Seminare dhe Institute
Mësimi 10: Joseph Smith – Historia 1:55–65


Mësimi 10

Joseph Smith – Historia 1:55–65

Hyrje

Profeti Jozef Smith përshkroi disa ngjarje të rëndësishme që ai i përjetoi midis moshës 17 deri në 22 vjeç. Këto ngjarje përfshinin punët e tij për të ndihmuar në mbështetjen e familjes së vet, vdekjen e vëllait të tij, Alvinit, dhe martesën e tij me Ema Hejlin. Jozefi gjithashtu shkroi se pas disa vitesh të udhëzimit nga engjëlli Moroni, atij iu dha përgjegjësia për fletët dhe filloi të përkthente Librin e Mormonit. Martin Harrisi ua tregoi studiuesve në Nju‑Jork një kopje të disa prej shkronjave nga fletët dhe përkthimin e tyre. Këta studiues dhanë certifikatë për vërtetësinë e shkronjave dhe saktësinë e përkthimit të tyre. Megjithatë, një shkollar nuk e pranoi rrëfimin se si Jozef Smithi i mori fletët, duke përmbushur një profeci nga libri i Isaias (shih Isaia 29:11–12 dhe 2 Nefi 27:15–20).

Sugjerime për Mësimdhënien

Joseph Smith – Historia 1:55–58

Jozef Smithi punon për Xhozaja Stollin dhe martohet me Ema Hejlin

Shënim: Te Joseph Smith – Historia, Profeti i drejtohet Xhozaja Stollit. Në disa anale historike, Stoll shfaqet edhe si Stoull ose variante të tjera.

Ftojini disa studentë të përmendin një ngjarje të rëndësishme që ka ndodhur në jetën e tyre gjatë këtyre viteve të fundit. Kërkojuni atyre të shpjegojnë se si kjo ngjarje e ka ndikuar karakterin e tyre dhe të ardhmen e tyre. Më pas kërkojini klasës që të përmendin disa ngjarje të rëndësishme që i presin të ndodhin në jetën e tyre gjatë pesë viteve të ardhshme. Shpjegoni se në mësimin e sotëm ata do të mësojnë rreth ngjarjesh të rëndësishme në një periudhë pesëvjeçare të jetës së Profetit Jozef Smith. Vini në dukje se në rrëfimin e shënuar te Joseph Smith – Historia 1:55–65, Jozef Smithi ishte midis moshës 17 deri 22 vjeç – përafërsisht në moshën e shumë prej studentëve të seminarit.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:55–58 duke kërkuar ngjarje të rëndësishme në jetën e Jozef Smithit.

  • Çfarë ngjarjesh domethënëse ndodhën gjatë kësaj periudhe kohore në jetën e Jozef Smithit? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijon: vëllai i Jozefit, Alvini, vdiq; Jozefi shkoi të punonte për Xhozaja Stollin; Jozefi u martua me Ema Hejlin.)

Joseph Smith – Historia 1:59–62

Jozefi i merr fletët dhe fillon përkthimin e tyre

Sillni një send nga shtëpia (ose përcaktoni një send në klasën tuaj) që mendoni se ka vlerë të madhe dhe që ju e trajtoni me kujdes. Shpjegoni rëndësinë e sendit dhe përse ju e trajtoni me kaq kujdes.

  • A keni parë ndonjëherë dikë që e ka lënë pas dore ose nuk arriti të kujdeset për diçka me vlerë? Përse e bëjnë disa njerëz këtë?

Shpjegoni se Jozef Smithit iu besua diçka shumë e rëndësishme. Nxitini studentët që të marrin parasysh atë që mund të mësojnë nga shembulli i tij, ndërkohë që studiojnë Joseph Smith – Historinë 1:59–62.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:59. Kërkojini klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojë sendet domethënëse që engjëlli Moroni ia dha Jozef Smithit.

