Mësimi 112
Doktrina e Besëlidhje 107:21–38
Hyrje
Në prill 1835, anëtarët e saposhuguruar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve ishin në Kirtland të Ohajos, duke u përgatitur që të niseshin si kuorum në misionin e tyre të parë. Përpara se të niseshin, ata kërkuan që Profeti Jozef Smith të merrte një zbulesë e cila do t’i ndihmonte ata ndërsa ishin të ndarë (shih hyrjen e mësimit 111). Zbulesa që ai mori është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 107. Ky është mësimi i dytë nga tre prej mësimeve që e shqyrtojnë këtë seksion. Në këtë pjesë të zbulesës, Zoti përvijon detyrat e kuorumeve kryesuese të Kishës: Presidencës së Parë, Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Shtatëdhjetëve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 107:21–26
Zoti përvijon detyrat dhe autoritetin e kuorumeve kryesuese të Kishës
Përpara orës mësimore, shkruajini në tabelë fjalët vijuese: përkrah dhe mbështet. Kur të fillojë ora mësimore, kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur dikush i përkrahu ose i mbështeti ata. Më pas ftojini studentët t’i drejtohen një partneri dhe të përshkruajnë përvojën e tyre.
-
Ç’ndryshim solli kur ju e dinit se dikush ju përkrahu ose mbështeti juve?
Shkruajeni fjalën mbështet në tabelë dhe shpjegoni se të mbështetësh dikë do të thotë që ne e ndihmojmë ose e përkrahim atë person.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:21–22, duke kërkuar se kë tha Zoti që duhet të mbështetin anëtarët e Kishës.
-
Kë tha Zoti se duhet të mbështetim? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani Presidenca e Parë si një titull në tabelë.)
Kërkojuni studentëve ta rishikojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:8–9. Përpara se ata t’i lexojnë këto vargje, shpjegoni se në vargun 9, fraza “Presidenca e Priftërisë së Lartë, sipas urdhërit të Melkizedekut” i referohet Presidencës së Parë. Vërini studentët të kërkojnë atë që na mësojnë këto vargje rreth Presidencës së Parë.
-
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth Presidencës së Parë? (Nën titullin, shkruani të vërtetën vijuese: Presidenca e Parë ka përgjegjësinë dhe autoritetin për të kryesuar mbi çdo detyrë në Kishë.)
-
Sipas vargut 22, si e mbështetim ne Presidencën e Parë? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Presidenca e Parë ndihmohet me anë të mirëbesimit, besimit dhe lutjeve të Kishës. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët ose frazat te vargu 22 që na e mësojnë këtë parim.)
-
Si mendoni ju, përse kemi nevojë ta mbështetim Presidencën e Parë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës që të mbajë vesh për atë që ai tha se duhet të bëjmë, për të ndihmuar ose mbështetur udhëheqësit tanë të Kishës.
“Për t’i mbështetur ata që u thirrën … , ne duhet ta shqyrtojmë jetën tonë, të pendohemi nëse është e nevojshme, të premtojmë se do t’i mbajmë urdhërimet e Zotit dhe t’i ndjekim shërbëtorët e Tij. …
… Do të ishte veçanërisht e mençur të vendosnim që t’i mbështetim me besimin tonë dhe lutjet tona të gjithë ata që na shërbejnë në mbretëri. Personalisht jam i ndërgjegjshëm për fuqinë e besimit të anëtarëve të Kishës në mbështetjen e atyre që janë thirrur. … I kam ndierë në mënyra të fuqishme lutjet dhe besimin e njerëzve që nuk i njoh dhe që më njohin vetëm si dikë të thirrur për të shërbyer me anë të çelësave të priftërisë” (“Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 21).
-
Çfarë tha Presidenti Ajring se duhet të bëjmë ne për t’i mbështetur udhëheqësit tanë të Kishës?
-
Si mund t’i mbështetim udhëheqësit e Kishës, të tillë si Presidencën e Parë, të cilën ne nuk e njohim personalisht?
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth asaj që po bëjnë aktualisht për ta mbështetur Presidencën e Parë dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës. Ftojini ata që të shkruajnë një synim të veçantë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, për atë që do të bëjnë në të ardhmen për t’i përkrahur dhe mbështetur ata më mirë.
Shkruani Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve si një titull në tabelë. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:23, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth detyrave të Dymbëdhjetë Apostujve.
-
Sipas vargut 23, çfarë janë thirrur të bëjnë Dymbëdhjetë Apostujt? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë doktrinën vijuese nën titullin “Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve”: Apostujt janë dëshmitarë të veçantë të emrit të Jezu Krishtit në të gjithë botën. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë doktrinë në shkrimet e tyre të shenjta.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë që Apostujt janë dëshmitarë të veçantë të emrit të Jezu Krishtit?
Ftojini studentët të lexojnë atë që thotë Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta rreth fjalës dhe titullit Apostull. Kërkojuni studentëve të raportojnë gjetjet e tyre.
Shpjegoni se Presidenti i Kishës është Apostulli më i vjetër në tokë dhe se këshilltarët në Presidencën e Parë janë edhe Apostuj. Si rrjedhim, anëtarët e Presidencës së Parë janë gjithashtu dëshmitarë të veçantë të emrit të Jezu Krishtit. Ftojini studentët të mendojnë rreth mënyrës se si janë ndier kur kanë dëgjuar ose lexuar dëshmimet apo dëshmitë e Apostujve. Ftojini disa studentë t’ia tregojnë ndjenjat e tyre klasës.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:24, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth autoritetit dhe fuqisë së Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
-
Në vargun 24, çfarë mësojmë rreth autoritetit dhe fuqisë së Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve? (Kuorumi ka autoritet dhe fuqi të barabartë me Presidencën e Parë. Ju mund të doni ta shkruani këtë informacion në tabelë nën titullin “Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve”.)
Shpjegoni se kur njerëzit shugurohen Apostuj, atyre iu jepen të njëjtat çelësa të priftërisë që i jepen Presidentit të Kishës. Megjithatë, Presidenti i Kishës, si prifti i lartë kryesues mbi Priftërinë Melkizedeke, është i vetmi njeri në tokë, që është i autorizuar të ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë. Apostujt e tjerë i përdorin këto çelësa të priftërisë ashtu siç autorizohen nga Presidenti i Kishës. Kur një President i Kishës vdes, Presidenca e Parë shpërbëhet dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, i cili është i barabartë në autoritet dhe fuqi me Presidencën e Parë, bëhet organi kryesues i Kishës. Si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, Apostulli më i vjetër i gjallë autorizohet më pas të ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:25, duke kërkuar një kuorum tjetër të priftërisë të përmendur në këtë zbulesë dhe cilat janë detyrat e anëtarëve të tij.
-
Cili është kuorumi i tretë që Zoti përmendi në këtë zbulesë? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani Të Shtatëdhjetët si një titull në tabelë.)
-
Cilat janë detyrat e Të Shtatëdhjetëve? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese nën titullin “Të Shtatëdhjetët”: Të Shtatëdhjetët thirren për të predikuar ungjillin dhe për të qenë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit në të gjithë botën.)
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:26, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth autoritetit të Të Shtatëdhjetëve. Ftojini studentët të raportojnë gjetjet e tyre.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që tha Zoti rreth autoritetit të Të Shtatëdhjetëve, ftojeni një student ta lexojë thënien vijuese:
“Jezu Krishti mban të gjithë çelësat e priftërisë që i përkasin Kishës së Tij. Ai i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Apostulli më i vjetër i gjallë, Presidenti i Kishës, është i vetmi person në tokë i autorizuar t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë. …
Të Shtatëdhjetët veprojnë me caktim dhe me delegim të autoritetit nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. … Presidenca e Të Shtatëdhjetëve veçohet dhe i jepen çelësat për të kryesuar mbi Kuorumet e Të Shtatëdhjetëve” (Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 2.1.1).
Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat që kanë pasur kur kanë lexuar ose dëgjuar biseda nga anëtarë të Presidencës së Parë, të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe të Shtatëdhjetëve. Nëse studentët i kanë takuar disa prej këtyre vëllezërve, ftojini ata që t’i tregojnë edhe ato përvoja.
Doktrina e Besëlidhje 107:27–32
Shpëtimtari shpjegon se si duhet t’i marrin vendimet kuorumet kryesuese të Kishës
U thoni studentëve se ju do të donit që ata të merrnin një vendim të thjeshtë si një grup (për shembull, ata mund të vendosin se cilin himn të këndojnë në takimin shpirtëror të orës mësimore vijuese). Nxitini studentët të diskutojnë për variantet e tyre dhe të arrijnë në një vendim së bashku. Sapo studentët ta kenë marrë vendimin, diskutoni për sa më poshtë:
-
Si i marrin përgjithësisht vendimet grupet e njerëzve?
-
Si mendoni ju se krahasohen këto qëndrime me mënyrën se si Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Shtatëdhjetët marrin vendime?
Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata ta lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 107:27–32 së bashku, duke kërkuar atë që dha mësim Zoti rreth mënyrës se si kuorumet kryesuese të Kishës duhet t’i marrin vendimet. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar këto vargje, diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Sipas këtyre vargjeve, si i marrin vendimet kuorumet kryesuese? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni t’i përmblidhni përgjigjet e tyre duke shkruar në tabelë parimin vijues: Vendimet e kuorumeve kryesuese të Kishës merren në unitet dhe drejtësi.)
-
Cilat janë cilësitë e përmendura te vargu 30, të cilat janë të rëndësishme që këta vëllezër t’i kenë, me qëllim që të arrijnë në vendime të bashkuara?
-
Sipas vargut 31, çfarë u premton Zoti kuorumeve kryesuese të Kishës ndërsa ata marrin vendime duke i përdorur këto cilësi?
-
Në ç’mënyrë të diturit se Zoti premton ta bekojë Presidencën e Parë, Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Shtatëdhjetët me njohurinë e Tij, ju ndihmon për t’i mbështetur këta udhëheqës me mirëbesim, besim e lutje dhe për t’i ndjekur këshillat e tyre?
Doktrina e Besëlidhje 107:33–38
Zoti u jep udhëzime shtesë kuorumeve kryesuese të Kishës
Caktojini çdo studenti një prej vargjeve të mëposhtme: Doktrina e Besëlidhje 107:33, 34 ose 35. Ftojini studentët ta studiojnë vargun e tyre dhe të përcaktojnë të vërteta rreth të Dymbëdhjetë Apostujve ose të Shtatëdhjetëve. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të vijnë te tabela dhe t’i shkruajnë të vërtetat që kanë përcaktuar nën titujt “Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve” ose “Të Shtatëdhjetët”.
Midis të vërtetave që studentët mund të përcaktojnë janë sa më poshtë: Dymbëdhjetë Apostujt veprojnë në emër të Zotit dhe nën drejtimin e Presidencës së Parë për ndërtimin e Kishës. Të Shtatëdhjetët veprojnë në emër të Zotit, nën drejtimin e Dymbëdhjetë Apostujve. Të Dymbëdhjetë Apostujt mbajnë çelësat e shpalljes së ungjillit të Jezu Krishtit.
Përfundojeni këtë mësim duke dhënë dëshminë tuaj për përgjegjësitë e shenjta të atyre që janë thirrur nga Zoti për ta udhëhequr Kishën e Tij. Nxitini studentët t’i mbështetin dhe t’i përkrahin ata duke u vënë veshin udhëzimeve të tyre të frymëzuara.