Njësia 15: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 68
Hyrje
Më 1 nëntor 1831, Profeti Jozef Smith u takua me një grup pleqsh në Hajrëm të Ohajos, për një konferencë të veçantë. Ata diskutuan rreth botimit të Librit të Urdhërimeve, një përmbledhje e zbulesave që kishte marrë Profeti. Katër pleq në konferencë i kërkuan Jozef Smithit që ta pyeste Zotin rreth vullnetit të Tij për ta. Në përgjigje të kësaj kërkese, Profeti mori një zbulesë që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 68. Zbulesa përfshin këshilla për ata që predikojnë ungjillin, udhëzime rreth thirrjes së peshkopëve dhe një urdhërim për prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet dhe ordinancat e ungjillit.
Doktrina e Besëlidhje 68:1–12
Shpëtimtari u jep këshilla atyre që janë thirrur për të predikuar ungjillin
Shqyrtoni pyetjet vijuese:
-
Çfarë shqetësimesh apo pasigurish mund të ketë dikush rreth të shërbyerit në një mision kohëplotë?
-
Cilat janë disa arsye që njerëzit ndonjëherë ndihen të tensionuar për t’u folur për ungjillin pjesëtarëve të familjes dhe miqve të tyre?
Gjatë një konference më 1 nëntor 1831, katër pleq që do të shërbenin si misionarë, iu afruan Profetit Jozef Smith dhe kërkuan të dinin vullnetin e Zotit lidhur me ta. Si përgjigje Zoti zbuloi një model për predikimin e ungjillit.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:1–5 duke kërkuar një model për predikimin e ungjillit. Merrni parasysh të shenjoni atë që gjeni. (Ju do të gjeni fjalën model në vargjet 2 dhe 3. Një model është një mënyrë ose një shembull.)
Cilët nga pohimet e mëposhtme nuk janë pjesë e modelit për të predikuar ungjillin ashtu siç gjendet në vargun 1?
-
Këndo këngë të dashurisë së përjetshme.
-
Prediko ungjillin me anë të Shpirtit.
-
Arsyeto me ata që u jep mësim.
-
Shpjego shkrimet e shenjta.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:6 duke kërkuar nxitjen shtesë që Zoti u dha shërbëtorëve të Tij.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë parimesh shikoni te Doktrina e Besëlidhje 68:6 që mund t’i sjellin ngushëllim një misionari?
-
Përse është e rëndësishme për ju që të dini se Zoti u qëndron përkrah misionarëve të Tij besnikë?
-
Si mund t’ju ndihmojë ky premtim në përpjekjet tuaja për ta përhapur ungjillin tani?
-
Ju mund të doni të shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 68:4: Kur shërbëtorët e Zotit nxiten nga Fryma e Shenjtë, fjalët e tyre do t’i udhëheqin njerëzit drejt shpëtimit.
Ndërsa ata që shugurohen për të predikuar ungjillin mund të na ndihmojnë të dimë vullnetin e Zotit, vetëm Presidenti i Kishës ka të drejtën për të marrë dhe për të shpallur vullnetin e Zotit për të gjithë Kishën. Nën drejtimin e tij, anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve kanë gjithashtu autoritetin për të shpallur vullnetin e Perëndisë për ne. Pra, parimi i mësuar në vargun 4 mund të zbatohet çdo herë që një anëtar i Presidencës së Parë apo i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve flet në një konferencë të përgjithshme.
Lexoni sërish Doktrinën e Besëlidhjet 68:3–5 dhe përcaktoni një premtim që Zoti ua jep shërbëtorëve të Tij të shuguruar. Pastaj plotësoni thënien vijuese: Kur shërbëtorët e Zotit flasin ashtu siç nxiten nga Fryma e Shenjtë, fjalët e tyre janë .
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa mënyra për ta ftuar ndikimin e Frymës së Shenjtë ndërkohë që flasim për ungjillin?
Te Doktrina e Besëlidhje 68:7–12 ne lexojmë se Zoti i thirri këta katër pleq për të predikuar ungjillin dhe për të pagëzuar ata që do të besonin. Ne gjithashtu lexojmë rreth bekimeve që u vijnë atyre dhe personave që i besojnë fjalët e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 68:13–24
Zoti zbulon kualifikimet për detyrën e peshkopit
Përfytyroni sikur një shok i një besimi tjetër ju pyet: “Si u zgjodh peshkopi juaj?” Çfarë do të thonit?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:14–15, 20 duke kërkuar mënyrën se si zgjidhen peshkopët.
Fraza “pasardhës të drejtpërdrejtë të Aaronit” u drejtohet pasardhësve të Aaronit, vëllait të Moisiut në Dhiatën e Vjetër. Ky pasardhës do të kishte të drejtën e detyrës së Peshkopit Kryesues, nëse thirrej dhe miratohej nga Presidenca e Parë. Në kohën e Moisiut vetëm pasardhësit e fisit të Levit mbanin priftërinë Levitike ose Aarone. Një person duhej të ishte një pasardhës i lindur në këtë linjë që t’i jepej priftëria. E drejta për ta mbajtur këtë priftëri kalonte nga babai te djali. Në atë kohë, nëse babai nuk e mbante priftërinë, një bir nuk do ta kishte atë mundësi.
Shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta: Peshkopët duhet të miratohen nga Presidenca e Parë dhe të shugurohen nga autoriteti i duhur.
Në ditët e hershme të Kishës, anëtarët e Presidencës së Parë i shuguronin dhe i veçonin të gjithë peshkopët. Sot në Kishë, kjo është ende e vërtetë për Peshkopin Kryesues. Megjithatë, thirrja, shugurimi dhe veçimi i peshkopëve bëhet nga presidentët e kunjeve nën udhëheqjen e Presidencës së Parë. Një president kunji, me mbështetjen e këshilltarëve të tij në presidencën e kunjit, kërkon zbulesë për të ditur se kur të thërrasë një peshkop të ri dhe cilin të thërrasë. Ai ia dërgon rekomandimin e tij Presidencës së Parë për miratim. Kur Presidenca e Parë e miraton këtë thirrje, ata e autorizojnë presidentin e kunjit që të shugurojë dhe veçojë peshkopin e ri.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse është e rëndësishme që ju të dini se Presidenca e Parë e miratoi thirrjen e peshkopit tuaj?
Përpara se Profeti Jozef Smith të merrte zbulesën e përmbajtur te Doktrina e Besëlidhje 68, Eduard Partrixhi ishte i vetmi peshkop në Kishë. Kur u thirrën peshkopët e tjerë, Peshkopi Partrixh shërbeu si Peshkopi Kryesues. Sot Peshkopi Kryesues është një Autoritet i Përgjithshëm dhe ka përgjegjësi për mirëqenien materiale të të gjithë Kishës (shih DeB 107:68).
Doktrina e Besëlidhje 68:25–35
Zoti i udhëzon prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre
A mendoni ndonjëherë rreth mundësisë për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë brenda pak viteve?
Renditni tri gjëra që ju do të doni t’ua mësoni fëmijëve tuaj:
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:25–27 dhe shenjoni doktrinat që Zoti i urdhëroi prindërit t’ua mësonin fëmijëve të tyre. Në qoftë se këto gjëra nuk janë në listën tuaj, merrni parasysh t’i shtoni ato.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth arsyes përse ju mendoni që prindërit urdhërohen t’u mësojnë fëmijëve të tyre që të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit te Krishti, të pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë. Si ju kanë ndihmuar prindërit tuaj që ta mësoni ungjillin? Merreni parasysh t’u shkruani atyre një letër mirënjohjeje.
Te Doktrina e Besëlidhje 68:28–31 Zoti u dha këshilla shtesë prindërve, si edhe shenjtorëve në Sion.
-
Për t’ju ndihmuar në përgatitjen tuaj për të qenë prind, plotësoni dy ose më shumë nga veprimtaritë vijuese. Përgjigjiuni pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:28 duke shenjuar atë që Zoti i urdhëron prindërve t’ua mësojnë fëmijëve të tyre.
-
Si mendoni, përse do të ishte e rëndësishme që ju t’u mësoni fëmijëve tuaj të luten?
-
Si mësuat ju që të luteshit?
-
Si ju ka bekuar lutja ju dhe familjen tuaj?
-
Sipas mendimit tuaj, si na ndihmon lutja të “eci[m] drejt përpara Zotit”?
-
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:29 duke kërkuar atë që Zoti i urdhëron të bëjnë banorët e Sionit (anëtarët e Kishës).
-
Çfarë keni mësuar nga prindërit tuaj apo të tjerët për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë?
-
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar familjen tuaj që ta mbajë të shenjtë ditën e Shabatit?
-
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:30 duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi prindërit dhe fëmijët të bënin. (Vini re se fjala dembel i referohet dikujt që është përtac ose i papërfshirë në veprimtari frytdhënëse.)
-
Kur i keni parë bekimet që vijnë nga të punuarit shumë?
Lexoni informacionin vijues rreth dembelizmit: “Zoti na ka urdhëruar që të mos jemi dembelë. Dembelizmi mund të çojë në sjellje të papërshtatshme, marrëdhënie të shkatërruara dhe mëkat. Një formë e dembelizmit është shpenzimi i shumtë i kohës në aktivitete që ju mbajnë larg nga puna frytdhënëse të tilla si përdorimi i internetit, luajtja e videolojërave dhe shikimi i televizorit” (Për Forcën e Rinisë [libërth, 2011], f. 40).
-
Si mund të çojë dembelizmi në ligësi?
-
Cilat janë disa nga gjërat që mund ta ndihmojnë një person të mposhtë prirjen për të qenë dembel?
-
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:31–32 duke kërkuar atë që Zoti i urdhëron prindërit dhe fëmijët të bëjnë.
-
Si mendoni se lakmia mund të ndikojë te një familje?
-
Çfarë mund të bëni në jetën tuaj për të mposhtur egoizmin dhe lakminë?
-
-
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Përse është e rëndësishme të përgatitemi tani për të qenë një prind i mirë?
-
Çfarë qëllimi mund të vendosni, që do t’ju ndihmojë të përgatiteni për të qenë një prind i mirë?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 68 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: