Njësia 1: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 1
Hyrje
Deri në nëntor të vitit 1831, Profeti Jozef Smith kishte shënuar më shumë se 60 zbulesa. Megjithatë, shumica e anëtarëve të Kishës nuk kishin mundësi t’i përdornin kopjet e tyre. Profeti mbajti një konferencë në Hajrëm të Ohajos për të diskutuar botimin e zbulesave në një libër, i cili do të quhej Libri i Urdhërimeve. Një komitet i pleqve hartoi një parathënie për librin. Të pakënaqur me këtë variant paraprak, ata që morën pjesë në konferencë, kërkuan që Jozef Smithi t’i kërkonte Zotit për një parathënie. Pasi i bëri kërkesë Zotit në lutje, Jozefi mori një parathënie nëpërmjet zbulesës. Parathënia e Zotit për Librin e Urdhërimeve është tani seksioni 1 i Doktrinës e Besëlidhjeve.
Doktrina e Besëlidhje 1:1–16
Zoti paralajmëron për gjykime që do t’iu vijnë rebelëve në Ardhjen e Dytë
Merrni parasysh përvojën vijuese të tre vëllezërve që u mbrojtën nga rreziku, ngaqë e dëgjuan paralajmërimin prej atit të tyre:
“Majkut dhe vëllezërve të tij më të vegjël, Erikut dhe Tomit, u pëlqente të ngjiteshin në mal me babanë e tyre. Babai gjithmonë tha se i njihte malet si në pëllëmbë të dorës. Ai u rrit duke ecur nëpër të njëjtat shtigje me babanë e tij, i cili ishte një ruajtës delesh. …
… Një ditë vere [djemtë] u gëzuan shumë që arritën deri në krye të shtegut – te një livadh i lartë, i mbushur me bar të gjelbër, të njomë dhe lule pothuajse të çdo ngjyre. Dhe kështu ata vrapuan me sa kishin fuqi përmes pemëve, edhe pse ishin të lodhur nga ngjitja e tyre e mëngjesit. Ata donin të shpërndaheshin nëpër atë livadh si lepuj të egër.
‘Ndaluni kur të arrini te livadhi’, u thirri i ati nga pas. ‘Do t’ju takoj atje.’ Ata vrapuan përpara, secili duke u përpjekur të dilte para të tjerëve. …
[Ata e harruan] udhëzimin e babait. Vrapuan rreth e rrotull përmes barit të gjatë, duke kërcyer e bërë dredha, duke bërtitur e thirrur dhe duke prekur njëri-tjetrin. …
Atëherë Eriku pati një ide. ‘Le të bëjmë garë duke vrapuar deri në anën tjetër të livadhit!’ Tomi ngurroi. Ata nuk mund ta shihnin anën tjetër të livadhit ngaqë një kodër me bar ua pengonte pamjen. Por Majku nuk ishte i shqetësuar. ‘Mendoj se është i njëjti livadh ku erdhëm verën e shkuar’, i siguroi ai vëllezërit.
Ata u mblodhën së bashku te pemët. ‘Gati!’ Bërtiti Eriku. ‘Në vend! NISU!’ Era u ndie e freskët dhe e këndshme mbi faqet e Majkut dhe në flokët e tij, dhe sa më shpejt që vraponte, aq më shumë erë ndiente. Shpejt ai ishte në krye të garës. Ndihej sikur mund të vraponte përgjithmonë.
‘NDAL!’ një zë iu ulëriu si bubullimë nga pas. Që të tre djemtë ndaluan menjëherë. Ata u kthyen dhe panë babanë duke vrapuar drejt tyre që nga ana e livadhit. ‘Kthehuni këtu pranë meje’, thirri babai, këtë herë më butësisht. Djemtë u bindën. … [Më pas] ata ecën së bashku përmes livadhit. Teksa i ngjiteshin kodrës së vogël, babai ndaloi papritur.
Vetëm pak hapa përpara tyre, një rrëpirë e madhe binte të paktën 8 ose 10 metra poshtë. Nëse ata do të kishin qenë duke vrapuar, në asnjë mënyrë nuk mund ta kishin parë atë, që të ndalonin në kohë. …
… ‘Mund të kishim vdekur’, tha Majku butësisht.
‘Pra, ndoshta. Jam tepër i gëzuar që e ndaluat vrapin, edhe pse unë nuk pata kohë të shpjegoja. Nganjëherë na duhet të bindemi fillimisht dhe më pas të bëjmë pyetje!’
‘Veçanërisht kur dikush tjetër e di se çfarë po vjen dhe ju nuk e dini’, tha Majku” (Ana Nelson Shaw, “Stop!” Friend, qershor 2005, f. 47–48).
Përsiatni rreth një rasti kur dikush u përpoq t’ju tërheqë vëmendjen dhe t’ju paralajmërojë rreth diçkaje. Në ç’mënyrë u përgjigjët? A ndiheni mirënjohës rreth përpjekjeve të atij njeriu për t’ju paralajmëruar? Përse po ose përse jo?
Në Doktrinën e Besëlidhjet Zoti jep paralajmërime, urdhërime dhe udhëzime që janë thelbësore për lumturinë dhe shpëtimin tonë. Siç u përmend më parë, Zoti e zbuloi seksionin 1 si një parathënie për zbulesat e tjera te Doktrina e Besëlidhjet. Një parathënie e përgatit një lexues për përmbajtjen e një libri duke përmbledhur mesazhin dhe qëllimin e autorit.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:1–3 dhe përcaktoni fjalë ose fraza që Zoti i përdori për të tërhequr vëmendjen e lexuesve. (Mund të jetë e dobishme të dini se shprehja mbani vesh do të thotë të dëgjoni me vëmendje dhe të bindeni.) Në hapësirën e dhënë, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Kujt po i flet Zoti në këto vargje?
-
Cili mendoni se është kuptimi i frazës “paudhësitë e tyre do të shpallen nga çatitë dhe veprat e tyre të fshehta do të zbulohen” (DeB 1:3)?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni si mendoni ju, përse do të ishte e rëndësishme të paralajmëroheshin njerëzit që mëkatet e kryera në fshehtësi, do të bëhen të njohura.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:4–7 dhe përcaktoni mënyrën se si Zoti do t’ua jepte paralajmërimet e Tij të gjithë njerëzve.
Zoti i flet paralajmërimet e Tij drejtuar gjithë njerëzve nëpërmjet dishepujve të Tij të zgjedhur. Zoti na jep paralajmërime nëpërmjet shërbëtorëve të Tij dhe shkrimeve të shenjta. Shqyrtoni disa prej bisedave nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve në konferencën e përgjithshme të kohëve të fundit. Çfarë këshille ose paralajmërimesh i keni dëgjuar t’i japin kohët e fundit apostujt dhe profetët e Zotit?
Një nga paralajmërimet që jep Zoti te Doktrina e Besëlidhje 1:8–10, është që Ai do t’i gjykojë njerëzit sipas veprimeve të tyre dhe mënyrës se si ata i trajtojnë të tjerët. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:11–14 dhe kërkoni paralajmërime të mëtejshme që i dha Zoti. Teksa shihni referencën e Topical Guide [Udhëzuesit Tematik] në poshtëshënimin 12b, përsiatni se cilës ngjarjeje po i drejtohej Zoti te Doktrina e Besëlidhje 1:12.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mendoni që do të thotë paralajmërimi i Zotit se ata që nuk ua vënë veshin profetëve të Tij “do të shfarosen nga mesi i njerëzve” (DeB 1:14)?
Për shkak të ligësisë dhe braktisjes anembanë botës, paralajmërimet e Zotit janë të domosdoshme. Ata që nuk i dëgjojnë fjalët e profetëve të Tij, do të veçohen nga të drejtët dhe do t’i humbasin bekimet që janë të arritshme nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të ungjillit.
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:15–16. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni disa nga fjalët ose frazat që përshkruajnë ligësinë ose braktisjen që Zoti tha se do të ekzistonte në ditët e fundit. Më pas përgjigjiuni pyetjes vijuese: Në çfarë mënyrash njerëzit në kohën tonë ecin “në udhën e [tyre] dhe sipas shëmbëlltyrës së perëndisë së [tyre]”?
Doktrina e Besëlidhje 1:17–33
Ungjilli u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith duke paraprirë një fatkeqësi të ardhshme
Përcaktoni fjalën që përdori Zoti te Doktrina e Besëlidhje 1:17 për t’iu drejtuar pasojave të ligësisë, braktisjes dhe shkatërrimit të cilat do të ndodhin mes njerëzve në tokë në ditët e fundit.
Doktrina e Besëlidhje 1:17–33 përmban zgjidhjet e Zotit për të na ndihmuar përmes fatkeqësisë së ditëve të fundit. Plotësojeni tabelën vijuese duke lexuar referencat e shkrimeve të shenjta në kolonën e majtë dhe duke përcaktuar zgjidhjet e Zotit për të na ndihmuar përmes fatkeqësisë së ditëve të fundit. Në kolonën qendrore, shkruani përshkrime ose vizatoni figura të asaj që gjeni në referencat e shkrimeve të shenjta. Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të vizatoni një figurë të këtyre përshkrimeve në një faqe të ditarit tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Në kolonën e djathtë, shkruani shpjegime të shkurtra për mënyrën se si zgjidhjet e Zotit na ndihmojnë me fatkeqësinë e ditëve të fundit.
Referencë e shkrimeve të shenjta |
Çfarë zgjidhjeje dha Zoti për fatkeqësinë që do të vinte mbi tokë? |
Si mund të na ndihmojë kjo zgjidhje që të përballemi me fatkeqësinë e ditëve të fundit? |
---|---|---|
Për t’ju ndihmuar që të përsiatni më tej rreth shpalljes së Zotit te Doktrina e Besëlidhje 1:30, shenjoni fjalë në këtë varg duke vënë në dukje të vërtetën që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tokë.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Duke sjellë ndërmend atë që mësuat në mësimin e mëparshëm rreth Braktisjes së Madhe, si do t’ia shpjegonit dikujt përse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tokë?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të jemi pjesë e një kishe “të gjallë”: “Kjo Kishë e rivendosur është e vërtetë, sepse është Kisha e Shpëtimtarit; Ai është ‘udha, e vërteta dhe jeta’ (Gjoni 14:6). Dhe është një kishë e gjallë për shkak të funksionimit dhe dhuratave të Frymës së Shenjtë. Sa të bekuar jemi që jetojmë në një kohë kur priftëria është në tokë dhe ne mund të marrim Frymën e Shenjtë” (“Receive the Holy Ghost”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 97).
Nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë, Zoti është në gjendje ta drejtojë Kishën e Tij me zbulesë të vazhdueshme. Kjo zbulesë në vazhdimësi është një shembull i mënyrës se si Kisha është një kishë e gjallë.
-
Përgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Përse është e rëndësishme për ju të dini se i përkisni të vetmes kishë të vërtetë dhe të gjallë mbi tokë?
-
Si mendoni, çfarë do të thotë te Doktrina e Besëlidhje 1:30 kur Zoti tha se ishte i kënaqur me Kishën e Tij “në mënyrë kolektive dhe jo individuale”?
-
Hetoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:31–33 dhe përputhni atë që tha Zoti rreth mëkatit dhe pendimit me pyetjen e duhur në tabelën vijuese.
|
|
|
|
|
|
Doktrina e Besëlidhje 1:34–39
Zoti na drejton të kërkojmë zbulesat dhe urdhërimet që ka dhënë Ai
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:34–36 dhe shënoni paralajmërimin e Zotit drejtuar të gjithë njerëzve që të përgatiten për Ardhjen e Tij të Dytë. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 1:37–39 dhe përcaktoni të vërtetat që Zoti i theksoi në përfundimin e parathënies së Tij për Doktrinën e Besëlidhjet. (Doktrina e Besëlidhje 1:37–38 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.)
Nëse nuk e keni bërë këtë, ju mund të dëshironi të shenjoni fjalë ose fraza që ju mësojnë të vërtetat vijuese: Ne duhet t’i hetojmë urdhërimet që ka dhënë Zoti. Fjalët e Jezu Krishtit do të përmbushen të gjitha. Fjalët e Shpëtimtarit janë të vërteta pavarësisht nëse thuhen prej Tij ose prej shërbëtorëve të Tij.
-
Bazuar në atë që keni mësuar sot, si mund të bekoheni nëse i hetoni urdhërimet dhe zbulesat që Zoti i ka dhënë te Doktrina e Besëlidhjet? Shkruajini mendimet tuaja në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një synim për ta studiuar Doktrinën e Besëlidhjet çdo ditë gjatë vitit shkollor. Si pjesë e synimit tuaj, merrni parasysh kur, ku dhe për sa kohë apo sa faqe do të studioni çdo ditë.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 1:37–38
Për t’ju ndihmuar të mësoni përmendsh Doktrinën e Besëlidhjet 1:37, shkruani germën e parë të çdo fjale në një fletë letre. Recitojeni Doktrinën e Besëlidhjet 1:37 (duke i përdorur shkrimet e shenjta sipas nevojës) derisa ju mund ta recitoni të gjithë vargun duke përdorur vetëm germat e para. Më pas fshijini ose mbulojini disa prej germave dhe recitojeni shkrimin e shenjtë përsëri. Vazhdojeni këtë proces derisa të gjitha germat të jenë fshirë dhe ju mund ta recitoni të gjithë vargun përmendsh. Përsëriteni këtë proces me Doktrinën e Besëlidhjet 1:38.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 1 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: