsa e lexoni thënien, kërkoni përgjigjet e pyetjeve që mund të kenë pasur njerëzit rreth kufizimit të priftërisë.

“Libri i Mormonit na mëson se ‘të gjithë janë njësoj para Perëndisë’ duke përfshirë ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ (2 Nefi 26:33). Gjatë historisë së Kishës, njerëz të çdo race dhe etnie në shumë vende janë pagëzuar dhe kanë jetuar si anëtarë besnikë të Kishës. Gjatë kohës kur jetoi Jozef Smithi, disa anëtarë meshkuj me ngjyrë të Kishës u shuguruan në priftëri. Herët në historinë e saj, udhëheqësit e Kishës e ndaluan dhënien e priftërisë për meshkujt me ngjyrë me prejardhje afrikane. Analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me fillimet e kësaj praktike. Udhëheqësit e Kishës besonin se nevojitej një zbulesë nga Perëndia për ta ndryshuar këtë praktikë dhe plot lutje kërkuan udhërrëfim. Zbulesa i erdhi Presidentit të Kishës, Spenser W. Kimballit, dhe iu pohua udhëheqësve të tjerë të Kishës në tempullin e Solt-Lejkut, më 1 qershor 1978. Zbulesa hoqi të gjitha kufizimet për sa i takon racës që zbatoheshin dikur për priftërinë.”

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Cilat pyetje rreth kufizimit të priftërisë mund të marrin përgjigje përmes kësaj thënieje?

Vini re rreshtin vijues në thënien e mësipërme: “Analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me fillimin e kësaj praktike”. Megjithëse disa njerëz mund të parashtrojnë arsye përse meshkujt me prejardhje afrikane nuk shuguroheshin në priftëri për njëfarë kohe, ato arsye kanë gjasa të mos jenë të sakta. Thënia në hyrjen e Deklaratës Zyrtare 2 përfaqëson qëndrimin zyrtar të Kishës.

Ndërkohë që lexoni paragrafin vijues, kërkoni atë që bëri familja Martins pasi mësoi rreth ungjillit të rivendosur:

Familja Martins u pagëzua më 2 korrik 1972 dhe shërbeu besnikërisht në Kishë. Kur djali i tyre më i madh, Markusi, mori bekimin e tij patriarkal, atij iu premtua se do të predikonte ungjillin. Edhe pse kufizimi i priftërisë në atë kohë nuk e lejonte Markusin që të shërbente në një mision kohëplotë, prindërit e tij hapën një llogari kursimesh për misionarin. Në vitin 1975, Kisha shpalli se një tempull do të ndërtohej në San-Paolo të Brazilit. Për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve, Motra Martins shiti bizhuteritë e saj. Vëllai Martins shërbeu besnikërisht si anëtar i komitetit të reklamimit për tempullin. Familja Martins i bëri këto sakrifica edhe pse besonin se nuk do ta kishin mundësinë për të marrë ordinanca priftërie në tempull.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mendoni ju, përse familja Martins ishte e gatshme të pagëzohej dhe të shërbente besnikërisht në Kishë, edhe pse ata u ndikuan nga kufizimi i priftërisë në atë kohë?

Krahasojeni përgjigjen tuaj me thënien vijuese që dha Plaku Martins: “‘Ne e kishim gjetur të vërtetën dhe asgjë nuk do të na ndalonte ta jetonim atë. … Kur Shpirti ju thotë se ungjilli është i vërtetë, … si mund ta mohosh atë?’” (në “Elder Helvécio Martins of the Seventy”, f. 106).

Për shkak se familja Martins kishte marrë dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ata ishin në gjendje të ecnin përpara, të mirëbesonin te Zoti, pavarësisht nga gjërat që nuk i kuptonin.

Përveç familjes Martins, mijëra njerëz me prejardhje afrikane në kombe të ndryshme kishin arritur ta dinin vërtetësinë e ungjillit të rivendosur në dhjetëvjeçarët që paraprinë zbulesën e vitit 1978. Udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti morën një mori letrash nga të kthyer në besim të papagëzuar në Nigeri dhe Gana, të cilët kërkonin që misionarët të dërgoheshin në Afrikë. Për vite të tëra, udhëheqësit e Kishës plot lutje e morën në shqyrtim çështjen, por e ndien se nuk kishte ardhur ende koha për të dërguar misionarë në Afrikë, ku anëtarët vendorë nuk do të ishin në gjendje të kryesonin ose të kryenin ordinanca.

Presidenti Spenser W. Kimball

Presidenti Spenser W. Kimball

Deklarata Zyrtare 2 përmban shpalljen zyrtare të një zbulese që Presidenti Spenser W. Kimball e mori më 1 qershor 1978. Lexoni paragrafin e parë nën frazën “Të Dashur Vëllezër”, duke kërkuar atë që udhëheqësit e Kishës thanë se kishin dëshmuar.

Me çfarë u frymëzuan udhëheqësit e Kishës ndërsa dëshmuan zgjerimin e punës së Zotit?

Lexoni paragrafin që fillon “Të ndërgjegjshëm për premtimet”. Kërkoni se si vepruan udhëheqësit e Kishës lidhur me dëshirat e tyre të frymëzuara.

Si vepruan Presidenti Kimball dhe udhëheqës të tjerë të Kishës lidhur me dëshirat e tyre të frymëzuara?

Ky paragraf na ndihmon të kuptojmë se profetët e kërkojnë udhërrëfimin e Zotit në drejtimin e Kishës. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta.

Vini re se fillimi i atij paragrafit të dytë nis me frazën “Të ndërgjegjshëm për premtimet e bëra nga profetët”. Kjo frazë na mëson se udhëheqësit e Kishës e dinin se një ditë, të gjithë meshkujt e denjë do të kishin mundësinë ta merrnin priftërinë. Shumë vite përpara vitit 1978, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e kishin diskutuar kufizimin e priftërisë dhe ishin lutur rreth saj. Udhëheqësit e Kishës ndien se nevojitej zbulesë me qëllim që ta ndryshonin kufizimin, i cili ishte vendosur për më shumë se një shekull. Për ca kohë pyetja rëndonte shumë në mendjen e Presidentit Kimball dhe ai shkonte shpesh i vetëm në tempull për t’u lutur rreth saj.

Lexojini paragrafët te Deklarata Zyrtare 2 që fillojnë me “Ai i ka dëgjuar lutjet tona” dhe “Ne shpallim”, duke kërkuar përgjigjen e Zotit ndaj lutjeve të Presidentit Kimball, të këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe të anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Këta paragrafë na ndihmojnë të kuptojmë se Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës që i jep profetëve të Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në shkrimet tuaja të shenjta.

Kjo zbulesë pati një ndikim të thellë te njerëzit në mbarë botën. Lexoni reagimin e Elvesio Martinsit dhe të gruas së tij, Ruda, kur mësuan rreth zbulesës: “Nuk mund t’i përmbaja emocionet. Unë dhe Ruda shkuam në dhomën e gjumit, ramë në gjunjë dhe u lutëm. Derdhëm lot teksa e falënderonim Atin tonë në Qiell për një ngjarje të cilën vetëm e kishim ëndërruar. Dita me të vërtetë kishte ardhur, dhe në jetën tonë të vdekshme” (Autobiography, f. 69–70).

Familja Martins u vulos në tempull. Biri i tyre, Markusi, ishte anëtari i parë i Kishës me prejardhje afrikane që shërbeu një mision pas zbulesës për t’i dhënë fund kufizimit të priftërisë. Elvesio Martins u bë një udhëheqës vendor i priftërisë dhe më së fundi u thirr për të shërbyer si anëtar i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve.

Pak kohë pasi u mor zbulesa që i dha fund kufizimit të priftërisë, misionarët u dërguan në Afrikë. Që atëherë tempuj janë ndërtuar në atë kontinent dhe qindra mijëra njerëz atje kanë marrë ordinancat e ungjillit për veten e tyre dhe për paraardhësit e tyre të vdekur.

Ju mund të pyeteni përse Kisha nuk i shuguroi në priftëri për njëfarë kohe burrat me prejardhje afrikane. Merreni në shqyrtim mënyrën se si mund t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje. Për më shumë informacion, shkoni te LDS.org, përzgjidhni Gospel Topics [Tema të Ungjillit] dhe kërkoni për race and the priesthood [raca dhe priftëria].

  1. ikona e ditaritËshtë e përshtatshme që t’u shpjegoni të tjerëve se ne nuk e dimë përse filloi kufizimi i priftërisë. Përveç kësaj, ju mund të tregoni dhe të dëshmoni për të vërtetat që i dimë, të tilla si ato që keni mësuar në këtë mësim. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani se si mund t’u përgjigjeshit pyetjeve përse Kisha nuk i shuguroi në priftëri për njëfarë kohe burrat me prejardhje afrikane. Teksa formoni përgjigjen tuaj, ju mund të doni të përdorni shembullin e familjes Martins, si edhe hyrjen e Deklaratës Zyrtare 2 në botimin e vitit 2013 të shkrimeve të shenjta.

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Deklaratën Zyrtare 2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: