Mësimi 120
Doktrina e Besëlidhje 112
Hyrje
Më 23 korrik 1837, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë për Tomas B. Marshin, i cili atëherë ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në këtë zbulesë, të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 112, Zoti dha këshilla lidhur me përgjegjësitë e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 112:1–13
Zoti i jep këshilla dhe i premton bekime Tomas B. Marshit
Shkruajini fjalët vijuese në tabelë: i zemëruar, i irrituar, i fyer, ziliqar. Ftojini studentët të mendojnë për raste kur ata mund t’i kenë përjetuar këto ndjenja.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë për një situatë që hasi Tomas B. Marshi, që mund ta ketë bërë të përjetonte ndjenjat e shkruara në tabelë.
Pak pasi Tomas B. Marshi u thirr për të qenë Apostull në vitin 1835, ai u zgjodh President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në pranverën e vitit 1837, Presidenti Marsh mësoi se një nga Dymbëdhjetë Apostujt, Plaku Parli P. Prat, po planifikonte një mision në Angli pa udhëzimin e Presidentit Marsh. Presidenti Marsh, që ishte në Misuri, i shkroi Plakut Prat dhe anëtarëve të tjerë të Të Dymbëdhjetëve dhe i ftoi ata të takoheshin me të në Kirtland të Ohajos, më 24 korrik 1837, kështu që ata të mund të ishin në një mendje për planet e tyre të misioneve. Megjithatë, një muaj përpara se të ndodhte ajo mbledhje, dy anëtarë të tjerë të Të Dymbëdhjetëve, Plaku Hibër C. Kimball dhe Orson Hajdi, u nisën për në Angli pasi morën thirrje misioni nga Profeti Jozef Smith. Presidenti Marsh me sa duket ishte i shqetësuar që anëtarët e Të Dymbëdhjetëve po vazhdonin ta predikonin ungjillin në Angli pa përfshirjen e tij.
-
Në këtë situatë, çfarë mund të bënte Presidenti Marsh për të shmangur ndjenjat e renditura në tabelë? Cilat janë disa rreziqe të lejimit të ndjenjave të tilla për të drejtuar mendimet dhe veprimet tona?
Shpjegoni se Presidenti Marsh foli për shqetësimet e tij me Profetin Jozef Smith dhe kërkoi këshillën e tij. Në përgjigje, Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 112.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 112:1–3. Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë paralajmërimet që Zoti i dha Presidentit Tomas B. Marsh. Vëreni gjysmën tjetër të klasës të kërkojë gjërat e mira që Zoti tha se Presidenti Marsh kishte bërë. (Përpara se studentët të lexojnë, ju mund të doni të shpjegoni se fjala përulur në vargun 3 tregon se Presidenti Marsh e kishte përulur veten e tij.)
-
Çfarë paralajmërimesh i dha Zoti Tomas B. Marshit?
-
Çfarë gjërash të mira, tha Zoti, se kishte bërë Presidenti Marsh?
Shpjegoni se Zoti i dha këshilla të mëtejshme Presidentit Marsh dhe zbuloi disa bekime që Presidenti Marsh mund të merrte për besnikërinë e tij. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 112:4–10. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë premtimet që Zoti i dha Tomas B. Marshit. Merrni parasysh ta ftoni një student që t’i shkruajë këto premtime në tabelë ndërsa studentët i gjejnë ato.
-
Si do ta rishprehnit me fjalët tuaja mësimin e dhënë nga Zoti në vargun 10? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi të përulur, Zoti do të na drejtojë dhe do të na japë përgjigje për lutjet tona.)
-
Si mendoni ju, përse përulësia na ndihmon ta pranojmë udhëzimin e Zotit?
-
Kur jeni ndier i udhëhequr nga Zoti pasi e keni përulur veten tuaj?
Shpjegoni se në korrik 1837, kur Zoti e dha këtë zbulesë, Kisha po përjetonte përçarje, grindje dhe braktisje [të saj]. Krenaria dhe lakmia i shtynë disa anëtarë të Kishës që ta kritikonin hapur Profetin Jozef Smith dhe ta vinin në pikëpyetje autoritetin e tij. Disa anëtarë të Kishës, duke përfshirë disa nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, kërkuan madje që ta hiqnin Jozef Smithin si President të Kishës.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 112:11–13. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti e udhëzoi Presidentin Marsh të bënte për t’i ndihmuar anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve që po përballeshin me vështirësi. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Doktrina e Besëlidhje 112:14–34
Zoti e mëson Tomas B. Marshin lidhur me detyrat e Dymbëdhjetë Apostujve
Vini në dukje se Zoti i kishte dhënë Presidentit Tomas B. Marsh shumë përgjegjësi të rëndësishme. Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Çfarë mund t’ju ndihmojë të jeni të përulur kur merrni përgjegjësi apo vlerësime të rëndësishme? Ftojini studentët ta përsiatin këtë pyetje.
Shpjegoni se Zoti e ndihmoi Tomas B. Marshin ta njihte rëndësinë e përgjegjësive të tij si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndërsa vazhdoi t’i kujtonte atij që të ishte i përulur. Kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë ose përgatiteni si fletushkë. Kërkojuni studentëve t’i lexojnë vargjet e caktuara dhe ta plotësojnë tabelën si dyshe (ose ta plotësojnë atë si klasë).
Frazat që theksojnë rëndësinë e përgjegjësive të Presidentit Marsh dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve | |
Frazat që i kujtojnë Presidentit Marsh dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve nevojën për të qenë të përulur |
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar tabelën, bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë frazash gjetët që e theksojnë rëndësinë e përgjegjësive të Presidentit Marsh?
-
Sipas vargjeve 16–17, cilat çelësa mbahen nga Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mban çelësat për të drejtuar punën e Të Dymbëdhjetëve për shpalljen e ungjillit në të gjitha kombet.)
-
Sipas vargjeve 30–32, çfarë i mësoi Zoti Tomas B. Marshit rreth çelësave të priftërisë që ai mbante? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Çelësat e priftërisë janë rivendosur për herë të fundit në periudhën të plotësisë së kohëve. Ju mund të doni ta rishikoni shkurtimisht kuptimin e termit periudhë [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”].)
-
Çfarë frazash gjetët që i kujtuan Tomas B. Marshit nevojën për të qenë i përulur?
-
Çfarë na mësojnë fjalët e Zotit te vargjet 15 dhe 30 rreth marrëdhënies midis përgjegjësive të Tomas B. Marshit si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe përgjegjësive të Jozef Smithit si President i Kishës?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se Tomas B. Marshi pati vështirësi për të ndjekur këshillat që kishte marrë në këtë zbulesë, ftojeni një student ta lexojë paragrafin vijues:
Jo shumë kohë pasi u dha zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 112, Tomas B. Marshi i tha Vajlet Kimballit se bashkëshorti i saj, Plaku Hibër C. Kimball, nuk do të ishte i efektshëm në misionin e tij në Angli. Presidenti Marsh me sa duket mendonte se meqenëse shpallja e ungjillit jashtë vendit ishte përgjegjësia e tij, dera për punën misionare në Angli nuk mund të hapej derisa ai të dërgonte dikë apo të shkonte vetë.
-
Në ç’mënyrë kjo ndodhi ilustron se Presidenti Marsh mund ta ketë pasur të vështirë të qëndronte i përulur?
Drejtojuni pyetjes që keni shkruar në tabelë. Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes. Si pjesë e këtij diskutimi, merrni parasysh të përdorni thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:
“Ne nuk e zbulojmë përulësinë duke menduar më pak për veten tonë; ne e zbulojmë përulësinë duke menduar më pak rreth vetes sonë. Ajo vjen kur ne e bëjmë punën tonë me një qëndrim [të mirë] për t’i shërbyer Perëndisë dhe bashkëqenieve tona.
… Në çastin që ne ndalojmë së fiksuari me veten tonë dhe e humbasim veten në shërbim, krenaria jonë pakësohet dhe fillon të mbarojë” (“Krenaria dhe Priftëria”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 58).
Kujtojuni studentëve bekimet që Zoti i premtoi Presidentit Marsh (shih DeB 112:4–10). Ju mund të keni pasur një student që i ka renditur më parë këto bekime në tabelë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 112:34. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që duhej të bënte Presidenti Marsh për t’i marrë këto bekime. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Pastaj shkruajeni në tabelë parimin vijues: Ne duhet të jemi besnikë me qëllim që të marrim bekimet e premtuara nga Zoti.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, lexoni ose përmblidhni rrëfimin vijues të largimit dhe kthimit të Tomas B. Marshit në Kishë:
Për njëfarë kohe, Presidenti Marsh ndoqi këshillat që pati marrë. Ai punoi për ta forcuar Kishën dhe për ta mbështetur Jozef Smithin. Megjithatë, atij shpejt iu kthyen ndjenjat e tij kundërshtuese rreth mënyrës se si udhëhiqej Kisha. Këto ndjenja u ndërthurën me shqetësimet rreth konflikteve midis anëtarëve të pabindur e agresivë të Kishës dhe fqinjëve të tyre në Misuri. Në shtator 1838, ndërsa ishte mbërthyer nga ky shpirt i braktisjes, gruaja e tij, Elisabeta, u përfshi në një grindje. Ajo dhe një grua tjetër, të dyja anëtare të Kishës, kishin rënë dakord të shkëmbenin rregullisht qumësht për të pasur mjaftueshëm që të bënin djathë, por motra Marsh u akuzua se po e shkelte marrëveshjen e saj duke mbajtur pjesën e qumështit që ishte me më shumë ajkë. Çështja u soll përpara udhëheqësve të Kishës më shumë se një herë. Madje u soll edhe përpara Presidencës së Parë. Çdo herë, u vendos se motra Marsh qe në faj. Presidenti Marsh ishte i zemëruar dhe i pakënaqur me këto vendime (shih George A. Smith, “Discourse”, Deseret News, 16 prill 1856, f. 44). Ndonëse kjo situatë nuk e shtyu atë që të largohej nga Kisha, ajo u ndërthur me zhgënjimet e tij të tjera. Ai vazhdoi të bëhej përherë e më kritikues ndaj udhëheqësve të tjerë të Kishës dhe përfundimisht u kthye kundër shenjtorëve. Më vonë ai kujtoi: “U bëra ziliqar për Profetin … dhe anashkalova çdo gjë që ishte e drejtë, dhe e kalova gjithë kohën time duke kërkuar të keqen” (“Remarks”, Deseret News, 16 shtator 1857, f. 220).
Në tetor 1838, Tomas B. Marshi u betua përpara një gjyqtari se Jozef Smithi dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme qenë armiqësorë ndaj shtetit të Misurit. Ky deponim me betim ndihmoi që qeveria të lëshonte një urdhër asgjësimi, i cili rezultoi në dëbimin e më shumë se 15000 shenjtorëve nga shtëpitë e tyre në Misuri.
Tetëmbëdhjetë vjet pasi Tomas B. Marshi e kishte lënë Kishën, ai i shkroi përulësisht një letër Presidentit Hibër C. Kimball të Presidencës së Parë, duke i kërkuar falje dhe leje që të ribashkohej me Kishën. Ai shpjegoi atë që kishte mësuar prej gabimeve të tij: “Zoti mund të vazhdojë shumë mirë edhe pa mua, dhe Ai nuk ka humbur asgjë nga largimi im nga Kisha; por, o çfarë kam humbur unë?!” (Letra e Tomas B. Marshit për Hibër C. Kimballin, 5 maj 1857, Brigham Young Collection [Koleksioni i Brigam Jangut], Church History Library [Biblioteka e Historisë së Kishës], siç citohet te Kay Darowski, “The Faith and Fall of Thomas Marsh”, Revelations in Context [Zbulesat në Kontekst], history.lds.org).
Drejtojuni parimit në tabelë. Shpjegoni se Tomas B. Marshi u pranua sërish në shoqërim të plotë në Kishë. Sidoqoftë, për shkak se ai nuk e ndoqi këshillën e Zotit për ta përulur veten e tij dhe për të qenë besnik si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ai nuk i mori bekimet e renditura te Doktrina e Besëlidhje 112:4–10.
Kërkojuni disa studentëve të përmbledhin atë që kanë mësuar sot. Ftojini studentët të përzgjedhin një mënyrë se si mund të jenë më të përulur e besnikë, dhe të shkruajnë një qëllim për të vepruar në bazë të tij.