Hyrje në Programin e Seminarit të Studimit në Shtëpi
Programi i seminarit të studimit në shtëpi hartohet që t’ju ndihmojë ta forconi kuptueshmërinë tuaj për ungjillin e Jezu Krishtit dhe t’i zbatoni mësimet e tij në jetën tuaj të përditshme nëpërmjet një studimi të shkrimeve të shenjta. Për studimin tuaj këtë vit shkollor, së pari ju do t’i përfundoni detyrat e caktuara për leximin nga teksti i shkrimit të shenjtë për këtë kurs – Doktrinën e Besëlidhjet – dhe më pas do të përfundoni mësimet individuale. Një herë në javë, ju do të takoheni me një mësues seminari për të dorëzuar punën tuaj dhe për të marrë pjesë në një orë mësimore javore.
Seminari është një program i përditshëm i arsimimit fetar. Studimi plot lutje i shkrimeve tuaja të shenjta duhet të jetë një praktikë e përditshme. Juve do t’ju duhet të punoni për detyrat tuaja të caktuara të seminarit çdo ditë shkollore, edhe pse nuk do të merrni pjesë në një orë mësimi të seminarit çdo ditë. Ka 32 njësi që duhet të plotësohen gjatë kursit. Tabela e leximit tregon atë që duhet të studioni për çdo njësi. Mësuesi juaj do t’ju ndihmojë të kuptoni se kur e ka afatin çdo njësi. Secili prej mësimeve në këtë udhëzues studimi duhet të kërkojë rreth 30 minuta për t’u përfunduar, përveç studimit tuaj të përditshëm të shkrimit të shenjtë.
Ju duhet të keni dy ditarë të studimit të shkrimit të shenjtë (ose dy fletore), përveç ditarit tuaj vetjak, në të cilët do të shkruani detyrat nga veprimtaritë e udhëzuesit të studimit. Çdo javë që takoheni me mësuesin tuaj, ju duhet të dorëzoni ditarin e studimit të shkrimit të shenjtë, i cili përmban detyrat e plotësuara nga veprimtaritë e udhëzuesit të studimit që i plotësuat për atë javë. Mësuesi juaj do t’i lexojë e do t’iu përgjigjet detyrave të caktuara dhe do t’jua kthejë atë ditar të studimit të shkrimit të shenjtë javën pasuese. Ju gjithashtu mund t’i shkruani përgjigjet tuaja në një fletë brenda një dosjeje me fletë të shkëputura dhe të dorëzoni faqet që bëtë atë javë. Më pas, kur mësuesi juaj jua rikthen faqet, ju mund t’i vendosni sërish në fletore.
Përdorimi i Këtij Manuali në një Program të Përditshëm Seminari
Ky manual mund të përdoret nga mësuesit dhe studentët në një program të përditshëm seminari për të zgjeruar mësimet ose për detyra për shlyerje. Megjithatë, nuk synohet t’i jepet çdo studenti të seminarit të përditshëm. Nëse një student duhet të shlyejë një mësim për kredite, mësuesi mund t’i caktojë atij ose asaj që të plotësojë mësimin e studimit në shtëpi, i cili përputhet me mësimin që u humb.
Përdorimi i Udhëzuesit të Studimit për Studentët që Studiojnë në Shtëpi
Hyrje në Tekstin e Shkrimit të Shenjtë
Hyrja jep disa informacione mbi rrethanat dhe një përmbledhje të tekstit të shkrimit të shenjtë për secilin mësim.
Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit
Grupimet e vargjeve pasqyrojnë ndarje të natyrshme ku ndodh një ndryshim në veprim ose temë. Secili grupim ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose e mësimeve në vargjet.
Doktrinat dhe Parimet
Teksa doktrinat dhe parimet e ungjillit dalin natyrshëm nga teksti i shkrimit të shenjtë, ato jepen të theksuara në mësim, për t’ju ndihmuar që t’i dalloni.
Ndihmat për Studimin
Ndihmat për studimin japin pikëpamje dhe shpjegojnë praktika që mund ta zgjerojnë studimin dhe kuptueshmërinë tuaj për shkrimet e shenjta.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë
Secili prej 25 fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë që gjenden në Doktrinën e Besëlidhjet trajtohet më vete në mësimin ku shfaqet, që t’ju ndihmojë për ta thelluar zotërimin e tij prej jush.
Shënimi i Përgjigjeve në Manual
Ndonjëherë do t’ju kërkohet t’i shkruani përgjigjet në manual në rreshtat bosh ose në një tabelë.
Detyrat e Ditarit të Studimit të Shkrimit të Shenjtë
Detyrat e ditarit të studimit të shkrimit të shenjtë duhet të shkruhen dhe t’i jepen mësuesit tuaj çdo javë për t’ju dhënë përshtypje. Të kushtuarit e vëmendjes së kujdesshme ndaj përgjigjeve tuaja do t’ju ndihmojë të keni përvoja kuptimplote teksa i mësoni dhe i zbatoni të vërtetat nga shkrimet e shenjta.