Seminare dhe Institute
Mësimi 9: Joseph Smith – Historia 1:27–54; Doktrina e Besëlidhje 2


Mësimi 9

Joseph Smith – Historia 1:27–54; Doktrina e Besëlidhje 2

Hyrje

I riu Jozef Smith vazhdoi të pohonte se kishte parë një vegim dhe vazhdoi të përndiqej për të. Më vonë ai tha se gjatë kësaj kohe, ai “ra në shumë gabime të marra dhe trego[i] dobësinë e rinisë” (Joseph Smith – Historia 1:28). Një mbrëmje kur ishte 17 vjeç, ai u lut për falje dhe kërkoi të dinte qëndrimin e tij përpara Perëndisë. Një engjëll, i quajtur Moroni, u shfaq dhe shpalli se Perëndia kishte një punë për Jozefin për ta bërë, duke përfshirë përkthimin e një anali të lashtë, të shkruar mbi fletë të arta. Ndërsa shpjegonte rolin e Jozefit në Rivendosjen e ungjillit, Moroni citoi një numër profecish nga Bibla, duke përfshirë profecinë e Malakias rreth kthimit të Elijas. Të nesërmen, Jozef Smithi shkoi te kodra ku Moroni kishte thënë se ishin groposur fletët e arta. Atje ai mori udhëzim të mëtejshëm nga Moroni.

Sugjerime për Mësimdhënien

Joseph Smith – Historia 1:27–29

Jozef Smithi lutet për falje

Ftojini studentët të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga shembulli i Jozef Smithit si një djalë i ri. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve që të tregojnë shkurtimisht për një parim që kanë mësuar, i cili i ka ndikuar ata. Më pas kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:27–29. Përpara se ai ose ajo të lexojë, vini në dukje se ngjarjet e përshkruara në këto vargje ndodhën kur Jozefi ishte në moshën 14 deri në 17‑vjeçare. I ftoni studentët t’i përqasin këto vargje me veten e tyre, duke përcaktuar përvojat që pati Jozef Smithi, të cilat janë të ngjashme me përvojat që kanë pasur ata.

  • Cilat janë disa përvoja që i pati Jozef Smithi kur ishte i ri, që mund të kenë domethënie për ju? (Kujtojuni studentëve që nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër vetjake apo të brendshme.)

  • Sipas fundit të Joseph Smith – Historisë 1:28, çfarë tha Jozefi rreth tundimeve dhe gabimeve që bëri? (Ai nuk ishte fajtor për mëkate të mëdha, por nganjëherë ndjeu se nuk veproi siç duhej të vepronte dikush që ishte thirrur nga Perëndia.)

  • Çfarë bëri Jozef Smithi lidhur me fajin që ndjeu për mëkatet e tij? (Ai u lut për falje dhe kërkoi të dinte qëndrimin e tij përpara Perëndisë.)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit?

Ndërsa studentët diskutojnë mendimet e tyre, i ndihmoni të përcaktojnë të vërtetat vijuese:

Kur i dallojmë mëkatet tona dhe ndiejmë hidhërim për to, ne mund t’i lutemi Atit Qiellor për falje.

Ne mund të lutemi për ta ditur qëndrimin tonë përpara Perëndisë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta dini qëndrimin tuaj përpara Perëndisë? (Mund të nevojitet të shpjegoni se ta dimë qëndrimin tonë përpara Perëndisë, do të thotë të dimë nëse Perëndia është i kënaqur me ne.)

  • Përse mund të jetë e rëndësishme për ne që ta dimë qëndrimin tonë përpara Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Shpjegoni se këshilla e Plakut Andersen mund të na ndihmojë të dimë se si mund ta mësojmë qëndrimin tonë përpara Perëndisë.

Plaku Nil L. Andersen

“[Ne mund] t’i bëjmë kërkesë me përulësi Zotit: ‘Atë, çfarë do Ti që unë të bëj?’ Përgjigjet vijnë. Ne i ndiejmë ndryshimet që nevojitet të bëjmë. Zoti na i thotë në mendjen tonë dhe në zemrën tonë” (“Repent … That I May Heal You”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 41).

Shprehni dëshminë tuaj për të vërtetat që kanë diskutuar studentët. Sigurojini studentët se Ati Qiellor është i gatshëm të na falë kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe bëjmë gjithçka që është e domosdoshme për t’u penduar për mëkatet tona.

Joseph Smith – Historia 1:30–35

Engjëlli Moroni i shfaqet Jozef Smithit

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:30 duke kërkuar atë që ndodhi teksa Jozef Smithi u lut për falje. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që zbulojnë. Paraqisni figurën Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 91; shih edhe LDS.org).

Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:32–33 dhe ftojeni klasën të kërkojë mesazhin e parë të Moronit drejtuar Jozef Smithit.

  • Çfarë tha Moroni rreth së ardhmes së Jozef Smithit? (Studentët duhet të shprehin se Perëndia kishte një punë për Jozef Smithin për ta bërë.)

  • Moroni tha se emri i Jozef Smithit do të “mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve”. Kur keni parë shembuj të kësaj?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:34–35. Ftojeni klasën ta ndjekë duke përcaktuar atë që Moroni dha mësim rreth punës që do të kryente Jozefi.

  • Si do të përkthehej libri? (Duke përdorur disa gurë të veçantë, të quajtur Urimi e Thumimi, që i kishte përgatitur Perëndia.)

Shpjegoni se në mësimet e ardhshme, studentët do të mësojnë rreth përpjekjeve të Jozef Smithit për ta përkthyer e botuar Librin e Mormonit.

Joseph Smith – Historia 1:36–49; Doktrina e Besëlidhje 2

Moroni udhëzon Jozef Smithin

Përmblidhni Joseph Smith – Historinë 1:36–42 duke shpjeguar që Moroni citoi profeci nga Bibla që të shpjegonte rolin e Jozef Smithit për të bërë të ndodhë Rivendosjen e ungjillit. (Merrni parasysh të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë referencat e përmendura në këto vargje.) Për shembull, në vargun 40, studentët mund të shenjojnë frazën “kapitullin e njëmbëdhjetë të Isaias”.)

Vini në dukje se fjalët në profecinë e cituar te Joseph Smith – Historia 1:38–39, shfaqen edhe te Doktrina e Besëlidhje 2. Kjo është një nga zbulesat më të hershme në këtë periudhë ungjillore, ngaqë iu dha Jozef Smithit kur ai ishte 17 vjeç.

Ju mund të përmendni edhe se kjo profeci është e një rëndësie kaq të madhe, sa ajo shfaqet edhe në Dhiatën e Vjetër (shih Malakia 4:5–6), në Dhiatën e Re (shih Lluka 1:17) dhe në Librin e Mormonit (shih 3 Nefi 25:5–6).

ikona e fletushkësPërpara orës mësimore, bëni kopje të tabelës vijuese. Priteni atë në tri fletushka të veçanta. Ndajeni klasën në tri grupe dhe jepini secilit grup një nga fletushkat. Kërkojini secilit grup të studiojë vargun që i është caktuar dhe shpjegimin profetik që e pason atë. Përveç kësaj, kërkojini secilit grup ta përmbledhë mesazhin e vargut të caktuar atyre me fjalët e tyre dhe t’i japë përgjigje pyetjes ose pyetjeve në fletushkat e tyre.

Grupi 1

Doktrina e Besëlidhje 2:1 – Kush është Elija? Cilën fuqi të priftërisë tha Moroni se do ta rivendoste Elija?

Presidenti Henri B. Ajring

“Elija ishte një profet i madhërishëm me një fuqi të madhërishme, të dhënë atij nga Perëndia. Ai mbajti fuqinë më të madhërishme që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij: ai mbajti fuqinë vulosëse, fuqinë për të lidhur në tokë dhe për ta lidhur atë në qiell” (President Henry B. Eyring, “Hearts Bound Together”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 78).

Grupi 2

Doktrina e Besëlidhje 2:2 – Cilët janë etërit dhe fëmijët të cilëve u drejtohet ky varg?

Plaku Brus R. Mek-Konki

Në profecinë që “ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve”, fraza “etërve” u drejtohet “Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të cilëve iu bënë premtimet. Cilat janë premtimet? Ato janë premtimet e një vazhdimësie të njësisë familjare në përjetësi” (Bruce R. McConkie, Millennial Messiah [1982], f. 267).

Presidenti Jozef Filding Smith

Në profecinë që “zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre”, fraza “etërit e tyre” u drejtohet “etërve tanë të vdekur, që vdiqën pa privilegjin e marrjes së ungjillit, por që morën premtimin se koha do të vinte kur ai privilegj do t’iu jepej atyre. Fëmijët janë ata që jetojnë tani, të cilët po i përgatitin të dhënat gjenealogjike dhe po i kryejnë ordinancat mëkëmbëse në tempuj” (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:127).

Grupi 3

Doktrina e Besëlidhje 2:3 – Përse do të shkatërrohej tërësisht toka nëse fuqia vulosëse nuk do të ishte rivendosur?

Presidenti Jozef Filding Smith

“Përse do të shkatërrohej toka? Thjesht sepse, nëse nuk ka një lidhje të pandashme midis etërve dhe fëmijëve – e cila është puna për të vdekurit – atëherë ne të gjithë do të jemi të flakur; e gjithë puna e Perëndisë do të dështojë dhe do të shkatërrohet tërësisht” (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:122).

Pasi grupet të kenë pasur mjaft kohë për t’u përgatitur, ftoni studentë nga grupet t’i raportojnë klasës përmbledhjet dhe përgjigjet e tyre. Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë të vërtetat vijuese:

Doktrina e Besëlidhje 2:1Perëndia do ta dërgonte Elijan për të rivendosur fuqinë vulosëse në tokë përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

Doktrina e Besëlidhje 2:2Zemrat tona mund të kthehen te paraardhësit tanë dhe ne mund të kryejmë ordinanca për ta në tempuj.

Doktrina e Besëlidhje 2:3Pa fuqinë për t’i lidhur familjet për përjetësinë, toka do të shkatërrohej në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Nëse jeni vulosur në tempull, ju mund të dëshironi të paraqitni një fotografi të familjes suaj. Nëse nuk jeni vulosur ende, tregoni rreth gëzimit tuaj për t’u vulosur. Shkurtimisht shpjegoni se kur studentët studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 110, ata do të mësojnë rreth Elijas duke dhënë fuqinë vulosëse mbi Profetin Jozef Smith.

Kthejeni vëmendjen e studentëve te rrëfimi në Joseph Smith – Historinë, duke shpjeguar se pasi Moroni citoi profecinë rreth kthimit të Elijas, ai citoi profeci të tjera rreth Rivendosjes. Më pas ai dha udhëzime të mëtejshme rreth fletëve të arta dhe u largua (shih Joseph Smith – Historia 1:42–43). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:44–45. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se çfarë ndodhi pas largimit të Moronit. Kur studentët ta kuptojnë se Moroni u kthye atë natë dhe e përsëriti të njëjtin mesazh, ftojini t’i hedhin një sy të shpejtë Joseph Smith – Historisë 1:46–49 dhe të kërkojnë se sa herë Moroni ia dha Jozef Smithit në thelb të njëjtin mesazh.

  • Sa herë ia dha Moroni mesazhin Jozef Smithit? (Katër herë.)

  • Cilat janë disa mesazhe që janë përsëritur në shkrimet e shenjta, në mësimet e Kishës dhe në bisedat e konferencave të përgjithshme?

  • Në çfarë mënyrash përfitojmë ne, kur Zoti dhe shërbëtorët e Tij i përsëritin mesazhet e tyre?

Nxitini studentët të kërkojnë mësimet e përsëritura teksa i studiojnë shkrimet e shenjta vetë dhe të marrin parasysh rëndësinë e këtyre mësimeve.

Joseph Smith – Historia 1:50–54

Jozefi shkon te kodra dhe zbulon analin, Urimin e Thumimin dhe parzmoren

Përmblidheni Joseph Smith – Historinë 1:50–51 duke shpjeguar se Jozefi iu bind urdhrit të Moronit dhe i tregoi babait të vet rreth përvojës së tij natën e mëparshme. Babai i tij e besoi atë dhe e këshilloi të bënte atë që Moroni i ishte thënë të bënte. Prandaj Jozefi shkoi te kodra ku ishin groposur fletët e arta. Kërkojuni tre studentëve të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Joseph Smith – Historia 1:52–54 ndërkohë që klasa i ndjek. Për t’u siguruar që studentët i kuptojnë qartësisht ngjarjet e përshkruara në këto vargje, kërkojini një studenti të ritregojë me fjalët e veta atë që ndodhi. Njoftojini studentët se në mësimin e ardhshëm ata do të diskutojnë ngjarjet që ndodhën rreth kohës kur Jozefi u lejua t’i merrte fletët.

Mund të doni ta mbyllni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar në këtë mësim dhe duke i ftuar studentët të veprojnë sipas ndonjë nxitjeje që kanë marrë për t’i zbatuar këto të vërteta në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Joseph Smith – Historia 1:33. “Emri im … do të flitej si për mirë, edhe për keq mes gjithë popujve”

Plaku Xhon H. Groberg, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi për një përvojë në të cilën ai pa një përmbushje të profecisë së Moronit te Joseph Smith – Historia 1:33. Teksa shërbente si misionar në Paqësorin Jugor, Plaku Groberg vizitoi një ishull të izoluar, të quajtur Tafahi, i cili kishte vetëm 18 shtëpi dhe nuk kishte as energji elektrike as ujë të rrjedhshëm. Ai shkroi:

Plaku Xhon H. Groberg

“Te shtëpia e fundit, më erdhi një mendim i çuditshëm: ‘Përse nuk e vë në provë profecinë se emri i Jozef Smithit do të njihej si për mirë, edhe për keq anembanë botës?’ Nuk e di përse më erdhi mendimi, por më erdhi.”

Ai e pyeti familjen që jetonte në këtë shtëpi nëse kishin dëgjuar ndonjëherë për presidentin e Shteteve të Bashkuara. Ata u përgjigjën: “Kush është ai?” dhe “Ku janë Shtetet e Bashkuara?” Plaku Groberg tregoi:

“U përpoqa të shpjegoja se ku ishte, por ata nuk mund të më kuptonin. Ata më pyetën se sa i madh ishte ai ishull. U përgjigja se ishte një ishull tepër i madh, mijëra kilometra larg, me miliona njerëz që jetonin në të. U thashë se shumë njerëz atje madje nuk e kishin parë kurrë oqeanin dhe se shumë njerëz nuk e njihnin njëri-tjetrin. Ata nuk mund ta merrnin me mend këtë.”

Më pas ai i pyeti rreth udhëheqësve të Rusisë dhe Francës, por ata nuk mund t’u përgjigjeshin pyetjeve të tij.

“Pastaj”, tha ai, “i pyeta rreth disa figurave sportive, disa artistëve të filmave, njerëzve të shquar të biznesit, rreth Depresionit, Luftës në Kore dhe gjërave të tjera. …

Nuk kishte asnjë anëtar të Kishës që jetonte në këtë ishull, edhe pse atje kishte dy kisha të tjera. Mora frymë thellë dhe thashë: ‘A keni dëgjuar ndonjëherë për Jozef Smithin?’

Menjëherë fytyrat e tyre u ndriçuan. Që të gjithë më vështruan dhe babai tha: ‘Mos na fol për atë profet të rremë! Jo në shtëpinë tonë! Dimë gjithçka rreth tij. Shërbestari ynë na ka thënë!’ Mezi mund ta besoja atë që po dëgjoja. Shkrimi i shenjtë … më tingëlloi në mendje se emri i Jozefit ‘do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve’ (JS–H 1:33). Për mua kjo ishte një përmbushje e drejtpërdrejtë e profecisë.

Jam i bindur se ju vështirë se mund të gjenit një vend më të izoluar, më të larguar nga qytetërimi bashkëkohor, se sa ishulli i vogël i Tafahisë. Njerëzit atje nuk dinin asgjë rreth udhëheqësve të mëdhenj të kohës – politikë, ekonomikë apo të tjerë – por ata e dinin emrin Jozef Smith. Në këtë rast ata e dinin atë për keq, të paktën si fillim. I kalova pak nga ditët në vazhdim duke shpjeguar më shumë rreth misionit të Profetit Jozef Smith dhe përpara se të largoheshim, disa prej tyre e njihnin emrin e tij për mirë” (In the Eye of the Storm [1993], f. 104–106).