Njësia 28: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 132:1–33
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 132 përmban një zbulesë lidhur me besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës. Edhe pse kjo zbulesë u shënua më 12 korrik 1843, disa nga të vërtetat në zbulesë njiheshin dhe u dhanë mësim nga Profeti Jozef Smith që prej vitit 1831. Në këtë mësim ju do të mësoni rreth kushteve të besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës dhe premtimeve që iu shtrihen atyre që e nderojnë atë.
Doktrina e Besëlidhje 132:1–18
Zoti parashtron kushtet e besëlidhjes së re dhe të përjetshme
Te Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, ne lexojmë që Profeti Jozef Smith i kërkoi Zotit përse Abrahami, Isaku, Jakobi dhe njerëz të tjerë në Dhiatën e Vjetër kishin shumë gra. Kjo pyetje çoi drejt zbulesës të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 132, e cila përfshin udhëzime rreth praktikës së martesës me shumë gra. Bibla dhe Libri i Mormonit na mësojnë se standardi i Perëndisë për martesën është që një burrë të martohet me një grua, vetëm nëse Ai shpall ndryshe (shih 2 Samuelit 12:7–8; Jakobi [LiM] 2:27, 30). Doktrina e Besëlidhje 132 përmban zbulesën që e nisi praktikën e martesës me shumë gra mes anëtarëve të Kishës nga fillimi i vitit 1840 deri në vitin 1890, [kohë] kur Zoti zbuloi se shenjtorët nuk duhej të hynin më në martesa me shumë gra.
Ndërsa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 132, kërkoni përgjigje për pyetjet vijuese:
-
Si do t’ju bekojë një martesë e përjetshme në këtë jetë dhe përgjithmonë?
-
Përse është kaq e rëndësishme besëlidhja e martesës në tempull?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 132:3–6, duke kërkuar rezultatin e hyrjes në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës dhe rezultatin e heqjes dorë nga ajo besëlidhje. Fjala i mallkuar, që shfaqet te vargjet 4 dhe 6, do të thotë që një njeri ndalohet në përparimin e tij ose të saj të përjetshëm.
Sipas vargut 6, cili është një bekim që njerëzit e marrin kur i binden ose e pranojnë ligjin e Zotit për martesën?
Presidenti Jozef Filding Smith iu drejtua Doktrinës e Besëlidhjeve 132:7 kur dha mësim rreth domethënies së frazës “besëlidhja e re dhe e përjetshme”: “Tani, [te DeB 132:7] ka një përkufizim tepër të qartë, të hollësishëm, lidhur me besëlidhjen e re dhe të përjetshme. Ajo është gjithçka – plotësia e ungjillit. Pra, martesa e kryer siç duhet, pagëzimi, shugurimi në priftëri, gjithçka tjetër – çdo marrëveshje, çdo detyrim, çdo arritje që i përket ungjillit të Jezu Krishtit, që vuloset nga Shpirti i Shenjtë i premtimit, sipas ligjit të tij të dhënë këtu, është një pjesë e besëlidhjes së re dhe të përjetshme” (Doctrines of Salvation, përm. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:158).
Njerëzit shpesh bëjnë kontrata, ose marrëveshje, me njëri-tjetrin. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 132:7, duke kërkuar atë që u ndodh kontratave të bëra nga njerëzit kur ne vdesim. Gjithashtu kërkoni dy kushte që duhet të jenë të vendosura në mënyrë që një besëlidhje të jetë lidhëse pasi të vdesim.
Nga vargu 7 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Kur një besëlidhje bëhet nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë dhe vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, ajo do të zgjatë përgjithmonë.
Ju mund ta pyesni veten se çfarë kuptimi ka fraza “vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit”. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta jep shpjegimin vijues: “Fryma e Shenjtë është Shpirti i Shenjtë i Premtimit (Veprat e Apostujve 2:33). Ai i konfirmon si të pranueshme për Perëndinë veprimet, ordinancat dhe besëlidhjet e drejta të njerëzve. Shpirti i Shenjtë i Premtimit i dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirti i Shenjtë i Premtimit”, scriptures.lds.org).
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 132:15–18, duke kërkuar dy mënyra të ndryshme se si një burrë e një grua mund të hyjnë në një martesë së bashku. Më pas merrini në shqyrtim shembujt vijues dhe, në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, u jepni përgjigje pyetjeve sipas kuptueshmërisë suaj për vargjet që keni lexuar.
-
Shembulli 1: Një burrë e një grua bien në dashuri, e mbajnë ligjin e dëlirësisë dhe martohen plot lumturi nga një udhëheqës i qeverisë vendore. Ata nuk vulosen në tempull. Ceremonia e tyre e martesës përfshin fjalët “derisa vdekja t’ju ndajë”. Disa vite më pas, bashkëshorti vdes në një aksident. Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 132:15–17, çfarë ndodh me martesën kur vdes bashkëshorti?
-
Shembulli 2: Një burrë e një grua martohen. Ata i premtojnë njëri-tjetrit se gjithmonë do ta duan njëri-tjetrin dhe se gjithmonë do të jenë së bashku, por nuk vulosen në tempull. Ata besojnë se, për shkak të dashurisë së tyre, Perëndia do t’i lejojë që të jenë së bashku përgjithmonë. Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 132:18, çfarë ndodh me martesën e tyre kur njëri prej tyre vdes?
Ndërsa i merrni në shqyrtim këta shembuj, mbani mend se ne kryejmë ordinanca në tempull për njerëz që kanë vdekur pa e pasur mundësinë për t’i marrë ordinancat shpëtuese të priftërisë. Ju mund të jeni pagëzuar dhe konfirmuar për të vdekurit. Anëtarë të denjë të Kishës, të cilët e kanë marrë dhurimin [indaumentin], mund t’i marrin ordinancat e dhurimit [indaumentit] dhe të vulosjes në emër të njerëzve që kanë vdekur pa i marrë ato ordinanca vetë.
-
Doktrina e Besëlidhje 132:19–33
Zoti u premton bekime atyre që i binden ligjit të martesës çelestiale
Plaku Enrike R. Falabela, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi përvojën që vijon. Teksa e lexoni, shenjoni arsyen përse ai dhe bashkëshortja e tij u ndien të trishtuar dhe përse u ndien të lumtur.
“Kur u ktheva nga misioni im, takova një të re të bukur. … Ajo më robëroi që nga çasti i parë që e pashë.
Bashkëshortja ime kishte vënë synimin që të martohej në tempull edhe pse, në atë kohë, tempulli më i afërt kërkonte një udhëtim prej më shumë se 6.400 km.
Ceremonia e martesës sonë civile ishte edhe e lumtur edhe e trishtuar, sepse u martuam me një datë që i mbaron afati. Punonjësi shqiptoi fjalët: ‘Dhe tani ju deklaroj burrë e grua’, por menjëherë pas kësaj, ai tha: ‘derisa vdekja t’ju ndajë’.
Kështu që, me sakrificë, kursyem sa për të blerë një biletë vetëm vajtjeje deri në Tempullin e Mesës në Arizonë.
Në tempull, ndërsa ishim të gjunjëzuar tek altari, një shërbestar i autorizuar shqiptoi fjalët që doja shumë t’i dëgjoja, të cilat na shpallën burrë e grua për kohën dhe për gjithë përjetësinë” (“Shtëpia: Shkolla e Jetës”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 102).
Përse çifti Falabela nuk ishte i kënaqur me martesën e tyre civile?
-
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 132:19–21, duke kërkuar bekimet që u premton Zoti atyre që janë të vërtetë ndaj besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani mendimet tuaja rreth këtyre vargjeve.
Teksa i studioni këto vargje, informacioni vijues mund t’ju ndihmojë: Fjala duroni do të thotë të pranoni ose të vazhdoni, kështu që shprehjet “duroni [në] besëlidhjen time” (vargu 19) dhe “duroni ligjin tim” (vargu 21) duan të thonë të mbeteni të vërtetë ndaj besëlidhjes dhe ligjit të Zotit. Ju mund të doni t’i shenjoni këto fraza.
Doktrina e Besëlidhje 132:19 përmban premtimin që, nëse një burrë dhe një grua martohen me anë të “besëlidhjes së re dhe të përjetshme” dhe “ajo iu vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit”, atëherë ata “do të vi[jnë] në ringjalljen e parë; dhe … trashëgo[jnë] frone, mbretëri, principata dhe fuqi”, për aq kohë sa “duro[jnë në] besëlidhjen time dhe nuk bë[jnë] asnjë vrasje me anë të së cilës të derdh[in] gjak të pafajshëm” (shih edhe DeB 132:27).
Shprehjet “vazhdimësi e farës përherë e përgjithmonë” (vargu 19) dhe “vazhdojnë” (vargu 20) i referohen premtimit se familjet tona dhe pasardhësit tanë mund të vazhdojnë për gjithë përjetësinë.
Nga Doktrina e Besëlidhje 132:19–21, ne mësojmë parimet vijuese:
-
Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë ata do të marrin ekzaltim dhe lavdi.
-
Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë ata do të kenë një rritje të përjetshme të pasardhësve.
-
Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë martesa e tyre do të jetë e vlefshme gjatë gjithë përjetësisë.
-
Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë ata do të bëhen si Perëndia.
Merreni në shqyrtim shembullin vijues. Përgjigjjuni pyetjes sipas kuptueshmërisë suaj për Doktrinën e Besëlidhjet 132:19–21.
Shembulli 3: Një i ri dhe një e re vulosen në një tempull të shenjtë me anë të autoritetit të priftërisë. Të dy ata jetojnë me besnikëri dhe i mbajnë besëlidhjet e tyre. Çfarë do të ndodhë me martesën e tyre pasi të vdesin?
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë mendoni se duhet të bëjnë një bashkëshort e një bashkëshorte që të durojnë në besëlidhjen e martesës? (Teksa i përgjigjeni kësaj pyetjeje, mendoni për marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin si edhe marrëdhënien e tyre me Perëndinë.)
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 132:22–25, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përshkrimit të Zotit për “port[ën]” dhe “udh[ën]” që çojnë drejt ekzaltimit. Fjala e ngushtuar në vargun 22 do të thotë e ngushtë ose përcaktuese, që nuk lejon endje jashtë rrugës.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjë, vizatoni një figurë të portave dhe udhëve të përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 132:22–25 dhe më pas përgjigjjuni pyetjeve vijuese:
-
Në çfarë mënyrash përfytyrimi i një porte të madhe dhe një udhe të gjerë përfaqëson mendimet e tanishme në shoqëri rreth marrëdhënieve të çifteve dhe martesës?
-
Si janë këto mendime në kundërshtim me besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës?
-
Sipas vargjeve 22 dhe 25, shumë njerëz dështojnë që të hyjnë në udhën e ngushtë, e cila çon drejt ekzaltimit, sepse ata nuk arrijnë ta pranojnë Jezu Krishtin dhe të jetojnë sipas ligjit të Tij, i cili përfshin martesën e përjetshme.
Nga këto vargje ne mësojmë se, që të marrim ekzaltim dhe jetë të përjetshme, ne duhet t’i njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, të bëhemi si Ata dhe të durojmë në ligjin e Tyre. Te Doktrina e Besëlidhje 132:29–33, ne shohim një shembull të këtij parimi. Ne lexojmë se Abrahami ishte besnik dhe i bindur ndaj ligjit të Zotit për martesën e përjetshme dhe se ai mori premtimin e rritjes së përjetshme në pasardhës.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Përse është i rëndësishëm për ju ligji i martesës së përjetshme?
-
Çfarë do të bëni, duke filluar që sot, që të përgatiteni për të hyrë në tempull dhe për t’u martuar për kohën dhe gjithë përjetësinë?
-
Çfarë bekimesh mund t’u vijnë në këtë jetë atyre që i binden ligjit të Perëndisë për t’u vulosur në tempull?
-
Përgatituni tani që të jeni të denjë për të hyrë në tempull dhe për t’u martuar për përjetësinë, që të mund të gëzoni bekimet që Ati Qiellor i ka përgatitur për ju.
Këtë javë ju do të studioni Doktrinën e Besëlidhjet 132:34–66 me mësuesin tuaj. Ato vargje trajtojnë doktrinën e martesës me shumë gra. Me mësuesin tuaj, ju do të diskutoni standardin e Zotit për martesën sot – që “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Ju gjithashtu do të diskutoni urdhrin e Zotit në kohë të caktuara që disa nga njerëzit e Tij të jetonin ligjin e martesës me shumë gra (shih Jakobi [LiM] 2:27, 30). Ju do të mësoni rreth urdhrit të Zotit për ta jetuar ligjin e martesës me shumë gra në ditët e mëvonshme, si pjesë e “ripërtëritjes të të gjitha gjërave” (Veprat e Apostujve 3:21) dhe rreth urdhrit të Tij të mëvonshëm për ndalimin e asaj praktike (shih Deklarata Zyrtare 1).
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 132:1–33 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: