Mësimi 36
Doktrina e Besëlidhje 29:30–50
Hyrje
Pak përpara një konference të Kishës që u mbajt më 26 shtator 1830, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë në prani të gjashtë pleqve. Nëpërmjet zbulesës, këta pleq mësuan për Rënien e Adamit dhe të Evës, si edhe për shëlbimin nga Rënia nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 29:30–45
Shpëtimtari shpalli se Ai na ka shëlbuar nga Rënia dhe se Ai na ofron shpëtim nga mëkatet tona
Tregojuni skenarin e mëposhtëm studentëve tuaj dhe më pas bëni pyetjen që vijon:
Përfytyroni sikur një nga shoqet tuaja vjen tek ju dhe është pak e shkurajuar. Kur ju e pyesni pse është e shkurajuar, ajo ju thotë se nuk e di nëse ia ka vlejtur përpjekja për të qenë njeri i mirë. Ajo shpjegon se, edhe pse është përpjekur t’i zbatojë urdhërimet, ajo nuk shikon se jeta e saj është më e mirë se jeta e bashkëmoshatarëve të saj që zgjedhin të mëkatojnë. Përveç kësaj, ajo vë në dukje se asgjë e keqe nuk u ndodh bashkëmoshatarëve të saj për shkak të zgjedhjeve të tyre të gabuara.
-
Si mund t’u përgjigjeni shqetësimeve të shoqes suaj?
Ftojini studentët të kërkojnë doktrina e parime teksa studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 29 që mund t’i ndihmojnë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shoqes së tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:31–32 dhe kërkojini klasës që ta ndjekë. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë mësimet e këtyre vargjeve, shpjegoni sa më poshtë përpara se studenti të lexojë me zë të lartë:
Gjatë Krijimit, Adami, Eva, toka dhe të gjitha gjërat mbi tokë ishin në një gjendje shpirtërore. Edhe pse Adami dhe Eva kishin trupa fizikë, ata nuk i ishin nënshtruar vdekjes dhe mund të jetonin përgjithmonë në prani të Perëndisë. Megjithatë, si pjesë e planit të Atit Qiellor, të gjitha krijimet e Tij do të bëheshin tokësore. Me fjalë të tjera, ata do të bëheshin tokësorë dhe të nënshtruar ndaj vdekjes. Pas ringjalljes, ata do të kthehen në një gjendje shpirtërore – fizike, por edhe të pavdekshme.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:34–35. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si Zoti i shikon urdhërimet që Ai na jep.
-
Si i përshkroi Zoti urdhërimet e Tij? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë doktrinën vijuese: Të gjitha urdhërimet e Perëndisë janë shpirtërore. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)
-
Si do ta shpjegonit deklaratën e Zotit se të gjitha urdhërimet e Tij janë shpirtërore? Cilët janë disa shembuj të bekimeve shpirtërore që vijnë kur ne i zbatojmë urdhërimet?
Teksa studentët u përgjigjen këtyre pyetjeve, ju mund të doni të vini në dukje se shumë urdhërime, të tilla si Fjala e Urtësisë dhe ligji i së dhjetës, çojnë në bekime materiale. Megjithatë, ato çojnë në bekime edhe më të mëdha shpirtërore. Ndërkohë që bekimet materiale më së fundi mbarojnë, bekimet shpirtërore zgjatin përgjithmonë.
-
Si mund ta ndihmojë doktrina e shkruar në tabelë shoqen tuaj në skenarin e diskutuar në fillim të mësimit?
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 29:36–39 duke shpjeguar se djalli ngriti krye kundër Perëndisë në botën e shpirtrave, para lindjes dhe e largoi “një [të] tret[ën] e ushtrive të qiellit”. Për shkak se djalli dhe ndjekësit e tij ngritën krye, ata u dëbuan.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:39 dhe vëreni klasën të kërkojë arsyet përse Zoti e lejon djallin të na tundojë.
-
Përse Zoti e lejon djallin që të na tundojë? Përse është e rëndësishme për ne që të kemi zgjedhje midis së mirës dhe së keqes?
Për t’i përgatitur studentët të diskutojnë të vërtetat te Doktrina e Besëlidhje 29:40–45, vini në dukje se te Doktrina e Besëlidhje 29:35, Zoti përmendi një urdhërim që Ai i dha Adamit në Kopshtin e Edenit (shih edhe DeB 29:40). Ftojini studentët ta lexojnë këtë urdhërim në heshtje te Moisiu 3:16–17.
