Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 17–19 (Njësia 5)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 17–19 (Njësia 5)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 17–19 (njësia 5), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 17)

Nëpërmjet këshillës së Zotit dhënë Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit, studentët mësuan se, nëse ushtrojmë besim te Perëndia, ne mund të marrim një dëshmi për të vërtetat që dëshirojmë t’i dimë. Ata që marrin një dëshmi të së vërtetës, kanë përgjegjësi që të dëshmojmë për të. Shpëtimtari Vetë dëshmoi që Libri i Mormonit është i vërtetë.

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 18)

Në këtë mësim studentët mësuan se vlera e shpirtrave është kaq e madhe sa Jezu Krishti vuajti dhe vdiq me qëllim që të gjithë njerëzit të mund të pendohen dhe të kthehen tek Ati Qiellor. Studentët gjithashtu zbuluan se nëse i ndihmojmë të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Zoti, ne do të ndiejmë gëzim me ta në mbretërinë e Perëndisë. Ne mund ta dëgjojmë zërin e Jezu Krishtit kur i lexojmë shkrimet e shenjta me anë të fuqisë së Shpirtit.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 19:1–22)

Nga këshilla e Shpëtimtarit dhënë Martin Harrisit, studentët mësuan se Jezu Krishti e plotësoi vullnetin e Atit të Tij dhe se Jezu Krishti do të na gjykojë sipas veprave tona. Studentët gjithashtu mësuan se ne duhet të pendohemi për mëkatet tona ose të vuajmë. Ata që zgjedhin të mos pendohen, do të vuajnë dënimin për mëkatet e tyre.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 19:23–41)

Studentët mësuan rreth premtimit të Zotit dhënë Martin Harrisit: Nëse Martini do të mësonte për Të, do t’i dëgjonte fjalët e Tij dhe do të ecte në butësinë e Shpirtit të Tij, atëherë ai do të kishte paqe. Ky premtim gjen zbatim edhe për ne. Mësimi gjithashtu i ndihmoi studentët të mësonin që, nëse ne e bëjmë vullnetin e Zotit, Ai do të na japë bekime që kanë vlerë më të madhe sesa thesaret e tokës.

Hyrje

Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të mësojnë përse është i nevojshëm pendimi. Ai do ta thellojë kuptueshmërinë e tyre për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Sa më shumë që kuptojmë rreth sakrificës dhe bindjes së Jezu Krishtit, aq më shumë do të pakësohen dyshimet tona rreth aftësisë sonë për të ndihmuar në punën e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 17

Zoti u premton Tre Dëshmitarëve se ata do të lejohen t’i shohin fletët dhe sende të tjera të shenjta

Sillni një send interesant në klasë, por mos i lejoni studentët ta shohin atë. Teksa fillon ora mësimore, u thoni studentëve se e keni sjellë sendin me vete. Pyetini studentët nëse besojnë që ju e keni sendin, edhe pse ata nuk e kanë parë atë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 17:2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Tre Dëshmitarët duhej të bënin përpara se t’i shihnin fletët e arta.

  • Si mendoni ju, përse Tre Dëshmitarët kishin nevojë për besim përpara se të mund t’i shihnin fletët?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 17:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti u kërkoi Tre Dëshmitarëve të bënin pasi ata i panë fletët e arta dhe sendet e tjera të shenjta.

  • Çfarë u tha Zoti Tre Dëshmitarëve që ata do të duhej të bënin, pasi i panë fletët e arta dhe sendet e tjera të shenjta?

  • Çfarë kërkon Zoti nga ne pasi të fitojmë një dëshmi të së vërtetës? (Pasi fitojmë një dëshmi të së vërtetës, ne kemi përgjegjësi që të dëshmojmë për të.)

Ftojini studentët të përsiatin atë që e dinë se është e vërtetë dhe se si mund të dëshmojnë për ato gjëra.

Doktrina e Besëlidhje 18–19

Zoti flet për vuajtjen e Tij dhe jep mësim për rëndësinë e pendimit

Tregojuni studentëve një frutë ose vizatoni një figurë të një frute. Pyetini ata se si e dimë kur fruti është gati për t’u ngrënë. (Pamja ose tipare të tjera të saj tregojnë se ajo është pjekur.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti tha se po piqet në paudhësi.

  • Çfarë mendoni se do të thotë që “bota po piqet në paudhësi”?

  • Çfarë provash shihni që kjo po ndodh?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 18:10 (pjesë e një fragmenti të zotërimit të shkrimit të shenjtë), duke kërkuar se si ndihet Zoti rreth të gjithë njerëzve, edhe atyre që po piqen në paudhësi. Pastaj, kërkojuni ta lexojnë me zë të lartë, njëzëri e shumë herë Doktrinën e Besëlidhjet 18:10, derisa çdo anëtar i klasës të mund ta thotë atë përmendsh.

  • Si ndihet Zoti rreth fëmijëve të Tij?

  • Si mund të ndikojë njohuria e kësaj gjëje në mënyrën se si i trajtoni njerëzit përreth jush?

  • Si mund të arrijë dikush ta dijë se ai ose ajo është me vlerë të madhe për Perëndinë?

Vini në dukje se në shumë situata vlera e një sendi përcaktohet nga sa para është dikush i gatshëm të paguajë për të. Ju mund të doni të paraqitni disa sende me vlerë të ndryshme për ta ilustruar këtë pikë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar çmimin që pagoi Shpëtimtari për shpirtrat tanë.

  • Çfarë çmimi u pagua për shpirtrat tanë? Përse u pagua ai? (Ju mund të doni ta shkruani në tabelë parimin vijues: Vlera e çdo individi është kaq e madhe sa Jezu Krishti vuajti dhe vdiq që ne të mund të pendohemi dhe të kthehemi tek Ati Qiellor.)

  • Çfarë lidhje ka pendimi me ardhjen te Shpëtimtari?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë se si pendimi na ndihmon të vijmë te Shpëtimtari, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë fragmentin nga broshura Të Vërtetë ndaj Besimit:

“Pendimi është shumë më tepër sesa thjesht të pranosh gabimet. Ai është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës që na jep një pamje të qartë mbi Perëndinë, mbi veten dhe mbi botën. Ai përfshin largimin nga mëkati dhe kthimin te Perëndia për falje. Është i motivuar nga dashuria për Perëndinë dhe dëshira e sinqertë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], 115).

Nxitini studentët të mendojnë për çfarëdo mëkatesh, sjelljesh ose qëndrimesh prej të cilave mund t’iu duhet të largohen, me qëllim që të pendohen dhe të vijnë te Krishti.

Shkruani në tabelë referencën vijuese të shkrimit të shenjtë: Doktrina e Besëlidhje 18:13–16.

Ftojini disa studentë t’i lexojnë me radhë, me zë të lartë këto vargje teksa klasa i ndjek. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë çdo formë të fjalës pendohem në këto vargje (pendohet dhe pendim). Pasi të lexohet secili varg, pyeteni klasën se çfarë na mëson ai varg rreth pendimit. Ju mund të vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 18:15–16 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Shtojini në tabelë të vërtetat që studentët i përcaktojnë. Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që është e qartë se nëse i ndihmojmë të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Zoti, ne do të ndiejmë gëzim me ta në mbretërinë e Perëndisë.

Nxitini studentët të mendojnë se si mund të jetë kur ata të kthehen në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar. Pyetini se si ata kanë në plan të përgatiten për atë ngjarje të madhërishme. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 19:4. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për t’u përgatitur për atë ditë.

  • Sipas këtij vargu, çfarë ndodh nëse zgjedhim të mos pendohemi?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 19:13–19. Vërini ata të kërkojnë pasojat për ata që zgjedhin të mos pendohen.

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 19:16–19, çfarë arsyeje dha Shpëtimtari përse Ai vuajti për mëkatet tona? (Ju mund të doni ta shtoni doktrinën vijuese tek ato që janë në tabelë: Shpëtimtari vuajti për mëkatet tona, që ne të mund të pendohemi dhe të mos vuajmë siç vuajti Ai.)

Merreni parasysh t’u tregoni studentëve një figurë të Shpëtimtarit në Gjetseman, të tillë si Jezusi Lutet në Gjetseman (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 56; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se shumica e rrëfimeve për vuajtjen e Jezu Krishtit jepet nga dikush tjetër, jo nga Ai Vetë (shih Mateu 26:36–39; Lluka 22:39–44), por Doktrina e Besëlidhje 19 përmban rrëfimin vetjak të Shpëtimtarit për vuajtjen e Tij.

Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 19:18–19, duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Shpëtimtari vuajtjen që Ai përjetoi gjatë Shlyerjes.

Shkruajini në tabelë dy pyetjet vijuese:

Cilat pjesë të përshkrimit të Shpëtimtarit për vuajtjen e Tij janë domethënëse për ju? Përse?

Ç’gjë në përshkrimin e Shpëtimtarit ndihmon për ta rritur dëshirën tuaj që të pendoheni dhe të ktheheni tek Ai?

Ftojini studentët të zgjedhin një nga pyetjet dhe ta diskutojnë përgjigjen e tyre me një partner.

Ftojini studentët të këndojnë ose të dëgjojnë fjalët e himnit “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113). Kërkojuni atyre të përsiatin fjalët e këtij himni dhe të mendojnë rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për ta.

Nëse e lejon koha, ftojini studentët të japin dëshmitë e tyre rreth Shpëtimtarit dhe bekimeve të pendimit. Nxitini të veprojnë sipas ndonjë ndjenje ose nxitjeje që ata kanë pasur për t’u penduar dhe për të ardhur te Shpëtimtari.

Për ta mbyllur këtë mësim, ftojini studentët të thonë përmendsh Doktrinën e Besëlidhjet 19:23 ose ta lexojnë atë njëzëri nga shkrimet e tyre të shenjta. Pyetini ata se si mendojnë që ky varg i zotërimit të shkrimit të shenjtë lidhet me pendimin dhe shpresën e faljes.

Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 20–23)

Çfarë bëjmë në Kishë sot që është e njëjtë me atë kur Kisha u organizua më 6 prill 1830? Cilat janë kërkesat për pagëzim? Si udhëzohet një mbajtës i priftërisë për ta bekuar sakramentin? Cilat janë detyrat e një mësuesi apo të një prifti? Studentët do t’i mësojnë përgjigjet për këto pyetje kur të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 20–23.