Njësia 11: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 47–48
Hyrje
Në qershor të vitit 1831, Profeti Jozef Smith mori zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 47 dhe 48. Te Doktrina e Besëlidhje 47 Zoti e caktoi Xhon Uitmerin që ta zëvendësonte Oliverin Kaudërin si historian dhe shkrues i analeve të Kishës. Te Doktrina e Besëlidhje 48 Zoti i udhëzoi shenjtorët në Ohajo për t’i ndihmuar ata anëtarë të Kishës që po vinin nga Nju-Jorku. Zoti gjithashtu i drejtoi anëtarët e Kishës që të përgatiteshin për të blerë tokë për ndërtimin e qytetit të Sionit në Misuri.
Doktrina e Besëlidhje 47
Zoti e cakton Xhon Uitmerin që të mbajë një histori të shënuar të Kishës
Mendoni për një ngjarje të shkuar, me rëndësi shpirtërore, në të cilën morët pjesë dhe që mendoni se ia vlen ta kujtoni (për shembull: një përkushtim tempulli, një mbledhje të Kishës ose një veprimtari familjare si një dasmë apo një ceremoni varrimi).
Nëse është e mundur, tregojini një pjesëtari të familjes rreth kësaj ngjarjeje dhe jepni përgjigjet tuaja kundrejt pyetjeve vijuese. (Nëse një pjesëtar i familjes nuk është në dispozicion, thjesht përsiatni këto pyetje.)
-
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje rreth kësaj ngjarjeje?
-
Çfarë vlere ka në të kujtuarin e kësaj ngjarjeje?
-
Si mund t’i bekojë pasardhësit tuaj njohja e kësaj ngjarjeje pas 100 vjetësh?
Lexoni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 47 dhe vargjet 1–3 të këtij seksioni për të zbuluar atë që Zoti e thirri të bënte Xhon Uitmerin. Si mendoni, përse është e rëndësishme për dikë që ta shkruajë historinë e Kishës?
Mendoni për një ngjarje nga historia e Kishës që është frymëzuese për ju. Si mësuat rreth asaj ngjarjeje?
Ne dimë rreth ngjarjeve të shkuara të historisë së Kishës ngaqë dikush i bëri dhe i mbajti analet e tyre, që të ruheshin për kohën tonë dhe për brezat e ardhshëm. Mbani mend se në një zbulesë të mëparshme, Zoti tha: “Do të ketë një anal të mbajtur mes jush” (DeB 21:1). Ka një historian dhe një mbajtës analesh sot në Kishë, i cili caktohet nga Presidenca e Parë. Megjithatë, historiani nuk mund të vëzhgojë dhe shënojë gjithçka që ndodh në Kishë, kështu që ai udhëzohet për t’i mbledhur historitë nga të tjerët. Në një kuptim të përgjithshëm, përvojat e anëtarëve të Kishës janë pjesë e historisë së Kishës dhe mund t’i ndikojnë brezat e ardhshëm.
Plaku Marlin K. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve, i cili shërbeu si historian dhe shkrues analesh për Kishën nga 2005–2012, na mësoi: “Shumë prej ngjarjeve më të madhërishme të Kishës përmbahen në historitë vetjake e familjare dhe këto janë pjesë e trashëgimive tona individuale e familjare” (“There Shall Be a Record Kept among You”, Ensign ose Liahona, dhjetor 2007, f. 31).
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse është e rëndësishme historia juaj personale?
-
Mendoni rreth ngjarjeve të rëndësishme shpirtërore në jetën tuaj që e ndieni se janë të vlefshme për t’u kujtuar. Përfytyroni se fëmijët dhe nipërit e mbesat tuaja do ta lexojnë historinë tuaj personale të njërës prej këtyre ngjarjeve. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta tregoni se cila ishte ngjarja dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Për cilën pjesë të ngjarjes do të shkruanit?
-
Çfarë do të donit të ndienin dhe dinin pasardhësit tuaj rreth ngjarjes?
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 47:4 për të mësuar atë që Zoti premtoi se do t’i jepej Xhon Uitmerit në përpjekjet e tij për të “mbaj[ur] analin dhe historinë e kishës vazhdimisht” (DeB 47:3).
Në bazë të asaj që keni lexuar te Doktrina e Besëlidhje 47:4, plotësoni parimin vijues: Nëse ne , Shpirti mund të na ndihmojë .
Fryma e Shenjtë mund të sjellë gjëra në kujtesën tonë (shih Gjoni 14:26) dhe mund të na ndihmojë të shkruajmë rreth ngjarjeve dhe situatave në mënyra që do t’i bekojnë pjesëtarët e familjes dhe të tjerët në brezat e ardhshëm. Lutuni për ndihmën e Shpirtit dhe jetoni të denjë për të, ndërsa bëni një përpjekje që ta mbani një histori personale.
Përsiatni mënyra të tjera që ju mund t’i përmirësoni përpjekjet tuaja për ta mbajtur një ditar personal ose për të shkruar një histori personale të ngjarjeve, ordinancave dhe njerëzve të rëndësishëm në jetën tuaj.
Doktrina e Besëlidhje 48
Shenjtorët në Ohajo duhet t’i ndihmojnë ata që po vinin nga Nju-Jorku, dhe të përgatiten për trashëgiminë e tyre në Sion
Përfytyroni që anëtarët e Kishës në një zonë të largët po ndikoheshin kohët e fundit nga një fatkeqësi natyrore dhe duhej të shpërnguleshin nga shtëpitë e tyre. Udhëheqësit e Kishës ju kanë kërkuar juve dhe familjes suaj të strehoni disa nga njerëzit e shpërngulur për disa muaj. Çfarë pyetjesh dhe shqetësimesh do të kishit ju dhe familja juaj? Çfarë shqetësimesh dhe ndjenjash mendoni se do të kishin ata njerëz që po vinin në shtëpinë tuaj?
Shihni hartën 3 të historisë së Kishës në shkrimet tuaja të shenjta: “Zona e New York-ut, Pennsylvania-s dhe Ohio-s në SHBA”. Përcaktoni Palmirën, Nju-Jorkun dhe Kirtlandin në Ohajo. Përafërsisht sa milje ose kilometra i ndajnë këto qytete?
Në shkurt të vitit 1831, Profeti Jozef Smith lëvizi nga Palmira në Nju-Jork drejt Kirtlandit në Ohajo. Shumë anëtarë të Kishës e ndoqën gjatë muajve në vazhdim. Këta anëtarë i kishin lënë shumë prej të mirave dhe burimeve materiale për ta ndjekur urdhrin e Perëndisë e për të ardhur në Ohajo dhe ata kishin nevojë për ndihmë. Çfarë mendoni se mund të kërkonte Zoti prej jush nëse po jetonit në Ohajo dhe po i shihnit disa prej këtyre shenjtorëve të shpërnguleshin në zonën tuaj pa pasur shtëpi dhe me shumë pak mjete për të jetuar?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 48:1–3 për të zbuluar atë që Zoti u tha anëtarëve të Kishës në Ohajo të bënin për anëtarët e Kishës që po lëviznin për në krahinë. Një parim që e mësojmë nga këto vargje është se Zoti i urdhëron shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ta ndajnë atë që kanë me njerëzit nevojtarë. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim pranë vargut 2.
Vini re te Doktrina e Besëlidhje 48:3 se Zoti priste që ata njerëz me burime dhe mjete financiare, të cilët po lëviznin për në Ohajo, të blinin tokë atje. Po ashtu, Zoti pret që ne t’i përdorim burimet tona kur i kemi ato dhe të mos mbështetemi te të tjerët për të siguruar për ne.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa mënyra që mund ta ndajmë atë që kemi, me njerëz të tjerë në Kishë sot?
