Seminari
Njësia 19: Dita 4, Doktrina e Besëlidhje 89


Njësia 19: Dita 4

Doktrina e Besëlidhje 89

Hyrje

Më 27 shkurt 1833, në përgjigje të kërkesave të Profetit Jozef Smith lidhur me përdorimin e duhanit nga vëllezërit e priftërisë në mbledhjet e tyre, Zoti dha zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 89, të njohur si Fjala e Urtësisë. Në të, Zoti paralajmëroi kundër përdorimit të lëndëve të dëmshme dhe nxiti përdorimin e ushqimeve të shëndetshme. Zoti gjithashtu premtoi se ata që e ndjekin Fjalën e Urtësisë, do të bekohen si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.

Doktrina e Besëlidhje 89:1–3

Jozef Smithi paraqet zbulesën e njohur si Fjala e Urtësisë

A i keni shpjeguar ndonjëherë dikujt përse nuk pini alkool, çaj apo kafe, ose përse nuk pini duhan? Nëse po, a e mbani mend se çfarë thatë dhe se si u përgjigj personi? Ky mësim do t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë Fjalën e Urtësisë dhe të jeni të përgatitur që t’ua shpjegoni atë të tjerëve.

Jozef Smithi duke dhënë mësim

Në dimrin e vitit 1833, rreth 20 mbajtës të priftërisë filluan të mblidhen në dhomën e sipërme të dyqanit të Njull K. Uitnit në Kirtland të Ohajos, për të frekuentuar Shkollën e Profetëve. “Në mbledhjen e shkollës që u mbajt më 27 shkurt 1833, Profeti mori një zbulesë të rëndësishme. Në ditët e hershme të Kishës, përdorimi i alkoolit, duhanit, kafesë dhe çajit ishte i zakonshëm në shoqëri dhe midis anëtarëve të Kishës. Ndërsa Profeti shihte vëllezërit që përdornin duhan në shkollë, ai u shqetësua. Brigam Jangu kujtoi: ‘Kur ata mblidheshin së bashku në këtë dhomë pas mëngjesit, [gjëja] e parë që bënin ishte të ndiznin llullat dhe ndërkohë që pinin duhan, flisnin për gjërat e mëdha të mbretërisë. … Shpesh kur Profeti hynte në dhomë për të dhënë udhëzime për shkollën, ai e gjente veten në një re tymi duhani. Kjo dhe ankimet e bashkëshortes së tij, së cilës i duhej të pastronte një dysheme kaq të pistë [nga përtypja e duhanit], e bënë Profetin të mendonte për këtë çështje dhe ai i kërkoi Zotit në lidhje me sjelljen e pleqve për përdorimin e duhanit dhe zbulesa e njohur si Fjala e Urtësisë ishte rezultati i kërkesës së tij’” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 279).

Lexojeni hyrjen e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 89, duke kërkuar atë që Profeti Jozef Smith bëri në përgjigje të përdorimit të duhanit nga vëllezërit. Më pas lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 89:1–3, duke kërkuar fjalë ose fraza që përshkruajnë qëllimet e Zotit në dhënien e kësaj zbulese.

Ju mund të keni përcaktuar se një qëllim i kësaj zbulese ka lidhje me shpëtimin tonë tokësor. Shpëtimi tokësor ka të bëjë me mirëqenien tonë fizike.

Vini re te Doktrina e Besëlidhje 89:2 që Fjala e Urtësisë nuk u dha fillimisht si një urdhërim. Profeti Jozef F. Smith shpjegoi: “Në atë kohë,… nëse [Fjala e Urtësisë] do të ishte dhënë si një urdhërim, ajo do ta kishte sjellë çdo njeri, që ishte nën varësinë e përdorimit të këtyre gjërave dëmprurëse, nën mallkim; kështu që Zoti ishte i mëshirshëm dhe u dha atyre një mundësi për ta kapërcyer, përpara se Ai t’i vinte ata nën ligjin” (në Conference Report, tetor 1913, f. 14).

Për shkak të kësaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i gjykojmë disa prej udhëheqësve dhe anëtarëve të hershëm të Kishës, të cilët, edhe pasi u zbulua Fjala e Urtësisë, i përdorën lëndët që janë të ndaluara sot. Gjatë gjithë historisë së hershme të Kishës, udhëheqësit i ftuan shenjtorët që ta jetonin më plotësisht Fjalën e Urtësisë. Në konferencën e përgjithshme të vjeshtës së vitit 1851, Presidenti Brigam Jang propozoi që të gjithë shenjtorët të besëlidhnin formalisht për të hequr dorë nga çaji, kafeja, duhani dhe uiski. Më 13 tetor 1882, Zoti i zbuloi Presidentit Xhon Tejlor se Fjala e Urtësisë duhej të konsiderohej si një urdhërim. Në vitin 1919, Presidenca e Parë, nën drejtimin e Presidentit Hibër J. Grant, e bëri zbatimin e Fjalës së Urtësisë një kërkesë për marrjen e një rekomandimi të tempullit. Fjala e Urtësisë vazhdon të jetë një urdhërim i rëndësishëm sot dhe bindja ndaj saj është një kërkesë paraprake për pagëzimin, frekuentimin e tempullit, shërbimin misionar dhe shërbime të tjera të denja në Kishë.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani frazën Një Parim me Premtim (nga DeB 89:3) siç tregohet më poshtë. Lini njëfarë hapësire që të shkruani parimet dhe premtimet e kësaj zbulese nën ato dy pjesë të frazës. Ju gjithashtu mund të doni ta shenjoni këtë frazë në shkrimet tuaja të shenjta.

    Një Parim

    me Premtim

Doktrina e Besëlidhje 89:4–9

Zoti i paralajmëron shenjtorët të mos e përdorin alkoolin, duhanin, çajin ose kafenë

djem duke peshkuar

A keni qenë për peshkim më parë?

karrem peshkimi

Në çfarë mënyrash dikush që peshkon përpiqet ta mashtrojë një peshk që ta kafshojë grepin?

Përse disa njerëz mund të përpiqen t’ju bindin të përdorni lëndë që Zoti i ka ndaluar? Çfarë karremash ose metodash përdorin ata që të përpiqen t’ju bindin juve dhe të tjerët që t’i përdorni ato lëndë? Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 89:4, duke kërkuar se kush paralajmëroi Zoti do të përpiqej t’i mashtronte shenjtorët në ditët e fundit.

Shkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nën titullin “Një Parim”: Për shkak të planeve të liga të njerëzve komplotues në ditët e fundit, Zoti na paralajmëron të mos përdorim lëndë të dëmshme.

Thënia vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson na ndihmon të kuptojmë se një synim i njerëzve të ligj dhe komplotues është që të përfitojnë nga shitja të tjerëve e lëndëve që krijojnë varësi:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Zoti e parashikoi gjendjen e sotme, kur qëllimet për para do t’i bënin njerëzit të komplotonin për t’i nxitur të tjerët të futnin lëndë dëmprurëse në trupat e tyre. Reklamat që nxitin përdorimin e birrës, verës, pijeve alkoolike, kafesë, duhanit dhe lëndëve të tjera të dëmshme janë shembuj të asaj që Zoti e profetizoi. Por shembulli më shkatërrues i një komplotimi të lig në kohën tonë janë ata njerëz që i shtyjnë të rinjtë drejt përdorimit të drogave.

Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, me shumë dashuri, ne ju japim paralajmërimin se Satani dhe të dërguarit e tij do të përpiqen t’ju joshin që të përdorni lëndë tepër të dëmshme, ngaqë ata e dinë mirë se, në qoftë se i merrni ato, fuqitë tuaja shpirtërore do të frenohen dhe ju do të jeni nën pushtetin e tyre të lig. Qëndroni larg prej atyre vendeve ose njerëzve që do t’ju ndikojnë për t’i thyer urdhërimet e Perëndisë. Zbatojini urdhërimet e Perëndisë dhe ju do ta keni urtësinë që ta dini e ta dalloni atë që është e ligë” (“A Principle with a Promise”, Ensign, maj 1983, f. 54–55).

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 89:5–9, duke kërkuar se për cilat lëndë i paralajmëroi Zoti shenjtorët të mos i futnin në trupat e tyre. Merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni. (Udhëheqësit e Kishës kanë thënë se termi “pijet e nxehta” i referohet çajit dhe kafesë.) Në çfarë mënyrash janë të dëmshme lëndët te vargjet 5–9?

Vini re që Doktrina e Besëlidhje 89:7–8 thotë që alkooli dhe duhani kanë përdorime të dobishme si edhe të padobishme. Sot ka lëndë të tjera që mund të keqpërdoren, kështu që ato bëhen të dëmshme dhe vartësuese. Udhëheqësit e Kishës na kanë paralajmëruar kundër përdorimit të “çdo lloj pije, droge, kimikati apo aktiviteti të rrezikshëm që përdoret për të shkaktuar një gjendje ‘të lartë’ kënaqësie ose gjendje të tjera artificiale, që mund të shkatërrojnë trupin ose mendjen tuaj. Disa prej këtyre përfshijnë marihuanën, drogat e forta, barnat e marra me receta ose barna të tjera që shiten pa receta në dyqane ose farmaci me të cilat abuzohet, si dhe kimikatet shtëpiake” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 26).

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në çfarë mënyrash është varësia e ngjashme me grepin që një njeri duke peshkuar e përdor për të kapur peshq?

    2. Përse është varësia dëmtuese për përparimin tonë të përjetshëm?

    3. Si e ka bekuar jetën tuaj paralajmërimi për të mos i përdorur lëndët vartësuese dhe të dëmshme?

Ju do të bekoheni nëse merrni vendim tani që të mos i përdorni kurrë lëndët që janë në kundërshtim me Fjalën e Urtësisë.

Doktrina e Besëlidhje 89:10–17

Perëndia nxit përdorimin e bimëve, frutave, mishit dhe drithërave

perime dhe farëra

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 89:10–17, duke kërkuar atë që Zoti na nxiti të hamë. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni. Sipas vargut 11, çfarë lloj sjelljeje duhet të kemi kur i marrim këto ushqime të shëndetshme?

Mund të jetë e dobishme të dini se shprehja “me maturi” do të thotë me urtësi dhe me kujdes. Një dietë tepër e bollshme apo e pabaraspeshuar, madje edhe e ushqimeve të mira, mund të jetë jo e shëndetshme.

  1. ikona e ditaritShkruajeni një parim rreth ushqimeve të shëndetshme nën titullin “Një Parim” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Një shembull i përdorimit me maturi të ushqimeve mund të gjendet në udhëzimin që Zoti dha rreth mishit te Doktrina e Besëlidhje 89:12–13. Fjala me pakicë sugjeron që mishi duhet të përdoret në një mënyrë të matur.

Doktrina e Besëlidhje 89:18–21

Zoti u premton shëndet, urtësi dhe mbrojtje atyre që i binden Fjalës së Urtësisë

Shkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nën titullin “Premtim”: Nëse e ndjekim Fjalën e Urtësisë, Zoti do të na bekojë me …

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 89:18–19 dhe përcaktoni disa nga bekimet që mund t’i merrni për bindjen ndaj Fjalës së Urtësisë.

  1. ikona e ditaritPërdoreni atë që mësuat nga vargjet 18–19 që ta plotësoni pjesërisht fjalinë që e shkruat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. (Lini vend që t’i shtoni kësaj fjalie më vonë.) Më pas përgjigjjuni pyetjes vijuese: Si mund të na ndihmojë mbajtja e Fjalës së Urtësisë për të fituar urtësi e dituri?

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi një nga qëllimet themelore të Fjalës së Urtësisë:

Presidenti Bojd K. Paker

“Kam arritur të di … se një qëllim themelor i Fjalës së Urtësisë ka të bëjë me zbulesën. …

Nëse dikush ‘nën efekt’ mezi mund ta dëgjojë bisedën e thjeshtë, si mund t’iu përgjigjen ata nxitjeve shpirtërore që prekin ndjenjat e tyre më të brishta?

Aq e vlefshme sa është Fjala e Urtësisë si një ligj i shëndetit, ajo mund të jetë shumë më me vlerë për ju shpirtërisht sesa është fizikisht” (“Prayers and Answers”, Ensign, nëntor 1979, f. 20).

Mendoni se si bindja ndaj Fjalës së Urtësisë ju ka lejuar të gëzoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë, që u zbulon urtësi e dituri besnikëve.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 89:20–21, duke kërkuar bekime shtesë që vijnë nga ndjekja e Fjalës së Urtësisë. (Doktrina e Besëlidhje 89:18–21 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme që t’ju ndihmojë ta gjeni më vonë.)

  1. ikona e ditaritNga ajo që mësuat nga këto vargje, shtojini fjalisë nën titullin “Premtim” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. (Shihni poshtëshënimin 21a për t’ju ndihmuar ta kuptoni frazën “engjëlli shkatërrues do të kalojë pranë”. Ky premtim i mbrojtjes hyjnore mund t’i referohet sigurisë fizike si edhe asaj shpirtërore.) Më pas shkruani një përgjigje për pyetjen vijuese: Kur i keni parë premtimet te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21 të përmbushen në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që njihni?

    Merrni parasysh të caktoni një synim për ta jetuar më mirë Fjalën e Urtësisë.

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 89:18–21

  1. ikona e ditaritKopjojini titujt vijues dhe referencat nga shkrimet e shenjta në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, siç tregohet:

    Shëndeti

    Urtësia

    Forca

    Mbrojtja

    DeB 89:18

    DeB 89:19

    DeB 89:20

    DeB 89:21

    Zgjidhni një nga vargjet dhe ushtrohuni që ta mësoni atë përmendsh për pak minuta. Shihni nëse mund t’ia përsëritni atë një pjesëtari të familjes ose një shoku. Për ta mësuar përmendsh të gjithë fragmentin, ju mund të doni të zgjidhni vargje të tjera dhe të caktoni një kohë që të ushtroheni për t’i mësuar ato përmendsh në të ardhmen.

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 89 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: