Seminare dhe Institute
Mësimi 81: Doktrina e Besëlidhje 76:81–119


Mësimi 81

Doktrina e Besëlidhje 76:81–119

Hyrje

Ky mësim shqyrton vegimin e lavdisë telestiale, të treguar Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit, siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 76. Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni e përshkruan atë që mësuan rreth atyre që do të trashëgojnë mbretërinë telestiale, dhe rreth pasojave të mospranimit të dëshmisë së Jezu Krishtit. Ata gjithashtu përshkruan se si mbretëria telestiale ndryshon prej mbretërive të tjera të lavdisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 76:81–112

Zoti i tregon Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit një vegim të mbretërisë telestiale

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok që është anëtar i një kishe tjetër të krishterë, u thotë atyre: “Shërbestari im na tha se pasi të vdesim, ne do të shkojmë ose në qiell ose në ferr. Nuk e ndiej se jam aq i mirë sa të shkoj në qiell pikërisht tani, por gjithashtu nuk mendoj se jam aq i keq sa duhet të shkoj në ferr. Çfarë ju mëson feja juaj rreth qiellit dhe ferrit?”

  • Si do t’i përgjigjeshit shokut tuaj?

Paraqitni tabelën nga mësimi 78 të quajtur “Doktrina e Besëlidhje 76: Përmbledhja e Vegimit” (ose ftojini studentët të nxjerrin kopjet e tyre vetjake të tabelës). Ndërsa studentët diskutojnë për pjesën tjetër të Doktrinës e Besëlidhjeve 76, nxitini ata të kërkojnë të vërteta të cilat mund ta ndihmojnë këtë shok.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:81–83, 101, 103. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë njerëzit që do ta trashëgojnë mbretërinë telestiale.

  • Cilat fjalë dhe fraza në këto vargje përshkruajnë njerëzit që do ta trashëgojnë mbretërinë telestiale? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se një magjistar është dikush që merr pjesë në veprimtari që ftojnë ndikimin e shpirtrave të ligj. Një kurvërues është një njeri që merr pjesë në mëkat seksual.)

  • Sipas vargjeve 82 dhe 101, disa njerëz do të trashëgojnë mbretërinë telestiale, sepse ata nuk kanë pranuar t’i marrin bekimet e mëdha të ofruara atyre. Cilat janë bekimet që ata nuk i kanë pranuar? (Ata në mënyrë të vullnetshme nuk e pranojnë dëshminë për Jezusin dhe për ungjillin. Ngaqë e mohojnë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, ata nuk e pranojnë mundësinë për t’u penduar për mëkatet e tyre dhe për t’u pastruar nëpërmjet Shlyerjes. Ndërsa studentët diskutojnë për këtë pyetje, ju mund të doni t’i kujtoni ata për atë që mësuan në mësimin e mëparshëm rreth të qenit të guximshëm në dëshminë për Jezusin. Vini në dukje se lavdia që trashëgojmë, do të varet nga mënyra se si e marrim këtë dëshmi [shih DeB 76:50–51, 69, 78–79, 81–82, 101].)

  • Sipas vargut 83, si ndryshojnë ata që do të banojnë në mbretërinë telestiale, nga bijtë e humbjes? (Ata nuk e kryejnë mëkatin e pafalshëm të mohimit të Shpirtit të Shenjtë [shih DeB 76:35].)

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:84–85, 104–106, duke kërkuar se çfarë do t’u ndodhë të ligjve përpara se të mund ta marrin lavdinë telestiale.

  • Çfarë do t’u ndodhë të ligjve përpara se ata të shëlbohen dhe të lejohen që ta trashëgojnë mbretërinë telestiale? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ata që trashëgojnë mbretërinë telestiale, duhet të vuajnë në ferr përpara se të shëlbohen nga Shpëtimtari. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e termit ferr, shpjegoni se shkrimet e shenjta e përdorin [këtë] term në të paktën dy mënyra. Së pari, ferri është ajo pjesë e botës së shpirtrave e banuar nga të ligjtë dhe është një gjendje e vërtetë, por e përkohshme, e mundimit dhe vuajtjes shpirtërore. Së dyti, shkrimet e shenjta nganjëherë e përdorin fjalën ferr për t’iu referuar një gjendjeje të përhershme të mundimit e vuajtjes për bijtë e humbjes. (Shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hell [Ferr]”; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ferr”, [f. 47–48], scriptures.lds.org.)

  • Cilat fjalë te vargjet 84–85 dhe 104–106 përshkruajnë vuajtjen që do ta përjetojnë të ligjtë pasi të vdesin? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se te vargu 105, fraza “zjarr i përjetshëm” është një shprehje figurative që i referohet vuajtjes së të ligjve të cilët do të trashëgojnë mbretërinë telestiale. Ajo nuk nënkupton që vuajtja e tyre nuk do të mbarojë kurrë. Shih DeB 19:4–12.)

Theksoni se kushtet në ferr, të përjetuara nga ata që do të trashëgojnë mbretërinë telestiale, do të jenë të përkohshme. Ngaqë këta njerëz nuk do të pendohen dhe nuk do t’i zbatojnë bekimet e Shlyerjes në jetën e tyre, ata do të mbeten në ferr gjatë gjithë Mijëvjeçarit, duke e paguar dënimin për mëkatet e tyre nëpërmjet gjërave që vuajnë.

  • Cilat fraza nga vargjet 85 dhe 106 na mësojnë se ferri do të jetë një gjendje e përkohshme për ata që do të trashëgojnë mbretërinë telestiale?

Ftojeni një student që ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith dhe ftojeni klasën të dëgjojë për rezultatet e vuajtjes që të ligjtë do ta përjetojnë në ferr:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Kjo vuajtje do të jetë një mjet pastrimi ose dëlirësimi, dhe nëpërmjet saj të ligjtë do të sillen në një gjendje me anë të së cilës ata, nëpërmjet shëlbimit të Jezu Krishtit, mund të fitojnë pavdekësi. Shpirtrat dhe trupat e tyre do të bashkohen sërish dhe ata do të banojnë në mbretërinë telestiale. Por kjo ringjallje nuk do të vijë derisa të vijë fundi i botës” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:298).

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 76:106–108 duke shpjeguar se të ligjtë do të vuajnë për mëkatet e tyre derisa Jezu Krishti ta përfundojë veprën e Tij dhe t’ia dorëzojë mbretërinë e Perëndisë në tokë Atit të Tij. Atëherë Krishti do të kurorëzohet me lavdi.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:109–111. Më pas ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë do të ndodhë kur ata që do ta trashëgojnë mbretërinë telestiale, të vijnë përpara fronit të Perëndisë për t’u gjykuar.

Shpjegoni se, edhe pse vargu 111 u referohet veçanërisht atyre që do ta trashëgojnë mbretërinë telestiale, e vërteta e dhënë mësim në këtë varg gjen zbatim për çdo njeri.

  • Sipas vargut 111, çfarë do ta përcaktojë mbretërinë e lavdisë që trashëgojmë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë doktrinën vijuese: Mbretëria e lavdisë që trashëgojmë, do të përcaktohet nëpërmjet veprimeve tona në këtë jetë dhe dëshirave të zemrave tona. Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në tabelë.)

  • Si mund t’i ndikojë kjo doktrinë zgjedhjet tuaja?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:86–89, 98, 112 dhe të kërkojnë fjalë dhe fraza që përshkruajnë se si do të jetë pavdekësia për ata që e trashëgojnë mbretërinë telestiale. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Në çfarë mënyre tregojnë këto fjalë e fraza dashurinë dhe mëshirën e Jezu Krishtit?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 76:91–98. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si mbretëritë e lavdisë krahasohen me njëra-tjetrën.

  • Si ndryshon lavdia e mbretërisë çelestiale nga lavdia e mbretërive terrestriale dhe telestiale? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Lavdia e mbretërisë çelestiale e tejkalon lavdinë e mbretërive terrestriale dhe telestiale.)

  • Sipas vargjeve 92–95, çfarë bekimesh do t’u vijnë atyre që marrin ekzaltim në mbretërinë çelestiale? Si krahasohen këto bekime me bekimet që do t’u jepen atyre që e trashëgojnë mbretërinë telestiale?

Doktrina e Besëlidhje 76:113–119

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shpjegojnë se si të tjerët mund ta marrin diturinë që e morën ata vetë

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 76:113–119 duke shpjeguar se, pasi e përshkruan këtë vegim, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shpallën që Zoti i kishte urdhëruar të mos e shkruanin gjithçka që iu ishte treguar atyre. Ata gjithashtu shpjeguan atë që ne duhet të bëjmë që të jemi në gjendje t’i shohim dhe t’i kuptojmë misteret e mbretërisë së Perëndisë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:116–118. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ne mund të arrijmë t’i shohim dhe kuptojmë misteret e mbretërisë së Perëndisë.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë që të jemi në gjendje t’i shohim dhe t’i kuptojmë misteret e mbretërisë së Perëndisë? (Shih edhe DeB 76:5–10.)

Për t’i ndihmuar studentët t’i shpjegojnë doktrinat që i kanë mësuar nga studimi i Doktrinës e Besëlidhjeve 76 dhe të dëshmojnë për to, kujtojuni atyre pyetjen për të cilën diskutuan në fillim të orës mësimore: “Çfarë ju mëson feja juaj rreth qiellit dhe ferrit?” Ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni që të punojnë së bashku për të krijuar një përmbledhje të mënyrës se si mund t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Informojini ata që pas disa minutash, secila dyshe do të ketë mundësinë për t’ia treguar përgjigjet e veta një dysheje tjetër.

ikona e fletushkësPër t’i ndihmuar studentët në përgatitjen e tyre, shpërndani kopje të pyetjeve vijuese ose shkruajini pyetjet në tabelë përpara orës mësimore:

Çfarë ka zbuluar Zoti rreth qiellit dhe ferrit te Doktrina e Besëlidhje 76?

Cilët janë ndryshimet midis secilës mbretëri të lavdisë?

Cilët janë ndryshmet në zgjedhjet e bëra nga ata që i trashëgojnë këto mbretëri, dhe ata që nuk e trashëgojnë një mbretëri lavdie?

Çfarë e dini të jetë e vërtetë rreth Shpëtimtarit dhe rolit të Tij në shpëtimin tonë?

Sugjeroni që studentët t’i marrin parasysh këto pyetje ndërkohë që përgatiten për ta shpjeguar atë që Kisha na mëson rreth qiellit dhe ferrit. Përveç kësaj, kërkojuni studentëve të përdorin të paktën dy referenca të shkrimit të shenjtë nga Doktrina e Besëlidhje 76 si pjesë të shpjegimit të tyre.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilën dyshe që të punojë në bashkëpunim me një dyshe tjetër. Ftojeni një dyshe që t’u japë mësim dy studentëve të tjerë duke përdorur përmbledhjen e tyre. Kur dyshja e parë e studentëve të ketë pasur mundësi për ta shpjeguar doktrinën, ftojeni dyshen e dytë të japë mësim. Pasi studentët ta kenë mbaruar mësimdhënien, ju mund t’i ftoni ata që t’ia tregojnë klasës atë që mësuan.

Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në jetë atë që kanë mësuar nga studimi rreth mbretërive të lavdisë, shkruani në tabelë fjalitë e paplota vijuese dhe ftojini studentët t’i plotësojnë ato në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Si rrjedhim i asaj që kam mësuar nga studimi rreth mbretërive të lavdisë te Doktrina e Besëlidhje 76:

Unë e di …

Unë dua të …

Unë do të …

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar këtë veprimtari, nxitini ata të marrin parasysh nëse zgjedhjet që po i bëjnë, do t’i kualifikojnë që të trashëgojnë mbretërinë çelestiale. Gjithashtu nxitini të kërkojnë ndihmën e Zotit për të bërë ndonjë ndryshim që e mendojnë se është i nevojshëm ta bëjnë. Merrni parasysh dhënien e dëshmisë suaj për të vërtetat që keni mësuar nga studimi i Doktrinës e Besëlidhjeve 76.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 76:84. Ferri

Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta shpjegon përdorimin e termit ferr në shkrimet e shenjta:

“Zbulesat e ditëve të mëvonshme flasin për ferrin të paktën në dy kuptime. Së pari, është vendi i përkohshëm në botën e shpirtrave për ata që ishin të pabindur në vdekshmëri. Në këtë kuptim, ferri ka një fund. Shpirtrave atje do t’u mësohet ungjilli dhe në një kohë të caktuar pas pendimit të tyre, ata do të ringjallen në një shkallë lavdie për të cilën janë të denjë. Ata që nuk do të pendohen, por megjithatë, nuk janë bij të humbjes, do të mbeten në ferr gjatë gjithë Mijëvjeçarit. Pas këtyre njëmijë vjetëve mundimi, ata do të ringjallen në një lavdi telestiale (DeB 76:81–86; 88:100–101).

Së dyti, është vendndodhja e përhershme e atyre që nuk shëlbohen nga shlyerja e Jezu Krishtit. Në këtë kuptim, ferri është i përhershëm. Është për ata që gjenden ‘akoma të fëlliqur’ (DeB 88:35, 102). Ky është vendi ku Satani, engjëjt e tij dhe bijtë e Humbjes – ata që e kanë mohuar Birin pasi Ati ua ka shfaqur atë – do të banojnë përjetësisht (DeB 76:43–46)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ferr”, [f. 47], scriptures.lds.org).

Plaku Brus R. Mek-Konki tha sa vijon rreth ferrit:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ajo pjesë e botës së shpirtrave, e banuar nga shpirtrat e ligj, të cilët po presin ditën përfundimtare të ringjalljes së tyre, quhet ferr. Ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes së tyre, këta shpirtra të të ligjve flaken në errësirën e jashtme, në dëshpërimin e zymtë të sheolit, në strehën e nëndheshme të shpirtrave të ligj që presin, në ferr. Atje ata vuajnë mundimet e të mallkuarve; atje ata vuajnë në hakmarrjen e zjarrit të përjetshëm; atje gjendet qarje dhe vajtim e kërcëllimë dhëmbësh; atje indinjata e flaktë e zemërimit të Perëndisë derdhet mbi të ligjtë. (Alma 40:11–14; DeB 76:103–106.) …

Pas ringjalljes së tyre, pjesa dërmuese e atyre që kanë vuajtur në ferr, do të kalojnë në mbretërinë telestiale; pjesa tjetër, të mallkuar si bij të humbjes, do të caktohen për të marrë pjesë në mjerimin e pafund me djallin dhe engjëjt e tij. …

Prandaj, për ata që janë trashëgimtarë të një farë shpëtimi, i cili i përfshin të gjithë, përveç bijve të humbjes (DeB 76:44), ferri ka një fund” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 349, 350, 351; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 165–166.)

Doktrina e Besëlidhje 76:85, 106. Shëlbimi i të ligjve

Presidenti Brigam Jang shpjegoi se si disa njerëz në kohën e tij iu përgjigjën të vërtetës që shumica e të ligjve më së fundi do të shëlboheshin dhe nuk do të vuanin në ferr përgjithmonë:

Presidenti Brigam Jang

“Kur Perëndia i zbuloi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit se kishte një vend të përgatitur për të gjithë, në përputhje me dritën që kishin marrë dhe mohimin nga ana e tyre të ligësisë dhe ushtrimin nga ana e tyre të së mirës, ajo ishte një sfidë e madhe për shumë njerëz dhe disa veta e braktisën Kishën, sepse Perëndia nuk do t’ua dërgonte ndëshkimin e përjetshëm të pafeve dhe foshnjave, por kishte një vend shpëtimi, në kohën e duhur, për të gjithë dhe do t’i bekonte njerëzit e ndershëm e të virtytshëm dhe të vërtetë, pavarësisht nëse ata i përkisnin ndonjë kishe apo jo. Kjo ishte një doktrinë e re për këtë brez dhe shumë njerëz u penguan tek ajo” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 292).

Doktrina e Besëlidhje 76:92–95. “Lavdi[a] e çelestialit … kapërcen në gjithçka”

Plaku Orson Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për ndryshimin midis të qenit të shpëtuar në mbretërinë çelestiale dhe trashëgimit të mbretërive të tjera të lavdisë:

Plaku Orson Prat

“Ka tepër ndryshim midis të qenit të shpëtuar në një farë mbretërie, ku ka një farë lavdie, një farë lumturie, dhe të qenit të shpëtuar në mbretërinë ku jeton Ati ynë. …

Ati ynë që jeton në qiejt atje, dhe Biri i tij, Jezu Krishti, banojnë në shkallën më të lartë të lavdisë në përjetësi. Ata janë të pushtuar nga e gjithë plotësia e lavdisë. Ata kanë një plotësi të lumturisë, një plotësi të fuqisë, një plotësi të inteligjencës, dritës e së vërtetës dhe ata kanë sundim mbi të gjitha mbretëritë e tjera të lavdisë më të ulët, të lumturisë më të ulët dhe të fuqisë më të ulët. … Ungjilli ka për qëllim që t’i ekzaltojë fëmijët e njerëzve në po të njëjtën shkallë të lavdisë, ku Ati ynë dhe ku Biri i tij banojnë” (Deseret News, 10 nëntor 1880, f. 642).

Doktrina e Besëlidhje 76:99–101. “Ata që janë të Palit dhe të Apolit, dhe të Kefës”

Për ta ndëshkuar mungesën e unitetit, Pali u shkroi korintasve:

“Sepse më është treguar për ju, o vëllezër, … se në mes jush ka grindje.

Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: ‘Unë jam i Palit’, ‘unë i Apolit’, ‘unë i Kefës’ dhe ‘unë i Krishtit’.

Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?” (1 Korintasve 1:11–13).

Fjalë të ngjashme te Doktrina e Besëlidhje 76:99–101 iu referohen atyre që nuk janë në harmoni me Jezu Krishtin ose profetët e Tij. Disa njerëz do të thonë se ata i ndjekin Jezu Krishtin ose profetë të caktuar, sidoqoftë këta njerëz e mohojnë në mënyrë të vullnetshme Shpëtimtarin dhe refuzojnë ta pranojnë ungjillin e Tij ose t’i ndjekin profetët e Tij.

Doktrina e Besëlidhje 76:113–116. Jozef Smithi në këtë vegim pa më shumë se sa ajo që është shkruar

Duke iu drejtuar vegimit të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76, Profeti Jozef Smith tha:

Profeti Jozef Smith

“Unë mund të shpjegoja njëqind herë më shumë se sa kam shpjeguar ndonjëherë mbi lavditë e mbretërive që m’u shfaqën në vegimin, nëse do të lejohesha dhe nëse njerëzit do të ishin të përgatitur për t’i marrë ato” (në History of the Church, 5:402).