Seminare dhe Institute
Mësimi 51: Doktrina e Besëlidhje 45:1–15


Mësimi 51

Doktrina e Besëlidhje 45:1–15

Hyrje

Në mars të vitit 1831 Kisha vazhdoi të rritej në Kirtland. Kundërshtimi ndaj Kishës gjithashtu vazhdoi. Profeti Jozef Smith shkroi: “Shumë thënie të rreme, gënjeshtra dhe histori të marra u botuan në gazeta dhe qarkulluan në çdo drejtim, për t’i penguar njerëzit që ta hetonin veprën ose që ta përqafonin besimin”. Në këtë kohë rritjeje dhe kundërshtimi, Jozef Smithi mori një zbulesë që ai më vonë tha se erdhi “për gëzimin e shenjtorëve që u ishte dashur të ndesheshin me çdo gjë që paragjykimi dhe ligësia mund ta shpiknin” (në History of the Church, 1:158). Kjo zbulesë, tani e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 45, filloi me shpalljet nga Shpëtimtari rreth roleve të Tij në shpëtimin tonë. Mësimi i sotëm është i pari i tri mësimeve që përqendrohen te Doktrina e Besëlidhje 45.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 45:1–5

Jezu Krishti thekson rolet e Tij si Krijues dhe Avokat

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë që ata po kërkojnë udhëzim rreth diçkaje që është e rëndësishme për ta, dhe që njerëz të ndryshëm dëshirojnë t’u japin këshillë për këtë gjë.

  • Çfarë cilësish i nevojiten një njeriu që t’i ketë, përpara se ju do të dëshironit ta dëgjonin këshillën e tij ose të saj? (Studentët mund të japin disa përgjigje të ndryshme për këtë pyetje. Siç nevojitet, ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata do të kenë më shumë mundësi të dëgjojnë prej dikujt që tregon kujdes për ta personalisht dhe që ka pasur sukses në çështjen për të cilën po ofrojnë këshillë.)

Shpjegoni se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 45 erdhi në një kohë kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe njerëz të tjerë po dëgjonin e lexonin mesazhe pështjelluese rreth Kishës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 45. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar rrethanat që po hasnin shenjtorët.

Ftojeni një student të lexojë fjalën e parë të Zotit në këtë zbulesë.

Kujtojini studentët se dëgjoni do të thotë të mbani vesh me vëmendje dhe të bindeni. Kur ne e dëgjojmë me të vërtetë Zotin, ne vërtet do t’i ndjekim këshillën dhe urdhërimet e Tij. Shpjegoni se në fillimin e kësaj zbulese, Zoti bëri deklarime rreth disa prej roleve të Tij dhe rreth përpjekjeve të Tij për të na ndihmuar. Teksa i lexojmë këto deklarime, ne mund të gjejmë arsye përse t’i dëgjojmë fjalët e Tij. Nxitini studentët të vëzhgojnë për fjalët dëgjoj dhe vë vesh në vargjet që studiojnë sot.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 45:1 duke kërkuar atë që Jezu Krishti tha rreth Vetvetes. Kërkojuni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë. Teksa përgjigjen, shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:2. Vëreni klasën ta ndjekë atë duke kërkuar arsyet përse t’ia vëmë veshin Shpëtimtarit.

  • Sipas këtij vargu, përse duhet t’ia vëmë veshin Shpëtimtarit? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fraza “në një orë kur nuk e mendoni, vera do të marrë fund” i drejtohet idesë që vera mund të jetë një kohë për të punuar dhe për t’u përgatitur për korrjen në fund të stinës. Ky varg na mëson se ne kemi nevojë t’ia vëmë veshin Shpëtimtarit tani dhe të pendohemi për mëkatet tona, ndërkohë që ende kemi kohë për të punuar për shpëtimin e shpirtrave tanë.)

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 45:3 përfshin fjalën avokat. Një avokat është dikush që ndërhyn për çështjen e dikujt tjetër. Nganjëherë kjo ndodh në një gjyq ligjor, ku një avokat i paraqet prova një gjykatësi në emër të dikujt që është duke u dënuar.

Përpara orës mësimore, përgatitni tri shenja si vijon:

gjykatësi, avokati, i pandehuri

Përgatiteni pjesën e pasme të shenjave si vijon:

Ati Qiellor, Jezu Krishti, ne

Ftojini tre studentë të dalin përpara klasës. Jepjani njërën prej shenjave secilit student. Kërkojuni t’i ngrenë shenjat duke paraqitur fjalët gjykatës, avokat dhe i pandehur. Kërkojini studentit që mban shenjën e emërtuar avokati, të qëndrojë midis dy studentëve të tjerë.

Kërkojini klasës të përfytyrojë se ata janë në një sallë gjyqësore ku ka një gjykatës, një avokat dhe një të pandehur i cili është akuzuar për një krim.

  • Cili është roli i gjykatësit?

  • Si mund ta ndihmojë një avokat të akuzuarin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:3. Ftojeni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që na mëson ky varg rreth Shpëtimtarit.

  • Në këtë varg, kush është gjykatësi? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, kërkojini studentit që mban shenjën e emërtuar gjykatësi, ta rrotullojë shenjën.) Kush është i pandehuri? (Kërkojini studentit që mban shenjën e emërtuar i pandehuri, ta rrotullojë shenjën.) Kush është avokati? (Kërkojini studentit që mban shenjën e emërtuar avokati, ta rrotullojë shenjën. Më pas shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin Qiellor.)

  • Përse na nevojitet një avokat me Atin Qiellor? (Ne jemi fajtorë për mëkatin. Sipas drejtësisë së Perëndisë asgjë e papastër nuk mund të banojë në praninë e Tij. Si rrjedhim, na nevojitet një avokat për të mbrojtur çështjen tonë përpara Atit dhe për të na ndihmuar të pajtohemi me Të.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:4–5. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si Jezu Krishti ndërhyn për çështjen tonë përpara Atit.

  • Sipas vargut 4, çfarë i kërkon Jezu Krishti të marrë parasysh Atit Qiellor? (Shpëtimtari i tregon për jetën e Tij të pamëkatë dhe për vuajtjen dhe vdekjen e Tij.)

  • Sipas vargut 5, çfarë tjetër i kërkon Shpëtimtari të marrë parasysh Atit? (Besimin tonë te Jezu Krishti.)

Ftojini studentët të përsiatin mënyrat që atyre iu nevojitet që Jezu Krishti të jetë Avokati i tyre në jetën e tyre të përditshme. Jepuni atyre kohë për t’i shkruar në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit duke qenë Avokati i tyre. Gjithashtu ftojini ata të shkruajnë çfarë ndiejnë që Ai do t’i vinte të bënin për të treguar se besojnë tek emri i Tij.

Doktrina e Besëlidhje 45:6–10

Shpëtimtari shpall se Ai është drita dhe jeta e botës dhe se Ai i ka dërguar botës besëlidhjen e Tij të përjetshme

Ndajini studentët në dyshe dhe u kërkoni dysheve të lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 45:6–10. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, bëni pyetjet vijuese:

  • Sipas vargjeve 6–7, çfarë arsyesh jep Shpëtimtari për ne që t’ia vëmë veshin Atij? Çfarë do të thotë për ju që Ai është “fillimi dhe mbarimi”? Në çfarë mënyrash Ai i sjell dritë dhe jetë botës?

Shkruajini në tabelë përshkrimet vijuese për Shpëtimtarin:

Jezu Krishti është fillimi dhe mbarimi.

Jezu Krishti është drita dhe jeta e botës.

  • Sipas vargut 8, çfarë u premton Shpëtimtari atyre që e pranojnë Atë?

Vini në dukje se te vargu 9 ne lexojmë që Jezu Krishti ka dërguar “besëlidhjen [e Tij] të përjetshme … që t’i jetë një dritë botës dhe që të jetë një flamur për popullin [e Tij]”. Në një zbulesë tjetër, Ai tha se besëlidhja e Tij e përjetshme është “plotësia e ungjillit [të Tij]” (DeB 66:2).

  • Si mendoni, çfarë do të thotë ta “kërkojmë” ungjillin?

  • Në çfarë mënyrash e keni parë ungjillin të jetë një dritë për botën? Në çfarë mënyrash është ungjilli një flamur për ata prej nesh që kanë bërë besëlidhje me Zotin?

Doktrina e Besëlidhje 45:11–15

Shpëtimtari shpall se Ai është Perëndia i Enokut

Paraqitni figurën Qyteti i Sionit Merret në Qiell (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 6; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se ky është përshkrimi i një artisti për Enokun dhe popullin e tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:11. Vini në dukje se në këtë varg Zoti thotë se disa njerëz e quajnë Atë “Perëndia i Enokut”.

Qyteti i Sionit Merret në Qiell

Ftojini studentët t’i tregojnë klasës se çfarë dinë rreth profetit Enok. Siç nevojitet, jepni informacionin vijues: Enoku jetoi përpara kohës së Noeut. Toka në kohën e Enokut ishte e mbuluar me ligësi, por ai udhëhoqi një shoqëri njerëzish të drejtë të cilët jetuan në një qytet të quajtur Sion. Banorët e Sionit më së fundi “u ndanë nga toka” (DeB 45:12) – u morën në qiell për shkak të drejtësisë së tyre (shih Moisiu 7:69).

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 45:12–14 duke shpjeguar se Zoti e ka marrë popullin e qytetit të Sionit te Vetja dhe se Ai do t’i ruajë ata “derisa një ditë drejtësie të vijë”. Në atë kohë, Enoku dhe populli i tij do të kthehen në tokë për t’u takuar me shenjtorët e ditëve të mëvonshme në qytetin e Jerusalemit të Ri, i cili gjithashtu do të quhet Sion (shih Moisiu 7:62–64). Të gjithë profetët mezi e kanë pritur atë ditë. Për shkak të ligësisë së njerëzve në tokë, ajo ditë nuk ka ardhur ende, por ata që e kanë pritur me dëshirë, do ta shohin atë një ditë.

Ftojini studentët t’i shqyrtojnë thëniet që i keni shkruar në tabelë, të cilat përshkruajnë disa nga rolet dhe tiparet e Jezu Krishtit. Vërini studentët t’i përsiatin këto thënie dhe të zgjedhin një tipar që është veçanërisht domethënës për ta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të raportojnë mbi rolin ose tiparin që kanë zgjedhur dhe të shpjegojnë përse ai është domethënës për ta. Pasi studentët t’i kenë shpjeguar mendimet e tyre, shkruani në tabelë parimin vijues: Teksa mësojmë rreth roleve dhe tipareve të Jezu Krishtit, rritet dëshira jonë për ta ndjekur Atë.

  • Çfarë keni mësuar sot rreth Shpëtimtarit që ju ndihmon të doni ta dëgjoni Atë?

Ju mund të dëshironi të jepni mendimet tuaja rreth njërit prej roleve ose tipareve të Shpëtimtarit dhe rreth mënyrës se si dituria juaj për atë rol ose tipar ju ndihmon të dëshironi ta ndiqni Atë. Mbylleni orën mësimore duke dëshmuar për bekimet e dëgjimit të Jezu Krishtit dhe të bindjes ndaj këshillës e urdhërimeve të Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 45:3–5. Jezu Krishti është Avokati ynë

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rolin e Shpëtimtarit si ndërmjetës:

Presidenti Bojd K. Paker

“Secili nga ne jeton mbi bazën e një lloj huaje shpirtërore. Një ditë llogaria do të mbyllet, një ujdi do të kërkohet. Sado me shkujdesje që mund ta shohim tani, kur të vijë ajo ditë dhe konfiskimi të jetë i pashmangshëm, ne do të vështrojmë përreth në agoni të pareshtur, për dikë, këdo, që të na ndihmojë.

Dhe, sipas ligjit të përjetshëm, mëshira nuk mund të jepet, përveçse të gjendet dikush që është si i gatshëm, ashtu edhe i aftë për ta marrë përsipër borxhin tonë dhe për ta paguar çmimin e për t’i rregulluar kushtet për shëlbimin tonë.

Në qoftë se nuk gjendet një ndërmjetës, në qoftë se nuk ka një mik, pesha e plotë e drejtësisë, e pazbutur, e ftohtë, duhet, me siguri duhet të bjerë mbi ne. Dëmshpërblimi i plotë për çdo shkelje, sado e vogël apo sado e madhe, do të kërkohet nga ne deri në qindarkën e fundit.

Por dijeni këtë: E vërteta, e vërteta e lavdishme, shpall se gjendet një Ndërmjetës i tillë.

‘Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.’ (1 Timoteut 2:5.)” (“The Mediator”, Ensign, maj 1977, f. 55–56).

Presidenti Paker theksoi se Zoti po vepron si Avokati ynë me Atin në jetën tonë të përditshme:

Presidenti Bojd K. Paker

“Për ndonjë arsye, ne mendojmë se Shlyerja e Krishtit gjen zbatim vetëm në fund të jetës së vdekshme për t’u shëlbuar nga Rënia, nga vdekja shpirtërore. Ajo është shumë më tepër se kaq. Ajo është një fuqi përherë e pranishme që ta përdorim në jetën e përditshme. Kur ne mundohemi, ose lëndohemi, ose brengosemi nga faji apo rëndohemi nga pikëllimi, Ai mund të na shërojë. Ndërsa nuk e kuptojmë plotësisht se si u bë Shlyerja e Krishtit, ne mund të provojmë ‘paq[en] e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie’. [Filipianëve 4:7.]” (“The Touch of the Master’s Hand”, Ensign, maj 2001, f. 23).

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi ndjenjat e tij lidhur me mënyrën se si Shpëtimtari e mbron çështjen e tij dhe si rrjedhim na siguron afrim tek Ati Qiellor:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Është me domethënie të madhe për mua që unë mundem t’i afrohem nëpërmjet lutjes fronit të hirit në çdo çast e në çdo rrethanë, që Ati im Qiellor do ta dëgjojë kërkesën time, që Avokati im, ai që nuk bëri mëkat, gjaku i të cilit u derdh, do të ndërhyjë për çështjen time. (Shih DeB 45:3–5.) Unë mbështetem fuqishëm tek ai afrim te Perëndia, të cilin ai ua jep gjithë fëmijëve të tij, sepse ai është i paanshëm dhe atij që kërkon, do t’i jepet” (“I Know in Whom I Have Trusted”, Ensign, maj 1993, f. 83).

Doktrina e Besëlidhje 45:11–12. “Enoku … u nda nga toka”

Profeti Jozef Smith vëzhgoi:

Profeti Jozef Smith

“Tani, këtë Enokun Perëndia e ruajti për Vete, që të mos vdiste në atë kohë, dhe i caktoi atij shërbesë tek trupat terrestrialë, për të cilët është zbuluar veçse shumë pak” (në History of the Church, 4:209).

Në një rast tjetër profeti shtoi:

Profeti Jozef Smith

“Ai [Zoti] e zgjodhi Enokun, të cilin Ai e drejtoi, dhe ua dha ligjin e Tij atij dhe njerëzve që ishin me të; dhe kur bota në përgjithësi nuk do t’iu bindej urdhërimeve të Perëndisë, pasi kishin ecur me Perëndinë, ai e mori në qiell Enokun dhe kishën e tij, dhe Priftëria ose qeverisja e qiellit u largua“ (në History of the Church, 5:64).