Mësimi 110
Doktrina e Besëlidhje 105
Hyrje
Në bindje ndaj udhëzimeve të Zotit, Profeti Jozef Smith dhe rreth 200 vullnetarë dhe rekrutë të tjerë formuan atë që u bë i njohur si Kampi i Sionit, për të shkuar në ndihmë të shenjtorëve që ishin dëbuar nga konteja Xhekson në Misuri. Më 22 qershor 1834, ndërsa po fushonin pranë lumit Fishing në Misuri, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 105. Në këtë zbulesë, Zoti i njoftoi shenjtorët se toka e Sionit nuk do të shëlbehej në atë kohë. Zoti dha gjithashtu udhëzime lidhur me atë që duhet të ndodhë në mënyrë që Sioni të shëlbehet në një kohë të ardhshme.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 105:1–19
Zoti i udhëzon shenjtorët që të presin për shëlbimin e Sionit
Përpara orës mësimore, merrni një gotë kartoni, një llastik dhe tre fije spango. Diametri i llastikut duhet të jetë më i vogël sesa diametri i gotës. Lidhini fijet e spangos te llastiku në largësi të barabarta.
Fillojeni mësimin duke kërkuar tre vullnetarë. Vendoseni gotën në një sipërfaqe të sheshtë dhe udhëzojini vullnetarët që ta ngrenë gotën duke përdorur vetëm llastikun dhe spangot. U thoni studentëve se nuk mund ta prekin llastikun; ata duhet të mbajnë fijet e spangos. (Që ta përmbushin këtë detyrë, studentëve do t’u nevojitet të punojnë së bashku dhe të tërheqin njëkohësisht secilën spango me forcë të barabartë, me qëllim që ta hapin llastikun mjaftueshëm për ta vendosur atë rreth gotës dhe pastaj për ta ngritur atë.)
Pasi studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, bëni pyetjen vijuese:
-
Çfarë roli luajti uniteti në përmbushjen e kësaj detyre?
Kujtojuni studentëve se në shkurt 1834, Zoti e udhëzoi Profetin Jozef Smith dhe të tjerët që të mblidhnin rezerva të përkohshme dhe të rekrutonin vullnetarë për t’i ndihmuar shenjtorët të cilët ishin përzënë nga konteja Xhekson në Misuri, që ta rimerrnin tokën e tyre. Teksa studentët fillojnë diskutimin e sotëm për Doktrinën e Besëlidhjet 105, nxitini ata të shohin për rolin që luajti uniteti në orvatjet e shenjtorëve për ta rimarrë tokën e Sionit.
Kërkojuni studentëve të kujtojnë nga studimi i tyre i Doktrinës e Besëlidhjeve 103, numrin e vullnetarëve që Zoti dëshironte të merrnin pjesë në Kampin e Sionit (500) dhe numrin minimal që Ai kërkoi (100). Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës t’i vënë veshin numrit të njerëzve që faktikisht dolën vullnetarë për Kampin e Sionit, kur grupi u nis fillimisht.
Përgjigjja ndaj përpjekjeve të Profetit Jozef Smith dhe të të tjerëve për të rekrutuar vullnetarë dhe [për të mbledhur] rezerva për Kampin e Sionit nuk qe aq e suksesshme sa shpresohej. Deri në kohën që kampi apo ushtria, filloi marshimin e saj në fillim të majit 1834, vetëm 122 njerëz kishin dalë vullnetarë për të shkuar. Kampi i Sionit rekrutoi vullnetarë të tjerë gjatë udhës për në Misuri. Kur grupi që Hajrëm Smithi dhe Liman Uajti kishin rekrutuar nga Territori i Miçiganit u takua me kompaninë e Jozef Smithit në fillim të qershorit 1834, Kampi i Sionit përbëhej prej pak më shumë se 200 burra, 12 gra dhe 9 fëmijë (shih Alexander L. Baugh, “Joseph Smith and Zion’s Camp”, Ensign, qershor 2005, f. 45).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 105:7–8. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar një arsye përse disa anëtarë të Kishës zgjodhën të mos i ndihmonin bashkëshenjtorët e tyre në Misuri. Pastaj ftojini studentët të raportojnë atë që kanë gjetur.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 105:1–6. Vëreni klasën që t’i ndjekin, duke parë mënyrën se si mosbindja dhe mungesa e unitetit kishin ndikuar te anëtarët e Kishës. (Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e vargut 5, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se “ligji [i] mbretërisë çelestiale” përfshin të gjitha ligjet e parimet të cilave kemi nevojë t’u bindemi, ordinancat që kemi nevojë të marrim dhe besëlidhjet që kemi nevojë të mbajmë për ta trashëguar mbretërinë çelestiale.)
-
Në çfarë mënyrash anëtarët e Kishës nuk arritën të ishin të bashkuar dhe të bindur?
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë ne që të ndihmojmë në ngritjen e Sionit? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini të përcaktojnë parimin vijues: Për të ndihmuar në ngritjen e Sionit, ne duhet të jemi të bashkuar dhe të bindur ndaj gjithçkaje që kërkon Perëndia.)
-
Si mendoni, përse kërkohet unitet dhe bindje që Sioni të ngrihet?
-
Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të kuptoni rëndësinë që ka uniteti i anëtarëve të Kishës?
Shpjegoni se ata që dolën vullnetarë për Kampin e Sionit përjetuan shumë sfida dhe mrekulli gjatë gjithë ekspeditës së tyre. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të përsiatë mënyrën se si ata mund t’i ishin përgjigjur disa prej sfidave.
Kampi i Sionit marshoi rreth 1450 kilometra përmes 4 shteteve, duke udhëtuar rreth 30–60 kilometra në ditë për 45 ditë. Anëtarëve të kampit iu bënë këmbët me flluska, dhe përjetuan kushte moti të nxehta e të lagështa, mungesa në ushqim dhe ushqime të pashëndetshme. Me raste, etja e madhe i bëri disa anëtarë të kampit të pinin ujë moçali nga i cili kishin dalë larvat e mushkonjave (ndonjëherë duke përdorur dhëmbët e tyre si filtrues) ose të pinin ujë nga gjurmët e kuajve pas një stuhie shiu. Gjatë gjithë ekspeditës, Kampi i Sionit shpesh u kërcënua edhe me dhunë nga të tjerët. (Shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 143–145.)
-
Si mendoni ju se do t’i ishit përgjigjur këtyre sfidave?
Shpjegoni se pasi anëtarët e Kampit të Sionit arritën në Misuri, ata mësuan se Daniel Dunklin, guvernatori i Misurit, nuk do ta mbante premtimin e tij për t’i ndihmuar shenjtorët të ktheheshin në tokat e tyre në kontenë Xhekson. Pavarësisht nga ky lajm shkurajues, Kampi i Sionit vazhdoi drejt kontesë Xhekson, duke pritur udhëzim shtesë nga Zoti.
Vërini në dijeni studentët se udhëzimi i nevojshëm erdhi në një zbulesë nga Zoti më 22 qershor 1834, pasi Kampi i Sionit kishte udhëtuar për pothuaj shtatë javë dhe ishte vetëm 15–30 kilometra larg nga konteja Xhekson. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 105:9–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti tha se ata duhej të bënin lidhur me shëlbimin e Sionit.
-
Çfarë e udhëzoi Zoti kampin që të bënte lidhur me shëlbimin e Sionit?
-
Nëse do të kishit qenë një anëtar i Kampit të Sionit, si do të ishit ndier po ta dëgjonit këtë zbulesë pikërisht përpara se të arrinit në vendmbërritjen tuaj?
-
Çfarë arsyesh dha Zoti se përse Sioni nuk do të shëlbehej në atë kohë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 105:18–19. Vëreni klasën të kërkojë arsyen përse Zoti e udhëzoi Kampin e Sionit që të udhëtonte deri në Misuri dhe pastaj të zbulonte se ata nuk do t’i rikthenin shenjtorët në tokat e tyre në Sion në atë kohë.
-
Sipas këtyre vargjeve, përse Zoti e urdhëroi Kampin e Sionit të udhëtonte gjithë atë rrugë deri në Misuri dhe pastaj të zbulonte se Sioni nuk do të shëlbehej ende? (Kjo ishte një provë besimi. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se një provë besimi mund t’i referohet një sprove për të parë nëse ne do të zgjedhim t’i mirëbesojmë dhe t’i bindemi Zotit pavarësisht se cilat janë rrethanat.)
-
Në çfarë mënyrash u provua besimi i anëtarëve të Kampit të Sionit gjatë përvojës së tyre?
-
Çfarë mund të mësojmë ne nga këto vargje? (Një parim që studentët mund të përcaktojnë është se Perëndia ka përgatitur bekime të mëdha për ata që janë besnikë gjatë provave të tyre.)
-
Kur keni përjetuar ju ose dikush që ju e njihni, një provë besimi? Si ju kanë përgatitur provat tuaja të besimit për bekime më të mëdha?
Vërini në dijeni studentët se shumë burra që kishin shërbyer në Kampin e Sionit, u bekuan me mundësi për të shërbyer në mbretërinë e Zotit. Në shkurt 1835, u organizuan Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumi i Parë i Të Shtatëdhjetëve. Nëntë prej Apostujve të parë dhe të gjithë anëtarët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve shërbyen në Kampin e Sionit. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 151.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith. Kërkojini klasës të dëgjojë për rolin që pati Kampi i Sionit në përgatitjen e burrave për pozicione udhëheqëse:
“Perëndia nuk donte që ju të luftonit. Ai nuk mund ta organizonte mbretërinë e Tij me dymbëdhjetë burra për t’ua hapur portën e Ungjillit kombeve të tokës dhe me shtatëdhjetë burra nën drejtimin e tyre që të ndiqnin gjurmët e tyre, nëse nuk do t’i merrte ata nga një grup burrash që kishin dhënë jetën e tyre dhe që kishin bërë një sakrificë po aq të madhe sa edhe Abrahami” (në History of the Church, 2:182; shih edhe Church History in the Fulness of Times, f. 151).
Jepni dëshminë tuaj për rëndësinë e mirëbesimit dhe bindjes ndaj Zotit kur besimi ynë po vihet në provë.
Doktrina e Besëlidhje 105:20–41
Zoti u mëson shenjtorëve atë që duhet të bëjnë përpara se Sioni të shëlbehet
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 105:20–37 duke shpjeguar se Zoti u tregoi shenjtorëve në Misuri mënyrën se si duhej të reagonin ndaj përndjekjes që po përjetonin, ndërsa prisnin shëlbimin e ardhëm të Sionit. Ai i këshilloi ata që të ishin të përulur dhe të shmangnin nxitjen e grindjes. Ai shpjegoi se ata duhej të shenjtëroheshin në përgatitje për shëlbimin përfundimtar të Sionit. Ashtu siç Ai kishte thënë më parë në të njëjtën zbulesë, ata duhej të “mësohe[shin] në mënyrë më të përsosur dhe të k[ishin] përvojë e të di[nin] në mënyrë më të përsosur lidhur me detyrën e tyre dhe gjërat që [Ai] … kërko[nte] nga duart e tyre” (DeB 105:10).
-
Cilat janë disa mënyra se si ne duhet t’i përgjigjemi përndjekjes?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 105:38–41 dhe të përzgjedhin një frazë nga vargjet që përmbledhin atë që Zoti i udhëzoi shenjtorët të bënin, në përgjigje ndaj shtypësve të tyre.
-
Sipas vargut 40, çfarë bekimi do t’u vinte shenjtorëve në Misuri nëse do të kërkonin që të vendosnin paqe me të tjerët? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse ne kërkojmë të vendosim paqe me të tjerët, atëherë të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë.)
-
Çfarë mund të bëjmë ne që të ndihmojmë të vendosim paqe me të tjerët?
-
Si jeni bekuar ju ndërsa keni kërkuar të vendosni paqe, duke përfshirë ata që mund t’ju përndjekin juve?
Ftojini studentët të përsiatin një gjë që ata mund të bëjnë për t’u përpjekur më shumë që të vendosin paqe me të tjerët në jetën e tyre, veçanërisht kur ata mund të trajtohen padrejtësisht, dhe të shkruajnë një synim në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për ta ndjekur këtë parim.