Merreni parasysh se si një i ri e përmbushi urdhërimin që t’iu jepte njerëzve nevojtarë, ndërkohë që lexoni tregimin vijues të treguar nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:
“Disa vite më parë, një kuorum i priftërinjve vendosi të mblidhte ushqime për njerëzit nevojtarë si një projekt shërbimi. Xhimi, një nga priftërinjtë, ishte i lumtur të merrte pjesë dhe ishte i vendosur që të mblidhte më shumë ushqime se kushdo tjetër. Erdhi koha kur priftërinjtë u mblodhën në godinën e kishës. Ata u nisën që të gjithë në të njëjtën kohë dhe u kthyen në një kohë të caktuar më vonë atë mbrëmje. Për habinë e të gjithëve, karroca e Xhimit ishte e zbrazët. Ai dukej tepër [i heshtur] dhe disa nga djemtë u tallën me të. Duke e parë këtë dhe duke e ditur se Xhimi kishte interes për makinat, këshilltari tha: ‘Eja jashtë, Xhimi. Dua që ta shohësh pak makinën time. Po më shkakton ca shqetësim.’
Kur dolën jashtë, këshilltari e pyeti Xhimin nëse ishte i zemëruar. Xhimi tha: ‘Jo, vërtet jo. Por kur shkova që të mblidhja ushqimet, me të vërtetë mblodha shumë. Karrocën e kisha plot. Ndërsa po kthehesha për te kisha, ndalova te shtëpia e një gruaje joanëtare, e cila është e divorcuar dhe jeton brenda kufijve të lagjes sonë. Trokita në derë dhe i shpjegova se çfarë po bënim dhe ajo më ftoi brenda. Filloi të kërkonte për diçka që të ma jepte. Ajo e hapi frigoriferin dhe mund të shihja se atje s’kishte pothuajse asgjë. Dollapët ishin bosh. Më së fundi, ajo gjeti një kuti të vogël konserve me pjeshka.
Nuk mund ta besoja. Kishte gjithë këta fëmijë të vegjël që vraponin përreth, që kishin nevojë të ushqeheshin dhe ajo më dha këtë kanoçe me pjeshka. E mora dhe e futa në karrocë e iu ngjita rrugës. Kisha ecur rreth gjysmë blloku kur ndjeva ngrohtësi kudo brenda gjithë qenies sime dhe e dija se kisha nevojë të kthehesha tek ajo shtëpi. Ia dhashë asaj të gjitha ushqimet.’
Këshilltari tha: ‘Xhimi, mos e harro asnjëherë mënyrën se si u ndjeve sonte, sepse kjo është përse është e gjithë kjo punë’” (“Spiritual Nutrients”, Ensign ose Liahona, tetor 2006, f. 54).
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mendoni se po i ndodhte Xhimit kur ndjeu se duhej të kthehej?
-
Kur këshilltari tha se mënyra se si u ndie Xhimi ishte “përse është e gjithë kjo punë”, çfarë mendoni se donte të thoshte ai?
-
-
Përcaktoni një mënyrë se si mund të ndihmoni për t’i plotësuar nevojat e dikujt tjetër, ndoshta duke dhënë nga ajo që keni. Për shembull, ju mund të ndihmoni një pjesëtar të familjes, një shok, dikë në një nga klasat tuaja në Kishë ose në kuorum, apo dikë në lagjen apo shkollën tuaj. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani atë që do të bëni për ta ndihmuar njeriun për të cilin menduat, dhe më pas ndiqeni ecurinë e planit tuaj.
Te Doktrina e Besëlidhje 48:4–6 Zoti shpjegoi se Ai donte që shenjtorët të përgatiteshin për të blerë tokë kur Ai të zbulonte vendndodhjen e qytetit të Sionit, ose të Jerusalemit të Ri. Zoti u kërkoi atyre që t’i kursenin tërë të ardhurat që mundeshin, në përgatitje për ngritjen e themelit të këtij qyteti.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 47–48 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: