Seminari
Njësia 2: Dita 1, Joseph Smith – Historia 1:1–20


Njësia 2: Dita 1

Joseph Smith – Historia 1:1–20

Hyrje

Në vitin 1838, Jozef Smithi filloi të punonte për historinë e tij zyrtare. Në të ai përshkroi familjen e tij dhe vendet në të cilat kishin jetuar. Ai gjithashtu tregoi rreth “gjallërim[it] të pazakontë” lidhur me besimin fetar që mbizotëronte në Nju-Jorkun perëndimor në vitin 1820 (Joseph Smith – Historia 1:5). Ky entuziazëm fetar e shtyu që “të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati” për shkak të “ngatërres[ës] dhe grindj[es] midis zotërimeve të ndryshme” (Joseph Smith – Historia 1:8).

Teksa i shqyrtonte shkrimet e shenjta, Jozefi lexoi Jakobin [Bibël] 1:5 (shih Joseph Smith – Historia 1:11), që i nxit ata që kanë nevojë për urti, “të kërkoj[në] nga Perëndia”. Jozefi shënoi: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here, duke e ditur që, nëse ndonjë njeriu i nevojitej urtësi nga Perëndia, mua më duhej; sepse nuk e dija se si të veproja dhe nëse nuk do të fitoja më shumë urtësi sesa kisha atëherë, unë nuk do ta dija kurrë; sepse mësuesit e fesë të sekteve të ndryshme i kuptonin të njëjtat pjesë të shkrimit të shenjtë kaq ndryshe, sa ta shkatërronin gjithë besimin në zgjidhjen e një pyetjeje duke iu drejtuar Biblës” (Joseph Smith – Historia 1:12). Ai vendosi t’i kërkonte Perëndisë në lutje përgjigje për pyetjet e tij. Në përgjigje të lutjes së tij, Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën atij.

Joseph Smith – Historia 1:1–4

Jozef Smithi fillon shkrimin e historisë së tij

Presidenti Tomas S. Monson, i cili shërbeu si president misioni në Kanada, tregoi përvojën vijuese për dy prej misionarëve të tij:

Presidenti Tomas S. Monson

“Të dy [misionarët] erdhën te shtëpia e zotit Elmer Pollard dhe ai, duke ndier dashamirësi për misionarët pothuajse të ngrirë, i ftoi të hynin brenda. Ata paraqitën mesazhin e tyre dhe i kërkuan nëse do të bashkohej në lutje. Ai ra dakord, por me kusht që të mund ta bënte ai lutjen.

Lutja që bëri ai i habiti misionarët. Ai tha: ‘Atë Qiellor, bekoji këta dy misionarë të ngratë, të dalë nga udha, që të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mos e çojnë kohën e tyre dëm duke u treguar njerëzve të Kanadasë për një mesazh që është kaq i pabesueshëm dhe për të cilin ata dinë aq pak’.

Kur u ngritën nga të qëndruarit gjunjazi, zoti Pollard u kërkoi misionarëve të mos ktheheshin më kurrë në shtëpinë e tij. Teksa largoheshin, ai u tha me tallje: ‘Nuk mund të më thoni se e besoni vërtet që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë!’ dhe ai përplasi derën” (“The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Ensign, nëntor 2005, f. 69).

Në qoftë se do të ishit njëri prej misionarëve, çfarë do t’i kishit thënë zotit Pollard rreth Profetit Jozef Smith?

Profeti Jozef Smith e shkroi rrëfimin e jetës së tij, që gjendet te Joseph Smith – Historia në vitin 1838, për qëllimin e botimit të një historie zyrtare të Kishës. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:1–2 dhe kërkoni arsyet që dha Jozef Smithi për shkrimin e historisë së tij zyrtare.

Joseph Smith – Historia përfshin rrëfimin e drejtpërdrejtë nga Profeti për Vegimin e Parë. Njihen disa rrëfime të Vegimit të Parë – katër prej të cilave u shkruan ose u diktuan nga Jozef Smithi dhe të tjerët u shkruan nga ata që e ritreguan përvojën e Jozefit me fjalët e veta. Këto rrëfime u përgatitën në kohë të ndryshme, për grupe të ndryshme njerëzish dhe për qëllime të ndryshme. Të gjitha këto rrëfime përputhen në të vërtetën thelbësore se Jozef Smithit vërtet iu hapën qiejt dhe ai pa lajmëtarë hyjnorë, përfshirë Perëndinë, Atin, dhe Zotin Jezu Krisht. Për shkak se rrëfimi i vitit 1838 ishte pjesë e historisë dhe dëshmisë zyrtare të Jozef Smithit për botën, ai u përfshi te Perla me Vlerë të Madhe.

Joseph Smith – Historia 1:5–13

Në mes të pështjellimit fetar, Jozef Smithi vendos të pyesë Perëndinë se cila kishë është e vërtetë

Jozef Smithi jetoi gjatë një kohe të gjallërimit dhe interesimit të madh për besimin fetar. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:5–7 dhe kërkoni fjalë ose fraza që përshkruajnë situatën me të cilën u përball Jozefi. Ju mund të dëshironi t’i shenjoni këto fjalë në shkrimet tuaja të shenjta. Kur të keni përfunduar, lexoni Joseph Smith – Historinë 1:8, 10, duke kërkuar përshkrimet e Jozef Smithit për mënyrën se si u ndie ai gjatë kësaj kohe.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përmblidhni Joseph Smith – Historinë 1:5–7 duke përfytyruar se duhej t’ia shpjegonit situatën dhe gjendjen e Jozefit dikujt që kurrë nuk kishte dëgjuar për Jozef Smithin. Përfshini të paktën tri ide që mendoni se ju duhet t’i theksoni rreth Jozef Smithit.

Mendoni rreth një situate që ju shkaktoi të bëni shumë pyetje dhe të përsiatni atë që bëtë për t’i zgjidhur shqetësimet tuaja. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:11 dhe kërkoni vendin se ku i gjeti përgjigjet Jozef Smithi ndaj pyetjeve të tij. Harxhoni pak kohë dhe përsëriteni me zë të lartë ose mësoni përmendsh Jakobin [Bibël] 1:5 siç citohet te vargu 11.

Një parim që përfshihet te Jakobi [Bibël] 1:5, i cili e ndihmoi Jozef Smithin të gjente përgjigje për pyetjet e tij, është që nëse i kërkojmë Perëndisë me besim, Ai do t’iu përgjigjet lutjeve tona. Shenjojini fjalët ose frazat që jua mësojnë këtë parim te Joseph Smith – Historia 1:11. Duke e kuptuar që Perëndia do t’iu përgjigjet lutjeve tona në kohën dhe në mënyrën e Tij, përsiatni se si e keni gjetur këtë parim të jetë i vërtetë në jetën tuaj.

Jozefi përshkroi se si ky fragment i shkrimit të shenjtë e ndikoi atë. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:12–13 dhe përcaktoni frazat që përshkruajnë përvojën e Jozefit dhe përgjigjen pas leximit të Jakobit [Bibël] 1:5. A ua ka prekur ndonjëherë zemrën fuqishëm një shkrim i shenjtë? Sipas Joseph Smith – Historisë 1:13, çfarë donte të kapërcente Jozef Smithi? Çfarë tha ai se duhej të bënte?

Joseph Smith – Historia 1:14–20

Jozef Smithi sheh Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin

Joseph Smith – Historia 1:15–20 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme.

Nëse e keni në dispozicion një libër shdm të Himneve, lexoni fjalët e himnit “Lutja e Parë e Jozef Smithit” (Himne, nr. 18). Më pas lexoni Joseph Smith – Historinë 1:14–15.

Përse mendoni se Satani u përpoq ta ndalonte Jozef Smithin që të lutej? Për të gjetur atë që Jozef Smithi bëri kur u përball me këtë “ndikim … të mahnitshëm”, lexoni Joseph Smith – Historinë 1:16. Çfarë mendoni se donte të thoshte Profeti kur tha se ai i ushtroi “të gjitha fuqitë e [tij] për t’i thirrur Perëndisë”? Përsiatni se çfarë mund t’ju mësojë juve shembulli i Jozef Smithit rreth mënyrës se si përgjigjeni kur ndesheni me një situatë të vështirë ose me tundimet e Satanit.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë njerëzore shënohet te Joseph Smith – Historia 1:17. Teksa e lexoni këtë varg, përpiquni ta përfytyroni këtë ngjarje të shenjtë. Një e vërtetë e rëndësishme që mësojmë nga ky varg është që Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ai po ashtu foli me Ta dhe mori udhëzim prej Tyre. Vegimi i Parë i Jozef Smithit është ngjarja themelore e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme.

Vegimi i Parë
  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani arsyen përse mendoni që është e rëndësishme për ju dhe çdo anëtar të Kishës që të keni një dëshmi se Jozef Smithi i pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Rishikoni Joseph Smith – Historinë 1:15–17 dhe përcaktoni të vërteta shtesë që mund t’i mësojmë nga rrëfimi i Atit dhe Birit duke iu shfaqur Jozef Smithit.

Një tundim ose një sprovë mund të vijë nganjëherë përpara ose pas një përvoje shpirtërore. Jozef Smithi përjetoi një sprovë pikërisht përpara Vegimit të Parë. Për Moisiun, sprova erdhi pikërisht pasi ai kishte folur me Perëndinë (shih Moisiu 1:9–12). Jozef Smithi mësoi se, nëse e kërkojmë me zell ndihmën e Perëndisë kur Satani përpiqet të na shkurajojë, Perëndia mund të na çlirojë.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Si ju ndihmon të diturit se ne mund të marrim ndihmë nga Perëndia për t’i kapërcyer vështirësitë dhe shkurajimet?

    2. Çfarë parimesh të tjera mund të mësoni nga përvoja e Jozefit te Joseph Smith – Historia 1:15–16, të cilat mund t’ju ndihmojnë për ta mposhtur tundimin?

  2. ikona e ditaritÇfarë mund të mësojmë rreth Kreut Perëndi nga Joseph Smith – Historia 1:15–17? Shkruajeni përgjigjen tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Disa prej doktrinave lidhur me Kreun Perëndi, që gjenden te Joseph Smith – Historia 1:15–17 janë: Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë. Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë qenie të veçuara dhe të dallueshme.

Jozef Smithi i kërkoi Zotit të mësonte se me cilën nga të gjitha kishat ai duhej të bashkohej. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:18–20 dhe shenjoni përgjigjen që mori Jozefi për këtë pyetje.

A ju kujtohet rrëfimi për misionarët, i treguar në fillim të mësimit? Presidenti Monson tregoi se çfarë bënë misionarët pasi burri ua përplasi derën atyre:

Presidenti Tomas S. Monson

“Misionarët kishin ecur një largësi të shkurtër kur shoku misionar më i ri tha me druajtje: ‘Ne nuk iu përgjigjëm zotit Pollard’.

Misionari me më shumë kohë në mision u përgjigj: ‘Ne nuk u pranuam. Le të vazhdojmë më tej.’

Misionari më i ri nguli këmbë, megjithatë, dhe që të dy u kthyen te shtëpia e zotit Pollard. Zoti Pollard iu përgjigj trokitjes dhe tha me zemërim: ‘Mendova se ju thashë juve djelmosha që të mos ktheheshit kurrë!’

Shoku më i ri atëherë tha, me të gjithë guximin që mundi të mblidhte brenda vetes: ‘Zoti Pollard, kur u larguam nga dera juaj, ju thatë se ne nuk e besonim vërtet që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Unë dua të të dëshmoj ty, zoti Pollard, që unë e di se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë, se me anë të frymëzimit ai përktheu analin e shenjtë, të njohur si Libri i Mormonit, se ai vërtet e pa Perëndinë, Atin, dhe Jezusin, Birin.’ Misionarët më pas u larguan nga pragu i derës.

[Zoti Pollard më vonë dëshmoi:] ‘Atë mbrëmje nuk më zinte gjumi. U ktheva e u rrotullova. Pareshtur dëgjoja në mendjen time fjalët: “Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Unë e di këtë. … Unë e di këtë. … unë e di këtë. Mezi po prisja të vinte mëngjesi. I mora në telefon misionarët, duke përdorur numrin e tyre që ishte i shtypur në një kartë të vogël, e cila përmbante Nenet e Besimit. Ata u kthyen dhe këtë herë gruaja ime, familja ime dhe unë iu bashkuam diskutimit si kërkues të zellshëm të së vërtetës. Si rrjedhim, ne të gjithë e kemi përqafuar ungjillin e Jezu Krishtit’” (“The Prophet Joseph Smith”, f. 69).

Nëse nuk e keni bërë këtë, lexojeni Joseph Smith – Historinë vetë dhe kërkojini Atit Qiellor që t’ju ndihmojë të dini se rrëfimi i Jozef Smithit mbi Vegimin e Parë është i vërtetë ose që t’jua thellojë bindjen tuaj se rrëfimi është i vërtetë. Ju gjithashtu mund të dëshironi të kërkoni mundësi për ta ndarë mesazhin e Vegimit të Parë me dikë tjetër.

  1. ikona e ditaritShkruajini ndjenjat ose dëshminë tuaj rreth Profetit Jozef Smith në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Joseph Smith – Historia 1:15–20

Harxhoni kohë që të përpiqeni dhe ta mësoni përmendsh këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Nëse mendoni se nuk mund t’i mësoni përmendsh të gjitha vargjet, ju mund të dëshironi ta ndani fragmentin në pjesë më të vogla ose të mësoni përmendsh vargjet 16–17 apo vetëm një pjesë të përmbledhur të vargjeve. Ka një metodë për t’ju ndihmuar që t’i mësoni përmendsh këto vargje: Përsëriteni një frazë derisa të mund ta thoni përmendsh. Shtoni një frazë të dytë dhe përsëritini frazat derisa të mund t’i thoni përmendsh që të dyja. Shtoni një frazë të tretë e kështu me radhë. Kalojini me të shpejtë teksa thoni përmendsh frazat që i keni mësuar tashmë dhe ngadalësoni teksa thoni fraza të reja.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Joseph Smith – Historinë 1:1–20 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: