Seminari
Njësia 25: Dita 1, Kisha Zhvendoset drejt Misurit Verior


Njësia 25: Dita 1

Kisha Zhvendoset drejt Misurit Verior

Hyrje

Në vitet 1837 dhe 1838, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës e udhëhoqën Kishën fisnikërisht përgjatë një periudhe të vështirë. Si rrjedhim i shqetësimit ekonomik, lakmisë, kritikave dhe përndjekjes, rreth 10 deri në 15 përqind e shenjtorëve në Kirtland të Ohajos e braktisën Kishën, përfshirë disa udhëheqës të njohur të Kishës. Shenjtorët besnikë në Ohajo filluan të shpërnguleshin për t’u bashkuar me ata në Misurin verior. Far-Uesti në Misuri u bë vendi i selisë së Kishës derisa shenjtorët u detyruan të largoheshin nga qyteti në fillim të vitit 1839. Ky mësim mund t’ju ndihmojë të kuptoni dhe të mësoni nga ngjarjet historike dhe ju jep ide për zbulesat e marra gjatë kësaj periudhe.

Vështirësi dhe Braktisje në Kirtland të Ohajos

Përsiatni pyetjen vijuese: A ju ndihmojnë vështirësitë dhe sprovat që ta forconi besimin tuaj apo besimi juaj dobësohet gjatë atyre kohëve?

Në vitet 1837 dhe 1838, një periudhë sprovash bëri që shumë shenjtorë të përballeshin me këtë pyetje. Ndërkohë që disa prej sprovave të tyre ishin si rrjedhojë e përndjekjes nga jashtë Kishës, shumë sprova ishin si rrjedhojë e grindjes brenda Kishës. Teksa e studioni këtë mësim, përsiatni se si reagimi ynë ndaj sprovave mund ta forcojë ose dobësojë besimin tonë te Jezu Krishti.

hartë, nga Misuri në Ohajo

Kirtlandi në Ohajo, në raport me vendet në Misurin verior

Ndërsa lexoni përmbledhjen historike në vijim, merrni në shqyrtim se çfarë parimesh mund të mësoni nga ngjarjet e përshkruara:

Në vitin 1837, shenjtorët në Kirtland të Ohajos përjetuan disa probleme financiare. Për t’i ndihmuar shenjtorët që të ishin më të mbështetur te vetja lidhur me financat e tyre, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës themeluan Shoqërinë e Sigurisë së Kirtlandit, një kompani e ngjashme me një bankë. Për shkak të një depresioni ekonomik mjaft të përhapur gjatë kësaj kohe, shumë banka anembanë kombit falimentuan. Edhe Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit falimentoi në vjeshtën e vitit 1837. Dyqind investues në bankë humbën pothuajse gjithçka, ku Jozef Smithi pësoi humbjet më të mëdha. Edhe pse Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit nuk financohej nga Kisha, disa prej shenjtorëve e shihnin atë si një bankë të Kishës ose si bankën e Profetit dhe fajësuan Jozefin për problemet e tyre financiare. Disa madje filluan ta quanin atë një profet të rënë. Por pavarësisht nga dështimi i bankës, shumë njerëz të tjerë, të cilët i humbën paratë, mbetën besnikë dhe qëndruan të vërtetë ndaj Profetit. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 171–173.)

Një frymë e braktisjes dhe kritikës u përhap mes shumë shenjtorëve. Brigam Jangu përshkroi një rast kur disa nga anëtarët e Kishës, përfshirë udhëheqës të Kishës, u mblodhën që të hiqnin dorë nga Jozef Smithi dhe të caktonin një profet të ri: “Disa nga Të Dymbëdhjetët, dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe të tjerë nga Autoritetet e Kishës, mbajtën një këshill në dhomën e sipërme të Tempullit. Pyetja që shtrohej ishte që të siguroheshin se si mund të hiqej Profeti Jozef dhe Dejvid Uitmeri të caktohej Presidenti i Kishës. … U ngrita, dhe në një mënyrë të qartë e bindëse u thashë se Jozefi ishte një Profet, dhe unë e dija këtë, dhe se ata mund ta shanin e përgojonin atë sa të donin, [por] nuk mund ta shkatërronin caktimin e Profetit të Perëndisë; ata vetëm do të shkatërronin vetë autoritetin e tyre, do ta prishnin lidhjen që i mbante të bashkuar me Profetin e me Perëndinë dhe do ta fundosnin veten në ferr” (Manuscript History of Brigham Young, 1801–1844, bot. Elden Jay Watson [1968], f. 15–16).

Presidenti Brigam Jang
  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto ngjarje historike?

    2. Çfarë do të kishit bërë për të mbetur besnikë ndaj Profetit gjatë kësaj kohe kritikash? Kur e ka forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti durimi i një sprove me besim?

    3. Në ç’mënyra ka qenë ndjekja e profetit një mbrojtje shpirtërore për ju?

Deri në qershor të vitit 1838, afërsisht 200 ose 300 braktisës e kishin lënë Kishën, përfshirë katër Apostuj, Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe një anëtar i Presidencës së Parë (shih Church History in the Fulness of Timesf. 177). Megjithatë, shumica e shenjtorëve iu përgjigj kësaj periudhe të vënies në provë me besim, ashtu siç bëri Brigam Jangu. Ata u forcuan nga Zoti dhe mbetën të vërtetë ndaj dëshmive të tyre. Shumë prej atyre që u larguan nga Kisha gjatë kësaj periudhe të braktisjes, më vonë u kthyen dhe kërkuan që të ribashkoheshin sërish me Kishën e Zotit. Mes tyre ishin Oliver Kaudëri, Martin Harrisi, Luk Xhonsoni dhe Frederik G. Uilliamsi.

Në mes të këtyre vështirësive në Kirtland, disa braktisës kërkuan ta vrisnin Jozef Smithin. Luk Xhonsoni, i cili vetë e kishte braktisur Kishën, ishte mjaft i ndershëm sa ta paralajmëronte Profetin për komplotin. Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni u larguan nga Kirtlandi në janar të vitit 1838. Ata u ndoqën [këmba-këmbës] për disa ditë, por Zoti i mbrojti. Ata mbërritën me familjet e tyre në Far-Uest të Misurit, në mars të vitit 1838.

Misuri Verior

Shihni shtetin e Misurit në hartën në fillim të këtij mësimi. Kur shenjtorët u dëbuan nga konteja Xhekson në Misuri, në vitin 1833, qytetarët e një konteje fqinje i mirëpritën dhe iu dhanë atyre ndihmë të përkohshme, duke menduar se shenjtorët do të qëndronin vetëm për një kohë të shkurtër. Megjithatë, pasi shenjtorët kishin jetuar atje për gati tre vjet, këta qytetarë filluan t’i shtynin ata që të largoheshin nga konteja.

Ndërsa lexoni përmbledhjen historike në vijim, merrni në shqyrtim se çfarë parimesh mund të mësoni nga ngjarjet e përshkruara:

Në vitin 1837, Xhon Uitmeri dhe Uilliam W. Felpsi, të dy këshilltarë në presidencën e kunjit të Misurit, i përdorën fondet e Kishës për të blerë tokë në një vend të quajtur Far-Uest në Misurin verior. Megjithatë, kur ua ofruan ngastrat e tokës shenjtorëve që po vinin, ata ua shitën tokën me një fitim të vogël, të cilin e mbajtën për vete. Sidoqoftë, këshilli i lartë në Misuri i fali ata dhe caktoi njerëz të tjerë për ta shpërndarë tokën. Megjithatë, Xhoni dhe Uilliami vazhduan të përpiqeshin që të përfitonin nga shitja e tokave. Në vitin 1838, këshilli i lartë i shkishëroi ata. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 183–185.)

Jozef Smithi e përkrahu veprimin e këshillit dhe Uilliami u fye. Në nëntor të vitit 1838, ai bëri një deklaratë me shkrim kundër Profetit. Kjo deklaratë me shkrim ndihmoi që Jozefi dhe njerëz të tjerë të arrestoheshin dhe të futeshin në burgun e Libertisë gjatë dimrit.

Në burg, Profeti Jozef Smith dhe ata që ishin me të vuajtën jashtëzakonisht shumë, jo vetëm nga kushtet e rënda të burgimit të tyre, por edhe nga lajmet e shenjtorëve që po dëboheshin nga shtëpitë e tyre dhe po dhunoheshin në mënyra të shumta. Turmat në Misuri, të pakontrolluara nga guvernatori, i shkatërruan pronat dhe vranë 17 njerëz te një mulli që ishte pronë e një njeriu të quajtur Xhejkëb Han.

Uilliam W. Felpsi vuajti shpirtërisht për veprimet e tij dhe i shkroi Jozefit një letër duke i kërkuar falje. Profeti i ktheu përgjigje:

Jozef Smithi

“Është e vërtetë që ne kemi vuajtur shumë si pasojë e sjelljes tënde – [kupa e vrerit], tashmë e mbushur plot për t’u pirë nga të vdekshmit, ishte vërtet e mbushur deri në derdhje kur ti dole kundër nesh. …

Gjithsesi, kupa u pi, vullneti i Atit tonë u krye dhe ne jemi ende gjallë, gjë për të cilën falënderojmë Zotin. …

Duke besuar se rrëfimi yt është i vërtetë dhe pendesa jote e sinqertë, unë do të jem i lumtur që edhe një herë të të jap dorën e djathtë në shoqërim dhe të gëzoj në kthimin e djalit plëngprishës. …

‘Eja, vëlla i dashur, meqenëse lufta kaloi, / Sepse miqtë në fillim, janë përsëri miq më në fund’” (në History of the Church, 4:163–164).

letër e shkruar me dorë

Një fragment i letrës së Jozef Smithit drejtuar Uilliam W. Felpsit

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Përse është e vështirë të falni një shok që ju ka tradhtuar dhe ju bëri të vuani?

    2. Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit? (Ky parim mund t’ju sjellë ndërmend një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë te Doktrina e Besëlidhje 64:9–11. Ju mund të doni ta shqyrtoni atë fragment për të parë se si lidhet ai me përvojën e Jozef Smithit dhe të W. W. Felpsit.)

    3. Çfarë mësimesh të tjera mund të mësojmë nga ky tregim?

  2. ikona e ditaritZgjidhni një prej parimeve që përcaktuat nga këto dy përmbledhje historike. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth rastit kur e keni parë një shembull të atij parimi në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që e njihni.

Ngjarjet që Çuan drejt Dëbimit të Shenjtorëve nga Misuri Verior

A e keni parë ndonjëherë një anëtar të Kishës të bëjë një zgjedhje, e cila e bëri dikë tjetër të kishte një përshtypje negative për Kishën? Ju gjithashtu mund të doni të merrni në shqyrtim se si vetë veprimet tuaj kanë ndikuar në përshtypjet e njerëzve të tjerë për Kishën.

Përse është e rëndësishme të mendojmë rreth mënyrës se si veprimet ose fjalët tona e pasqyrojnë Kishën?

Në vitin 1838, veprimet dhe fjalët e disa anëtarëve të Kishës i shtuan ndjenjat negative që disa qytetarë të Misurit kishin kundrejt shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ndërsa lexoni përmbledhjen historike në vijim, kërkoni gjërat që disa shenjtorë i thanë ose i bënë, të cilat e dëmtuan Kishën dhe anëtarët e saj. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

Në vitet 1837 dhe 1838, disa anëtarë të pakënaqur dhe të shkishëruar të Kishës, që jetonin mes shenjtorëve në Far-Uest të Misurit, filluan të ngrinin padi gjyqësore kundër Kishës dhe ta ngacmonin Kishën. Disa prej shenjtorëve filluan të bëheshin të paduruar me këta të larguar. Në qershor të vitit 1838, Sidni Rigdoni foli me gjaknxehtësi në atë që është bërë i njohur si “Predikimi i Kripës”. Ai përdori Mateun 5:13 dhe tha se, në qoftë se kripa e humbet shijen e saj, ajo nuk shërben më për asgjë dhe duhet të flaket tej, duke nënkuptuar se ata që ishin larguar nga Kisha, duhej të flakeshin nga mesi i shenjtorëve. Përveç kësaj, 84 anëtarë të Kishës nënshkruan një dokument duke i urdhëruar braktisësit të largoheshin nga konteja. Dy javë më vonë, më 4 korrik, Sidni dha një fjalim ku ai premtoi se shenjtorët do ta mbronin vetveten edhe sikur të arrihej në një “luftë shfarosëse”. Edhe pse të dy këto fjalime dukej se e kundërshtonin udhëzimin e Zotit që të “bëni[n] apel për paqe” (DeB 105:38), që të dy fjalimet u botuan dhe shkaktuan panik të madh mes njerëzve që nuk ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 191–192.)