-
Çfarë urdhërimi i dha Zoti Adamit? (Zoti e urdhëroi Adamin që të mos e hante frutin e pemës të njohjes të së mirës dhe të së keqes.) Çfarë tha Zoti se do të ndodhte nëse Adami e shkelte këtë urdhërim? (Adami do të vdiste. Që nga dita e shkeljes së tij, Adami iu nënshtrua vdekjes fizike dhe shpirtërore.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:40–41. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar kuptimin e frazës “vdekje shpirtërore”.
-
Sipas këtij vargu, çfarë është vdekja shpirtërore? (Studentët duhet të shprehin doktrinën vijuese: Vdekja shpirtërore është të qenit i dëbuar nga prania e Perëndisë.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë domethënien e frazës “vdekja e parë” në vargun 41, shpjegoni se ka dy vdekje shpirtërore. Vdekja e parë është rrjedhojë e Rënies dhe është e përkohshme. Vdekja e dytë është rrjedhojë e mëkateve të papenduara dhe do të jetë e përhershme për ata që dështojnë të pendohen dhe të jenë të bindur.
Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 29:42. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një tjetër lloj vdekjeje që erdhi për shkak të shkeljes së Adamit.
-
Çfarë lloj tjetër vdekjeje erdhi për shkak të shkeljes së Adamit? (Vdekja e përkohshme; me fjalë të tjera, vdekja e trupit fizik. Kjo vdekje është ndarja e shpirtit nga trupi.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë pasojat e Rënies për të gjithë njerëzimin, ftojini ata të lexojnë në heshtje Helamanin 14:16. Kërkojuni të përcaktojnë se kush i përjeton pasojat e shkeljes së Adamit.
-
Kush i përjeton pasojat e shkeljes së Adamit? (I gjithë njerëzimi.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Helamanin 14:17. Vëreni klasën të kërkojë atë që thotë ky varg rreth mënyrës se si do të mposhten pasojat e shkeljes së Adamit.
-
Si do të mposhten pasojat e shkeljes së Adamit? Kush do t’i marrë këto bekime?
Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimit të shenjtë: Alma 33:22; 42:23. Shpjegoni se të gjithë njerëzit do të kthehen në praninë e Perëndisë për gjykim, por jo të gjithë njerëzit do të jenë të denjë të banojnë në praninë e Tij përgjithmonë. Më pas ftojini studentët t’i lexojnë në heshtje fragmentet e shkrimit të shenjtë që i keni renditur në tabelë, duke kërkuar prova për këtë të vërtetë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini të raportojnë atë që kanë gjetur.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:43–44. Vini në dukje shpalljen se ata që “nuk besojnë” te Krishti, “nuk mund të shëlbehen nga rënia e tyre shpirtërore”. Shpjegoni se edhe pse të gjithë njerëzit do të shëlbohen nga Rënia e Adamit dhe e Evës, ata që nuk pranojnë të ushtrojnë besim te Jezu Krishti dhe nuk pendohen, nuk do të shëlbohen nga vetë rënia e tyre shpirtërore.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:42–43. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si mund të shpëtohemi nga pasojat e vetë mëkateve tona.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë për t’u shpëtuar nga pasojat e vetë mëkateve tona? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin doktrinën vijuese: Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti u ofron falje dhe jetë të përjetshme të gjithë atyre që ushtrojnë besim në Të dhe pendohen për mëkatet e tyre. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)
Dëshmoni se Rënia e Adamit dhe e Evës ishte pjesë e planit të Atit Qiellor për lumturinë tonë. Megjithëse jetuam në praninë e Perëndisë përpara se të lindeshim, secili prej nesh kishte nevojë të vinte në tokë, të merrte një trup fizik dhe të mësonte nëpërmjet përvojës që të përdorte lirinë e tij të zgjedhjes për ta ndjekur Jezu Krishtin. Gjendja jonë shpirtërore kur ne të marrim jetën e përjetshme, do të jetë më madhështore se sa gjendja shpirtërore që e përjetuam në botën e shpirtrave, para lindjes. Ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues nga Të Vërtetë ndaj Besimit:
“Pavdekësia është të jetosh përgjithmonë si një qenie e ringjallur. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, çdo njeri do ta marrë këtë dhuratë. Jetë e përjetshme ose ekzaltim, do të thotë të trashëgosh një vend në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, ku ne do të jetojmë në prani të Perëndisë dhe do të vazhdojmë si familje (shih DeB 131:1–4). Sikurse pavdekësia, kjo dhuratë bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Megjithatë, ajo kërkon ‘bindjen tonë ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit’ (Nenet e Besimit 1:3)” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referencë e Ungjillit [2004], f. 62).
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e bërjes së zgjedhjeve që do t’i ndihmojnë ata të marrin bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë këshillën vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Mos e rrezikoni jetën tuaj të përjetshme. Nëse keni mëkatuar, sa më shpejt të bëni rrugën e kthimit, aq më shpejt do të gjeni paqen dhe gëzimin e ëmbël që vijnë me mrekullinë e faljes.
… Ju jeni nga një trashëgimi fisnike. Jeta e përjetshme në mbretërinë e Atit tonë është qëllimi juaj. Një qëllim i tillë nuk arrihet me një përpjekje të lavdishme, por është rezultat i një jete të drejtë, një grumbullim i zgjedhjeve të mençura, madje një besnikëri e qëllimit. Ashtu si çdo gjë që vërtet vlen, shpërblimi i jetës së përjetshme kërkon përpjekje.
… Qofshim të mbushur me mirënjohje për të drejtën e zgjedhjes, [e] prano[fshim] përgjegjësinë e zgjedhjes, dhe [qofshim] përherë të ndërgjegjshëm për pasojat e zgjedhjes” (“Tre Parimet e Zgjedhjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 69–70).
Doktrina e Besëlidhje 29:46–50
Shpëtimtari shpall se fëmijët e vegjël dhe ata me paaftësi për të kuptuar shëlbohen nëpërmjet Shlyerjes së Tij.
Shpjegoni që te Doktrina e Besëlidhje 29:46–50 shohim se pasojat e shkeljes së ligjeve të Perëndisë, janë ndryshe për fëmijët e vegjël dhe për njerëz të tjerë që nuk janë të përgjegjshëm përpara Perëndisë. Ne gjithashtu shohim fuqinë dhe mëshirën e madhe të Jezu Krishtit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:46–47.
-
Çfarë do të thotë kjo për fëmijët e vegjël që vdesin para se të arrijnë moshën tetë vjeç? (Ata shpëtohen në mbretërinë çelestiale. Shih edhe DeB 137:10. Mund të vini në dukje se sipas Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it, Zanafilla 17:11 [në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta] dhe Doktrinës e Besëlidhjeve 68:25, fëmijët e vegjël fillojnë të bëhen të përgjegjshëm përpara Zotit në moshën tetë vjeç. Për mësime shtesë mbi këtë temë, shihni Moroni 8 dhe Doktrina e Besëlidhje 137:10.)
-
Si e përmirëson ky fragment kuptueshmërinë tuaj për Shlyerjen e Jezu Krishtit?
Për ta mbyllur, ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 29:49 dhe të përsiatin pritshmëritë e Zotit për ta personalisht. Ftojini disa studentë të tregojnë se çfarë do të thotë për ta të jenë në gjendje të kthehen në praninë e Atit Qiellor dhe të mbeten atje përjetësisht. Pasi të jenë përgjigjur disa studentë, nxitini studentët të bëjnë zgjedhje që do të bëjnë të mundur për ta që të jetojnë përjetësisht në praninë e Zotit.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Doktrina e Besëlidhje 29:30–50.
Tabela e mëposhtme përshkruan ndryshimet që ndodhën mbi Adamin dhe Evën, sepse e hëngrën frytin e ndaluar:
Para Rënies |
Pas Rënies |
---|---|
|
|
Doktrina e Besëlidhje 29:34–35. Pasojat e bindjes apo mosbindjes ndaj ligjeve të Perëndisë
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ligjet natyrore dhe shpirtërore të cilat qeverisin jetën, u vendosën përpara krijimit të botës. … Ato janë të përjetshme, ashtu siç janë pasojat për bindjen ose mosbindjen ndaj tyre. Ato nuk bazohen mbi vlerësime shoqërore ose politike. Ato nuk mund të ndryshohen. Asnjë presion, asnjë protestë, asnjë legjislacion nuk mund t’i ndryshojë ato” (“For Time and All Eternity”, Ensign, nëntor 1993, f. 22).
Doktrina e Besëlidhje 29:41. “Vdekja e fundit, që është shpirtërore”
Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi vdekjen e dytë shpirtërore:
“Vdekja e dytë është shpirtërore; ajo është përjashtim nga prania e Zotit. Ajo është e ngjashme me vdekjen e parë shpirtërore e cila ka kaluar mbi të gjithë njerëzit që kanë mbetur të papenduar dhe që nuk e kanë marrë ungjillin. Ata që kanë vuajtur vdekjen e parë shpirtërore ose largimin, që është lënia jashtë nga prania e Perëndisë, kanë privilegjin e të qenit të shëlbuar nga kjo vdekje nëpërmjet bindjes ndaj parimeve të ungjillit. Nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit ata linden sërish e kështu kthehen sërish në jetën shpirtërore dhe nëpërmjet bindjes së tyre të vazhdueshme deri në fund, ata do të bëhen pjesëmarrës të bekimeve të jetës së përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.
Ata që e marrin vdekjen e dytë, janë ata që e kanë pasur dritën shpirtërore dhe kanë ngritur krye kundër saj. Ata mbeten në mëkatet e tyre, në dëbimin e tyre” (Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–56], 2:222–223).
Doktrina e Besëlidhje 29:46–47. “Fëmijët e vegjël shëlbehen”
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth shpëtimit të fëmijëve të vegjël përpara se të bëhen të përgjegjshëm para Perëndisë:
“Mes gjithë të vërtetave të lavdishme të ungjillit që Perëndia ua ka dhënë njerëzve të tij, rrallë ka ndonjë doktrinë kaq të dashur, kaq të kënaqshme për shpirtin dhe kaq shenjtëruese për shpirtin, sa ajo e cila shpall – Fëmijët e vegjël do të shpëtohen. Ata janë të gjallë në Krishtin dhe do të kenë jetë të përjetshme. Për ata, njësia familjare do të vazhdojë dhe plotësia e ekzaltimit është e tyrja. Asnjë bekim nuk do t’u mbahet. Ata do të ngrihen në lavdi të përjetshme, do të rriten në maturi të plotë dhe do të jetojnë përgjithmonë në qiellin më të lartë të mbretërisë çelestiale – e gjitha nëpërmjet meritave dhe mëshirës së Mesias së Shenjtë, e gjitha për shkak të sakrificës shlyese të Atij, i cili vdiq që ne të mund të jetojmë …
A shpëtohen automatikisht të gjithë fëmijët e vegjël në mbretërinë çelestiale?
Ndaj kësaj pyetjeje, përgjigja është një po buçitëse, e cila jehon dhe rijehon nga një skaj i qiellit në tjetrin. Jezusi ua mësoi këtë dishepujve të tij. Mormoni e tha këtë në mënyrë të përsëritur. Shumë prej profetëve kanë folur për të dhe nënkuptohet në të gjithë planin e shpëtimit. Nëse nuk do të ishte kështu, shëlbimi nuk do të ishte i pafundëm në zbatimin e tij. Dhe kështu, siç pritet, Vegimi i Jozef Smithit për Mbretërinë Çelestiale përmban këtë deklaratë: ‘Dhe unë gjithashtu vura re se të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të arrinin vitet e përgjegjshmërisë së tyre, shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit’. [DeB 137:10.] …
Si dhe përse shpëtohen ata?
Ata shpëtohen nëpërmjet shlyerjes dhe ngaqë janë të lirë nga mëkati. Ata vijnë nga Perëndia në pastërti; asnjë mëkat apo njollë nuk u bashkëngjitet në këtë jetë; dhe ata kthehen te Krijuesi i tyre në pastërti. Personat e përgjegjshëm duhet të bëhen të pastër nëpërmjet pendimit, pagëzimit dhe bindjes. Ata që nuk janë të përgjegjshëm për mëkate, nuk bien kurrë shpirtërisht dhe nuk kanë nevojë të shëlbohen nga një rënie shpirtërore të cilën nuk e kanë përjetuar kurrë. Nga kjo vjen shprehja se fëmijët e vegjël janë gjallë në Krishtin. ‘Por vini re, unë ju them se fëmijët e vegjël shëlbehen që nga krijimi i botës, nëpërmjet të Vetëmlindurit tim’, thotë Zoti. (DeB 29:46.)” (“The Salvation of Little Children”, Ensign, prill 1977, f. 3, 4–5).