Seminare dhe Institute
Mësimi 39: Doktrina e Besëlidhje 33–34


Mësimi 39

Doktrina e Besëlidhje 33–34

Hyrje

Në tetor 1830, Zoti i thirri Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin që të shpallnin ungjillin. Kjo zbulesë, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 33, përfshin udhëzime për mënyrën se si këta burra duhej ta jepnin mësim ungjillin. Menjëherë pas kësaj, në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 34, Zoti e përgëzoi Orson Pratin për besimin e tij dhe gjithashtu e urdhëroi që të predikonte ungjillin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 33:1–6

Zoti i thërret Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin që të shpallin ungjillin

Përpara orës mësimore shkruani sa vijon në tabelë: bori, gojë, vesh, një fushë gati për t’u korrur. (Nëse është e mundur, paraqitni fotografi të këtyre gjërave.) Në fillim të orës mësimore, bëni pyetjen vijuese:

  • Si mund të lidhen këto gjëra me punën misionare?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin për Doktrinën e Besëlidhjet 33, shpjegoni se Ezra Thajri jetonte pranë familjes së Jozef Smith Plakut. Ai kishte arritur t’i njihte pjesëtarët e familjes Smith nëpërmjet punës që ata kishin bërë për të në raste të ndryshme. Në tetor 1830 Ezra Thajri dhe një tjetër banor i Palmirës, Northrop Suiti, u pagëzuan në Kishë. Shpejt pas kësaj, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë drejtuar këtyre dy burrave, e cila tani është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 33.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 33:1–2 duke kërkuar fjalë dhe fraza që lidhen me vizatimet (ose fjalët) në tabelë. (Figura e gojës do të trajtohet më vonë në këtë mësim.) Pasi studentët të raportojnë atë që gjejnë, bëjuni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “hap[ësh] veshët dhe [t’i] bind[esh] zërit të … Perëndisë”? Si mund t’i tregojmë Zotit se veshët tanë janë të hapur për ta dëgjuar zërin e Tij?

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta shpallësh ungjillin “si me tingullin e një borie”?

Shpjegoni se shpesh Zoti përdor sende të njohura, të tilla si boria, si simbole që ta japë mësim ungjillin e Tij dhe që të na ndihmojë të kuptojmë të vërteta të përjetshme. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 33:3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar simbole të tjera që Zoti i përdori në këtë zbulesë.

  • Çfarë mendoni se përfaqëson vreshti i Zotit? (Botën.)

  • Kë mund të përfaqësojnë punëtorët në vreshtin e Zotit? (Anëtarët e Kishës së Zotit.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “është ora e njëmbëdhjetë”? (Kjo është periudha e fundit ungjillore dhe hera e fundit kur Zoti do ta vendosë mbretërinë e Tij në tokë, përpara Ardhjes së Tij të Dytë.)

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 33:4 duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Zoti gjendjen e botës në vitin 1830.

  • Cilat fraza në këtë varg ju bëjnë më shumë përshtypje? Përse? Çfarë mund të bëjmë për ta forcuar veten tonë kundër ndikimeve të korruptuara të botës?

Shkruani sa vijon në tabelë: Zoti e ka dhe po .

Jepuni studentëve pak çaste për të përsiatur atë që Zoti ka bërë ose po bën për t’i forcuar ata kundër korrupsionit të botës. Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 33:5–6 Zoti shpalli diçka që Ai e ka bërë dhe një gjë që Ai po e bën, për të na ndihmuar që të forcohemi kundër korrupsionit të botës. Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë këto vargje. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që Zoti ka bërë dhe do të bëjë për të na forcuar.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë është diçka që Perëndia e ka bërë dhe diçka që Ai po e bën tani, që mund të na ndihmojë të forcohemi kundër korrupsionit të botës? (Teksa studentët përgjigjen, ftojeni një student të plotësojë vendet bosh në thënien në tabelë. Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Zoti e ka vendosur Kishën e Tij dhe po mbledh të zgjedhurit e Tij në ditët e fundit.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej këtë të vërtetë dhe të ndiejnë rëndësinë e saj, caktojini që të punojnë në dyshe dhe të diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese. Ju mund t’i lexoni këto pyetje me zë të lartë, t’i shkruani në tabelë ose t’ua shpërndani studentëve në një fletushkë. (Mos e përfshini përgjigjen në kllapa.)

