Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 121–123; Ngritja e Navusë (Njësia 26)
Hyrje
Në këtë mësim studentët do të shqyrtojnë disa nga mësimet e dhëna te Doktrina e Besëlidhje 121–122, të cilat mund të na ndihmojnë kur përjetojmë vështirësi në jetë. Ata gjithashtu do të zbulojnë se përndjekja mund të ndikojë në punën e Perëndisë për të shkuar përpara në vend që ta ndalë përparimin e saj. Në fund, studentët do të mësojnë rreth ngritjes së Shoqatës së Ndihmës në Navu të Ilinoisit dhe do të tregojnë për mënyra se si Shoqata e Ndihmës i bekon njerëzit sot.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 121–122
Shenjtorët mësuan mësime të rëndësishme nga përvojat e tyre me përndjekjen
Në tabelë, shkruani Urdhri i shfarosjes, Mulliri i Hanit dhe Burgu i Libertisë. Ftojini studentët t’i përdorin këto fjalë për të përmbledhur atë që kanë mësuar rreth përndjekjeve që shenjtorët i përjetuan në Misuri në vitet 1838–1839.
Shkruani në tabelë Doktrinën e Besëlidhjet 121:7–10; 122:7–9. Kujtojuni studentëve se në këto vargje Zoti i zbuloi parime Profetit Jozef Smith për ta ngushëlluar atë dhe shenjtorët gjatë sprovave të tyre. Ftojini studentët t’i lexojnë këto vargje në heshtje, duke kërkuar mënyra se si mësimet në këto vargje mund t’i ndihmojnë ata gjatë kohëve të sprovës. Ftojini disa studentë të tregojnë atë që gjejnë.
Gjatë javës, studentët studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 121:36, 41–42, që është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni t’iu kërkoni atyre ta rishikojnë atë duke e recituar së bashku vargun 36. Ju gjithashtu mund të merrni parasysh që t’u kërkoni atyre të renditin veprime të drejta të cilat Zoti i përmendi në vargjet 41–42.
-
Kë njihni që është një shembull i këtyre parimeve të drejta?
Shprehni vlerësimin që ndieni për mbajtësit e drejtë të priftërisë dhe për bekimet që të gjithë njerëzit mund t’i marrin nëpërmjet fuqisë së priftërisë.
Ngritja e Navusë
Kërkojuni studentëve të përmendin gjërat që mund ta shuajnë një zjarr. Më pas i pyesni se çfarë mund ta bëjë një zjarr të ndizet më fort. Shpjegoni se Jozef Smithi e krahasoi punën e Perëndisë me një zjarr.
-
A mendoni se përndjekjet që shenjtorët i përjetuan në Misuri, ishin si uji që filloi ta shuante punën e Perëndisë apo si benzina që e ndihmoi të ndizej më fort? Përse?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën vijuese nga Profeti Jozef Smith. Shpjegoni se Profeti e shkroi këtë deklaratë në një letër drejtuar redaktorit të një gazete, të quajtur Xhon Uentuorth, më 1 mars 1842.
“Përndjekja nuk e ka ndaluar përparimin e së vërtetës, por vetëm i ka hedhur benzinë zjarrit. …
… Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë; përndjekjet mund të egërsohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të jetë futur në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye” (në History of the Church, 4:540).
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo thënie? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por theksoni sa vijon: Asgjë nuk do ta ndalë përparimin e punës së Perëndisë anembanë tokës.)
-
Çfarë provash të këtij parimi shihni sot?
-
Në çfarë mënyrash mund të merrni pjesë në përparimin e punës së Perëndisë?
Shpjegoni se në kohën kur Profeti Jozef Smith e shkroi këtë profeci në letrën e tij drejtuar Xhon Uentuorthit, Zoti kishte filluar të thërriste misionarë për ta predikuar ungjillin në vende të ndryshme. Ajo profeci filloi të përmbushej ndërkohë që mijëra njerëz – kryesisht nga Britania e Madhe – u pagëzuan. Anëtarët e rinj i sollën forcë të madhe Kishës dhe shumë prej tyre udhëtuan që të bashkoheshin me shenjtorët në Navu.
Vëreni në dijeni klasën se në Navu të Ilinoisit, gratë e Kishës ishin një forcë e madhe në përparimin e punës së Zotit. Ftojeni një student të lexojë dy paragrafët vijues:
Në vitin 1842, disa gra në Navu të Ilinoisit u mblodhën për të diskutuar mbi mënyrat se si mund të ndihmonin në ndërtimin e Tempullit të Navusë. Ato formuan një shoqatë dhe më pas i kërkuan Profetit Jozef Smith mendimin e tij rreth saj. Ai e miratoi atë, por u frymëzua ta organizonte Shoqatën e Ndihmës “nën priftërinë, sipas modelit të priftërisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 481; shih edhe Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 12).
Ema Smithi u thirr të ishte presidentja e parë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. Motra Eliza R. Snou, që shërbeu si sekretarja e Shoqatës së Ndihmës në Navu dhe më vonë u thirr të shërbente si presidentja e dytë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim: “Edhe pse emri [Shoqata e Ndihmës] mund të jetë i një date moderne, institucioni është i një zanafille të lashtë. Ne na u tha nga [Profeti Jozef Smith] se e njëjta organizatë ekzistonte në kishën në lashtësi” (“Female Relief Society”, Deseret News, 22 prill 1868, f. 1; shih edhe Daughters in My Kingdom, f. 7).
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Shoqatës së Ndihmës nga thënia e Eliza R. Snout? (Teksa studentët përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Shoqata e Ndihmës është një pjesë e frymëzuar e Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit.)
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ne ta kuptojmë këtë të vërtetë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese lidhur me qëllimet e Shoqatës së Ndihmës:
“Shoqata e Ndihmës u krijua për të ndihmuar në përgatitjen e bijave të Perëndisë për bekimet e jetës së përjetshme. Qëllimet e Shoqatës së Ndihmës janë që të rritë besimin dhe drejtësinë vetjake, t’i forcojë familjet e shtëpitë dhe të sigurojë ndihmë duke i kërkuar e duke i ndihmuar njerëzit në nevojë” (Daughters in My Kingdom, f. xi).
Kërkojuni studentëve që të rishikojnë atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për ditën 4, detyra 7. (Atyre iu kërkua të flisnin me një anëtare të Shoqatës së Ndihmës dhe të shkruanin disa mënyra se si Shoqata e Ndihmës e ka bekuar jetën e saj dhe i ka dhënë asaj mundësi për të marrë pjesë në punën e Zotit.) Ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan nga kjo veprimtari.
Përfundojeni këtë mësim duke dhënë dëshminë tuaj për mënyrën se si përpjekjet e burrave dhe të grave besnike sot po e ndihmojnë punën e Zotit që të vazhdojë të shtrihet kudo në tokë. Ftojini studentët të jetojnë besnikërisht, që të mund të vazhdojnë të marrin pjesë në punën e Zotit.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 124–128)
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth rasteve kur ata kanë marrë pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit. Shpjegoni se shumë prej studimeve të tyre në javën e ardhshme do të jenë rreth Tempullit të Navusë dhe rivendosjes së ordinancës së pagëzimit për të vdekurit.