Mësimi 13
Doktrina e Besëlidhje 4
Hyrje
Kjo zbulesë, e dhënë në shkurt të vitit 1829 Jozef Smith Plakut, babait të Profetit, ishte e para e disa zbulesave të hershme, të dhëna individëve që dëshironin ta ndihmonin Zotin në veprën e Tij (shih edhe DeB 11–12; 14–16; 25). Në të, Jozef Smith Plaku u thirr për të punuar në shërbimin e Perëndisë. Përveç kësaj, Zoti përmblodhi cilësitë dhe vetitë kyçe për ata që i shërbejnë Atij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 4:1–3
Jozef Smith Plaku thirret për të punuar në shërbim të Perëndisë
Filloni duke iu kërkuar studentëve të përsiatin pyetjen vijuese:
-
A keni ndier ndonjëherë një dëshirë që t’i shërbeni Perëndisë dhe donit të dinit vullnetin e Tij lidhur me mënyrën se si mund të ndihmonit sa më mirë në bërjen e veprës së Tij?
Shpjegoni që babai i Jozef Smithit ndjeu një dëshirë të tillë, por nuk dinte se çfarë donte Zoti që të bënte ai. Në shkurt të vitit 1829, Jozef Smith Plaku dhe bashkëshortja e tij, Lusi, e vizituan birin e tyre, Jozef Smith të Riun, në Harmoni të Pensilvanisë. Gjatë asaj vizite Jozef Smith i Riu mori një zbulesë në përgjigje të pyetjes së babait të tij. Doktrina e Besëlidhje 4 është përgjigjja e Zotit, në të cilën Ai përmbledh cilësitë që Ai pret nga ata që ndihmojnë në veprën e Tij.
Kujtojuni studentëve se në kohën e kësaj zbulese, Kisha nuk ishte organizuar ende dhe priftëria nuk ishte rivendosur ende. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 4:1 duke kërkuar mënyrën se si Zoti e përshkroi Rivendosjen që sa po fillonte të shpalosej.
-
Cilën fjalë përdori Zoti për të përshkruar Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme?
-
Në ç’mënyra ishte “e mrekullueshme” Rivendosja e ungjillit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 4:2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti ua kërkon atyre që hyjnë në shërbimin e Tij. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala hyjnë do të thotë fillojnë.)
-
Sipas këtij vargu, çfarë pret Zoti nga ata që i shërbejnë Atij?
-
Çfarë do të thotë ta bëni diçka “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj”?
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më mirë këtë frazë, kërkojuni të përshkruajnë çfarë veprimesh ose vetish mund të presin që t’i shohin te një njeri që po përpiqet t’i shërbejë Perëndisë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tij ose të saj. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i ftoni ata të japin shembuj për njerëz që ata e dinë se i shërbejnë Zotit në këtë mënyrë.
Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, .
Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një parim të mësuar te Doktrina e Besëlidhje 4:2, bëni pyetjet vijuese:
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 4:2, çfarë bekimi vjen nga të shërbyerit Perëndisë “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën [tonë]”? (Teksa studentët përgjigjen, kërkojini njërit prej tyre ta plotësojë thënien në tabelë. Duhet të jetë diçka e ngjashme me sa vijon: Nëse i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, ne mund të qëndrojmë të pafaj përpara Tij në ditën e fundit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.)
-
Si mendoni, përse shërbimi ndaj Zotit me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë do të na lejojë të qëndrojmë të pafaj përpara Perëndisë?
Nxitini studentët të përsiatin për çfarë mund të ndiejnë nëse qëndrojnë në praninë e Perëndisë dhe janë “të pafaj”. Ju mund të dëshironi t’u kërkoni një ose dy studentëve të shprehin mendimet e tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 4:3. Vërini studentët ta ndjekin duke kërkuar një veti që u nevojitet individëve me qëllim që ta ndihmojnë Zotin në veprën e Tij.
-
Çfarë vetie i nevojitet një njeriu që ta ketë, me qëllim që ta ndihmojë Zotin në veprën e Tij? (Dëshirë për t’i shërbyer Perëndisë.)
Ju mund të dëshironi të shpjegoni se disa njerëz e marrin parasysh Doktrinën e Besëlidhjet 4 vetëm si një thirrje për shërbim misionar kohëplotë. Megjithatë, babai i Jozef Smithit, të cilit iu dha kjo zbulesë, nuk po thirrej si misionar kohëplotë. Ai e ndoqi, megjithatë, këshillën te Doktrina e Besëlidhje 4:2–3 gjatë gjithë jetës së tij, duke shërbyer me zotim kudo dhe kurdo që u thirr. Ai ishte një nga Tetë Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe një nga të parët që u pagëzuan kur Kisha u organizua zyrtarisht më 6 prill 1830. Ai shërbeu edhe si Patriarku i parë i Kishës dhe si Këshilltar Ndihmues i Presidencës së Parë.
Këshilla e dhënë në këtë seksion mund të gjejë zbatim te të gjithë ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Zotit dhe te mënyrat e shumta sipas të cilave mund ta ngremë mbretërinë e Perëndisë.
-
Përveç shërbimit misionar kohëplotë, cilat janë disa mënyra sipas të cilave mund ta ndihmojmë Zotin në veprën e Tij?
