Seminare dhe Institute
Mësimi 64: Doktrina e Besëlidhje 58:34–65


Mësimi 64

Doktrina e Besëlidhje 58:34–65

Hyrje

Në përgjigje të pyetjeve të pleqve rreth mënyrës se si të vazhdonin me ndërtimin e qytetit të Sionit, më 1 gusht 1831 Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 58. Vargjet 34–65 përmbajnë udhëzime mbi të jetuarit e ligjit të përkushtimit për ata që ishin shpërngulur në Sion. Në këto vargje Zoti dha gjithashtu mësim parimet e pendimit, i urdhëroi pleqtë të predikonin ungjillin dhe i këshilloi ata lidhur me mënyrën se si ta ndërtonin Sionin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Në mësimin e mëparshëm studentët u ftuan të përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë diçka të mirë përpara orës së sotme mësimore. Ndiqeni ecurinë e kësaj ftese duke u kërkuar studentëve të tregojnë përvojat e tyre kur ata zgjodhën që të “përfshi[heshin] me zell” (DeB 58:27) për të bërë mirë.

Doktrina e Besëlidhje 58:34–43

Zoti jep udhëzime lidhur me Sionin dhe jep mësim parimet e pendimit

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Çfarë do të thotë të pendohesh?

Ftojini disa studentë t’i përgjigjen kësaj pyetje. Më pas shkruani në tabelë pyetjet vijuese: Si mund ta di nëse jam penduar plotësisht? Si mund ta di nëse Zoti i ka falur mëkatet e mia?

Ftojini studentët që t’i shkruajnë këto pyetje në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni atyre që të gjejnë disa minuta për të shkruar përgjigje për secilën prej tyre. Pas një kohe të mjaftueshme i njoftoni ata se do të kenë mundësi për t’i parë sërish përgjigjet e tyre më vonë gjatë mësimit.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 58:34–37 duke shpjeguar se shumë prej pleqve që kishin udhëtuar për në Misuri dhe do të jetonin atje, donin të dinin se çfarë duhej të bënin për të planifikuar, organizuar dhe ndërtuar qytetin e Sionit. Zoti i udhëzoi ata që po shpërnguleshin në Misuri, të jepnin paratë dhe pronat e tyre për kauzën e ndërtimit të Sionit. Martin Harrisi u udhëzua të ishte një shembull në dhënien e parave peshkopit. Ai dhuroi një shumë të madhe parash për ta ndihmuar Peshkopin Eduard Partrixh që të blinte toka për Kishën.

Shkruani në tabelë emrat vijues: Martin Harris, Uilliam W. Felps dhe Ziba Piterson. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:38–41, 60. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar këshillën që Zoti i dha Martin Harrisit, Uilliam W. Felpsit dhe Ziba Pitersonit ndërsa përgatiteshin për të ndërtuar Sionin.

Ndërsa studentët i përgjigjen pyetjeve vijuese, shkruajini përgjigjet e tyre nën emrin e duhur në tabelë.

  • Për çfarë mëkati tha Zoti që Martin Harrisi ishte fajtor? Çfarë i tha Zoti atij të bënte?

  • Për çfarë mëkatesh tha Zoti që Uilliam W. Felpsi ishte fajtor? Çfarë i tha Zoti atij të bënte? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “kërkon të duket” [vargu 41] nuk do të thotë që po bëjmë më të mirën tonë ose po përpiqemi të përmirësohemi. Më saktë, kjo frazë i referohet një dëshire të padrejtë, krenare për t’u dukur më të mirë ose më të rëndësishëm sesa njerëzit e tjerë.)

  • Çfarë po përpiqej të bënte Ziba Pitersoni me mëkatet e tij?

Vini në dukje se mëkatet e këtyre burrave po kërcënonin që t’i pengonin ata nga dhënia e ndihmës për të ngritur Sionin.

  • Cilat janë disa mënyra se si mëkatet tona mund ta kufizojnë aftësinë tonë për t’i shërbyer Zotit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:42. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti dha mësim rreth pendimit.

  • Sipas këtij vargu, çfarë na premton Zoti nëse pendohemi për mëkatet tona? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse pendohemi për mëkatet tona, Zoti do të na falë dhe nuk do t’i kujtojë më mëkatet tona. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që na e mësojnë këtë parim në vargun 42.)

  • Për cilin nga mëkatet tona zbatohet ky parim? (Për të gjitha ato.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për fjalë ose fraza që kanë lidhje me parimin e shkruar në tabelë.

Presidenti Bojd K. Paker

“Pavarësisht se cilat kanë qenë shkeljet tona, pavarësisht se sa shumë mund të jenë lënduar të tjerët nga veprimet tona, ai faj mund të harrohet i gjithi. Për mua, ndoshta fraza më e bukur në të gjithë shkrimin e shenjtë është kur Zoti tha: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato’ [DeB 58:42].

Ky është premtimi i ungjillit të Jezu Krishtit dhe i Shlyerjes” (“Shlyerja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 77).

Drejtojini studentët te pyetjet e shkruara në tabelë.

  • Në ç’mënyrë ndihmon premtimi i Zotit te vargu 42 për t’iu përgjigjur pyetjes së tretë: Si mund ta di nëse Zoti i ka falur mëkatet e mia? (Premtimi i Zotit na ndihmon të dimë se Ai gjithmonë jep falje kur ne pendohemi plotësisht.)

  • Përveç dijenisë se Zoti na ka premtuar falje kur pendohemi plotësisht, në ç’mënyrë tjetër mund ta dimë se jemi falur?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien që vijon nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si mund ta dinë kur Zoti i ka falur mëkatet e tyre.

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Sapo ne të jemi penduar vërtet, Krishti do të heqë barrën e fajit për mëkatet tona. Ne mund ta dimë vetë se ne jemi falur dhe bërë të pastër. Fryma e Shenjtë do të na e vërtetojë këtë; Ai është Shenjtëruesi. Asnjë dëshmi tjetër për falje nuk mund të jetë më e madhe” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 101; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 125).

  • Si e ka bekuar jetën tuaj dijenija se ju mund të faleni për të gjitha mëkatet tuaja?

Shpjegojuni studentëve se disa njerëz mendojnë gabimisht që, nëse ata mund t’i kujtojnë ende mëkatet e tyre, atëherë ata nuk janë penduar plotësisht. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf. Kërkojini klasës të dëgjojë arsyen përse ne mund t’i kujtojmë mëkatet tona edhe pasi jemi penduar.

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Satani do të përpiqet të na bëjë të besojmë se mëkatet tona nuk na falen ngaqë ne mund t’i kujtojmë ato. Satani është një gënjeshtar; ai përpiqet të na errësojë shikimin tonë dhe të na largojë nga shtegu i pendimit dhe i faljes. Perëndia nuk na premtoi se ne nuk do t’i kujtonim mëkatet tona. Të kujtuarit do të na ndihmojë të shmangim bërjen përsëri të të njëjtave gabime. Por nëse qëndrojmë të vërtetë dhe besnikë, kujtimi i mëkateve tona do të zbutet me kalimin e kohës. Kjo do të jetë pjesë e procesit të nevojshëm të shërimit dhe të shenjtërimit” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, f. 125).

Vini në dukje se premtimi i shkruar në tabelë është i kushtëzuar. Ne mund ta marrim faljen e Zotit vetëm nëse bëjmë çdo gjë që mundemi për t’u penduar plotësisht për mëkatet tona.

  • Çfarë do të thotë të pendohesh? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët që t’u drejtohen sërish përgjigjeve që ata shkruan për pyetjet në tabelë.)

Pasi studentët të përgjigjen, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë. Kërkojini klasës të dëgjojë për gjërat e tjera që mund të mësojnë rreth asaj që do të thotë të pendohesh.

“Pendimi është më shumë se thjesht pranimi nga dikush se ka bërë gjëra të gabuara. Është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës. Ai përfshin largimin nga mëkati dhe kthimin tek Perëndia për falje. Ai vjen nga dashuria për Perëndinë dhe dëshira e sinqertë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij” (Për Forcën e Rinisë [broshurë 2011], f. 28).

Shpjegoni se pendimi i vërtetë përfshin disa kërkesa. Dy nga këto kërkesa përmenden te Doktrina e Besëlidhje 58:43. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë atë varg. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar dy gjërat që duhet të bëjmë për t’u penduar plotësisht për mëkatet tona.

  • Sipas vargut 43, cilat janë dy gjërat që duhet të bëjmë për t’u penduar plotësisht për mëkatet tona? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Që të pendohemi, ne duhet t’i rrëfejmë dhe braktisim mëkatet tona. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Në ç’mënyrë na ndihmon kjo e vërtetë për t’iu përgjigjur pyetjes: Si mund ta di nëse jam penduar plotësisht? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se rrëfimi dhe braktisja e mëkateve janë thelbësore për pendimin e plotë.)

  • Çfarë do të thotë t’i rrëfejmë mëkatet tona?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë t’i rrëfejmë mëkatet tona, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Rrëfimi dhe braktisja janë koncepte të fuqishme. Janë shumë më tepër se të thuash me raste: ‘E pranoj; më vjen keq’. Rrëfimi është një njohje e thellë, nganjëherë pikëlluese, e gabimit dhe e fyerjes ndaj Perëndisë dhe njeriut” (“Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 40).

  • Si na ndihmon rrëfimi i mëkateve tona që të largohemi nga mëkati dhe të kthehemi te Perëndia për falje?

Si pjesë e këtij diskutimi, studentët mund të pyesin veten se cilat mëkate duhet të rrëfehen dhe kujt t’i rrëfehen. Shpjegoni se ne duhet t’ia rrëfejmë të gjitha mëkatet tona Atit Qiellor. Shkeljet serioze, të tilla si shkelja seksuale ose përdorimi i pornografisë, duhet gjithashtu të rrëfehen te peshkopi ose presidenti juaj i degës.

Drejtojini studentët tek e vërteta e fundit që shkruat në tabelë.

  • Çfarë do të thotë t’i braktisim mëkatet tona? (Të largohemi plotësisht nga mëkatet tona dhe të mos i bëjmë më ato.)

Dëshmoni për Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe parimet e pendimit e të faljes që keni diskutuar. Ftojini studentët të përsiatin nëse ka mëkate për të cilat duhet të pendohen dhe nxitini të pendohen duke vepruar sipas të vërtetave që kanë mësuar.

Doktrina e Besëlidhje 58:44–65

Zoti i urdhëron pleqtë që të predikojnë ungjillin dhe i këshillon ata lidhur me mënyrën se si të ndërtojnë Sionin

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 58:49–62 duke shpjeguar se Zoti u tha pleqve që do të qëndronin në Misuri se ata duhej të blinin toka dhe të përgatiteshin për mbledhjen e shenjtorëve në Misuri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:46–47, 63–65. Vëreni klasën të kërkojë këshillën që Zoti u dha pleqve që do të ktheheshin në Ohajo.

  • Sipas vargjeve 46–47, çfarë duhej të bënin pleqtë kur të ktheheshin në Ohajo?

  • Sipas vargut 64, kujt duhej t’i predikohej ungjilli? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Ungjilli duhet t’i predikohet çdo personi. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që e japin mësim këtë të vërtetë në vargun 64.)

Nxitini studentët të ndjekin mbresat e Shpirtit për t’u folur për të vërtetat e ungjillit njerëzve përreth tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 58:39. “Pendoh[uni]”

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se pendimi është më shumë se sa thjesht një listë e gjërave për të bërë:

Plaku Diter F. Uhtdorf

“Përpjekjet për të krijuar një listë të hapave të veçantë për pendim, mund të jenë të dobishme për disa, por kjo gjithashtu mund të çojë në një trajtim mekanik e formal, pa ndjenjë ose ndryshim të vërtetë. Pendimi i vërtetë nuk është sipërfaqësor. Zoti jep dy kërkesa gjithëpërfshirëse: ‘Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato’ (DeB 58:43)” (“Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 39–40).

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se çfarë do të thotë të pendohesh:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Doktrina e pendimit është shumë më e gjerë sesa një përkufizim i fjalorit. Kur Jezusi tha ‘pendohuni’, dishepujt e Tij e shënuan atë urdhëresë në gjuhën greke me fjalën metanoeo. Kjo fjalë e rëndësishme ka domethënie të madhe. Në këtë fjalë, parashtesa meta do të thotë ‘ndryshim’. Prapashtesa ka të bëjë me katër terma të rëndësishëm të greqishtes: nous që do të thotë ‘mendje’, gnosis që do thotë ‘njohuri’, pneuma që do të thotë ‘shpirt’ dhe pnoe që do thotë ‘frymë’.

Pra, kur Jezusi tha ‘pendohuni’, Ai na kërkoi të ndryshojmë – të ndryshojmë mendjen, njohurinë dhe shpirtin tonë – madje edhe frymën tonë. Një profet shpjegoi se një ndryshim i tillë në frymën e një njeriu do të thotë të marrësh frymë me një pranim mirënjohës ndaj Atij që i jep frymë secilit. Mbreti Beniamin tha: ‘Në qoftë se ju do t’i shërbeni atij që ju ka krijuar … dhe po ju ruan nga dita në ditë, duke ju dhënë frymë … nga një çast në tjetrin – unë them, nëse ju do t’i shërbeni atij me gjithë shpirtrat tuaj, akoma ju do të ishit shërbëtorë të padobishëm.’ [Mosia 2:21.]

Po, Zoti na ka urdhëruar të pendohemi, të ndryshojmë udhët tona, të vijmë tek Ai dhe të bëhemi më shumë si Ai. [Shih 3 Nefi 27:21, 27.] Kjo kërkon një ndryshim të plotë” (“Pendimi dhe Kthimi në Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 103; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 128).

Doktrina e Besëlidhje 58:42. “Nuk i kujtoj më ato”

Plaku F. Bartën Hauard, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një përvojë që ai e pati, në të cilën mësoi se pas pendimit, Zoti me të vërtetë nuk e kujton më mëkatin tonë:

Plaku F. Bartën Hauard

“Një histori të fundit – sërish nga koha kur isha peshkop. Një natë, ndërsa isha në gjumë të thellë, ra zilja e derës. Me ngathtësi e hapa derën dhe atje gjeta një anëtar të ri të kuorumit tim të priftërinjve. E njihja shumë mirë, aq mirë sa të kisha bërë shëtitje me të, isha lutur me të e për të dhe t’i kisha dhënë mësim atij. E njihja aq mirë sa një peshkop i mirë e njeh çdo prift aktiv tetëmbëdhjetëvjeçar, që të më mjaftonte për ta pyetur se çfarë bënte tek dera ime në mes të natës.

Ai tha: ‘Duhet të flas me ju, peshkop. Sapo kam bërë diçka të rëndë dhe nuk mund të shkoj në shtëpi.’

Ai kishte të drejtë. Ishte diçka e rëndë. E ftova të hynte brenda dhe ne biseduam. Ai fliste dhe unë dëgjoja, pastaj unë flisja dhe ai dëgjonte, deri në të gdhirë. Ai kishte shumë pyetje. Kishte bërë një mëkat të tmerrshëm. Ai donte të dinte nëse kishte shpresë. Donte të dinte se si të pendohej. Donte të dinte nëse pendimi përfshinte që t’ia tregonte prindërve të tij. Donte të dinte nëse kishte ndonjë mundësi për të shkuar në mision. Donte të dinte shumë gjëra të tjera.

Unë nuk i kisha të gjitha përgjigjet, por i thashë se kishte shpresë. I thashë se kthimi do të ishte i vështirë, por ishte i mundur. I shpjegova se çfarë dija rreth procesit të pendimit dhe e ndihmova të shihte se çfarë duhej të bënte ai. I thashë se, në qoftë se vërtet donte të shkonte në mision, ai vendim mund të bëhej vetëm në të ardhmen pasi të ishte penduar. Më pas i thashë të shkonte në shtëpi dhe ai shkoi.

Ua shpjegoi situatën prindërve të tij. Kërkoi faljen e atyre ndaj të cilëve kishte gabuar. Ai e la prapa mëkatin dhe shoqërinë e keqe, dhe bëri çfarë mundi për t’u penduar.

Pak më vonë se një vit, pesë të rinj nga ai kuorum shkuan në mision. Ai ishte njëri prej tyre. Isha i afërt me të gjithë ata. Mora pjesë në lamtumirën e secilit prej tyre. Të gjithë ata shërbyen misione me nder. Brenda një kohe të shkurtër pasi u kthyen në shtëpi, të gjithë ata u martuan në tempull. Unë dhe bashkëshortja ime morëm pjesë në secilën ceremoni. Edhe sot mund të marr një copë letër dhe t’i shkruaj emrat e tyre, emrat e bashkëshorteve të tyre dhe të disa prej fëmijëve të tyre. Ja sa mirë i njoh ata.

Por tani më lejoni t’ju tregoj diçka – diçka shumë vetjake dhe shumë të rëndësishme. Mua nuk më kujtohet emri i të riut që erdhi në shtëpinë time në mes të natës. E di që ishte njëri prej të pestëve, por nuk më kujtohet se cili ishte.

Pati një kohë kur shqetësohesha rreth kësaj. Mendova se mos më kishte lënë kujtesa. Në mënyrë të ndërgjegjshme u përpoqa të kujtoj se kush e kishte problemin, por nuk më kujtohej.

Përfundimisht u lirova si peshkop dhe e harrova fare të gjithë ndodhinë. Disa vite më vonë, kur po shëtitja në mbrëmje vonë, e gjeta veten në lagjen ku dikur kisha qenë peshkop. Errësira e qetë më ktheu shumë kujtime. Isha zhytur në mendime kur kuptova se isha duke ecur përpara shtëpisë ku një nga priftërinjtë e mi kishte jetuar vite më parë. Papritur, historia e të riut që unë përmenda, më erdhi në mendje dhe u përpoqa sërish të kujtoja se cili nga ata të pestë kishte qenë. A kishte jetuar në atë shtëpi? Pyeta veten. Përse nuk më kujtohej?

Ndërsa vazhdova udhën time, ndodhi diçka – diçka e vështirë për t’u shpjeguar, por e vërtetë për mua. U duk sikur dëgjova një zë që tha: ‘Nuk e kupton, biri im? Unë e kam harruar atë. Përse duhet ta kujtosh ti?’

U hidhërova. Nuk kisha asnjë përgjigje të kënaqshme për pyetjen. Nuk kam menduar më kurrë për të. Dhe e dija në mënyrë më të sigurt nga ç’e kisha ditur ndonjëherë, se Zoti kënaqet kur fëmijët e Tij kthehen tek Ai.

Të gjithë ata që janë barinj dhe të gjitha delet e humbura duhet të mbajnë mend këtë gjë të fundit. Zoti e pati me të vërtetë kur tha: ‘Ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato (DeB 58:42)’” (“Come Back to the Lord”, Ensign, nëntor 1986, f. 77–78).

Doktrina e Besëlidhje 58:43. “Do t’i rrëfejë ato”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi kërkesat e rrëfimit:

Plaku Riçard G. Skot

“Ju gjithmonë duhet t’ia rrëfeni mëkatet tuaja Zotit. Nëse janë shkelje të rënda, të tilla si imoraliteti [seksual], ato duhet t’i rrëfehen peshkopit apo presidentit të kunjit. Ju lutemi kuptojeni që rrëfimi nuk është pendim. Është një hap thelbësor, por vetë ai nuk është i mjaftueshëm. Rrëfimi i pjesshëm duke përmendur gabime më të vogla nuk do t’ju ndihmojë të zgjidhni një shkelje më të rëndë, të mbajtur të fshehtë. Për faljen është thelbësore gatishmëria që t’ia zbuloni tërësisht Zotit dhe, ku është e nevojshme, gjykatësist të Tij të priftërisë, gjithçka që ju keni bërë” (“Finding Forgiveness”, Ensign, maj 1995, f. 76).

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim për rëndësinë e sinqeritetit dhe të ndershmërisë së plotë kur i rrëfejmë mëkatet tona:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Askush nuk mund të falet ndonjëherë për ndonjë shkelje derisa të ketë pendim, dhe një njeri nuk është penduar derisa ai ta ketë zhveshur shpirtin e tij dhe t’i ketë pranuar qëllimet dhe dobësitë e tij pa justifikime apo arsyetime” (Love versus Lust, Brigham Young University Speeches of the Year [5 janar 1965], f. 10).

Doktrina e Besëlidhje 58:43. Përse disa mëkate duhet të rrëfehen te një udhëheqës i autorizuar i priftërisë?

Si president i Priftërisë Aarone në lagje, një peshkop apo president dege mban çelësat e pendimit për njerëzit e lagjes së tij. Peshkopët dhe presidentët e degës i përdorin çelësa të tillë për të përcaktuar qëndrimin e një individi në Kishë dhe e ndihmojnë personin në procesin e pendimit. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha ide shtesë për qëllimin e rrëfimit të mëkateve të rënda tek udhëheqësit e autorizuar të priftërisë:

Plaku Riçard G. Skot

“Një shkelje e rëndë, e tillë si imoraliteti, kërkon ndihmën e dikujt që mban çelësat e autoritetit, të tillë si një peshkop apo president kunji, për të vazhduar qetësisht procesin e pendimit që të sigurohet që pendimi është i plotë dhe i bërë siç duhet” (“The Power of Righteousness”, Ensign, nëntor 1998, f. 69–70).

Doktrina e Besëlidhje 58:43. “Do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se çfarë do të thotë të pendohemi për mëkatet tona:

Plaku Nil L. Andersen

“Braktisja e mëkateve nënkupton moskthimin kurrë tek ato. Braktisja kërkon kohë. Që të na ndihmojë, Zoti, me raste, e lejon pjesën e mbetur të gabimeve tona që të qëndrojë në kujtesën tonë. Kjo është një pjesë jetike e të [mësuarit] tonë në vdekshmëri.

Kur i rrëfejmë ndershmërisht mëkatet tona, kur ia kthejmë atë që mundet personit të cenuar dhe i braktisim mëkatet tona nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve, ne jemi në procesin e marrjes së faljes. Me kalimin e kohës, ne ndiejmë që ankthi i trishtimit tonë qetësohet, duke e ‘nxjerrë fajin nga zemrat tona’ [Alma 24:10] e duke sjellë ‘paqe të ndërgjegjes’. [Mosia 4:3.]

Për ata që janë vërtet të penduar, por duken se nuk janë në gjendje të ndiejnë lehtësim: vazhdoni të mbani urdhërimet. Ju premtoj, lehtësimi do të vijë në kohën e duhur të Zotit. Shërimi gjithashtu kërkon kohë” [“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 42].)