  1. Sipas vargut 6, kush janë të zgjedhurit? (Ata që do të besojnë te Perëndia dhe do ta dëgjojnë zërin e Tij.)

  2. Duke marrë parasysh korrupsionin e botës, përse do të ishte e rëndësishme që të zgjedhurit e Zotit të mblidheshin së bashku?

  3. Si ju ka forcuar anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kundër korrupsionit të botës?

Doktrina e Besëlidhje 33:7–18

Zoti u jep Ezra Thajrit dhe Northrop Suitit udhëzime për mësimdhënien e ungjillit

Referojuni vizatimit të një goje në tabelë (ose fjalës gojë). Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 33:7–10 duke kërkuar atë që Zoti u mësoi Ezra Thajrit dhe Northrop Suitit se duhej të bënin. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që mësuan.

Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse i hapim gojët tona për të shpallur ungjillin …

Kërkojuni studentëve të përdorin atë që kanë mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 33:7–10 për ta plotësuar këtë thënie. Ju mund të doni të ftoni një student të vijë te tabela që të përfundojë shkrimin e parimit. Ai mund të shkruhet si vijon: Nëse e hapim gojën tonë për të shpallur ungjillin, Zoti do të na frymëzojë me atë që duhet të themi.

  • Çfarë janë disa situata në të cilat ne mund të jemi ngurrues për ta hapur gojën tonë për ungjillin?

  • Kur vendosët ta hapni gojën tuaj për të folur rreth ungjillit dhe u ndiet i frymëzuar për të ditur se çfarë të thoshit? Kur e keni parë dikë tjetër të flasë për ungjillin dhe e ndiet se ata ishin të frymëzuar në atë që thanë?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 33:11–15 duke shpjeguar se në këto vargje, Zoti i udhëzoi Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin të predikonin parimet dhe ordinancat e para të ungjillit – besimin te Jezu Krishti, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Referojuni sërish parimit të shkruar në tabelë. Kërkojuni studentëve të përsiatin atë që duhet të bëjmë, përveç hapjes së gojës sonë, që Zoti të mund të na frymëzojë që të dimë çfarë të themi kur u flasim të tjerëve për ungjillin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 33:16–18. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë këshillën e veçantë që Zoti ua dha Ezrës dhe Northropit, që do t’i ndihmonte të dinin se çfarë të thoshin si misionarë.

  • Çfarë këshille u dha Zoti Ezrës dhe Northropit, që mund t’i ndihmonte të dinin se çfarë të thoshin si misionarë? (Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e studentëve.)

  • Cili mendoni se është kuptimi i këshillës së Zotit për t’i pasur “llampat tuaja të rregulluara e të ndezura dhe vaj me vete”? (DeB 33:17). (Të jesh shpirtërisht i përgatitur dhe gati në të gjitha kohët për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ky varg lidhet me shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, që gjendet te Mateu 25:1–13 dhe që përmendet te Doktrina e Besëlidhje 45:56–57.)

  • Si mund të na ndihmojë këshilla e Zotit në këto vargje për të qenë gati që të hapim gojën tonë për të folur për ungjillin në çdo çast dhe në çdo situatë?

Doktrina e Besëlidhje 34

Zoti e përgëzon Orson Pratin për besimin e tij dhe e urdhëron që të predikojë ungjillin

Ftojini studentët të shohin hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 34 për të gjetur një shembull të dikujt që u bekua kur një person tjetër e hapi gojën e vet për të folur për ungjillin.

  • Kush u bekua në këtë shembull? Sa vjeç ishte Orson Prati kur u pagëzua? Si mësoi ai rreth ungjillit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 34:1. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si Zoti iu drejtua Orsonit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. Pastaj kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 34:2–3 që të zbulojnë përse Zoti e quajti atë “biri Im”.

  • Përse Zoti e quajti Orsonin birin e Tij? (Për shkak të besimit të Orsonit te Zoti.)

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 34:3 çfarë bëri Zoti për “të gjithë ata që” besojnë tek Ai? (Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se e vërteta në këtë varg zbatohet njësoj për gratë, ju mund të doni të sugjeroni që ata të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 25:1.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 34:4–6. Vërini studentët ta ndjekin duke kërkuar atë që Zoti i tha Orsonit se do të sillte më shumë bekime në jetën e tij.

  • Përse mendoni se ne jemi “më [të] bekuar” kur ua mësojmë ungjillin të tjerëve?

Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 34:10–11. Vërini studentët ta ndjekin duke kërkuar bekimet që u jepen atyre që e përhapin ungjillin te të tjerët.

  • Çfarë bekimesh u jepen atyre që e japin mësim me zell ungjillin? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni ta shkruani në tabelë parimin vijues: Ata që e japin mësim me zell ungjillin, do ta bëjnë këtë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.)

  • Çfarë bekimi u premtohet atyre që janë besnikë? (Ju mund të doni ta shkruani edhe këtë parim në tabelë: Nëse jemi besnikë, Zoti do të jetë me ne.)

  • Si ju ndihmon e vërteta te Doktrina e Besëlidhje 34:11 në kohë shkurajimi?

Ju mund të doni ta mbyllni mësimin duke treguar për një rast kur e keni ndier Zotin me ju ndërsa keni qenë besnik ndaj Tij. Ju gjithashtu mund të doni të dëshmoni për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 33. Northrop Suiti

Northrop Suiti u pagëzua anëtar i Kishës nga Parli P. Prati, në tetor 1830 në Palmira të Nju-Jorkut. Ai u caktua të shërbente në një mision në tetor 1830 (shih DeB 33). Ai ishte shpërngulur në Kirtland të Ohajos në qershor 1831, ku u shugurua plak; megjithatë, ai e la Kishën pas pak dhe u përpoq të formonte një kishë tjetër, duke pretenduar se Jozef Smithi ishte një profet i rremë.

Doktrina e Besëlidhje 33:1. Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe e fuqishme

Zoti përdori disa figura të rëndësishme për të përshkruar fuqinë e fjalës së Tij. Ideja se fjala e Perëndisë është e fuqishme, është e lehtë për t’u kuptuar, sepse me anë të fjalës së Tij preket çdo gjë, që nga qiejt deri te shpirti njerëzor. Fjala e gjallë te Doktrina e Besëlidhje 33:1 nuk do të thotë e shpejtë; do të thotë që jeton ose që është plot jetë (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjallëroj”). Fraza “më e mprehtë se një shpatë me dy tehe, deri në ndarjen e nyjeve dhe të palcës, të shpirtit dhe të frymës”, përshkruan qartësisht mënyrën se si fjala e Perëndisë mund të godasë drejt e në zemrën e një njeriu (shih edhe 1 Nefi 16:1–2).

Kthimi në besim i Ezra Thajrit jep një shembull të mënyrës se si fjala e Perëndisë është e gjallë dhe e fuqishme. Ezra Thajri kujtoi:

“Kur Hajrëmi filloi të fliste, çdo fjalë më preku deri në thellësi të shpirtit tim. Mendova sikur çdo fjalë më drejtohej mua. Perëndia më ndëshkoi dhe më gozhdoi në vend. Nuk mund ta përmbaja emocionin. Lotët më rrodhën në faqe, isha shumë krenar dhe kokëfortë. Kishte shumë njerëz atje që më njihnin; nuk guxoja të vështroja lart. Qëndrova i ulur derisa e mora veten, përpara se të guxoja të vështroja lart. Ata kënduan disa himne dhe kjo më mbushi me Shpirtin. Kur Hajrëmi mbaroi, ai mori një libër dhe tha: ‘Ja ku është Libri i Mormonit’. I thashë të më lejonte ta shihja atë. Pastaj e hapa librin dhe u godita me një gëzim të atillë saqë asnjë penë nuk mund ta shkruajë dhe asnjë gjuhë nuk mund ta shprehë. E mbylla librin dhe e pyeta se cili qe çmimi i tij. ‘Katërmbëdhjetë shilinga’, ishte përgjigja. I thashë se do ta merrja librin. E hapa atë sërish dhe ndjeva një pjesë të dyfishtë të Shpirtit, saqë nuk e dija nëse isha në botë ose jo. U ndjeva sikur isha me të vërtetë në qiell.

Martin Harrisi nxitoi të më tregonte se libri ishte i vërtetë. I thashë se nuk kishte nevojë të ma tregonte, sepse e dija po aq mirë sa ai që ishte i vërtetë” (në Lyndon W. Cook, The Revelations of the Prophet Joseph Smith: A Historical and Biographical Commentary of the Doctrine and Covenants [1985], f. 47–48).

Doktrina e Besëlidhje 33:9. Të ngarkuar me duaj mbi supe

Çfarë do të thotë që ne mund “të ngarkohe[m]i me duaj mbi supe[t tona]”? Kjo frazë u referohet të lashtave ose duajve të korrur në një fushë. Të “ngarkohe[sh] me duaj” tregon një të korrë të madhe dhe me bollëk. Kjo është një frazë simbolike që paraqet sukses të madh misionar.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e shpjegoi më tej kuptimin e kësaj analogjie:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Duajt në këtë analogji përfaqësojnë anëtarët e sapopagëzuar të Kishës. Hambarët janë tempujt e shenjtë. Plaku Nil A. Maksuell shpjegoi: ‘Dallueshëm, kur pagëzojmë, sytë tanë duhet të vështrojnë ngultas përtej vaskës së pagëzimit drejt tempullit të shenjtë. Hambari i madhërishëm ku duhet të mblidhen duajt është tempulli i shenjtë’ (në John L. Hart, ‘Make Calling Focus of Your Mission’, Church News, 17 shtator 1994, f. 4). Ky udhëzim qartëson dhe thekson rëndësinë e ordinancave dhe të besëlidhjeve të shenjta të tempullit – që duajt të mos shkojnë kot” (“Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 97).

Doktrina e Besëlidhje 34:1. Orson Prati

Orson Prati përshkroi mënyrën se si ushtroi besim te Jezu Krishti kur ishte i ri:

Plaku Orson Prat

“Që nga mosha dhjetëvjeçare deri në nëntëmbëdhjetë, unë pashë shumë nga bota, dhe u hodha sa andej-këndej pa pasur një vendbanim të përhershëm; por nëpërmjet hirit të Perëndisë, u ruajta nga shumë të këqija ndaj të cilave ekspozohen të rinjtë; përshtypjet e para për moralshmërinë dhe fenë që m’u rrënjosën nga prindërit e mi, mbetën gjithmonë me mua; dhe shpesh ndjeja një ankth të madh që të përgatitesha për një gjendje të ardhshme; por kurrë nuk fillova ta kërkoja Zotin, me zell të vërtetë, deri në vjeshtën e vitit 1829. Atëherë fillova të lutesha me shumë zell duke u penduar për çdo mëkat. Në hijet e qeta të natës, ndërsa të tjerët dremitnin në jastëkët e tyre, unë shpesh tërhiqesha në një vend të fshehtë, në fushat e veçuara apo shkretëtirën e vetmuar, dhe përulesha përpara Zotit, dhe lutesha për orë të tëra, me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar; ky ishte ngushëllimi dhe kënaqësia ime. Dëshira e madhe e zemrës sime ishte që Zoti të shfaqte vullnetin e Tij në lidhje me mua” (në The Orson Pratt Journals, përmb. Elden J. Watson [1975], f. 8–9).

Doktrina e Besëlidhje 34:10. “Ngrije zërin”

Në bindje ndaj urdhrit të Zotit të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 34:10, Orson Prati e ngriti zërin e tij për ta përhapur ungjillin. Pak pas marrjes së kësaj zbulese, Orson Prati u nis në mision për në Kollsvill të Nju-Jorkut. Në një mision tjetër disa vite më vonë, Orsoni udhëtoi “në këmbë pothuajse 6 400 km, mori pjesë në 207 mbledhje, … pagëzoi 104 njerëz dhe organizoi disa Degë të reja të Kishës” (Orson Pratt, “History of Orson Pratt”, Millennial Star, 4 shkurt 1865, f. 72). Gjatë gjithë shërbimit të tij, “ai e kaloi oqeanin gjashtëmbëdhjetë herë, për misione shpëtimi” (“Orson Pratt”, Contributor, nëntor 1881, f. 61).