Për t’u dhënë studentëve ide se si ata mund të veprojnë sipas dëshirës së tyre për të ndihmuar tani në veprën e Zotit, ftojeni një anëtar të klasës të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë:
“Disa nga shërbimet më të rëndësishme që ju mund të jepni, do të jenë brenda shtëpisë suaj. Ju gjithashtu mund të shërbeni në detyrat tuaja në Kishë, shkollë dhe komunitet. Ju mund të shërbeni duke bërë punën në tempull dhe punën për historinë familjare. Ju mund të shërbeni duke ndarë ungjillin me të tjerët tani dhe si një misionar me kohë të plotë në të ardhmen. Shpesh shërbimi më kuptimplotë shprehet përmes veprimeve të thjeshta e të përditshme të mirësisë. Kërkoni çdo ditë udhëheqjen e Frymës së Shenjtë për të ditur se kujt t’i shërbeni dhe se si të ndihmoni për të plotësuar nevojat e tyre. Ndiqni shembullin e Shpëtimtarit ndërsa u shërbeni të tjerëve” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 32).
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për një mënyrë të veçantë se si ata dëshirojnë ta ndihmojnë Zotin në veprën e Tij në këtë kohë në jetën e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 4:4
Fusha është gati për t’u korrur
Nëse është e mundur, sillni në klasë një mostër të vogël të një drithi. Nëse asnjë nuk është i gjindshëm, tregojuni studentëve një fotografi të një fushe me drithë ose vizatoni një figurë të thjeshtë të një kalliri gruri në tabelë. Shpjegoni që drithërat, të tilla si gruri ose elbi, e ndryshojnë ngjyrën kur rriten. Kur gruri është i njomë, ai është i gjelbër, por kur piqet ai bëhet me ngjyrë të verdhë të zbehtë. Kur gruri është gati për t’u korrur, ai shpesh përshkruhet si i “bardhë”.
Shkruani fjalët vijuese në tabelë: fushë, korr, drapër. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 4:4. Përpara se ai ose ajo të lexojë, shpjegoni se në këtë varg, Zoti i krahason njerëzit e botës me një fushë drithi. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si Zoti e përshkruan fushën (ose njerëzit e botës).
-
Çfarë thotë Zoti rreth fushës së Tij (ose njerëzve të botës)?
-
Çfarë mendoni se është kuptimi i frazës “fusha është e bardhë gati për t’u korrur”? (Njerëzit e botës përgatiten për t’u mbledhur te Zoti dhe Kisha e Tij.)
Pyesni nëse ndonjëri mund ta shpjegojë se çfarë është një drapër dhe se për çfarë përdoret. (Një drapër është një thikë e përkulur që përdoret për korrjen e drithërave. Ju mund të dëshironi të vizatoni një figurë të thjeshtë të një drapri në tabelë.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta shtyni draprin tuaj me gjithë fuqinë tuaj? (Të punoni me zell për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti.)
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 4:4, çfarë bekimi vjen nga të punuarit me zell për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur punojmë me zell për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti, ne gjithashtu mund të marrim shpëtim për veten tonë. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Si na ndihmon që edhe ne të vijmë te Jezu Krishti, të ndihmuarit e të tjerëve që të vijnë tek Ai?
Për t’i ndihmuar studentët që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për këtë parim, ftojini disa prej tyre që të japin shembuj se si janë ndier më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, ndërkohë që kanë punuar për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ata. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni vetë përvojën ose dëshminë tuaj për këtë parim.
Doktrina e Besëlidhje 4:5–7
Zoti përmbledh cilësitë dhe vetitë kyçe për t’i shërbyer Atij
Kërkojuni studentëve të përmendin disa profesione. Zgjidhni një ose dy prej profesioneve që përmendin dhe kërkojuni të përcaktojnë cilësitë dhe vetitë e domosdoshme që do t’i nevojiteshin dikujt, me qëllim që të dilte me sukses në atë profesion. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 4:5–6 duke kërkuar vetitë që e cilësojnë një njeri për të ndihmuar në veprën e Zotit. (Ju mund të dëshironi ta ftoni një student për t’i renditur këto veti në tabelë, ndërkohë që klasa i përcakton ato. Ju gjithashtu mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë ato në shkrimet e tyre të shenjta.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 4:6. Vëreni klasën ta ndjekë duke vënë në dukje veti shtesë që Zoti i këshillon shërbëtorët e Tij për t’i “kujt[uar]”. (Ju mund të dëshironi t’i kërkoni një studenti t’i shkruajë këto veti në tabelë, pranë atyre nga vargu 5.)
Kërkojuni studentëve të përcaktojnë një të vërtetë nga vargjet 5–6 rreth asaj që na lejon të bëjmë zhvillimi i vetive hyjnore. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Përpjekjet tona për të zhvilluar veti hyjnore do të na ndihmojnë që të cilësohemi për të ndihmuar në veprën e Zotit. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë. Ju mund të sugjeroni gjithashtu që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 4:5–6.)
-
Si mund të na ndihmojë zhvillimi i secilës veti te vargjet 5–6 që të jemi më të efektshëm për të ndihmuar në veprën e Zotit?
-
Cilat nga vetitë e renditura në këto vargje do të dëshironit t’i zhvillonit më tërësisht? Përse?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 4:7, ndërkohë që klasa heton për mënyrën se si mund t’i kërkojmë dhe zhvillojmë këto veti.
-
Çfarë do të thotë të “kërkoni” dhe të “trokisni”?
-
Si mendoni se lutja mund të na ndihmojë që të zhvillojmë veti hyjnore?
Për ta mbyllur mësimin, ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët që të dëshmojnë për bekimet që kanë marrë, teksa kanë ndihmuar në veprën e Zotit.