Seminare dhe Institute
Mësimi 42: Doktrina e Besëlidhje 38:1–16


Mësimi 42

Doktrina e Besëlidhje 38:1–16

Hyrje

Në dhjetor të vitit 1830 Zoti i kishte zbuluar Profetit Jozef Smith një urdhërim për Kishën që të mblidhej në Ohajo (shih DeB 37). Në vitin 1831, Zoti dha zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 38, e cila shpjegoi disa arsye përse shenjtorët duhej të mblidheshin në Ohajo. Ai gjithashtu dha urdhërime për t’i udhëzuar ata për mbledhjen. Ky mësim trajton 16 vargjet e para të seksionit 38. Në këtë zbulesë Jezu Krishti u tha anëtarëve të Kishës se Ai ishte në mes tyre. Ai gjithashtu përshkroi se kush do ta duronte Ardhjen e Tij të Dytë, i paralajmëroi shenjtorët për rrezikun dhe u dha shenjtorëve inkurajim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 38:1–7

Jezu Krishti u thotë anëtarëve të Kishës së Tij se Ai është në mes tyre

Ftojini studentët të renditin në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa urdhërime që i ndiejnë se janë të lehta për ta që t’iu binden. Më pas i ftoni ata të marrin parasysh se cilat urdhërime janë të vështira për ta që t’iu binden dhe përse. (Studentët gjithashtu mund të shkruajnë disa mendime, në qoftë se ndihen rehat për ta bërë këtë.)

  • Përse disa urdhërime mund të jenë të vështira për ne që t’iu bindemi?

  • Çfarë ju ka nxitur t’i zbatoni urdhërimet, të cilat janë të vështira për ju që t’iu bindeni?

Kujtojini studentët se në dhjetor të vitit 1830, Zoti i urdhëroi shenjtorët në Nju-Jork që të mblidheshin në Ohajo (shih DeB 37). Për disa nga këta anëtarë të Kishës, ky urdhërim ishte shumë i vështirë që t’i bindeshin. Më 2 janar 1831 shenjtorët nga degët e ndryshme në Nju-Jork u takuan në shtëpinë e Piter Uitmer Plakut për konferencën e tretë të Kishës. Gjatë konferencës, disa anëtarë të Kishës pyetën rreth urdhërimit që të lëviznin për në Ohajo.

  • Si mendoni, përse mund të kishte qenë e vështirë për disa prej shenjtorëve që t’i bindeshin urdhërimit për t’u larguar nga Nju-Jorku dhe për t’u mbledhur në Ohajo?

Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se askush në konferencë nuk e kuptoi urtësinë e këtij urdhërimi. Disa njerëz nuk do ta pranonin atë si fjalën e Zotit dhe të tjerë ishin ngurrues t’i linin fermat e begata dhe rrethanat e tyre të rehatshme për pasiguritë e një vendi të ri. Pati një mundësi të vërtetë që shumë njerëz do të humbnin të ardhura nga pronat e tyre dhe që disa madje mund të mos ishin në gjendje ta shitnin pronën e tyre.

Shpjegoni se gjatë konferencës së janarit të vitit 1831, Jozef Smithi iu lut Zotit që të mësonte më shumë rreth urdhërimit për t’u mbledhur në Ohajo. Zoti u përgjigj me zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 38. Njoftojini studentët se teksa e studiojnë këtë zbulesë, ata do të mësojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë, kur bëjnë zgjedhje lidhur me urdhërimet që i gjejnë të vështira për t’iu bindur.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 38:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar të vërteta që mund t’i mësojmë rreth Jezu Krishtit. Ndërkohë që studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që shoqërohen me përgjigjet e tyre.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë rreth Jezu Krishtit nga këto vargje? (Teksa studentët përgjigjen, ndihmojini të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti i di të gjitha gjërat.)

  • Si mund t’i kishte ndihmuar të kuptuarit se Jezu Krishti i di të gjitha gjërat, shenjtorët që u urdhëruan të lëviznin për në Ohajo?

  • Si mund të ndihmojë gjithashtu kjo e vërtetë në rastet kur ne e kemi të vështirë që t’iu bindemi urdhërimeve të Zotit?

Shpjegoni se, pikërisht përpara marrjes së kësaj zbulese, Jozef Smithi ishte duke punuar me rishikimin e frymëzuar të Biblës dhe kishte marrë atë që tani është Moisiu 6–7 në Perlën me Vlerë të Madhe. Këta kapituj rrëfejnë një histori të një profeti të quajtur Enok dhe të popullit të tij. Për shkak të drejtësisë dhe unitetit të tyre, Zoti i quajti këta njerëz Sion. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 38:4 dhe të kërkojnë atë që bëri Zoti për Enokun dhe popullin e tij. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që kanë gjetur. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se kur Zoti e përdori frazën “vetë kraharorin tim”, Ai po i drejtohej pranisë së Tij.

  • Sipas vargut 4, çfarë ishte një gjë që e bëri populli i Enokut, e cila shkaktoi që Zoti t’i merrte ata në qiell? (Ata besuan në emrin e Tij.)

  • Çfarë tha Shpëtimtari se Ai kishte bërë për ata që kishin besuar në emrin e Tij? Si ju bën ajo të ndiheni rreth Shpëtimtarit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 38:5–7. Ftojeni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që tha Jezu Krishti rreth vendit ku Ai është.

  • Ku tha Jezu Krishti se është Ai?

  • Kur e keni ndier që Shpëtimtari ishte pranë, edhe pse ju nuk mund ta shihnit Atë me sytë tuaj?

Doktrina e Besëlidhje 38:8–12

Zoti përshkruan se kush do ta durojë Ardhjen e Tij të Dytë

Paraqitni figurën Ardhja e Dytë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 66; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se, teksa Shpëtimtari po i ndihmonte shenjtorët në Nju-Jork që të kuptonin rëndësinë e mbledhjes në Ohajo, Ai foli për Ardhjen e Tij të Dytë.

Ardhja e Dytë

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 38:8–10. Ftojeni klasën t’i ndjekë duke kërkuar atë që Shpëtimtari zbuloi rreth Ardhjes së Tij të Dytë. Mund t’ju ndihmojë të shpjegoni se ata që e “duroj[në] ditën” (DeB 38:8) e Ardhjes së Dytë, janë ata që në vend që të shkatërrohen, do të jenë në gjendje të mbeten në tokë me Shpëtimtarin kur Ai të vijë.

  • Si na ndihmojnë këto vargje që të kuptojmë rëndësinë e të qenit të pastër dhe të dëlirë përpara Ardhjes së Dytë?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 38:11–12 dhe të kërkojnë përshkrimin e Zotit për kushtet që do të ekzistonin në tokë përpara Ardhjes së Dytë. Më pas ftojini studentët të raportojnë atë që kanë mësuar. (Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë këto vargje, ju mund të dëshironi të shpjegoni se përshkrimi i engjëjve duke pritur për të “korrur tokën”, është një referencë e shëmbëlltyrës së Dhiatës së Re për grurin dhe egjrat [shih Mateu 13:24–30; DeB 86:1–7], në të cilën gruri [të cilët janë njerëzit që janë të drejtë] mblidhet përpara djegies së egjrave [njerëzit që janë të ligj].)

  • Çfarë provash shihni që kushtet e përshkruara në vargun 11 ekzistojnë sot?

  • Çfarë mund të bëjmë që të mbetemi të pastër në mes të këtyre kushteve?

Doktrina e Besëlidhje 38:13–16

Zoti i paralajmëron shenjtorët kundrejt rrezikut dhe u jep atyre inkurajim

Shpjegoni se përveç që flet për Ardhjen e Tij të Dytë, Zoti shpalli një paralajmërim përsa i përket rrezikut me të cilin përballeshin shenjtorët. Drejtojini studentët te Doktrina e Besëlidhje 38:12 dhe bëni pyetjen vijuese:

  • Në fund të vargut 12, çfarë na mësoi Zoti rreth armikut të shenjtorëve?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se fraza “armiku është mbledhur” në përgjithësi mund t’i drejtohet faktit që Satani dhe forcat e tij janë mbledhur kundër shenjtorëve në ditët e mëvonshme. Gjithashtu mund t’u drejtohet njerëzve që ishin armiq të shenjtorëve në kohën kur u dha kjo zbulesë. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 38:13 dhe ftojini studentët të kërkojnë se cilat ishin qëllimet e këtij armiku të bashkuar. Ftojini studentët të raportojnë atë që kanë gjetur.

  • Çfarë mund të bëjë Zoti kur ne jemi në rrezik? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh. Sigurohuni të theksoni parimin vijues dhe shkruajeni atë në tabelë: Zoti mund të na paralajmërojë për rrezikun.)

Jepuni studentëve disa çaste që të përsiatin mesazhet që na i kanë dhënë profetët e Zotit në konferencën e përgjithshme dhe nëpërmjet botimeve të Kishës.

  • Në çfarë mënyrash janë këto mesazhe paralajmërime nga Zoti për rreziqet shpirtërore ose fizike që hasim?

  • Në çfarë mënyrash të tjera jeni paralajmëruar për rreziqet shpirtërore ose fizike?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 38:14–15 dhe të kërkojnë mënyrën se si Zoti u dha kurajë shenjtorëve gjatë kësaj kohe të rrezikut dhe të pasigurisë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që kanë gjetur.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 38:16. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti ua dha shenjtorëve për shpëtimin e tyre. Ndihmojini studentët të kuptojnë se urdhërimi për të cilën flitet, është urdhërimi që të lëvizin nga Nju-Jorku për në Ohajo.

  • Si mund të kishte qenë urdhërimi për të lëvizur nga Nju-Jorku për shpëtimin fizik të shenjtorëve?

  • Si mund të kishte qenë urdhërimi për t’u mbledhur në Ohajo për shpëtimin shpirtëror të tyre?

Shtojini parimit në tabelë që të lexojë sa vijon: Zoti mund të na paralajmërojë për rrezikun dhe na jep urdhërime për mbrojtjen tonë.

  • Si mund të na mbrojë zbatimi i urdhërimeve të Zotit?

  • Kur e keni ndier që u mbrojtët nga zbatimi i një urdhërimi? (Ju mund të doni t’u jepni studentëve kohë për t’i përsiatur përgjigjet e tyre, përpara se t’u kërkoni atyre të përgjigjen.)

Ftojini studentët të sjellin ndërmend veprimtarinë në fillim të orës mësimore, në të cilën ata menduan rreth urdhërimeve që janë të vështira për ta që t’iu binden. Vërini të marrin parasysh se si këto urdhërime mund të jenë bekime nga Zoti për t’i mbrojtur ata nga rreziqet shpirtërore ose fizike.

  • Si mund t’ju nxitë të kuptuarit e së vërtetës së shkruar në tabelë që t’ju bindeni urdhërimeve të Zotit, veçanërisht kur të bindurit ndaj atyre urdhërimeve mund të duket i vështirë?

Mbylleni duke i ftuar studentët të japin dëshmitë e tyre për aftësinë e Zotit që të na paralajmërojë për rrezikun dhe që të na japë urdhërime, të cilat, nëse iu bindemi, do të na japin mbrojtje. Ju gjithashtu mund të dëshironi të dëshmoni për këtë të vërtetë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 38:16. “Për shpëtimin tuaj unë ju jap një urdhërim”

Presidenti Xhorxh Albert Smith dha mësim:

Presidenti Xhorxh Albert Smith

“Kur isha fëmijë unë e dija, ose mendoja se e dija, se urdhërimet e Zotit ishin ligjet dhe rregullat e Tij për udhëheqjen time. Unë mendoja se e dija që, në mosbindjen ndaj atyre ligjeve, ndëshkimi do të pasonte. … Por duke u rritur, unë mora mësim nga një tjetër këndvështrim dhe tani për mua ligjet e Zotit … nuk janë veçse muzika e ëmbël e zërit të Atit tonë në qiell në mëshirën e Tij për ne. Ato nuk janë veçse porosi dhe këshilla nga një prind i dashur, që është më shumë i shqetësuar për mirëqenien tonë sesa mund të jenë prindërit tokësorë dhe, si rrjedhim, ato këshilla që dikur dukeshin se mbanin emrin e ashpër të ligjit për mua, janë tani këshilla e dashur dhe e dhembshur e një Ati Qiellor të gjithëditur. Dhe kështu unë them se nuk është e rëndë për mua të besoj se është më e mira për mua që të mbaj urdhërimet e Perëndisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Xhorxh Albert Smithi [2011], f. 192–193).