Mësimi 53
Doktrina e Besëlidhje 45:60–75
Hyrje
Ndërkohë që shenjtorët u mblodhën në Kirtland, shumë histori të rreme dhe thashetheme nëpër gazeta e paraqitën keq dhe e morën nëpër gojë Kishën. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 45, Zoti filloi të zbulonte hollësi rreth një vendi të caktuar për mbledhjen në paqe e siguri në ditët e fundit, i cili ishte premtuar në Librin e Mormonit dhe fillimisht u përmend në një zbulesë të vitit 1830 (shih DeB 28). Zoti përshkroi hollësi rreth kësaj toke të mbledhjes, të njohur si Jerusalemi i Ri ose Sioni. Zoti gjithashtu e drejtoi Jozef Smithin që t’i përqendronte përpjekjet e tij për përkthimin e Biblës te Dhiata e Re, me qëllim që t’i përgatiste shenjtorët për gjërat që do të vinin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 45:60–61
Zoti e udhëzon Jozef Smithin që të fillojë përkthimin e tij për Dhiatën e Re
Kërkojuni studentëve nëse ndonjëri prej tyre mund ta recitojë nenin e tetë të besimit. Nëse atyre iu nevojitet ndihmë, kërkojini një studenti të kthehet te Nenet e Besimit dhe ta lexojë nenin e tetë me zë të lartë.
-
Çfarë sugjeron rreth Biblës fraza “për aq sa ajo përkthehet me saktësi”?
Kujtojini studentët se Jozefi e donte studimin e Biblës dhe gjeti ngushëllim të madh në fjalët e saj. Megjithatë, teksa e studionte, ai vuri re gabime dhe e ndjeu se disa informacione mungonin ose ishin të paplota. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thëniet vijuese nga Profeti Jozef Smith lidhur me Biblën. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë i shkaktoi problemet që vuri re Jozefi:
“Ishte e dukshme se shumë pika të rëndësishme që preknin shpëtimin e njeriut, ishin hequr nga Bibla, ose kishin humbur përpara se të hartohej ajo” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 229).
Ai gjithashtu shpalli: “Unë e besoj Biblën siç lexonte kur erdhi nga pena e shkruesve të parë. Përkthyes të paditur, kopjues të pakujdesshëm, apo priftërinj mashtrues dhe të korruptuar kanë kryer shumë gabime” (Mësimet: Jozef Smithi, f. 217).
-
Sipas Jozef Smithit, cilat janë të paktën tri arsye përse Bibla përmban gabime?
Kujtojini studentët se në mësimin te Doktrina e Besëlidhje 45:16–59 ata studiuan atë që Jezu Krishti ua tha dishepujve të Tij rreth Ardhjes së Tij të Dytë. Zbulesa tregon shumicën e asaj që shënohet te Mateu 24. Kur kjo zbulesë u diktua në vitin 1831, Jozef Smithi po punonte për rishikime të frymëzuara të Dhiatës së Vjetër. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:60–61. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë se ku donte Zoti që Profeti ta kthente vëmendjen e tij.
-
Si tha Zoti se përkthimi i Dhiatës së Re do t’i bekonte shenjtorët? (Ai do të zbulonte më shumë prej vullnetit të Perëndisë për t’i përgatitur shenjtorët.)
Kërkojini një studenti ta përmbledhë informacionin vijues për klasën. (Për t’i lejuar studentit kohë të përgatitet, jepjani atij ose asaj informacionin përpara orës mësimore.) Ju mund të dëshironi t’i plotësoni hollësitë që nuk përçohen nga studenti.
Pranë vjeshtës së vitit 1830, Jozef Smithi u urdhërua nga Zoti që të përkthente Biblën. Ai nuk e përktheu Biblën nga një gjuhë në një tjetër; as nuk kishte një dorëshkrim biblik origjinal nga i cili të punonte. Në vend të kësaj, Jozefi do të lexonte e studionte fragmente nga Varianti i Mbretit Xhejms të Biblës dhe më pas do të bënte korrigjime dhe shtesa siç frymëzohej nga Fryma e Shenjtë. Kështu, përkthimi ishte më shumë një rishikim i frymëzuar sesa një përkthim tradicional.
Përkthimi prej Jozef Smithit vlerësohet të ketë ndikuar të paktën 3 400 vargje në Variantin e Mbretit Xhejms të Biblës. Këto ndryshime përfshijnë shtesa (për të qartësuar kuptimin ose përmbajtjen), heqje, riorganizim vargjesh dhe ristrukturime tërësore të kapitujve të caktuar. Përkthimi prej Jozef Smithit e qartësoi përmbajtjen doktrinore, veçanërisht misionin e Jezu Krishtit, natyrën e Perëndisë, natyrën e njeriut, besëlidhjen abrahamike, priftërinë dhe Rivendosjen e ungjillit.
Botimi në anglisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme i Biblës së Variantit të Mbretit Xhejms, i shtypur pas vitit 1979, përfshin më shumë se 600 ndryshime nga Përkthimi prej Jozef Smithit. Ndryshime të vogla shënohen në poshtëshënimet dhe përzgjedhje më të mëdha gjenden në shtojcën e Biblës në anglisht [ose në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta në gjuhën shqipe].
Ftojini studentët të gjejnë Joseph Smith – Mateu në Perlën me Vlerë të Madhe. Shpjegoni se kjo pjesë e Përkthimit prej Jozef Smithit përmban më shumë informacion nga Mateu 24 rreth Ardhjes së Dytë të Zotit dhe është përmbushja e Doktrinës e Besëlidhjeve 45:60–61.
Ju mund të doni t’i kërkoni një studenti ta thotë përsëri me zë të lartë atë që ai ose ajo e kupton të jetë Përkthimi prej Jozef Smithit. Nëse studentët tuaj e kanë botimin për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës, ju mund t’u tregoni atyre shembuj të poshtëshënimeve të Përkthimit prej Jozef Smithit në Dhiatën e Re ose përzgjedhje më të mëdha në shtojcën e Biblës. Për shembull, Mateu 4:1, poshtëshënimi b thotë që Jezusi shkoi “të ishte me Perëndinë” në vend që “djalli ta tundonte”. Pasi t’u tregoni studentëve disa shembuj, pyetini se si Përkthimi prej Jozef Smithit mund ta ketë ndihmuar studimin dhe të kuptuarin e tyre për Biblën.
Doktrina e Besëlidhje 45:62–65
Shenjtorët paralajmërohen për t’u mbledhur në shtetet perëndimore
Shpjegoni se Zoti i drejtoi shenjtorët e hershëm që të lëviznin drejt perëndimit “nga tokat e lindjes” (DeB 45:64). Për t’i ndihmuar studentët të përfytyrojnë lëvizjen që do të bënin drejt perëndimit anëtarët e Kishës në kohën kur u dha kjo zbulesë (nga Nju-Jorku për në Ohajo), ju mund t’u kërkoni atyre të kthehen te Harta 3 (“Zona e New York-ut, Pennsylvania-s dhe Ohio-s në SHBA”) në seksionin e Hartave të Historisë së Kishës të shkrimeve të tyre të shenjta. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:62–64. Kërkojini klasës që ta ndjekë dhe të përcaktojë përse Zoti i urdhëroi shenjtorët e Tij të mblidheshin “në shtetet perëndimore” (DeB 45:64).
-
Çfarë tha Zoti se ishte “madje … në dyert tuaja”? Çfarë mendoni se nënkupton kjo gjuhë figurative?
Shpjegoni se në vitin 1861, rreth 17 vjet pas vdekjes së Jozef Smithit, një Luftë Civile filloi në Shtetet e Bashkuara. Vlerësohet që kjo luftë shkaktoi më shumë se 1 milion viktima, si edhe shumë shkatërrim të pronave, duke sjellë vështirësi për familjet dhe komunitetet përmes vendit. Ata shenjtorë që vazhduan ta ndiqnin këshillën e Zotit për t’u mbledhur prej lindjes, u bekuan me paqe dhe siguri relative në Juta.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:65. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti dëshironte të bënin shenjtorët teksa mblidheshin së bashku drejt shteteve perëndimore.
-
Përse duhej që t’i mblidhnin pasuritë e tyre? (Që të blinin tokë atje ku shenjtorët mund të jetonin në unitet, paqe dhe siguri. Shpjegoni se fjala trashëgim i drejtohet tokës në të cilën shenjtorët mund të banonin dhe ta adhuronin Zotin.)
Doktrina e Besëlidhje 45:66–75
Zoti përshkruan Jerusalemin e Ri ose Sionin
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh pyetjen vijuese:
-
Nëse mund të zgjidhnit një vend diku në botë për të jetuar, ku do të ishte? Përse do të donit të jetonit atje?
Ftojini disa studentë të përgjigjen. Teksa përgjigjen, hiqni një linjë vertikale nga lart poshtë në qendër të tabelës duke krijuar dy kolona. Në krye të njërës kolonë shkruani emrat e disa vendndodhjeve që përmendin studentët. Në të njëjtën kolonë, nën emrat renditni arsyet e tyre përse dëshironin të jetonin në ato vendndodhje.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 45:66–67 duke kërkuar emrin e tokës së trashëgimit të shenjtorëve dhe arsyet përse do të ishte për ta një vend i dëshirueshëm për të jetuar. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
-
Si do të quhej toka e trashëgimit të shenjtorëve? (Jerusalemi i Ri ose Sioni. Shkruajeni këtë në krye të kolonës së dytë në tabelë.)
Shpjegoni se në shkrimet e shenjta fjala Sion përdoret nganjëherë që të nënkuptojë gjëra paksa të ndryshme. Fjala nganjëherë u drejtohet njerëzve të Sionit dhe i përshkruan ata si “të kulluarit në zemër” (DeB 97:21). Kudo tjetër Sioni i drejtohet tërë Kishës dhe kunjeve të saj anembanë botës (shih DeB 82:14). Fjala Sion gjithashtu mund t’i drejtohet vendndodhjeve të veçanta gjeografike. Në këtë zbulesë Sioni i drejtohet një qyteti fizik që shenjtorët do ta ngrinin dhe në të cilin do të mblidheshin.
-
Si e përshkroi Zoti Jerusalemin e Ri ose Sionin? (Renditini përgjigjet e studentëve në kolonën e dytë në tabelë. Ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jerusalemi i Ri do të ishte një vend i paqes e sigurisë dhe lavdia e Zotit do të ishte atje.
Ftojini studentët të krahasojnë vendndodhjet që zgjodhën për shtëpitë e tyre ideale me përshkrimin e Sionit.
-
Bazuar në përshkrimin e Zotit për Sionin, përse mund të dëshironit të ishit pjesë e këtij qyteti?
-
Ku keni përjetuar paqe dhe siguri? Përse është e rëndësishme të keni vende ku mund të jini të sigurt dhe ku mund të kini paqe?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:68–71. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar arsyet shtesë përse atyre mund t’iu pëlqente të jetonin në Jerusalemin e Ri. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ta shenjojnë atë që gjejnë. Kërkojuni të raportojnë atë që kanë gjetur dhe shtojini përgjigjet e tyre në kolonën e dytë në tabelë.
-
Si do të ndihen të ligjtë rreth Sionit?
-
Sipas vargut 71, nga do të vijnë njerëzit e drejtë për në Sion? (Nëse nuk është përcaktuar tashmë, shkruani doktrinën vijuese në kolonën e dytë në tabelë: Njerëzit e drejtë nga të gjitha kombet do të mblidhen në Sion. Ju mund të doni të shpjegoni se kjo ishte e vërtetë për Sionin, të cilit i drejtohen në këtë zbulesë, dhe është e vërtetë për kunjet e Sionit që ngrihen sot anembanë botës.)
Lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith lidhur me temën e Sionit:
“Sioni … është një vend drejtësie dhe të gjithë ata që ndërtojnë atje, duhet të adhurojnë Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë, dhe të gjithë besojnë në një doktrinë, madje doktrinën e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit” (në History of the Church, 2:254).
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 45:72–73 duke kërkuar atë që Zoti i këshilloi shenjtorët të mos e bënin. Më pas përmblidhni dy vargjet e fundit të kësaj zbulese duke shpjeguar se Zoti i kujtoi shenjtorët që Ardhja e Tij e Dytë do të ishte e tmerrshme për armiqtë e tyre.
Ju mund të doni t’i kujtoni studentët se Zoti i nxiti shenjtorët e hershëm dhe ne që ta “mbajmë vesh” zërin e Tij në këtë zbulesë. Ftojini studentët të kthehen duke parë përmes Doktrinës e Besëlidhjeve 45 dhe të shqyrtojnë atë që Zoti u zbuloi shenjtorëve rreth Ardhjes së Dytë të Tij dhe Jerusalemit të Ri. Ju mund t’i nxitni ata ta plotësojnë thënien vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: “Për shkak të asaj që mësova te Doktrina e Besëlidhje 45, unë do të përgatitem për gjërat që do të vijnë nga …”. Mbylleni duke i nxitur studentët ta diskutojnë atë që mësuan në mësimin e sotëm me një pjesëtar të familjes.