Mësimi 11
Doktrina e Besëlidhje 3
Hyrje
Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 3 pasi Martin Harrisi i humbi 116 faqet e dorëshkrimit që kishte përkthyer Jozefi nga fletët e arta. Në këtë zbulesë, Zoti tha se vepra e Tij do të dilte fitimtare pavarësisht nga ligësia e njerëzve. Zoti gjithashtu e qortoi Jozefin dhe e paralajmëroi për atë që do të ndodhte nëse ai nuk pendohej. Më së fundi, Zoti shpjegoi qëllimet e Tij për sjelljen në dritë të Librit të Mormonit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 3:1–3
Jozef Smithi mëson se vepra e Perëndisë nuk mund të pengohet
Ftojini studentët të përsiatin situata në të cilat ata mund të tundohen që të dëgjojnë një shok, në vend që të ndjekin urdhërimet ose këshillën e prindërve ose udhëheqësve të tyre.
-
Përse është nganjëherë e vështirë që t’iu bëjmë ballë shokëve tanë, kur ata përpiqen t’ju ndikojnë të bëni diçka të gabuar?
Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që dinë rreth ngjarjeve që çuan drejt humbjes së 116 faqeve të dorëshkrimit të Librit të Mormonit.
Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi t’i shtoni përgjigjet e tyre me disa prej hollësive vijuese:
Nga mesi i prillit të vitit 1828 deri në mesin e qershorit të vitit 1828, Profeti Jozef Smith po përkthente fletët ndërkohë që jetonte në Harmoni të Pensilvanisë. Një fermer dhe sipërmarrës i suksesshëm, i quajtur Martin Harris, po vepronte si shkrues për Jozefin ndërkohë që përkthente. Martini ishte 22 vjet më i madh në moshë sesa Jozefi dhe i kishte dhënë Jozefit dhe Emës 50 dollarë (që ishte një shumë e konsiderueshme parash për atë kohë) që t’i ndihmonte ata të lëviznin në Harmoni të Pensilvanisë (ku jetonte familja e Emës), duke ndihmuar kështu që ta mbështeste Jozefin ndërkohë që përkthente fletët. Në shkurt të vitit 1828, Jozefi e nxiti Martinin t’ua çonte kopje të shkronjave nga fletët profesorëve në Nju-Jork (shih Joseph Smith – Historia 1:63–65). Lusi Harrisi, bashkëshortja e Martinit, u shqetësua gjithnjë e më shumë nga interesimi i Martinit dhe përfshirja e tij financiare në përkthimin e fletëve. Ajo dhe njerëz të tjerë filluan ta shtynin Martinin për prova të ekzistencës së fletëve. Për t’i lehtësuar shqetësimet e tyre, në mes të qershorit, Martini kërkoi që Jozefi ta lejonte t’i merrte të 116 faqet e dorëshkrimit që i kishin përfunduar, për t’i treguar si provë.
Ftojini studentët të përfytyrojnë gjendjen e vështirë në të cilën ishte Profeti, kur Martin Harrisi i kërkoi të merrte faqet e dorëshkrimit. Për të ndihmuar me kontekstin, merrni parasysh ta ftoni një student të lexojë tregimin vijues nga historia e Presidentit Jozef Smith:
“[Martini] dëshironte që unë të pyesja Zotin, nëpërmjet Urimit dhe Thumimit, nëse nuk mund ta [merrte dorëshkrimin në shtëpi dhe ta tregonte atë]. Unë e pyeta dhe përgjigjja ishte se ai nuk duhej ta bënte. Megjithatë, ai nuk u kënaq nga kjo përgjigje dhe dëshiroi që të pyesja përsëri. Unë e bëra dhe përgjigjja ishte si më parë. Përsëri ai nuk mund të kënaqej, por këmbënguli se duhej të pyesja edhe një herë” (në History of the Church, 1:21).
-
Si mendoni, përse Jozef Smithi këmbënguli duke i bërë Perëndisë të njëjtën pyetje, edhe pas marrjes së një përgjigjeje të qartë?
Shpjegoni se pas shumë përgjërimi nga Martini, Jozefi i kërkoi Zotit për herë të tretë dhe Zoti dha lejë që Martini ta merrte dorëshkrimin “me disa kushte” (History of the Church, 1:21). Martini premtoi se ai do t’ia tregonte dorëshkrimin vetëm bashkëshortes së tij dhe pak prej anëtarëve të tjerë të familjes. Martini u kthye me dorëshkrimin në Nju-Jork. Pak kohë pas largimit të Martinit, Ema Smithi lindi një djalë, Alvinin, i cili vdiq pak kohë pas lindjes. Ema pothuajse vdiq vetë dhe për dy javë Jozefi qëndroi pranë shtratit të saj. Në këtë kohë, Martini ishte larguar për tri javë dhe ata nuk kishin dëgjuar asgjë prej tij. Ema, e cila po shërohej dalëngadalë, e bindi Jozefin të shkonte në Nju-Jork dhe të gjente përse Martini nuk kishte dërguar asnjë lajm. Jozefi udhëtoi drejt shtëpisë së prindërve të vet dhe pasi mbërriti atje, ai dërgoi lajm për Martinin. Martinit iu desh gjithë mëngjesi që të mbërrinte. Kur mbërriti, ai u ul të hante me familjen Smith, por menjëherë i ranë nga duart takëmet e ushqimit. Kur e pyetën nëse ishte mirë, ai bërtiti dhe më së fundi e pohoi se i kishte humbur 116 faqet e dorëshkrimit. (Shih History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 124–129 për më shumë hollësi rreth këtij rrëfimi.)
-
Merrini parasysh këto rrethana të vështira për Profetin Jozef Smith. Si mendoni se do të ndiheshit ju në këtë gjendje?
Njoftojini studentët që pasi u kthye në Harmoni pa 116 faqet e dorëshkrimit, Jozef Smithi u lut për falje. Ngaqë Jozefi e kishte “lodhur Zotin duke i kërkuar privilegjin që ta lejonte Martin Harrisin për t’i marrë shkrimet” (History of the Church, 1:21), Moroni i kishte marrë Urimin e Thumimin dhe Jozefi e kishte humbur dhuntinë për të përkthyer. Megjithatë, Moroni premtoi se Jozefi mund t’i merrte ato përsëri, në qoftë se ai do të ishte “i përulur dhe i penduar” (History of Joseph Smith by His Mother, f. 134). Ca kohë më vonë, Jozefi mori zbulesën që tani njihet si Doktrina e Besëlidhje 3.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 3:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti donte që ta kuptonte Profeti Jozef Smith.
-
Si do ta përmblidhni mesazhin e Zotit dhënë Jozef Smithit në këto vargje? (Teksa studentët japin idetë e tyre, theksoni doktrinën vijuese: Qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengohen. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në vargun 1. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 3:1, fjala pengohen do të thotë të mos lejohen për t’u plotësuar.)
-
Si mund ta ketë ndihmuar Jozef Smithin kjo e vërtetë gjatë kësaj kohe të vështirë? Përse është e rëndësishme për ne të gjithë që ta kuptojmë këtë të vërtetë?
Doktrina e Besëlidhje 3:4–15
Zoti e qorton Jozef Smithin dhe e këshillon atë të pendohet
Shpjegoni se, edhe pse Perëndia tha se vepra e Tij nuk mund të pengohej, Ai gjithashtu dëshironte që Profeti t’i kuptonte gabimet që kishte bërë dhe pasojat e atyre gabimeve. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 3:4–6. Kërkojini klasës ta ndjekë duke përcaktuar fjalë e fraza që mund të kishin qenë të vështira për Jozef Smith për t’i dëgjuar. Ftojini disa studentë të tregojnë fjalët dhe frazat që kanë zgjedhur dhe përse.
-
Në çfarë mënyre Jozefi kishte “vazhduar sipas bindjeve të njerëzve”? (DeB 3:6).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 3:12–15. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të gjejë fraza që theksojnë përse veprimet e Jozefit ishin kaq të rënda. Më pas ftojini studentët të raportojnë për atë që zbuluan.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 3:7. Ftojeni klasën të përcaktojë atë që Zoti tha se Jozef Smithi duhej të kishte bërë kur ishte nën presion nga Martin Harrisi. (Përpara se të lexojë studenti, ju mund të dëshironi të shpjegoni se në këtë fragment fjala njeriu i drejtohet njerëzimit.) Pasi studentët ta përcaktojnë këshillën e Zotit, shkruani parimin vijues në tabelë: Ne duhet ta kemi frikë Perëndinë më shumë se sa njeriun. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë ose fraza te vargu 7 që ua mësojnë këtë parim.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë që ta keni frikë Perëndinë më shumë se njeriun?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë ta kesh frikë Perëndinë, ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ka shumë vende në shkrimet e shenjta që e këshillojnë njerëzimin për ta pasur frikë Perëndinë. Në kohën tonë ne në përgjithësi e interpretojmë fjalën frikë si ‘respekt’ ose ‘nderim’ ose ‘dashuri’; që është, frika ndaj Perëndisë do të thotë dashuria ndaj Perëndisë ose respekti për Të dhe ligjin e Tij. Ky mund të jetë shpesh një lexim i duhur, por pyes veten nëse nganjëherë frika mbase nuk do të nënkuptojë me të vërtetë frikën, si në rastin kur profetët flasin për të pasurit frikë prej fyerjes së Perëndisë nëpërmjet shkeljes së urdhërimeve të Tij. …
… Ne duhet ta duam e nderojmë Atë në mënyrë të tillë që ne do të kemi frikë të bëjmë diçka të gabuar në sytë e Tij, çfarëdo qofshin mendimet e të tjerëve ose shtytja prej tyre” (“A Sense of the Sacred” [mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore të SAK-ut, 7 nëntor 2004], f. 6–7, LDS.org; shih edhe speeches.byu.edu).
-
Sipas Plakut Kristoferson, çfarë do të thotë ta kesh frikë Perëndinë?
-
Si mund të na ndihmojë të pasurit frikë Perëndinë, sikurse e shpjegoi Plaku Kristoferson, që të marrim vendime të drejta, edhe kur e ndiejmë presionin shoqëror?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 3:8 duke kërkuar atë që Perëndia do të kishte bërë nëse Jozef Smithi do ta kishte dëgjuar përgjigjen fillestare ndaj kërkesës së Martinit. Ftojini studentët të përmbledhin atë që mund të mësojmë nga ky varg. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata e kuptojnë se, nëse jemi besnikë ndaj urdhërimeve të Zotit, Ai do të na mbështesë gjatë kohëve të shqetësimit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth një rasti kur ata i ndoqën urdhërimet e Zotit, në vend të bindjeve apo ndikimit të njerëzve të tjerë. Ftojini disa studentë të tregojnë se si e morën mbështetjen e Zotit për bindjen e tyre.
Kujtojini studentët që në fillim të mësimit, ju u kërkuat atyre të mendonin rreth situatave kur mund të tundohen që të dëgjojnë një shok, në vend që të jenë të bindur. Më pas tërhiqeni vëmendjen e tyre tek e vërteta që keni shkruar në tabelë.
-
Si mund t’ju ndihmojë kjo e vërtetë kur tundoheni nga një shok për të bërë diçka që e dini se nuk është e drejtë?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si mund ta zbatojnë këtë të vërtetë te marrëdhëniet e tyre të tanishme me shokët dhe familjen.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 3:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar premtimin që i dha Zoti Jozef Smithit, pavarësisht nga serioziteti i gabimeve që kishte bërë Jozefi. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.)
-
Çfarë premtimi i dha Zoti Jozef Smithit? Si gjen zbatim ky premtim te ne? (Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë se, nëse pendohemi për mëkatet tona, ne vërtet do ta marrim mëshirën e Zotit.)
-
Duke mbajtur në mendje atë që Zoti i tha Jozefit te Doktrina e Besëlidhje 3:4–6, si do të ishit ndier pasi ta dëgjonit këtë premtim nga Zoti nëse do të ishit në vendin e Jozefit?
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 3:9, 11 dhe të përcaktojnë paralajmërimet që Zoti ia dha Profetit Jozef Smith.
-
Përse janë këto paralajmërime të rëndësishme që të kujtohen kur pendohemi për mëkatet tona dhe kërkojmë mëshirën e Zotit?
Doktrina e Besëlidhje 3:16–20
Zoti shpjegon qëllimet e Tij për Librin e Mormonit
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 3:16–20 duke përcaktuar qëllimet që Zoti i dha për Librin e Mormonit.
-
Përse ishte kaq e rëndësishme për Zotin dhe për popullin e Tij puna që Jozef Smithi dhe Martin Harrisi po bënin?
Mbylleni këtë mësim duke i ftuar disa studentë të tregojnë atë që kanë mësuar e ndier sot dhe se si mund t’i vënë në jetë të vërtetat që kanë mësuar. Jepni vetë dëshminë tuaj për mëshirën e Zotit kur ne pendohemi për mëkatet tona. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’u thoni studentëve se në mësimin e ardhshëm, ata do të mësojnë se si Zoti zhdëmtoi për humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit.