Mësimi 83
Doktrina e Besëlidhje 78–80
Hyrje
Më 1 mars të vitit 1832, Zoti i zbuloi Jozef Smithit zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 78. Në këtë zbulesë, Zoti e udhëzoi Profetin që të organizonte një ndërmarrje (më vonë të njohur si Ndërmarrja e Bashkuar) për të administruar shtëpitë e ruajtjes dhe për përpjekjet botuese të Kishës. Zoti gjithashtu përshkroi bekimet që do të merrnin shenjtorët nëse i bindeshin urdhërimit për ta organizuar këtë ndërmarrje. Në një përpjekje për ta mbrojtur prej armiqve të Kishës këtë organizatë që drejtohej nga Kisha, një pjesë e gjuhës së kësaj zbulese u ndryshua kur u botua së pari në botimin e vitit 1835 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Për shembull, Ndërmarrja e Bashkuar u quajt “urdhri/rendi” apo “urdhri i bashkuar”. Afërsisht në po të njëjtën kohë kur Zoti e urdhëroi Jozef Smithin të organizonte Ndërmarrjen e Bashkuar, Zoti dha zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 79–80. Në këto zbulesa, Zoti i thirri Xhered Karterin, Stivën Burnetin dhe Iden Smithin që të shërbenin si misionarë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 78:1–16
Zoti e urdhëron Profetin Jozef Smith të organizojë Ndërmarrjen e Bashkuar
Mbani në dorë një shumë të vogël të hollash dhe bëni pyetjet vijuese:
-
Si mund të përdoret paraja për qëllime të liga?
-
Si mund të përdoret paraja për të çuar përpara çështje të mira?
Pasi studentët të përgjigjen, shpjegoni se në maj të vitit 1831, Zoti kishte urdhëruar që të krijohej një shtëpi ruajtjeje për të mbledhur furnizime në mallra dhe para të tepërta për përfitimin e të varfërve (shih DeB 51). Si rrjedhim, u krijuan dy shtëpi ruajtjeje: një e drejtuar nga Sidni Gilberti në Indipendens të Misurit dhe një e udhëhequr nga Njull K. Uitni në Kirtland të Ohajos. Në këtë përgjegjësi, Vëllai Gilbert dhe Vëllai Uitni vepronin si përfaqësues për Kishën. Këto shtëpi ruajtjeje kishin si qëllim t’i furnizonin shenjtorët me mallrat e nevojshme, ndërkohë që edhe të krijonin fonde për të blerë tokë dhe për të financuar botimin e zbulesave që i kishte marrë Jozef Smithi. Këto shtëpi ruajtjeje kishin gjithashtu si qëllim të ndihmonin ata që ishin në nevojë (shih DeB 72:10–12).
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin e zbulesës së shënuar te Doktrina e Besëlidhje 78, ftojeni një student të lexojë hyrjen e atij seksioni në botimin e 2013-s të shkrimeve të shenjta:
“Fillimisht, kjo zbulesë e udhëzoi Profetin, Sidni Rigdonin dhe Njull K. Uitnin që të udhëtonin për në Misuri dhe të organizonin përpjekjet tregtare dhe botuese të Kishës përmes krijimit të një ‘ndërmarrjeje’ që do t’i mbikëqyrte këto përpjekje, duke nxjerrë fonde për ngritjen e Sionit dhe për përfitimin e të varfërve. Kjo ndërmarrje, e njohur si Ndërmarrja e Bashkuar, u organizua në prill të vitit 1832 dhe u shkri në vitin 1834 (shih seksioni 82). Në njëfarë kohe pas shpërbërjes së saj, nën drejtimin e Jozef Smithit, fraza ‘punët e shtëpisë së ruajtjes për të varfërit’ zëvendësoi frazën ‘dyqanet tregtare dhe botuese’ te zbulesa dhe fjala ‘rregull’ zëvendësoi fjalën ‘ndërmarrje’.”
Sigurohuni që studentët e kuptojnë se te Doktrina e Besëlidhje 78 fjala rregull (shih vargun 4) i referohet Ndërmarrjes së Bashkuar. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 78:3–4 dhe ftojeni klasën të kërkojë atë që do t’u lejonte të bënin shenjtorëve kjo ndërmarrje apo ky rregull.
-
Sipas vargut 4, cila ishte kauza që Zoti dëshironte të çonte përpara nëpërmjet krijimit të kësaj ndërmarrjeje? (Shpëtimi i njerëzimit.)
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të përdoren paratë për ta çuar përpara kauzën e shpëtimit?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 78:5–6. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar arsyet përse Zoti i urdhëroi shenjtorët e Tij që të ndihmonin “të varfërit e popullit [të Tij]” (DeB 78:3). Kërkojuni studentëve të raportojnë gjetjet e tyre.
-
Si do t’i ndihmonte shenjtorët dhënia e ndihmës të varfërve që të bëheshin “të barabartë në gjëra tokësore”?
Ju mund të keni nevojë t’i kujtoni studentët se në një zbulesë të mëparshme, Zoti e përkufizoi barazinë në kushtet e rrethanave, nevojave dhe dëshirave familjare (shih DeB 51:3). Prandaj, urdhërimi për të qenë të barabartë në gjëra tokësore nuk nënkupton që gjithsecili do të ketë saktësisht të njëjtën sasi burimesh, por përkundrazi që çdo familje do të ketë mjaftueshëm për nevojat dhe dëshirat e veta, në përputhje me rrethanat e veta individuale.
Vini në dukje frazën “gjëra qiellore” te vargjet 5–6.
-
Në cilat “gjëra qiellore” mendoni se Zoti dëshiron që ne të jemi të barabartë?
-
Në ç’mënyrë të qenit të barabartë në gjëra tokësore na lejon që të jemi të barabartë në marrjen e gjërave qiellore?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 78:7. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një arsye tjetër përse Zoti i urdhëroi shenjtorët që të kujdeseshin për të varfrit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.
-
Në çfarë mënyrash mendoni që kujdesja për të varfrit do t’i përgatiste shenjtorët të trashëgonin mbretërinë çelestiale?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky varg që gjen zbatim për ne sot? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Bindja ndaj urdhërimeve të Zotit na përgatit për një vend në mbretërinë çelestiale.)
Kërkojuni studentëve që, në një minutë, të renditin sa më shumë që munden prej urdhërimeve të Zotit. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Ftojini studentët të zgjedhin një prej urdhërimeve të renditura në tabelë dhe të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa fjali që shpjegojnë mënyrën se si bindja ndaj atij urdhërimi do t’i ndihmojë që të përgatiten për mbretërinë çelestiale. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej qëllimin e Zotit në dhënien e urdhërimeve për ne, kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Nuk mjafton për dikë që thjesht t’i bëjë mekanikisht veprimet. Urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit nuk janë një listë depozitash që na kërkohet t’i derdhim në ndonjë llogari qiellore. Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan që na tregon si të bëhemi çfarë Ati ynë Qiellor dëshiron për ne që të bëhemi” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32).
-
Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e qëllimit të Zotit në dhënien e urdhërimeve për ne, që t’i bindemi Atij me besnikëri më të madhe?
Ftojini dy studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 78:8–9. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar emrat e atyre që Zoti i caktoi për ta organizuar Ndërmarrjen e Bashkuar. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.
-
Sipas vargut 9, me cilët u urdhëruan që të uleshin në kuvend këta tre burra? (Ndihmojini studentët të kuptojnë që fraza “shenjtorët … në Sion” u referohet anëtarëve të Kishës në Indipendens të Misurit.)
Shpjegoni që Jozef Smithi, Njull K. Uitni, Sidni Rigdoni, Piter Uitmer i Riu dhe Xhesi Gozi iu bindën këtij urdhërimi dhe udhëtuan për në Misuri në prill të vitit 1832. Pak pas mbërritjes së tyre, të tre mbajtën një kuvend ku organizuan Ndërmarrjen e Bashkuar në përputhje me udhëzimin në këtë zbulesë. Ndërmarrja përbëhej prej Jozef Smithit, Sidni Rigdonit, Njull K. Uitnit, Eduard Partrixhit, Sidni Gilbertit, Oliver Kaudërit, Xhon Uitmerit, Uilliam W. Felpsit dhe Martin Harrisit.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 78:10–16 duke shpjeguar se në këto vargje Zoti theksoi që anëtarët e ndërmarrjes duhej të lidheshin me anë të një besëlidhjeje për t’i administruar sipërmarrjet e Kishës. Duke qenë besnikë ndaj kësaj besëlidhjeje, ata do të kishin ndihmën e Zotit në përmbushjen e urdhërimeve të Tij. Zoti gjithashtu shpjegoi se, nëse shenjtorët do t’i ndiqnin udhëzimet e Tij, Kisha do të ishte në gjendje të qëndronte e pavarur nga të gjitha subjektet e tjera tokësore.
Doktrina e Besëlidhje 78:17–22
Shpëtimtari përshkruan bekimet në dispozicion të atyre që i zbatojnë urdhërimet e Tij
Kërkojuni studentëve të përmendin disa dhurata ose bekime që morën kur ishin më të vegjël, të cilat i çmojnë edhe më shumë tani që janë më të rritur.
-
Përse i çmoni më shumë këto dhurata ose bekime tani?
-
Si mendoni se mund të lidhet kjo me bekimet që Ati ynë Qiellor ka përgatitur për ne?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 78:17–18. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se si ishin shenjtorët të ngjashëm me fëmijët e vegjël.
-
Përse është ndonjëherë e vështirë që t’i kuptojmë bekimet që Zoti i ka ruajtur për ne?
-
Edhe pse mund të mos jemi në gjendje t’i kuptojmë e durojmë të gjitha gjërat, çfarë ftese na bën Zoti? (Të marrim zemër.)
-
Si mund të na ndihmojë që të marrim zemër, dijenia se Zoti “do [të na] udhëheq[ë] përgjatë udhës” (DeB 78:18) përmes gjërave që ne nuk mund t’i kuptojmë apo durojmë?
Kërkojuni studentëve ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 78:19, duke kërkuar këshillën që Zoti ua dha shenjtorëve. Më pas ftojini ata të raportojnë atë që mësuan.
-
Çfarë tha Zoti se do të ndodhë për ata që zgjedhin t’i pranojnë të gjitha gjërat me falënderim? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë në vijim: Nëse i pranojmë të gjitha gjërat me falënderim, Zoti do t’i shumëfishojë bekimet tona.)
-
Përse mendoni se Zoti do t’i shumëfishonte bekimet për ata që i pranojnë të gjitha gjërat me falënderim?
-
Si mund të na ndihmojë gjithashtu të marrim zemër zgjedhja për t’i pranuar të gjitha gjërat me falënderim?
Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si ata mund t’i pranojnë më plotësisht të gjitha gjërat me falënderim.
Vërini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 78:20–22, duke kërkuar atë që tha Zoti se ne duhet të bëjmë si rrjedhim i të kuptuarit të premtimeve të përshkruara te vargu 19. Ftojini studentët të tregojnë atë që gjetën.
Doktrina e Besëlidhje 79–80
Xhered Karteri, Stivën Burneti dhe Iden Smithi thirren që të shërbejnë në misione
Vërini në dijeni studentët se në zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 79 dhe 80, Zoti thirri tre burra që të shërbenin si misionarë. Caktojini studentët që të punojnë në dyshe. Kërkojini njërit partner të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 79 dhe tjetrit që të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 80. Ftojini ata të kërkojnë parime që gjejnë zbatim në punën misionare, ndërkohë që i studiojnë seksionet e caktuara atyre.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’u tregojnë partnerëve të tyre parimet që zbuluan. Pastaj kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një parim që mësuan. Ftojini ata të shkruajnë disa fjali rreth mënyrës se si mund ta përdorin atë parim për të folur për ungjillin me dikë që njohin.
Mbylleni këtë mësim duke dhënë dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet për të cilat keni diskutuar sot në orën mësimore.