Seminare dhe Institute
Mësimi 82: Doktrina e Besëlidhje 77


Mësimi 82

Doktrina e Besëlidhje 77

Hyrje

Në shkurt dhe mars të vitit 1832, Jozef Smithi vazhdoi rishikimin e tij të frymëzuar të Dhiatës së Re. Teksa filloi të punonte me librin e Zbulesës, ai vriste mendjen rreth kuptimit të disa prej vargjeve. Ai i kërkoi Zotit t’i interpretonte disa prej simboleve dhe ngjarjeve që i përshkroi Gjon Zbuluesi. Në përgjigje të pyetjeve të Jozef Smithit rreth kapitujve 1–11 të librit të Zbulesës, Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 77.

Shënim: Edhe pse ky mësim i referohet përmbajtjes në librin e Zbulesës, ai nuk është një mësim rreth librit të Zbulesës. Harxhojeni shumicën e kohës së mësimit duke diskutuar për doktrina dhe parime të ilustruara te Doktrina e Besëlidhje 77, jo te libri i Zbulesës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 77:1–15

Zoti iu përgjigjet pyetjeve të Jozef Smithit rreth librit të Zbulesës

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh në heshtje atë që e kanë mësuar gjatë studimit vetjak të shkrimeve të shenjta gjatë dy ose tri ditëve të fundit. Ftojini disa prej tyre të japin një ide që e kanë fituar. Më pas vërini disa studentë të tregojnë pyetje që kanë pasur gjatë ose pas studimit të tyre vetjak. Këto mund të përfshijnë pyetje rreth kuptimit të një fjale ose fraze, sfondit historik të asaj që kanë lexuar ose rëndësisë së një vargu të veçantë. (Qëllimi i këtij ushtrimi nuk është që të jepen përgjigje për pyetjet e studentëve rreth shkrimeve të shenjta, por që të theksohet rëndësia e bërjes së pyetjeve ndërkohë që studiojmë.) Pasi disa studentë të kenë treguar, bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë ju ka ndihmuar të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja dhe t’i kuptoni më mirë shkrimet e shenjta?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin e Doktrinës e Besëlidhjeve 77, ftojini të lexojnë hyrjen e seksionit dhe të kërkojnë atë që po bënte Profeti Jozef Smith kur e mori këtë zbulesë. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, ju mund të doni të vini në dukje se fraza “në lidhje me përkthimin e Shkrimeve të Shenjta” i referohet urdhrit të Zotit që Jozef Smithi të bënte rishikime të frymëzuara të variantit të Mbretit Xhejms të Biblës. Këto rishikime tani njihen si Përkthimi prej Joseph Smith-it. Shpjegoni se ndërkohë që Jozef Smithi po punonte me librin e Zbulesës, ai e pyeti Zotin rreth kuptimit të disa prej vargjeve. Pyetjet që ai i bëri, dhe përgjigjet që i zbuloi Zoti, janë shënuar te Doktrina e Besëlidhje 77. Nxitini studentët të kërkojnë ide te Doktrina e Besëlidhje 77, të cilat mund t’i ndihmojnë ata ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për shkrimet e shenjta.

Ftojini studentët t’i kthehen Doktrinës e Besëlidhjeve 77 dhe kërkojuni atyre të shpjegojnë se si formati i këtij seksioni është i ndryshëm nga ai i seksioneve të tjera te Doktrina e Besëlidhje. Ata duhet të vënë në dukje fjalët Pyetje dhe Përgjigje pranë çdo vargu ose paragrafi gjatë gjithë seksionit. Shpjegoni se secila Pyetje paraprin një pyetje nga Jozef Smithi dhe secila Përgjigje paraprin përgjigjen e Zotit.

Pyetini studentët nëse ndonjëri prej tyre e ka lexuar ndonjë pjesë ose të gjithë librin e Zbulesës.

  • Çfarë mund të jetë sfiduese rreth leximit të librit të Zbulesës? (Nëse studentët nuk e përmendin atë, ju mund të doni të shpjegoni se libri i Zbulesës mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar për shkak të simbolikës që përmban.)

Për të dhënë një shembull të gjuhës figurative, simbolike në librin e Zbulesës, ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 4:2–8. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar simbolet në këto vargje. Ftojeni klasën t’i emërtojë këto simbole dhe kërkojini një studenti që t’i shkruajë ato në tabelë. (Përgjigjet mund të përfshijnë një ylber rreth e qark një froni, njëzet e katër frone, kurora të arta, shtatë llamba të ndezura, një det i qelqtë dhe katër bisha.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë pyetjen e Jozef Smithit te Doktrina e Besëlidhje 77:1. Vëreni një student ta rrethojë në tabelë simbolin që Jozef Smithi i kërkoi Zotit ta ndihmonte të kuptonte (detin e qelqtë). Më pas kërkojini një studenti tjetër të lexojë shpjegimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 77:1.

  • Si na ndihmon kjo përgjigje që ta kuptojmë më mirë Zbulesën 4:6?

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe që ta lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 77:2–5, duke kërkuar pyetje shtesë që i bëri Jozef Smithi rreth simboleve te Zbulesa 4 dhe përgjigjet që Zoti i dha për ato pyetje. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë se si përgjigjet e Zotit për pyetjet e Jozef Smithit i ndihmojnë ata që ta kuptojnë një pjesë të gjuhës figurative, simbolike te Zbulesa 4:2–8.

Ftojini studentët të përsiatin se si ata do ta përdornin atë që e kanë mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 77 për të përmbledhur atë që Gjoni e përshkroi te Zbulesa 4:2–8. Ftojini disa studentë të tregojnë përmbledhjet e tyre. Më pas bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 77 rreth rolit të profetit që të na ndihmojë për ta kuptuar domethënien e shkrimit të shenjtë? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të tjera, ata duhet të shprehin doktrinën vijues: Zoti e zbulon interpretimin e duhur të shkrimit të shenjtë nëpërmjet profetëve të Tij. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë doktrinë në shkrimet e tyre të shenjta.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë doktrinë, bëni pyetjen vijuese:

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme të mësojmë atë që profetët e kanë dhënë mësim lidhur me atë çfarë studiojmë në shkrimet e shenjta?

Për t’i ndihmuar studentët të fitojnë kuptim të mëtejshëm për këtë pyetje, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Profetët e dhanë shkrimin e shenjtë dhe profetët duhet ta interpretojnë atë. Burrat e shenjtë të së shkuarës morën zbulesë nga Fryma e Shenjtë, të cilën e shënuan si shkrim të shenjtë; tani njerëzit duhet të kenë të njëjtin Shpirt të Shenjtë që ta zbulojnë atë që nënkuptohet nga shkrimi i shenjtë – përndryshe do të ketë një mori përkthimesh personale dhe si pasojë shumë kisha të ndryshme dhe kundërshtuese, që është pikërisht gjendja në botën fetare sot” (në Conference Report, tetor 1964, f. 38).

  • Sipas Plakut Mek-Konki, përse na nevojitet një profet për ta interpretuar kuptimin e saktë të shkrimit të shenjtë?

  • Ku mund t’i gjejmë mësimet e profetëve rreth kuptimit të asaj që e lexojmë në shkrimet e shenjta? (Përgjigjet mund të përfshijnë që ne i gjejmë mësime të tilla në bisedat e konferencave të përgjithshme dhe në revistat e Kishës e në botime të tjera të Kishës.)

Teksa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 77 tregon se fjalët e profetëve, të shënuara në shkrimet e shenjta, mund të ndihmojnë për të shpjeguar shkrime të tjera të shenjta. Shumë herë, fjalët e një profeti, të shënuara në një fragment të shkrimit të shenjtë, do të shpjegojnë ose interpretojnë atë që është zbuluar në një fragment tjetër. Shpjegoni se poshtëshënimet që përmbahen në shkrimet e shenjta, shpesh sigurojnë referenca për këto fragmente të dobishme.

Për ta ilustruar këtë pikë, ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Zbulesën 5:1, duke kërkuar atë që Gjoni pa në dorën e njeriut që ishte i ulur në fron. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që kanë gjetur. Nëse studentët po përdorin botimin për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të variantit të Biblës së Mbretit Xhejms, ftojini të kthehen te shkrimi i shenjtë, i referuar te poshtëshënimi b për Zbulesën 5:1 (DeB 77:6). Nëse studentët nuk e kanë në dispozicion botimin SHDM të Biblës së Mbretit Xhejms, ftojini të kthehen drejtpërsëdrejti te Doktrina e Besëlidhje 77:6 pasi ta përshkruajnë atë që gjetën te Zbulesa 5:1.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 77:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjet e Jozef Smithit rreth Zbulesës 5:1, si edhe përgjigjet e Zotit. (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se 7000 vjetët i referohen kohës që nga Rënia e Adamit dhe Evës. Nuk i referohen moshës së mirëfilltë të tokës duke përfshirë periudhat e krijimit.)

Kërkojuni studentëve të përdorin vetë fjalët e tyre për t’i përmbledhur pyetjet dhe përgjigjet. Pasi ta kenë plotësuar këtë veprimtari, vini në dukje se në ç’mënyrë përdorimi i poshtëshënimeve teksa i studiojmë shkrimet e shenjta, mund të na ndihmojë të zbulojmë atë që profetët kanë thënë rreth shkrimeve të shenjta që po lexojmë.

Vini në dukje se, ndonëse vetëm profetët e kanë autoritetin që t’i interpretojnë shkrimet e shenjta për botën, secili prej nesh duhet të kërkojë kuptueshmëri dhe zbatim vetjak, teksa i studiojmë shkrimet e shenjta individualisht.

  • Si mund ta përqasim atë që bëri Jozef Smithi, teksa e studioi dhe e përsiati librin e Zbulesës, me studimin tonë vetjak të shkrimeve të shenjta? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të tillë si ai që vijon: Nëse i kërkojmë Zotit, Ai mund të na ndihmojë t’i kuptojmë shkrimet e shenjta.)

  • Përse është e rëndësishme që të hetojmë për domethënien e saktë të shkrimeve të shenjta dhe më pas të kërkojmë zbatimin vetjak?

Kërkojuni studentëve të përsiatin për një rast kur i kanë kërkuar Zotit që t’i ndihmonte t’i kuptonin shkrimet e shenjta dhe mënyrën se si t’i zbatonin mësimet nga shkrimet e shenjta për vetë rrethanat e tyre. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

Shpjegoni se pjesa vijuese e Doktrinës e Besëlidhjeve 77 përmban më shumë pyetje që i bëri Jozef Smithi rreth librit të Zbulesës dhe përgjigjet e Zotit ndaj këtyre pyetjeve. Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 77:8–15 duke iu treguar studentëve se kjo zbulesë e lejoi Jozef Smithin që të mësonte rreth disa prej ngjarjeve që do të ndodhin përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.

Bëjini me dije studentët se kur ta studiojnë librin e Zbulesës në të ardhmen, përgjigjet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 77 mund t’i ndihmojnë ta kuptojnë domethënien e gjuhës figurative, simbolike në libër.

Mbylleni këtë mësim duke dhënë dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet e diskutuara në këtë mësim ose duke treguar një përvojë që e keni pasur si rrjedhim i drejtimit te Zoti për ndihmë në të kuptuarin e shkrimeve të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 77. Libri i Zbulesës

Gjoni, i cili njihej edhe si Gjoni, i Dashuri, dhe Gjon Zbuluesi, mori një zbulesë ndërkohë që ishte i burgosur në ishullin e Patmosit ngaqë kishte dëshmuar për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij (shih Zbulesa 1:9–10). Kjo zbulesë është shënuar në librin e Zbulesës.

Përshkrimi vijues nga Bible Dictionary [Fjalori Biblik] ndihmon për ta shpjeguar librin e Zbulesës:

“Gjithashtu i njohur si Apokalipsi, një fjalë greke që do të thotë i zbuluar ose i nxjerrë në pah. Mesazhi i librit të Zbulesës është i njëjtë me atë të të gjithë shkrimit të shenjtë: do të ketë një ngadhënjim përfundimtar të Perëndisë mbi djallin në këtë tokë; një fitore të patundshme të së mirës mbi të ligën, të shenjtorëve mbi përndjekësit e tyre, të mbretërisë së Perëndisë mbi mbretëritë e njerëzve dhe të Satanit. Kjo është tema për të cilën kanë shkruar Amosi, Isaia, Jeremia, Ezekieli, Danieli, Pali, Pjetri dhe të gjithë profetët. Ata folën për një ditë fitoreje që do të vinte dhe se fundi do të ishte më i mirë (më i lavdishëm) se fillimi. Fitorja do të arrihet nëpërmjet Jezu Krishtit.

E tillë është tema e Zbulesës. Hollësitë rreth bishave, luftërave, engjëjve, njerëzve, etj., luajnë rol në zhvillimin e kësaj teme. Me pak studim, tema mund të kuptohet edhe nëse hollësitë nuk përcaktohen tërësisht. Mund të jetë në këtë kuptim që Profeti Jozef Smith tha se Zbulesa ishte ‘një nga librat më të qartë që Perëndia e bëri të shkruhej ndonjëherë’ (HC 5:342). Megjithatë, sa më plotësisht që i kuptojmë hollësitë, aq më i madh do të jetë vlerësimi për temën. Nëse nuk arrijmë të fitojmë një ide rreth temës, ne dështojmë në të kuptuarin tonë, pavarësisht nga sa shumë hollësi jemi në gjendje t’i kuptojmë” (Bible Dictionary, “Revelation of John”).

Doktrina e Besëlidhje 77. Studimi dhe mësimdhënia nga libri i Zbulesës

Jozef Smithi shpalli se libri i Zbulesës ishte “një nga librat më të qartë që Perëndia e bëri të shkruhej ndonjëherë” (në History of the Church, 5:342). Kur e bëri këtë deklarim, ai po fliste në një konferencë të përgjithshme të Kishës. Ai ia drejtoi disa nga komentet e tij Plakut Pelatia Braun, i cili ishte akuzuar për predikimin e një doktrine të rreme rreth librit të Zbulesës. Ai e këshilloi Plakun Braun dhe misionarët e tjerë që të mos jepnin mësim rreth simboleve dhe hollësive të veçanta në libër dhe, në vend të kësaj, të predikonin parimet bazë të ungjillit. Këshilla e Profetit është gjithashtu domethënëse për ne kur i studiojmë shkrimet e shenjta dhe japim mësim prej tyre:

Profeti Jozef Smith

“Nuk është shumë thelbësore për pleqtë që të kenë njohuri lidhur me kuptimin e bishave dhe të kokëve e brirëve, dhe të figurave të tjera të përdorura në zbulesat [nga Gjon Zbuluesi]. …

… Shpallni parimet e para dhe lërini të fshehtat mënjanë, që të mos ngatërroheni. Kurrë mos u përzieni me vegimet e bishave dhe çështjet që nuk i kuptoni. Plaku Braun, kur të shkoni në Palmira, mos thoni asgjë rreth katër bishave, por predikoni ato gjëra për të cilat ju ka thënë Zoti të predikoni – pendim dhe pagëzim për heqjen e mëkateve” (në History of the Church, 5:340, 344).