Seminare dhe Institute
Mësimi 152: Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe


Mësimi 152

Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe

Hyrje

Në vitin 1851, Plaku Frenklin D. Riçards, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe president i Misionit Britanik, botoi disa zbulesa, përkthime e shkrime të Jozef Smithit dhe e quajti përmbledhjen Perla me Vlerë të Madhe. Gjatë një konference të përgjithshme të Kishës në tetor 1880, Kisha e pranoi Perlën me Vlerë të Madhe si shkrim të shenjtë – pjesë të veprave standarde. “Perla me Vlerë të Madhe është një përzgjedhje e materialeve të rëndësishme lidhur me shumë aspekte domethënëse të besimit dhe doktrinës së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (Parathënia e Perlës me Vlerë të Madhe).

Sugjerime për Mësimdhënien

Dalja në dritë e Perlës me Vlerë të Madhe

Tregoni ose vizatoni figurën e një perle. Pyetini studentët nëse e dinë se si formohen perlat. Nëse nuk e dinë, shpjegoni se një perlë prodhohet brenda një goce deti, ndërkohë që goca i përgjigjet acarimit nga një lëndë e huaj, e tillë si një grimcë rëre. Goca prodhon një lëndë për ta rrethuar grimcën, e cila më së fundi formon një perlë. Perlat natyrale janë të rralla dhe konsiderohen të çmueshme.

perlë në guaskën e gocës së detit

Shpjegoni se sot studentët do të mësojnë rreth origjinës së librit të shkrimeve të shenjta të titulluar, Perla me Vlerë të Madhe. Ata do të zbulojnë disa arsye përse Perla me Vlerë të Madhe është e çmuar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë në parathënien e Perlës me Vlerë të Madhe. Vëreni klasën që të kërkojë atë që përmbahet në Perlën me Vlerë të Madhe. Përpara se të lexojnë, ju mund të dëshironi të shpjegoni se fjala periodikët u referohet gazetave ose revistave – botimeve që shpërndahen në mënyrë periodike, të tilla si ditore, javore ose mujore.

  • Në çfarë mënyrash mendoni se është e rrallë dhe e çmuar Perla me Vlerë të Madhe?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e dytë të parathënies. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar përse u përpilua Perla me Vlerë të Madhe. Ftojini ata të raportojnë mbi atë çka gjejnë.

Përmblidheni paragrafin e tretë të parathënies duke shpjeguar se, që nga botimi i parë i Perlës me Vlerë të Madhe, një pjesë e përmbajtjes është shtuar ose zhvendosur. Një pjesë e përmbajtjes së saj u shtua dhe më vonë u vendos te Doktrina e Besëlidhje.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin që fillon me frazën “Përzgjedhje nga Libri i Moisiut”. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si i mori Jozef Smithi zbulesat në këtë libër.

Ftojini studentët që t’i hedhin një sy të shpejtë librit të Moisiut dhe të gjejnë të paktën një varg që përmban një të vërtetë që ata e konsiderojnë të çmuar. Pas një kohe të mjaftueshme, Kërkojuni studentëve t’ua tregojnë vargjet e tyre shokëve ose të gjithë klasës.

Kërkojuni studentëve të kthehen te parathënia e Perlës me Vlerë të Madhe. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin që fillon me frazën “Libri i Abrahamit”. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si i mori Jozef Smithi shkrimet në librin e Abrahamit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Për të ndihmuar në shpjegimin e asaj se si i mori Jozef Smithi shkrimet e lashta në librin e Abrahamit, lexojeni vetë ose ftojeni një student të lexojë sa vijon:

“Më 3 korrik 1835, një burrë i quajtur Majkëll Çendler solli në Kirtland të Ohajos katër mumje egjiptiane dhe disa rrotulla papirusi të shkrimeve të lashta egjiptiane. Mumjet dhe papiruset ishin zbuluar në Egjipt disa vite më parë nga Antonio Lebolo. Kirtlandi ishte një nga ndalesat e shumta në pjesën lindore Shteteteve të Bashkuara për ekspozitën e mumjeve të Çendlerit. Çendleri po i ofronte për shitje mumjet dhe rrotullat e papirusit, dhe me nxitjen e Profetit Jozef Smith, disa anëtarë të Kishës dhuruan para për t’i blerë ato. Në një thënie të datës 5 korrik 1835, Jozef Smithi, duke shpallur rëndësinë e këtyre shkrimeve të lashta egjiptiane, shënoi: ‘E fillova përkthimin e disa prej karaktereve ose hieroglifeve dhe për gëzimin tonë të madh, gjeta se një prej rrotullave përmbante shkrimet e Abrahamit. … Me të vërtetë mund të themi, Zoti po fillon të zbulojë begatinë e paqes dhe të së vërtetës’ (History of the Church, 2:236)” (The Pearl of Great Price Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2000], f. 28).

Disa njerëz kanë vrarë mendjen se si i përktheu Profeti shkrimet e lashta. Shpjegoni që “Profeti Jozef Smith nuk e tregoi kurrë mënyrën e tij të përkthimit të këtyre analeve. Ashtu si me të gjitha shkrimet e tjera të shenjta, një dëshmi për vërtetësinë e këtyre shkrimeve është kryesisht një çështje besimi. Prova më e madhe e vërtetësisë së librit të Abrahamit nuk gjendet në një analizë të provave fizike, as në sfondin historik, por në marrjen parasysh plot lutje të përmbajtjes dhe fuqisë së tij” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 28). Edhe pse nuk e dimë metodën e saktë të përdorur nga Jozef Smithi për t’i përkthyer shkrimet, ne e dimë se ai e përktheu librin e Abrahamit nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

  • Përse është e rëndësishme që të fitojmë një dëshmi shpirtërore për vërtetësinë e librit të Abrahamit?

ikona e fletushkësPër pjesën vijuese të mësimit, merrni parasysh të ftoni dy studentë që të vijnë përpara klasës dhe të interpretojnë me role një gazetar lajmesh duke intervistuar një studiues, i cili i ka kushtuar shumë kohë studimit të përmbajtjes dhe origjinës së librave të Perlës me Vlerë të Madhe. Kërkojuni atyre të lexojnë shkrimin vijues:

Gazetari:Përse tha Jozef Smithi se kishte përkthyer shkrimet e Abrahamit edhe pse dorëshkrimet nuk i përkasin kohës së Abrahamit?

Studiuesi:Profeti Jozef Smith kurrë nuk shpalli se papiruset ishin me të vërtetë shkrimet e Abrahamit. Ai tha se libri i Abrahamit ishte “një përkthim i disa Analeve të lashta, të cilat na kanë rënë në dorë, nga Katakombet e Egjiptit, duke pretenduar të ishin shkrimet e Abrahamit, ndërkohë që ishte në Egjipt” (Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 704).

Në vitin 1966, njëmbëdhjetë fragmente papirusi, dikur të zotëruara nga Profeti Jozef Smith, u zbuluan në Muzeumin Metropolitan të Artit në Nju-Jork-Siti. Ato iu dhanë Kishës dhe janë analizuar nga studiuesit, të cilët i kanë datuar midis viteve rreth 100 pr.K. dhe 100 ps.K. Një kundërshtim i zakonshëm ndaj vërtetësisë së librit të Abrahamit është se dorëshkrimet nuk janë mjaft të vjetra që të jenë shkruar nga Abrahami, i cili jetoi pothuajse dymijë vjet para Krishtit. Jozef Smithi kurrë nuk shpalli se papiruset ishin autografike (të shkruara nga vetë Abrahami), as dhe që ato i përkisnin kohës së Abrahamit. Është e zakonshme që të referohen veprat e një autori si shkrimet ‘e tij’, qoftë kur ai i shkroi ato vetë, ua diktoi të tjerëve apo të tjerë njerëz i kopjuan më vonë shkrimet e tij” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 28).

Gazetari:Çfarë bëri Jozef Smithi me përkthimin e tij?

Studiuesi:“Libri i Abrahamit u botua fillimisht pak e nga pak në pjesë të shkëputura në Times and Seasons [Kohët dhe Stinët], një botim i Kishës, duke filluar nga marsi i vitit 1842 në Navu, në Ilinois (shih [parathënien] në fillim të Perlës me Vlerë të Madhe). Profeti Jozef Smith vuri në dukje se ai do të botonte më shumë nga libri i Abrahamit më vonë, por u martirizua përpara se të ishte në gjendje ta bënte këtë. Lidhur me gjatësinë e mundshme të përkthimit të përfunduar, njëherë Oliver Kaudëri tha se do të ishin të nevojshme ‘vëllime’ për ta përmbajtur atë (shih Messenger and Advocate, dhjetor 1835, f. 236).

Përveç shkrimeve në hieroglife, dorëshkrimi përmbante edhe vizatime egjiptiane. Më 23 shkurt 1842, Profeti Jozef Smith i kërkoi Ruben Hedlokut, një gdhendës druri profesionist dhe anëtar i Kishës, të përgatiste prerje druri për tre prej atyre vizatimeve, që ato të mund të shtypeshin. Hedloku i mbaroi gdhendjet brenda një jave dhe Jozef Smithi i botoi kopjet (faksimilet) së bashku me librin e Abrahamit. Faksimilet shoqërohen nga shpjegimet e Jozef Smithit për vizatimet” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 28–29).

Gazetari:Çfarë ndodhi me mumjet dhe papiruset?

Studiuesi:“Pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, të katër mumjet dhe papiruset u bënë pronë e nënës së ve të Jozefit, Lusi Mek Smithit” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 29). Pasi Lusi Mek Smithi vdiq, koleksioni iu shit një burri të quajtur Abel Kombs. Koleksioni mund të jetë shitur nga bashkëshortja e Jozef Smithit, Ema, ose mund të jetë shitur nga vëllai i tij, Uilliami. Z. Kombs ia shiti një pjesë të koleksionit një muzeumi në Seint-Luis, në Misuri. Ai i mbajti pjesët e tjera dhe, më vonë, i fali ato. (Shih The Pearl of Great Price Student Manual, f. 29; H. Donl Peterson, The Story of the Book of Abraham: Mummies, Manuscripts, and Mormonism [1995], f. 204–209, 257.)

“Janë dhënë disa teori lidhur me atë që u ndodhi … mumjeve dhe papiruseve. Duket se të paktën dy prej mumjeve u dogjën në zjarrin e madh të Çikagos të vitit 1871 (shih B. H. Roberts, New Witnesses for God, 3 vëll. [1909–1911], 2:380–382).

Në pranverën e hershme të vitit 1966, Dr. Aziz S. Atija, një profesor i Universitetit të Jutës, [solli në vëmendjen e Kishës disa fragmente të papiruseve të Jozef Smithit që u gjetën] në Muzeumin Metropolitan të Artit në Nju-Jork-Siti. Këto fragmente iu paraqitën Kishës nga drejtori i muzeumit më 27 nëntor 1967. Vendndodhjet e tanishme të mumjeve të tjera dhe të pjesëve të tjera të papiruseve nuk dihen [shih H. Donl Peterson, “Some Joseph Smith Papyri Rediscovered (1967)”, në Studies in Scripture, Volume Two: The Pearl of Great Price, red. Robert L. Millett dhe Kent P. Jackson (1985), f. 183–185]” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 29).

Ftojini studentët që t’i hedhin një sy të shpejtë librit të Abrahamit dhe të gjejnë të paktën një varg që ata e konsiderojnë të çmuar. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’ia tregojnë vargjet partnerëve të tyre ose të gjithë klasës.

Kërkojuni studentëve të kthehen përsëri te parathënia. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin që fillon me frazën “Joseph Smith – Mateu”. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si e mori Jozef Smithi këtë zbulesë. Ftojini studentët të raportojnë për gjetjet e tyre.

Shpjegoni se një arsye përse Joseph Smith – Mateu është i çmuar, është se përmban një prej fjalimeve të Shpëtimtarit lidhur me Ardhjen e Dytë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin që fillon me frazën “Joseph Smith – Historia”. Kërkojini klasës ta ndjekë për të gjetur se kur e përgatiti Jozef Smithi këtë histori.

Ftojini studentët që t’i hedhin një sy të shpejtë librit Joseph Smith – Historia dhe të gjejnë të paktën një varg që ata e konsiderojnë të çmuar. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’ua tregojnë vargjet partnerëve të tyre ose të gjithë klasës.

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok i pyet që të shpjegojnë brenda dy minutash gjërat që beson Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kërkojini klasës të shkruajnë në fletoren e klasës ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta se si do të përgjigjeshin. Pas disa minutash, ftojini dy studentë të lexojnë atë që kanë shkruar.

Vini në dukje se Nenet e Besimit sigurojnë një përmbledhje të mirë të gjërave që besojmë. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë origjinën e Neneve të Besimit, shpjegoni se më 1 mars 1842, Profeti Jozef Smith iu përgjigj një kërkese nga Xhon Uentuorth, një redaktor gazete, që të jepte informacion rreth vetes së tij dhe historisë e gjërave që besonte Kisha. Kjo njihet zakonisht si Letra e Uentuorthit. Në të, Jozefi shpalli 13 parime themelore të ungjillit. Këto gjëra që besojmë janë përfshirë në Perlën me Vlerë të Madhe si Nenet e Besimit. Edhe pse nuk janë një deklarim i të gjitha gjërave që besojmë, ato janë një komplet i rëndësishëm i doktrinave dhe parimeve.

Ndajini studentët në dyshe. Caktojini secilës dyshe të paktën një nen besimi. (Bazuar në nevojat e studentëve dhe madhësinë e klasës suaj, ju mund t’i caktoni secilës dyshe një ose më shumë nene besimi.) Kërkojini secilës dyshe të lexojë nenin e besimit të caktuar atyre dhe të ndjekë udhëzimet e mëposhtme. Ju mund të dëshironi të bëni kopje të këtyre udhëzimeve ose t’i shkruani ato në tabelë. Studentët mund t’i ndjekin këto udhëzime në fletoren e klasës apo në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  1. Pasi ta lexoni nenin e besimit që u është caktuar, shkruajeni me fjalët tuaja doktrinën ose parimin që na mëson.

  2. Gjeni një shkrim të shenjtë që e mbështet ose shpjegon doktrinën apo parimin në nenin tuaj të caktuar të besimit. Shkruajini idetë që shkrimi i shenjtë ia shton të kuptuarit tuaj për këtë parim.

  3. Rendisni mënyrat se si të kuptuarit dhe të besuarit e këtij neni të besimit mund të sjellë bekime në jetën e dikujt.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta përfunduar detyrën e tyre, i ftoni të raportojnë atë që kanë shkruar. Ju mund të dëshironi t’i shkruani në tabelë disa nga të vërtetat që ata përcaktojnë.

Ftojini studentët të tregojnë përvojat që kanë pasur kur Nenet e Besimit ose të vërtetat që ato përmbajnë, i kanë ndihmuar t’ia shpjegojnë ungjillin dikujt. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë tuajën.

Nxitini studentët të studiojnë e mësojnë përmendsh Nenet e Besimit. Ju mund të përdorni një prej veprimtarive të të mësuarit përmendsh që gjenden në shtojcën e këtij manuali, për t’i ndihmuar studentët që të mësojnë përmendsh si klasë një prej Neneve të Besimit. Nxitini studentët të përdorin njohurinë e tyre rreth Neneve të Besimit ndërsa u shpjegojnë të tjerëve gjërat që besojnë.

Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Perla me Vlerë të Madhe është provë s Jozef Smithi ishte një …

Ndihmojini studentët ta plotësojnë thënien duke bërë pyetjet në vijim:

  • Çfarë na mëson rreth Jozef Smithit ekzistenca e të vërtetave të çmuara në librin Perla me Vlerë të Madhe? (Plotësojeni në tabelë të vërtetën si vijon: Perla me Vlerë të Madhe është provë se Jozef Smithi ishte një profet, shikues dhe zbulues.)

  • Në çfarë mënyrash mendoni se Perla me Vlerë të Madhe është provë e thirrjes së Jozef Smithit si profet?

Dëshmoni se Perla me Vlerë të Madhe është provë se Jozef Smithi është një profet, shikues dhe zbulues. Ky libër na mëson të vërteta të çmueshme rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Libri i Abrahamit: provë e thirrjes hyjnore të Jozef Smithit

“Libri i Abrahamit është një provë e thirrjes së frymëzuar të Profetit Jozef Smith. Ai doli në një kohë kur studimi i gjuhës dhe kulturës së lashtë egjiptiane sa po fillonte. Studiuesit e viteve 1800 sapo kishin filluar ta hulumtonin fushën e egjiptiologjisë, dhe përsëri, pa asnjë lloj trajnimi shkollor në gjuhët e lashta dhe pa asnjë njohuri për Egjiptin e lashtë (përveç punës së tij me Librin e Mormonit), Jozef Smithi filloi përkthimin e vet të dorëshkrimeve të lashta. Njohuria dhe aftësia e tij erdhën nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Perëndisë, së bashku me vetë vendosmërinë dhe besimin e tij” (The Pearl of Great Price Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2000], f. 29).

Nenet e Besimit dhe Letra e Uentuorthit

Jozef Smithi i shkroi një letër Xhon Uentuorthit, botuesit dhe pronarit të Chicago Democrat, një gazete të Ilinoisit. Në letër, Profeti Jozef Smith tregoi rreth doktrinave dhe historisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Nenet e Besimit ishin pjesë e asaj letre. Për tekstin e të gjithë letrës, shih “The Wentworth Letter”, Ensign, korrik 2002, f. 26–32.