Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 49–56 (Njësia 12)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 49–56 (Njësia 12)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 49–56 (njësia 12), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 49)

Studentët studiuan doktrinat dhe parimet që Zoti i urdhëroi Liman Koplinit dhe të tjerëve t’ua mësonin shejkërsave: që, nëse i dimë shenjat e Ardhjes së Dytë, ne nuk do të mashtrohemi nga pretendime të rreme; se Jezu Krishti i ka urdhëruar shërbëtorët e Tij t’u bëjnë thirrje njerëzve të besojnë tek Ai, të pendohen, të pagëzohen dhe të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë; se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia; dhe se bashkëshortët e bashkëshortet urdhërohen të jenë një dhe të kenë fëmijë.

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 50)

Studentët mësuan se shpirtra të rremë i kishin mashtruar disa prej shenjtorëve të hershëm. Zoti u mësoi këtyre shenjtorëve se Fryma e Shenjtë është Ngushëlluesi dhe se Fryma e Shenjtë na mëson të vërtetën. Zoti gjithashtu dha mësim se ajo që vjen nga Perëndia, ndriçon e lartëson, por ajo që nuk është prej Perëndisë, sjell pështjellim dhe errësirë. Studentët zbuluan se kur japim mësim dhe mësojmë vetë me anë të Shpirtit, ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe lartësohemi e gëzohemi së bashku.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 51–52)

Studentët zbuluan se me qëllim që ta shmangë të qenit i mashtruar prej Satanit, një njeri duhet t’iu bindet udhëzimeve të Zotit dhe të jetojë sipas zbulesave që ka dhënë Ai. Ata gjithashtu mësuan se dishepujt e Jezu Krishtit vëzhgojnë mbi ata njerëz që janë të varfër, nevojtarë, të sëmurë e të brengosur dhe kujdesen për ta.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 53–56)

Teksa studiuan rreth shenjtorëve që u detyruan të largoheshin nga toka e Liman Koplit, studentët mësuan që nëse i mbajmë besëlidhjet tona dhe u bindemi urdhërimeve të Zotit, ne do të fitojmë mëshirë. Ndërsa studentët studiuan kontekstin e thirrjes së Uilliam W. Felpsit për të shkruar e shtypur për Kishën, ata mësuan se Zoti mund t’i përdorë talentet, aftësitë dhe zotësitë tona për ta bekuar mbretërinë. Teksa mësuan rreth Ezra Thajërit, ata zbuluan se Zoti mund ta japë një urdhërim ose ta anulojë një urdhërim, siç Ai e sheh të përshtatshme.

Hyrje

Në qershor të vitit 1831, Zoti dha disa zbulesa duke i thirrur shenjtorët në Ohajo që të udhëtonin drejt Misurit. Ky mësim përqendrohet te marrëdhënia midis bindjes dhe marrjes së zbulesës shtesë nga Zoti. Mësimi gjithashtu shpjegon se çfarë do të thotë ta “marr[im] kryqin [tonë]” (shih DeB 56:2).

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 52:1–13, 22–36

Zoti i urdhëron Profetin dhe pleq të tjerë që të udhëtojnë për në Misuri dhe të predikojnë ungjillin përgjatë udhëtimit të tyre

Përpara orës mësimore, përgatitni tri të dhëna, secila duke çuar tek e dhëna më pas. Për shembull, e dhëna e parë mund t’i drejtojë studentët që të kërkojnë të dhënën e dytë nën një send ose brenda tij, diku në klasë. E dhëna e dytë mund t’i drejtojë ata të kërkojnë të dhënën e tretë diku tjetër në klasë. E dhëna e tretë duhet të thotë: “Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 52:1–6. Gjeni një parim që është i ngjashëm me këtë veprimtari.”

Ngjiteni me shirit të dhënën e parë në tabelë dhe shkruani udhëzimet vijuese pranë saj: Ndiqeni këtë të dhënë që të mësoni se si të merrni udhërrëfim të vazhdueshëm nga Zoti.

Pasi studentët ta lexojnë të dhënën e parë, ftojini të ndjekin udhëzimet për të gjetur të dhënën e dytë. Më pas ftojini ata të lexojnë udhëzimet në të dhënën e dytë dhe të kërkojnë të dhënën e tretë.

Përpara se studentët t’i ndjekin udhëzimet në të dhënën e tretë, shpjegoni se pjesa që ata do të kërkojnë, përmban udhëzime që iu dhanë Profetit Jozef Smith dhe udhëheqësve të tjerë të priftërisë në një konferencë të Kishës, të mbajtur në Kirtland të Ohajos në qershor të vitit 1831. Kujtojuni studentëve se Zoti kishte zbuluar më përpara që shenjtorët do të ngrinin një qytet të quajtur Sion (shih DeB 28:9), por Ai nuk e kishte zbuluar ende vendndodhjen e tij.

Ftojini studentët të ndjekin udhëzimet në të dhënën e tretë. Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 52:1–6. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar një parim që është i ngjashëm me veprimtarinë që sapo kanë përfunduar.

  • Sipas vargjeve 4–5, çfarë mund të ndodhë kur jemi besnikë ndaj udhëzimeve të Perëndisë? (Kur i ndjekim me besnikëri udhëzimet e Perëndisë, Ai na zbulon më shumë nga vullneti i Tij për ne. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Ju gjithashtu mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në anë të faqes në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si ishte veprimtaria e ngjashme me këtë parim? (Teksa studentët e ndoqën secilin udhëzim, ata morën udhëzime shtesë, më së fundi duke i çuar te përgjigjja që po kërkonin.)

  • Cilat mendoni se janë disa përfitime të marrjes së udhërrëfimit dhe të së vërtetës së Zotit pak e nga pak, në vend që të merret gjithçka njëherazi?

Doktrina e Besëlidhje 53

Zoti e thërret Sidni Gilbertin që të ishte një plak dhe të udhëtonte me Jozef Smithin për në Misuri

Si një shembull shtesë i së vërtetës së përcaktuar më lart, shpjegoni se një i kthyer në besim i kohëve të fundit i quajtur Sidni Gilberti, mësoi se nuk ishte renditur si njëri prej misionarëve të thirrur për të udhëtuar për në Misuri. Ai shkoi te Profeti Jozef Smith dhe e pyeti se çfarë kërkonte Zoti që ai të bënte. Profeti u lut dhe mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 53. Zbulesa e udhëzoi Vëllanë Gilbert që ta braktiste botën, të shugurohej një plak dhe të udhëtonte për në Misuri që të ndihmonte me veprimet e biznesit të Kishës (shih DeB 53:1–5).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 53:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar kohën kur Zoti tha se Ai do t’i jepte Sidnit pjesën tjetër (“pjesën e mbetur”) të udhëzimeve të Tij. (Ju mund të doni të shpjegoni që Zoti iu drejtua kësaj liste të udhëzimeve si “ordinancat”. Fjala ordinancë nganjëherë mund t’i referohet një rregulli ose një dekreti.)

  • Si mendoni ju, përse duhet t’iu bindemi udhëzimeve që Zoti na ka dhënë përpara se të mund të presim që të marrim më shumë?

Ftojini studentët që kanë pasur përvoja me këtë parim, që të tregojnë për përvojat e tyre ose të dëshmojnë për vërtetësinë e tij. Ju mund të doni gjithashtu të tregoni një përvojë ose të jepni dëshminë tuaj.

Nxitini studentët të shkruajnë një pyetje, shqetësim apo vendim që po e hasin, për të cilin do të dëshironin ta kishin ndihmën dhe udhërrëfimin e Zotit. Më pas ftojini ata të përsiatin dhe të shkruajnë ndonjë udhëzim që Zoti ua ka dhënë atyre, të cilit mund t’ia vënë veshin më plotësisht, me qëllim që të ftojnë udhërrëfim të mëtejshëm prej Tij.

Doktrina e Besëlidhje 56:1–8

Zoti ia anulon thirrjen e misionit Ezra Thajërit dhe e paralajmëron atë që të pendohet

Pyetini studentët nëse njohin dikë që hoqi dorë nga diçka e rëndësishme me qëllim që t’i bindej njërit prej urdhërimeve të Zotit. (Shembujt mund të përfshijnë dikë që sakrifikoi për t’u bashkuar me Kishën, për të shkuar në një mision apo për t’iu bindur standardeve të caktuara të Kishës.) Ftojini disa studentë të tregojnë shembujt e tyre. Më pas kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që mësuan rreth Ezra Thajërit teksa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 56. (Nëse kanë nevojë për ndihmë, kujtojini ata që Ezra Thajëri u urdhërua të shërbente në një mision me Tomas B. Marshin, por për shkak të krenarisë dhe shqetësimeve egoiste, ai nuk qe i gatshëm të largohej kur ishte koha për t’u nisur.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 56:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth atyre që nuk pranojnë t’iu binden urdhërimeve të Tij.

  • Çfarë tha Zoti rreth atyre njerëzve që nuk pranojnë t’iu binden urdhërimeve të Tij?

  • Sipas vargut 2, çfarë duhet të bëjmë që të shpëtohemi? (Që të shpëtohemi, ne duhet ta marrim kryqin tonë, ta ndjekim Shpëtimtarin dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë ta “marr[im] kryqin [tonë]”? (Përkthimi prej Jozef Smithit i Mateut 16:24 e përkufizon këtë frazë në këtë mënyrë: “Dhe tani për një njeri të marrë kryqin e tij, do të thotë t’i mohojë vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe t’i zbatojë urdhërimet e mia” [Mateu 16:24, shënimi e në fund të faqes]. Referenca për kryqin është një kujtues i vendosmërisë së Shpëtimtarit për të bërë vullnetin e Atit të Tij Qiellor. Ne e marrim kryqin tonë duke treguar gatishmërinë tonë për t’i zbatuar urdhërimet e Zotit dhe për ta “moh[uar] vete[n]”, ose për të sakrifikuar çfarëdo gjëje që është e nevojshme që të jemi të bindur ndaj Perëndisë.)

  • Çfarë urdhërimesh ka dhënë Zoti, të cilat kërkojnë që ju ta merrni kryqin tuaj dhe të bëni sakrifica që të jeni të bindur? (Disa shembuj mund të gjenden te broshura Për Forcën e Rinisë.)

Lexoni shembujt vijues (ose krijoni disa që janë më të përshtatshëm për studentët në klasën tuaj) dhe pyetini se si mund t’i marrin individët kryqet e tyre dhe t’i binden urdhërimeve të Zotit:

  1. Një i ri po i afrohet moshës kur do të jetë në gjendje të shërbejë në një mision. Ai shqetësohet rreth gjithçkaje që do të lërë pas kur ai të shërbejë.

  2. Një e re e di se të rinjtë e të rejat në lagjen e saj do të vizitojë tempullin pas pak muajsh, por ajo nuk ka një rekomandim tempulli. Ka diçka në jetën e saj pikërisht tani që do ta pengojë atë prej marrjes së një rekomandimi.

Shpjegoni që nëse zgjedhim të mos e marrim kryqin tonë, ne mund t’i humbasim mundësitë për t’i bekuar të tjerët dhe për të marrë bekime për veten tonë.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 56:3–8, duke u kujtuar studentëve se ngaqë Ezra Thajëri kishte qenë i pabindur, thirrja e tij e misionit u anulua dhe ai e humbi mundësinë për të shërbyer në atë kohë. Ftojini studentët të përsiatin se çfarë kanë nevojë të bëjnë që t’i marrin kryqet e tyre dhe të jenë të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit. Nxitini të veprojnë sipas çdo mbrese që marrin.

Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 57–59)

Pyetini studentët se si do të ishte të jetonin në një komunitet ku çdo njeri ishte i drejtë, i mirë dhe i dashur. Te Doktrina e Besëlidhje 59 ne mësojmë se si duhet të jetojmë me qëllim që të kualifikohemi për bekimet e tempullit dhe të përgatitemi për të jetuar në praninë e Perëndisë.