  • Cilat sende ia besoi Moroni Jozef Smithit? (Fletët e arta, Urimin e Thumimin dhe parzmoren. Shpjegoni se Urimi e Thumimi është një mjet i përgatitur në mënyrë hyjnore që e ndihmon një shikues në punën e përkthimit dhe në marrjen e zbulesës.)

  • Çfarë përgjegjësie i dha Moroni Jozef Smithit lidhur me fletët? (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “përdorja të gjitha përpjekjet e mia për t’i ruajtur ato”.)

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë: Kur ne marrim përgjegjësi për atë që Zoti na e ka dhënë dhe e ruajmë atë, Ai do të .

  • Çfarë i premtoi Zoti Jozefit nëse ai do të ishte i përgjegjshëm në përkujdesjen e tij për fletët?

Ftojini studentët të sugjerojnë mënyra se si ta plotësojnë thënien në tabelë. Sa vijon është një mënyrë se si ata mund të përgjigjen: Kur ne marrim përgjegjësi për atë që Zoti na e ka dhënë dhe e ruajmë atë, Ai do të na japë mbrojtjen dhe ndihmën e Tij.

Për t’i ndihmuar studentët ta përqasin përvojën e Jozefit me vetë rrethanat e tyre, bëni pyetjen vijuese:

  • Cilët janë disa shembuj të mirëbesimeve të shenjta që na i ka dhënë Zoti? (Përgjigjet mund të përfshijnë trajtimin e trupave tanë me nderim, besëlidhjet e pagëzimit dhe të tempullit, autoritetin dhe detyrat e priftërisë, thirrjet në Kishë, përgjegjësinë tonë për t’i ushqyer mendjet dhe shpirtrat tanë, përgjegjësitë dhe marrëdhëniet tona familjare dhe dëshmitë tona.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:60. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë një fjali që tregon se Zoti e përmbushi premtimin e Tij, ndërkohë që Jozefi ishte besnik ndaj mirëbesimit të dhënë atij. (“Por nëpërmjet urtësisë së Perëndisë, ato mbetën të sigurta në duart e mia, derisa unë të përfundoja me to atë që ishte kërkuar nga dora ime.”)

Për të treguar se si Zoti e shtriu mbrojtjen dhe ndihmën e Tij, ndërkohë që Jozef Smithi me zell kërkonte t’i ruante fletët, ftoni një student të lexojë me zë të lartë tregimin vijues. Përpara se të lexojë studenti, shpjegoni se ajo është një pjesë e shkëputur nga një tregim i nënës së Jozef Smithit, Lusi Mek Smithit, rreth asaj që ndodhi pak kohë pasi Jozef Smithi i mori fletët nga Moroni te kodra Kumorah. Gjithashtu shpjegoni se kur Jozef Smithi i mori fletët nga Moroni, ai fillimisht i fshehu ato në një trung të prishur mështenke rreth 5 kilometra larg shtëpisë së tij. Nëna e Jozef Smithit e shënoi atë që ndodhi, kur ai më pas i mori fletët nga vendi ku i kishte fshehur dhe i solli ato në shtëpi:

Lusi Mek Smith

“Jozefi, kur iu dhanë ato, i mori nga vendi i tyre i fshehtë dhe, duke i mbështjellë me pallton e tij, i vuri nën krah dhe u nis drejt shtëpisë.

Pasi eci për një largësi të vogël, ai mendoi se do të ishte më i sigurt që ta linte rrugën dhe të shkonte përmes pyllit. Duke udhëtuar për një farë largësie pasi e la rrugën, ai arriti te një pemë e madhe, e rrëzuar nga era, dhe teksa po kërcente mbi trungun, një burrë i doli papritur nga pas dhe i dha një goditje të rëndë me pushkë. Jozefi u kthye dhe e rrëzoi përtokë duke e goditur me grusht, pastaj vrapoi me sa kishte fuqi. Rreth gjysmë kilometri më larg, ai u sulmua përsëri në të njëjtën mënyrë si më parë; e rrëzoi këtë burrë përtokë, në të njëjtën mënyrë si të parin, dhe vrapoi përsëri; dhe përpara se të arrinte në shtëpi, ai u sulmua për herë të tretë. Gjatë goditjes së burrit të fundit, atij i doli nga vendi gishti i madh i dorës, gjë të cilën, megjithatë, ai nuk e vuri re gjersa erdhi afër shtëpisë, kur u lëshua përtokë në cep të gardhit me qëllim që të rivendoste frymëmarrjen. Posa ishte në gjendje, u çua dhe erdhi te shtëpia. Ishte ende tërësisht i paaftë të fliste nga frika dhe lodhja prej të vrapuarit” (në Lucy Mack Smith, History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 108).

  • Kur keni marrë ju (ose dikush që e njihni) mbrojtjen dhe ndihmën e Zotit, ndërkohë që kërkonit me zell të ishit të vërtetë ndaj një mirëbesimi të shenjtë nga Zoti?

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth dëshirës së tyre për t’i ruajtur mirëbesimet e shenjta që Zoti ua ka dhënë, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Jini të mençur me atë që Zoti jua jep. Është një mirëbesim. …

Në vend që të rrëshqitni në pakujdesshmëri, u bëftë jeta juaj një jetë e përpikërisë duke u rritur në bindje. Shpresoj se do të mendoni e ndjeni dhe visheni e veproni në mënyra që tregojnë nderim e respekt për gjërat e shenjta, vendet e shenjta, rastet e shenjta” (“A Sense of the Sacred” [mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore të Sistemit Arsimor të Kishës, 7 nëntor 2004], f. 9, 10; speeches.byu.edu).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:61–62. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë shembuj të mënyrës se si Zoti i bekoi Jozef dhe Ema Smithin për besnikërinë e tyre për të qenë përgjegjës për gjëra të shenjta.

  • Si i bekoi Zoti Profetin dhe bashkëshorten e tij në këtë kohë? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti e ndihmoi Jozefin që ta përmbushte vullnetin e Tij nëpërmjet ndihmës së Martin Harrisit.)

Joseph Smith – Historia 1:63–65

Martin Harrisi u tregon shkronja nga fletët studiuesve në Nju-Jork

Nëse është e mundur, tregojuni studentëve figurën shoqëruese, që tregon shembuj të shkronjave që u shkruan mbi fletët e arta. Në vitin 1828, Jozef Smithi i kopjoi disa prej shkronjave në një copë letre. Martin Harrisi e pyeti nëse mund t’ua paraqiste një kopje të disa prej shkronjave nga fletët studiuesve në Nju-Jork, të cilët kishin njohuri për gjuhët dhe qytetërimet e lashta. (Teksa u tregoni figurën, ju mund të dëshironi të përmendni se u bënë disa kopje të shkronjave. Nuk dihet nëse kjo ishte kopja e mirëfilltë që Martin Harrisi ua paraqiti studiuesve.)

shkronja nga fletët

Shkruani në tabelë Joseph Smith – Historia 1:63–65 dhe Isaia 29:10–12. Shpjegoni se referenca nga Joseph Smith – Historia përshkruan takimin e Martin Harrisit me studiuesit. Referenca nga Isaia përmban një profeci rreth ditëve të mëvonshme. Ftojini studentët të punojnë në dyshe dhe ta bëjnë me radhë duke ia lexuar me zë të lartë këto fragmente njëri‑tjetrit. Udhëzojini ata të lexojnë fillimisht fragmentin nga Joseph Smith – Historia. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta lexojnë kreun e kapitullit tek Isaia 29 përpara se ta lexojnë fragmentin nga Isaia. Teksa i lexojnë vargjet tek Isaia 29, bëjini të shohin për ngjashmëritë me tregimin e Martin Harrisit. Pasi studentët ta kenë mbaruar leximin dhe diskutimin e të dy fragmenteve, bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë të vërtete na mësojnë këto fragmente rreth diturisë paraprake të Zotit dhe profecive të shërbëtorëve të Tij? (Ju mund të dëshironi të përmendni që, kur Martini ua tregoi shkronjat nga fletët studiuesve në Nju‑Jork, ai ndihmoi që të përmbushej profecia e shënuar tek Isaia 29:11–12).

Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Profecitë e shërbëtorëve të Zotit do të ndodhin. Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Joseph Smith – Historisë 1:65. Kërkojuni studentëve nëse mund të mendojnë për fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë që u mëson po të njëjtën të vërtetë (për shembull, shih DeB 1:37–38 dhe Amos 3:7). Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shkruajnë këto referenca pranë Joseph Smith – Historisë 1:65.

  • Si e forcon besimin tuaj përmbushja e premtimeve hyjnore ose e thënieve profetike?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa fjali që përmbledhin atë që mësuan në mësimin e sotëm dhe arsyen përse është e rëndësishme për ta. Për t’iu lejuar studentëve një rast që të shpjegojnë e dëshmojnë për të vërtetat që kanë mësuar, ftojini disa prej tyre që t’ia tregojnë klasës atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Joseph Smith – Historia 1:56. Fjalët e fundit këshilluese të Alvin Smithit drejtuar Jozef Smithit

Lusi Mek Smithi raportoi se, përpara se Alvin Smithi të vdiste, ai i tha fjalët vijuese vëllait të tij më të vogël, Jozefit:

“Unë dëshiroj që ti të jesh djalë i mirë dhe të bësh gjithçka që ke fuqi për ta marrë Analin. Ji besnik në marrjen e udhëzimit dhe në mbajtjen e çdo urdhërimi që të jepet. Vëllai yt, Alvini, tani duhet të të lërë; por mbaj mend shembullin që ai të ka dhënë dhe ji një shembull i mirë për fëmijët që janë më të vegjël se ti dhe ji gjithmonë i mirë me babanë dhe nënën” (Lucy Mack Smith, History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 87).

Joseph Smith – Historia 1:56. “Që nga ajo kohë doli historia shumë e përhapur që unë kisha qenë një gërmues parash”

Që nga ditët e hershme të Rivendosjes, kritikuesit e kanë sulmuar karakterin e Jozef Smithit, ngaqë ai ishte punësuar në rininë e tij për të gërmuar për para. Kritikuesit i emërtuan përpjekjet e tij si “gërmim për para” ose “kërkim për thesare” në përpjekje që ta njollosnin karakterin e tij. Jozef Smithi u rrit në një kohë dhe kulturë në të cilën ishte i zakonshëm dhe i pranueshëm kërkimi i thesareve ose gërmimi për ar e argjend të groposur. Në historinë e tij, Jozef Smithi shpjegon se ai dhe familja e tij u pajtuan që të gërmonin për argjend (shih Joseph Smith – Historia 1:56).

Joseph Smith – Historia 1:59–62. Përkthyer nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë

Disa njerëz kanë pyetur: A i kemi hollësitë rreth mënyrës se si u përkthye Libri i Mormonit? Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha përgjigjen vijuese:

Plaku Nil A. Maksuell

“Shumë që e lexojnë Librin e Mormonit, dëshirojnë me të drejtë të dinë më shumë rreth zanafillës së tij, përfshirë procesin aktual të përkthimit. Ishte pa dyshim e njëjta gjë me besimtarin dhe besnikun Hajrëm Smithin. Sipas kërkesës, Hajrëmit iu tha nga Profeti Jozef se ‘nuk ishte synim t’u tregoheshin botës të gjitha hollësitë e daljes në dritë të Librit të Mormonit’ dhe se ‘nuk ishte e domosdoshme për të t’i tregonte këto gjëra’ (History of the Church, 1:220). Si rrjedhojë, ajo që vërtet dimë rreth daljes aktuale të Librit të Mormonit në dritë është e saktë, por nuk është gjithëpërfshirëse. …

Cilatdo qofshin hollësitë e procesit, ato kërkonin përpjekje të shumta vetjake nga Jozefi së bashku me ndihmën e mjeteve të zbulesës. Procesi mund të ketë ndryshuar ndërkohë që u rritën aftësitë e Jozefit, duke përfshirë Urimin dhe Thumimin, por ndoshta me më pak mbështetje te mjete të tilla në punën e mëvonshme të Profetit për përkthimin. Plaku Orson Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha që Jozef Smithi i tregoi se përdori Urimin e Thumimin kur nuk kishte përvojë përkthimi, por që më pas nuk kishte nevojë për ta, siç ishte rasti në përkthimin prej Jozefit të shumë prej vargjeve të Biblës (shih Latter-day Saints’ Millennial Star, 11 gusht 1874, f. 498–499). …

Përse mendoni se ne nuk kemi më shumë shpjegim lidhur me procesin e përkthimit të Librit të Mormonit? Ndoshta procesi i plotë nuk u shpjegua ngaqë ne nuk do të ishim gati ta kuptonim atë, edhe nëse na jepej. Ndoshta, gjithashtu, Zoti dëshironte ta linte Librin e Mormonit brenda sferës së besimit, edhe pse ai është i mbushur me prova thelbësore. Në fund të fundit, Krishti e udhëzoi Mormonin, i cili po i shqyrtonte mësimet e vetë Shpëtimtarit mes nefitëve, që të mos i shënonte ato të gjitha në fletët, sepse ‘unë do ta provoj besimin e popullit tim’ (3 Nefi 26:11). Ndoshta hollësitë e përkthimit shpesh nuk jepen edhe ngaqë është qëllimi që ne ta zhytim vetveten në përmbajtjen e librit, në vend që të bëhemi të shqetësuar më tepër nga ç’duhet me procesin nëpërmjet të cilit e marrim atë” (“By the Gift and Power of God”, Ensign, janar 1997, f. 39, 41).

Edhe pse nuk i dimë të gjitha hollësitë rreth mënyrës se si u përkthye Libri i Mormonit, ne e dimë se ai u përkthye “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (DeB 135:3) dhe se pjesa që u përkthye është e vërtetë (shih DeB 17:6).

Joseph Smith – Historia 1:59–62. “Me anë të Urimit dhe Thumimit i përktheva”

Urimi dhe Thumimi ishte “[një mjet i] përgatitur nga Perëndia për ta ndihmuar njeriun në marrjen e zbulesës [nga Zoti] dhe në përkthimin e gjuhëve” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Urim dhe Thumim”, f. 200–201). Jozef Smithi i përdori Urimin dhe Thumimin që ta ndihmonin në përkthimin e Librit të Mormonit. Përveç Urimit dhe Thumimit, Profeti përdori një gur shikues në procesin e përkthimit.

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumi të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon rreth procesit të përkthimit e përdorimit nga Jozef Smithi të Urimit e Thumimit dhe të gurit shikues:

Plaku Nil A. Maksuell

“Vetëm Profeti Jozef e dinte procesin e plotë dhe ishte qëllimisht ngurrues për të përshkruar hollësi. Ne i njohim fjalët e Dejvid Uitmerit, Jozef Naitit dhe Martin Harrisit, të cilët ishin vëzhgues, jo përkthyes. Dejvid Uitmeri tregoi se, kur Profeti i përdori mjetet hyjnore të ofruara për ta ndihmuar atë, ‘do të shfaqeshin hieroglifët dhe gjithashtu përkthimi në gjuhën angleze … me shkronja të ndritshme dhe të qarta’. Më pas Jozefi do t’ia lexonte fjalët Oliverit (cituar në James H. Hart, “About the Book of Mormon”, Deseret Evening News, 25 mars 1884, f. 2). Martin Harrisi tregoi për gurin shikues: ‘Fjalitë do të shfaqeshin dhe u lexuan nga Profeti e u shkruan nga Martini’ (cituar në Edward Stevenson, “One of the Three Witnesses: Incidents in the Life of Martin Harris”, Latter-day Saints’ Millennial Star, 6 shkurt 1882, f. 86–87). Jozef Najti bëri vëzhgime të ngjashme (shih Dean Jessee, “Joseph Knight’s Recollection of Early Mormon History”, BYU Studies 17 [vjeshta e 1976-ës]: 35).

Oliver Kaudëri njoftohet të ketë dëshmuar në gjyq se Urimi dhe Thumimi e bënë Jozefin të aftë ‘t’i lexonte në anglisht, shkronjat e reformuara egjiptiane, që ishin gdhendur mbi fletët’ (“Mormonites”, Evangelical Magazine and Gospel Advocate, 9 prill 1831). Nëse këto raporte janë të sakta, ato sugjerojnë një proces tregues që Perëndia i dha Jozefit ‘sy dhe fuqi të përkthe[nte]’ (DeB 3:12).

Nëse me anë të këtyre mjeteve hyjnore, Profeti po shihte fjalë të lashta, të kthyera në anglisht dhe më pas të diktonte, ai nuk po i shqyrtonte me kujdes, në mënyrë të nevojshme dhe të vazhdueshme shkronjat mbi fletët – procesi i zakonshëm i përkthimit duke shkuar nga njëri te tjetri midis përsiatjes së tekstit të lashtë dhe dhënies së një përkthimi bashkëkohor.

Procesi zbulues me sa duket nuk kërkonte që Profeti të bëhej mjeshtër i gjuhës antike. …

Cilatdo qofshin hollësitë e procesit, ato kërkonin përpjekje të shumta vetjake nga Jozefi së bashku me ndihmën e mjeteve të zbulesës. Procesi mund të ketë ndryshuar ndërkohë që u rritën aftësitë e Jozefit, duke përfshirë Urimin dhe Thumimin, por ndoshta me më pak mbështetje te mjete të tilla në punën e mëvonshme të Profetit për përkthimin. Plaku Orson Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha që Jozef Smithi i tregoi se përdori Urimin dhe Thumimin kur nuk kishte përvojë përkthimi, por që më pas nuk kishte nevojë për ta, siç ishte rasti në përkthimin prej Jozefit të shumë prej vargjeve të Biblës (shih Latter-day Saints’ Millennial Star, 11 gusht 1874, f. 498–499)” (“By the Gift and Power of God”, Ensign, janar 1997, f. 39).

Joseph Smith – Historia 1:63–65. Cilët ishin studiuesit që vizitoi Martin Harrisi?

Martin Harrisi vizitoi të paktën tre burra, të cilët kishin famë si gjuhëtarë të zotë. Në Albani të Nju‑Jorkut, ai u takua me Luther Bradishin, një diplomat, burrë shteti, udhëtar botëror dhe studiues i gjuhëve. Në Nju-Jork-Siti ai vizitoi Dr. Samuel Miçëllin, zëvendëspresidentin e Kolegjit Mjekësor Ratgërs. Ai gjithashtu vizitoi një burrë që njihte disa gjuhë, përfshirë gjuhën hebraishte dhe babilonase. Ky ishte profesori Çarls Anton nga Kolegji i Kolumbias në Nju-Jork-Siti, i cili ishte midis studiuesve udhëheqës klasikë të asaj kohe. Në kohën e vizitës së Martin Harrisit, Çarls Antoni ishte profesor me kontratë i greqishtes dhe latinishtes. Ai njihte frëngjishten, gjermanishten, greqishten dhe latinishten dhe ishte i njohur, nëse librat në bibliotekën e tij janë provë, me zbulimet më të fundit që kishin të bënin me gjuhën egjiptiane, përfshirë veprën e hershme të Shampolionit.