Seminare dhe Institute
Mësimi 3: Braktisja e Madhe


Mësimi 3

Braktisja e Madhe

Hyrje

Jezu Krishti krijoi Kishën e Tij gjatë shërbesës së Tij në tokë. “Apostujt, pas Ngritjes në Qiell të Krishtit, vazhduan t’i ushtronin çelësat që Ai i la me ta. Por, për shkak të mosbindjes dhe humbjes së besimit nga anëtarët, Apostujt vdiqën pa ua kaluar çelësat atyre që i pasuan. Ne e quajmë këtë episod tragjik ‘Braktisja’” (Henry B. Eyring, “The True and Living Church”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 21). Për shkak të kësaj braktisjeje të përhapur gjerësisht, Zoti e largoi nga njerëzit autoritetin e priftërisë. Të kuptuarit e Braktisjes së Madhe na ndihmon të kuptojmë më mirë nevojën për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Ngaqë ky mësim sugjeron përdorimin e një objekti dhe të figurave të shumta si mjete ndihmëse të mësimdhënies, ju mund të dëshironi të mblidhni disa artikuj që më parë. Këta artikuj përfshijnë një pjesë mekanike të një farë lloji dhe figurat vijuese: Krishti Shuguron Apostujt (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 38; shih edhe LDS.org), I Ri Duke u Pagëzuar (nr. 103), Dhurata e Frymës së Shenjtë (nr. 105), Bekimi i Sakramentit (nr. 107) dhe Çift të Rinjsh që Shkon në Tempull (nr. 120).

Krishti Shuguron Apostujt
I Ri Duke u Pagëzuar
Dhurata e Frymës së Shenjtë
Bekimi i Sakramentit
Çift të Rinjsh që Shkon në Tempull

Jezu Krishti themeloi Kishën e Tij kur Ai ishte në tokë

Sillni në klasë një pjesë mekanike që është e nevojshme për të funksionuar një makineri ose një pjesë pajisjeje (e tillë si një kordon elektrik nga një pajisje ose kompjuter, një zinxhir ose rrotë nga një biçikletë, apo kandele nga një makinë). Tregojuni studentëve pjesën dhe pyetini se kujt i përket dhe çfarë bën ajo. (Nëse nuk keni mundësi të gjeni një pjesë mekanike, vizatoni një në tabelë.)

  • Çfarë ndodh kur kjo pjesë mungon nga njësia e pajisjes së cilës i përket?

  • Si mund të krahasohet ky shembull me Kishën e Jezu Krishtit? (Kisha e Jezu Krishtit ka pjesë përbërëse thelbësore; pa këto pjesë përbërëse ajo nuk mund të funksionojë ose madje të ekzistojë.)

Kërkojuni studentëve të fillojnë të mendojnë se cilat pjesë të Kishës janë thelbësore për funksionin e saj për t’i ofruar shpëtim botës. Shkruani në tabelë titullin Elementët Thelbësorë të Kishës së Jezu Krishtit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 2:19–22. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë themelin mbi të cilin Jezu Krishti e ngriti Kishën e Tij gjatë shërbesës së Tij të vdekshme. (Ju mund të dëshironi t’u jepni studentëve numrat e faqeve që t’i ndihmoni për t’i gjetur shkrimet e shenjta të Dhiatës së Re, të cilat do t’i lexojnë gjatë këtij mësimi.) Ndërkohë që ata raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese nën titullin: Apostujt dhe profetët formojnë themelin e Kishës së Jezu Krishtit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën tek Efesianëve 2:20, e cila na e mëson këtë të vërtetë.

  • Si mendoni, përse apostujt e profetët konsiderohen “themeli” i Kishës?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një tjetër element thelbësor të Kishës së Jezu Krishtit, paraqitni figurën Krishti Shuguron Apostujt (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 38). Kërkojini një studenti të shpjegojë se çfarë po ndodh në figurë. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 3:13–14. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë një tjetër element të Kishës, i cili është thelbësor për shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Autoriteti i priftërisë është i domosdoshëm për t’i marrë ordinancat dhe besëlidhjet e shpëtimit.

Shpjegoni që përpara se Shpëtimtari të largohej nga toka, Ai u dha Apostujve të Tij autoritetin për ta drejtuar Kishën dhe për të vepruar në emrin e Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të përcaktojë një element tjetër thelbësor të Kishës së vërtetë:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Të vërtetat dhe doktrina që kemi marrë, kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë nëpërmjet zbulesës hyjnore. Në disa tradita besimi … çështjet doktrinore mund të bëhen një luftë opinionesh. … Por në Kishë sot, ashtu si edhe në Kishën e hershme, vendosja e doktrinës së Krishtit ose korrigjimi i shmangieve doktrinore është çështje e zbulesës hyjnore për ata që Zoti u jep autoritetin e një Apostulli” (“Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 86).

  • Sipas Plakut Kristoferson, cili është njëri nga rolet thelbësore të profetëve dhe apostujve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Apostujt dhe profetët themelojnë doktrinën e saktë nëpërmjet zbulesës hyjnore. Ju mund të keni nevojë t’i kujtoni studentët se doktrina u drejtohet të vërtetave themelore, të përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Shtojeni këtë të vërtetë në listën në tabelë.)

Tregojuni studentëve listën e Doktrinave Bazë që gjendet në shtojcën e këtij manuali ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve. Shpjegoni se studentët e seminarit nxiten që të fitojnë një kuptueshmëri më të thellë për Doktrinat Bazë gjatë gjithë kohës së tyre në seminar. Të vepruarit në këtë mënyrë do t’i ndihmojë ata që t’i forcojnë dëshmitë e tyre dhe të përgatiten për t’ua mësuar ungjillin të tjerëve. Ftojini studentët që të vëzhgojnë për këto doktrina gjatë studimit të tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve këtë vit.

Ftojini studentët të zgjedhin një nga Doktrinat Bazë që është domethënëse për ta dhe kërkojuni disave prej tyre që të shpjegojnë shkurtimisht arsyen përse ata e zgjodhën atë.

  • Përse është thelbësore që doktrina e vërtetë të jepet mësim dhe të kuptohet siç duhet në Kishën e Zotit? (Ndërsa përgjigjen studentët, ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, i ndryshon qëndrimet dhe sjelljen” [“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17].)

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth një elementi tjetër thelbësor të Kishës së Zotit, paraqitni figurat I Ri Duke u Pagëzuar (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103), Dhurata e Frymës së Shenjtë (nr. 105), Bekimi i Sakramentit (nr. 107) dhe Çift të Rinjsh që Shkon në Tempull (nr. 120). Pyesni studentët se çfarë kanë të përbashkët pagëzimi, konfirmimi, sakramenti dhe një vulosje. (Ato janë të gjitha ordinanca.)

  • Çfarë është një ordinancë? (Një veprim i shenjtë, ceremonial, i kryer nëpërmjet autoritetit të priftërisë.)

  • Si mendoni, përse ordinancat janë një pjesë thelbësore e Kishës së Jezu Krishtit? (Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi t’i ftoni ata të lexojnë Gjonin 3:5 dhe më pas pyetini se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte asnjë mënyrë për ta që të pagëzoheshin. Theksoni se të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhje, të cilat janë marrëveshje të shenjta me Perëndinë.)

Dëshmoni se në Kishën e Jezu Krishtit ne mund të marrim ordinanca që janë të domosdoshme për shpëtimin tonë. Shtojeni këtë të vërtetë në listën në tabelë.

Shpjegoni se pasi Jezu Krishti vdiq, Ai u ringjall dhe u ngjit në qiell. Ai nuk ishte më fizikisht i pranishëm për ta udhëhequr Kishën në tokë. Edhe pse Ai nuk është fizikisht në tokë, Jezu Krishti i udhëheq dhe i udhëzon Apostujt e Tij nëpërmjet zbulesës. Nën udhëheqjen e Apostujve të Tij, Kisha e lashtë u përhap me shpejtësi dhe mijëra njerëz u pagëzuan. Bashkësi të shenjtorëve u formuan përmes pjesës më të madhe të Perandorisë Romake. Pleqtë, peshkopët, dhjakët, priftërinjtë, mësuesit dhe evangjelistët (patriarkët) u thirrën dhe atyre iu dha autoriteti i priftërisë nga Apostujt.

Braktisja e Madhe ndodhi gjatë shekujve në vijim të shërbesës së Zotit në vdekshmëri

Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Braktisja ndodh kur njerëzit largohen nga doktrina e vërtetë e ungjillit dhe kur nuk i pranojnë shërbëtorët e autorizuar të Zotit.

Shpjegoni se periudha të braktisjes së përgjithshme kanë ndodhur gjatë gjithë historisë së botës. Një shembull është Braktisja e Madhe, e cila ndodhi pasi Shpëtimtari e krijoi Kishën e Tij (shih 2 Thesalonikasve 2:1–3). Pas vdekjeve të Apostujve të Shpëtimtarit, parimet e ungjillit u korruptuan dhe ndryshime të paautorizuara u bënë në organizimin e Kishës dhe tek ordinancat e priftërisë. (Shih Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 13–14.)

Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta: Veprat e Apostujve 12:1–3; 2 Timoteut 4:3–4; 2 Pjetër 2:1–2.

Shpjegoni që, pavarësisht nga përpjekjet e Apostujve, Kisha e hershme u përball me kërcënime. Ndajeni klasën në tri grupe. Ftojeni çdo grup të studiojë një nga fragmentet e shkrimit të shenjtë në tabelë, duke kërkuar diçka që e kërcënoi Kishën. (Për ata që po lexojnë Veprat e Apostujve 12:1–3, ju mund të nevojitet të sqaroni se Jakobi dhe Pjetri ishin Apostuj.) Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student nga secili grup të raportojnë atë që gjeti grupi.

  • Si mendoni, përse këto kërcënime ishin kaq të rrezikshme për Kishën?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili foli për humbjet e mëdha që përjetoi Kisha e periudhës së Dhiatës së Re gjatë kësaj kohe:

Presidenti Bojd K. Paker

“Jakobi u vra në Jerusalem nga Herodi. Pjetri dhe Pali vdiqën në Romë. Tradita thotë që Filipi shkoi drejt Lindjes. Më shumë se kaq ne nuk dimë.

Ata u shpërndanë; ata dhanë mësim, dëshmuan dhe themeluan Kishën. Dhe ata vdiqën për bindjet e tyre dhe me vdekjet e tyre erdhën shekujt e zymtë të braktisjes” (“The Twelve”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 84).

Ftoni një student tjetër ta vazhdojë leximin e shpjegimit të Presidentit Paker për humbjen më të rëndësishme që ndodhi nga Braktisja e Madhe:

Presidenti Bojd K. Paker

“Gjëja më e çmuar, e humbur nga Braktisja, ishte autoriteti i mbajtur nga Të Dymbëdhjetët – çelësat e priftërisë. Që Kisha të jetë Kisha e Tij, duhet të ketë një Kuorum të Të Dymbëdhjetëve, të cilët mbajnë çelësat dhe ua japin ato të tjerëve” (“The Twelve”, f. 84).

  • Si do të ndikonte humbja e autoritetit të priftërisë tek elementët e tjerë thelbësorë të Kishës?

  • A kishte ndonjë mënyrë që njerëzit mund ta riparonin Kishën pa apostujt dhe profetët, pa autoritetin e priftërisë ose pa diturinë e duhur për doktrinën e Jezu Krishtit? Përse po ose përse jo?

Ftojeni një student të lexojë përmbledhjen historike vijuese nga Presidenti Paker:

Presidenti Bojd K. Paker

“Ndërsa shekujt kalonin, flaka u zbeh dhe u venit. Ordinancat u ndryshuan ose u braktisën. Lidhja u ndërpre dhe u largua autoriteti për ta dhënë Frymën e Shenjtë si dhuratë. Epokat e Errëta të braktisjes u vendosën në botë” (“The Cloven Tongues of Fire”, Ensign, maj 2000, f. 8).

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme ta kuptojmë Braktisjen e Madhe dhe pasojat e saj? (Edhe pse studentët mund të përcaktojnë një larmi arsyesh, theksoni se të kuptuarit e këtij largimi të madh na ndihmon të kuptojmë se një rivendosje e doktrinës dhe e autoritetit të Jezu Krishtit ishte e domosdoshme për t’i kapërcyer ndikimet e Braktisjes së Madhe.)

Shpjegoni se, edhe pse nuk do të ketë një tjetër braktisje të përgjithshme të së vërtetës, secili prej nesh duhet të ruhemi ndaj braktisjes vetjake nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve, bindjes ndaj urdhërimeve, ndjekjes së udhëheqësve të Kishës, marrjes së sakramentit dhe forcimit të vazhdueshëm të dëshmive tona me anë të studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta, lutjes dhe shërbimit (shih Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 13–14). Mbylleni duke dëshmuar për dashurinë e Atit Qiellor për fëmijët e Tij, për realitetin e Braktisjes së Madhe dhe dhuratën e madhërishme të Rivendosjes së ungjillit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Braktisja ndodh për shkak të mosbindjes dhe humbjes së besimit

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegoi se një arsye përse ndodhi Braktisja, ishte mungesa e besimit mes anëtarëve të Kishës:

Presidenti Henri B. Ajring

“Njerëzit e Perëndisë nuk kanë qenë gjithmonë të denjë për përvojën e mrekullueshme që kemi ndarë sot. Apostujt, pas Ngritjes në Qiell të Krishtit, vazhduan t’i ushtronin çelësat që Ai i la me ta. Por, për shkak të mosbindjes dhe humbjes së besimit nga anëtarët, Apostujt vdiqën pa ua kaluar çelësat atyre që i pasuan. Ne e quajmë atë episod tragjik ‘Braktisja’. Nëse anëtarët e Kishës në ato ditë do të kishin pasur mundësinë dhe vullnetin për të ushtruar besim, siç i keni ju sot, Zoti nuk do t’i kishte marrë nga toka çelësat e priftërisë. Prandaj, kjo është një ditë me domethënie historike dhe me rëndësi të përjetshme në historinë e botës dhe për fëmijët e Atit tonë Qiellor.

Tani detyra jonë është të mbetemi të denjë për besimin që na duhet që të plotësojmë premtimin tonë për t’i mbështetur ata që janë thirrur. Zoti ishte shumë i kënaqur me Kishën në fillimin e Rivendosjes, ashtu si është dhe sot. Por Ai i paralajmëroi anëtarët atëherë, ashtu si bën tani, që Ai nuk mund ta shohë mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit. Që t’i mbështetim ata që u thirrën sot, ne duhet ta shqyrtojmë jetën tonë, të pendohemi nëse e nevojshme, të premtojmë se do t’i mbajmë urdhërimet e Zotit dhe t’i ndjekim shërbëtorët e Tij. Zoti na paralajmëron se, nëse nuk i bëjmë këto gjëra, Fryma e Shenjtë do të tërhiqet, ne do ta humbasim dritën që kemi marrë dhe nuk do të jemi në gjendje ta mbajmë premtimin që kemi bërë sot për t’i mbështetur shërbëtorët e Zotit në Kishën e Tij të vërtetë” (“The True and Living Church”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 21).

Perëndia nuk ua ktheu shpinën fëmijëve të Tij gjatë Braktisjes

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se, edhe gjatë kohëve të errësirës dhe braktisjes, Ati Qiellor nuk ua kthen shpinën fëmijëve të Tij:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Në periudhën relativisht të shkurtër të viteve që mbulon Dhiata e Re … populli u kthye kundër Krishtit dhe Apostujve të Tij. Katastrofa ishte aq e madhe, saqë ne e njohim si Braktisja e Madhe, e cila çoi në shekuj plogështie dhe paditurie shpirtërore që morën emrin Epoka e Errësirës.

Tani, unë dua të jem shumë i qartë mbi këto periudha historikisht të përsëritura të braktisjes dhe të errësirës shpirtërore. Ati ynë Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai do që të gjithë ata të kenë bekimet e ungjillit në jetën e tyre. Drita shpirtërore nuk humbet, sepse Perëndia ua kthen shpinën fëmijëve të Tij. Përkundrazi, errësira shpirtërore ndodh kur fëmijët e Tij ia kthejnë shpinën Atij në mënyrë kolektive. Është një pasojë e natyrshme e zgjedhjeve të këqija, të bëra nga individë, komunitete, shtete dhe qytetërime të tëra. Kjo është provuar herë pas here gjatë gjithë rrjedhës së kohës. Një nga mësimet më të mëdha të këtij modeli historik është se zgjedhjet tona, si individuale ashtu edhe kolektive, do të çojnë drejt pasojash shpirtërore për veten tonë dhe për pasardhësit tanë” (“Learning the Lessons of the Past”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 32).