Më 6 gusht 1838, një grup shenjtorësh u përpoqën të votonin në Galatin të Misurit, por u sulmuan nga një grup njerëzish të Misurit. Shenjtorët kundërsulmuan dhe burra nga të dy palët u plagosën. Kjo ngjarje çoi në mosmarrëveshje e kërcënime shtesë dhe në rritjen e keqkuptimit midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe fqinjëve të tyre në Misuri. (Shih Journals, Volume 1: 1832–1839, vëll. 1 i serisë Journals të The Joseph Smith Papers [2008], f. 298–301.)

Gjatë kësaj kohe, një i kthyer në besim, i quajtur Sampson Avardi, bëri betime të fshehta me ata të cilët do të bashkoheshin me të në formimin e një grupi plaçkitësish, të quajtur danitët. Avardi i udhëzoi ata që t’i vidhnin e t’i plaçkitnin njerëzit e Misurit, duke thënë se kjo do të ndihmonte për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.

Avardi i bindi pasuesit e tij që udhëzimet e tij po vinin nga Presidenca e Parë. E vërteta u zbulua më vonë dhe Avardi u shkishërua. Veprimet e Avardit shkaktuan dëm të madh për imazhin e Kishës dhe ndihmuan në burgosjen e Profetit në burgun e Libertisë.

Në tetor të vitit 1838, pati një betejë midis disa anëtarëve të Kishës dhe burrave të milicisë së Misurit. Raporte të zmadhuara së tepërmi për betejën mbërritën te guvernatori Bogs, i cili më pas nxori një urdhër shfarosjeje: “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen ose të nxirren jashtë nga shteti, nëse është e domosdoshme për të mirën e përgjithshme” (në History of the Church, 3:175). Shpejt, qyteti i Far-Uestit u rrethua nga një milici që i tejkaloi pesëfish forcat e shenjtorëve. Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u burgosën në burgun e Libertisë, ku ata qëndruan gjatë gjithë dimrit. Pjesa tjetër e shenjtorëve u detyruan të largoheshin nga shteti. (Shih Church History in the Fulness of Times,f. 199–200, 204208.)

karroca të mbuluara

Shenjtorët u detyruan të largoheshin nga Far-Uesti në Misuri.

Një parim që mund ta përcaktonim nga kjo periudhë kohore është se, veprimet dhe fjalët tona mund të ndikojnë në mënyrën se si të tjerët e shohin Kishën e Jezu Krishtit.

Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të pranojmë se veprimet e disa anëtarëve të hershëm të Kishës luajtën rol në opinionet negative që patën disa njerëz në Misuri rreth Kishës?

Edhe pse zgjedhjet tona të gabuara mund të ndikojnë tek të tjerët që ta shohin Kishën negativisht, ne gjithashtu mund t’i ndihmojmë të tjerët të kenë një pikëpamje pozitive për Kishën nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tona.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për një rast kur ju i keni parë fjalët ose veprimet e dikujt të ndikojnë te një njeri për të pasur një pikëpamje pozitive për Kishën.

Shikoni për mënyra se si ta paraqitni Kishën e Jezu Krishtit pozitivisht gjatë javës së ardhshme. Ndërsa e bëni këtë, Zoti do t’ju bekojë.

Një prej parimeve kryesore që mund ta mësojmë nga kjo kohë në historinë e Kishës është që, ndërsa zgjedhim t’u përgjigjemi sprovave me besim në vend të dyshimit, dëshmitë tona mund të forcohen.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë do të bëj unë ndryshe për shkak të doktrinave dhe parimeve që mësova sot?

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar mësimin “Kisha Zhvendoset drejt Misurit Verior” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: