Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Vijimësia në Presidencë, Largimi nga Navuja dhe Udhëtimi drejt Perëndimit (Njësia 30)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Vijimësia në Presidencë, Largimi nga Navuja dhe Udhëtimi drejt Perëndimit (Njësia 30)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve për Studentët e Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Sa vijon është një përmbledhje për doktrinat dhe parimet që studentët i mësuan teksa studiuan njësinë 30. Kjo përmbledhje nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni nga njësia 30 përqendrohet vetëm në disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Vijimësia në Presidencë)

Studentët mësuan parimet vijuese rreth vijimësisë në presidencë: Apostujt mbajnë të gjitha çelësat e priftërisë të nevojshme për të kryesuar mbi Kishën. Kur Presidenti i Kishës vdes, Presidenca e Parë shpërbëhet dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve bëhet kuorumi kryesues nën drejtimin e Apostullit më të vjetër në detyrë. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi se ata që e udhëheqin Kishën janë thirrur nga Perëndia.

Dita 2: (Largimi nga Navuja; Udhëtimi Përmes Ajouas; Doktrina e Besëlidhje 136:1–18)

Duke studiuar rreth përpjekjeve të shenjtorëve për ta përfunduar Tempullin e Navusë përpara se të detyroheshin që të largoheshin nga Ilinoisi, studentët mësuan se marrja e ordinancave të tempullit ia vlen gjithë përpjekjen dhe sakrificën tonë të drejtë. Ata gjithashtu mësuan se Zoti na kërkon të jetojmë sipas besëlidhjeve që bëjmë.

Dita 3: (Doktrina e Besëlidhje 136:19–42)

Ndërsa studentët studiuan zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136, ata mësuan që nëse jemi të lumtur, ne duhet ta përlëvdojmë e falënderojmë Atin Qiellor dhe nëse jemi të pikëlluar, ne duhet të lutemi që shpirtrat tanë të mund të jenë të gëzuar. Ata zbuluan që sprovat tona mund të na përgatitin për të marrë lavdinë që Perëndia ka për ne dhe që nëse e përulim veten tonë dhe i bëjmë thirrje Perëndisë, atëherë Shpirti do të na ndriçojë. Ata gjithashtu mësuan që nëse jemi të zellshëm në mbajtjen e urdhërimeve të Zotit, atëherë gjykimet e Zotit nuk do të vijnë mbi ne, besimi ynë do të jetë i fortë dhe armiqtë tanë nuk do të triumfojnë mbi ne.

Dita 4 (Pionierët e Karrocave të Dorës, 1856–1860)

Studentët mësuan rreth sprovave të pionierëve të karrocave të dorës dhe zbuluan që nëse vuajmë me durim për hir të ungjillit, ne mund të shenjtërohemi me të vërtetë. Ata mësuan që si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë. Ata gjithashtu mësuan që ndërsa e durojmë vuajtjen me besnikëri, ne mund të njihemi me Perëndinë.

Hyrje

Nëpërmjet këtij mësimi studentët do të kuptojnë se ata ushtrojnë besim kur e ndjekin këshillën dhe udhëzimin e udhëheqësve tanë të Kishës. Ata gjithashtu do të mësojnë se Zoti do t’i bekojë kur i ndihmojnë njerëzit e tjerë në nevojë dhe përgatitin udhën për ta.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 136:1–18

Zoti i këshillon shenjtorët të organizohen dhe të përgatiten që të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt perëndimit

Lidhjani sytë një studenti/eje dhe vendoseni atë në njërën anë të dhomës. Pastaj riorganizojini disa objekte në dhomë, duke bërë zhurma që studenti të mund të kuptojë se objektet janë lëvizur. Kërkojini studentit me sy të lidhur të zgjedhë një shok apo një shoqe nga klasa që t’i japë udhëzime me zë për ta ndihmuar atë që të shkojë në anën tjetër të dhomës. Kur studenti e zgjedh dikë, pyesni:

  • Përse e zgjodhët atë person?

  • Si ndikon mirëbesimi ynë te një person tjetër në mënyrën se si i ndjekim udhëzimet e tyre?

Kërkojini udhërrëfyesit të japë udhëzime në mënyrë që studenti të mund të ecë i sigurt drejt anës tjetër të dhomës. Pastaj udhëzojini të dy studentët të kthehen në vendet e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues rreth eksodit të shenjtorëve nga Navuja. Kërkojini klasës të mbajë vesh për mënyrat se si përvojat e shenjtorëve mund të kenë qenë si përvoja e studentit që u udhëhoq përmes klasës.

Nën kërcënimet e dhunës nga turmat e zonës, shenjtorët filluan të largoheshin nga Navuja në shkurt të vitit 1846, duke udhëtuar drejt perëndimit përmes shtetit të Ajouas. “Largimi nga Navuja ishte një veprim besimi për shenjtorët. Ata u larguan pa e ditur me saktësi se ku po shkonin ose kur do të mbërrinin në një vend për t’u vendosur. Ata vetëm dinin që ishin në prag të dëbimit nga Ilinoisi prej armiqve të tyre dhe se udhëheqësit e tyre kishin marrë zbulesë që të gjenin një vendstrehim diku në Malet Shkëmbore” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 309).

  • Në ç’mënyrë ishte përvoja e largimit të shenjtorëve nga Navuja e ngjashme me përvojën e studentit që u udhëhoq në anën tjetër të klasës?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e largimit të shenjtorëve nga Navuja? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Ne ushtrojmë besim kur e ndjekim këshillën dhe udhëzimin e udhëheqësve tanë të Kishës. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Ftojini studentët të shkojnë te Harta 6 (“Lëvizja e Kishës Drejt Perëndimit”) në seksionin e Hartave Historike të Kishës në shkrimet e tyre të shenjta dhe të përcaktojnë Navunë dhe Lagjet Dimërore. Shpjegoni që për shkak të shiut të shumtë dhe furnizimeve të pamjaftueshme, shenjtorët që u larguan nga Navuja në shkurt të vitit 1846, shpenzuan katër muaj për të bërë udhëtimin prej 480 kilometrash përmes Ajouas. Lëvizja e grupit ishte e ngadaltë për shkak të këtyre kushteve dhe ngaqë humbën shërbimet e më shumë se 500 burrave të aftë fizikisht shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Këta burra, të cilët u bënë të njohur si Batalioni Mormon, ia vunë veshin thirrjes së Presidentit Brigam Jang që të përfshiheshin në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për të fituar para, që t’i ndihmonin anëtarët e varfër të Kishës të bënin udhëtimin drejt perëndimit. Kjo sakrificë ndihmoi në shumë mënyra, por gjithashtu i la shumë familje pa bashkëshortë dhe baballarë për një pjesë të udhëtimit. Duke marrë parasysh këtë ritëm të ngadaltë, udhëheqësit e Kishës vendosën të mos vazhdonin për në perëndim drejt Maleve Shkëmbore deri në pranverën e vitit 1847. Ata i këshilluan shenjtorët të ngrinin koloni për dimrin. Njëra nga kolonitë më të mëdha, Lagjet Dimërore, u vendos në pjesën perëndimore të lumit Misisipi, në shtetin e Nebraskës në ditët e sotme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përshkrimin vijues të Lagjeve Dimërore dhe të kolonive të tjera të përkohshme:

Shumica e shenjtorëve jetuan në shtëpi me trarë dhe në strehime të gërmuara, të bëra prej thuprash e balte. Shumë njerëz u strehuan në mënyrë të papërshtatshme nga moti i ftohtë. Sëmundje të tilla si malaria, pneumonia, tuberkulozi, kolera dhe skorbuti çuan në dhembje të përhapur gjerësisht dhe në vdekje. Më shumë se 700 njerëz vdiqën në kampet deri në fund të dimrit të parë. (Shih Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [1996], f. 72–73; Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 319–320).

  • Nëse do të kishit qenë me shenjtorët në Lagjet Dimërore, çfarë ndjenjash mund të kishit pasur, duke e kuptuar që ju ende do të kishit për të udhëtuar disa qindra kilometra?

Ju mund të doni të vini në dukje që edhe gjatë kësaj kohe vuajtjeje dhe vdekjeje, shenjtorët e drejtë u bekuan për shkak të besëlidhjeve që kishin bërë. Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se Zoti u ka premtuar bekime të mëdha atyre që vdesin në shërbimin e Tij (shih Alma 40:11–12; 60:13; DeB 42:46).

Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë hyrjes së seksionit te Doktrina e Besëlidhje 136, duke kërkuar se ku u dha kjo zbulesë dhe kush e mori atë. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që mësojnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:1.

  • Si mendoni se mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët njohuria se Zoti vazhdonte t’ua zbulonte vullnetin e Tij atyre?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 136:2–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi shenjtorët të bënin që të përgatiteshin për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt perëndimit.

  • Si duhej të organizoheshin kompanitë?

  • Si mendoni ju, përse do të kishte qenë e dobishme t’i organizonin shenjtorët në grupe me udhëheqës të caktuar? Si është kjo e ngjashme me mënyrën se si është e organizuar Kisha sot? (Pasi studentët t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, ju mund të doni ta shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti i organizon shenjtorët e Tij në grupe, me qëllim që çdo njeri të mund të marrë udhërrëfim e përkujdesje.)

Shpjegoni që për shkak të sëmundjes dhe vdekjes në Lagjet Dimërore dhe kampet përreth, shumë familje dhe individë kishin nevojë për ndihmë financiare që të mund të vazhdonin udhëtimin e tyre drejt perëndimit.

Ndajini studentët në dyshe. Vërini ata të studiojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 136:6–11, duke kërkuar mënyra se si shenjtorët duhej të kujdeseshin për njerëzit nevojtarë. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata ta shenjojnë atë që gjejnë.) Përpara se studentët ta lexojnë këtë fragment, shpjegoni se shenjtorët nuk u larguan që të gjithë në të njëjtën kohë nga Lagjet Dimërore. Fraza “ata që do të qëndrojnë” në vargun 6, u referohet shenjtorëve që duhej të rrinin për njëfarë kohe në Lagjet Dimërore dhe në kampet përreth.

  • Çfarë fjalësh dhe frazash në vargjet 6–11 tregojnë se si duhej të kujdeseshin shenjtorët për ata që ishin nevojtarë?

  • Cila fjalë në vargun 7 u referohet njerëzve që e përgatitin udhën për të tjerët? (Pionierë.)

Shkruani përkufizimin vijues në tabelë. (Ai citohet nga Oxford English Dictionary, bot. i 2-të [1989], “pioneer [pionier]”.)

Pionier: Një njeri që ecën përpara për të përgatitur ose hapur udhën që të tjerët ta ndjekin.

  • Sipas vargut 11, çfarë u premtoi Zoti atyre që do t’i ndihmonin njerëzit e tjerë nevojtarë dhe do ta përgatitnin udhën për ta? Çfarë mund të mësojmë nga kjo? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë parimin vijues: Zoti do të na bekojë kur i ndihmojmë njerëzit e tjerë nevojtarë dhe e përgatitim udhën për ta.)

  • Kush e ka përgatitur udhën për ju që t’i gëzoni bekimet e ungjillit?

Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjen vijuese. Më pas ftojini disa studentë që t’ua tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Çfarë do të bëni që të jeni një pionier – që t’i ndihmoni njerëzit e tjerë nevojtarë dhe të përgatitni udhën që ata t’i gëzojnë bekimet e ungjillit?

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar dhe duke i nxitur studentët që të veprojnë sipas këtyre të vërtetave.

Njësia Tjetër (Lufta e Jutës dhe Masakra e Livadheve Malore, Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe, Deklarata Zyrtare 1 dhe Doktrina e Besëlidhje 138)

Për t’i ndihmuar studentët që të përgatiten për studimin e tyre javën e ardhshme, kërkojuni atyre të marrin në shqyrtim pyetjen vijuese: Cilat janë disa nga pasojat e përpjekjes për ta fshehur mëkatin? Në njësinë tjetër studentët do të mësojnë rreth një ngjarjeje tragjike, të quajtur Masakra e Livadheve Malore, e cila ndodhi kur disa anëtarë të Kishës u përpoqën t’i fshihnin mëkatet e tyre. Ata gjithashtu do të mësojnë rreth zhvillimit të Kishës kur shenjtorët u vendosën në luginën e Solt-Lejkut.