Mësimi 133
Doktrina e Besëlidhje 124:84–145; 125–126
Hyrje
Ky është mësimi i fundit i tri mësimeve që diskutojnë Doktrinën e Besëlidhjet 124. Ai gjithashtu diskuton Doktrinën e Besëlidhjet 125 dhe 126. Te Doktrina e Besëlidhje 124:84–145, Zoti u dha këshillë anëtarëve individualë të Kishës dhe dha emrat e atyre që duhej të shërbenin në detyra të ndryshme udhëheqëse të priftërisë. Në mars të vitit 1841, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 125, në të cilën Zoti zbuloi vullnetin e Tij lidhur me mbledhjen e shenjtorëve në Territorin e Ajouas. Më 9 korrik 1841, ai mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 126, në të cilën Zoti i tha Brigam Jangut se atij nuk do t’i kërkohej më që ta linte familjen e tij për të shërbyer në misione.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 124:84–122
Zoti u jep këshillë individëve të veçantë
Përpara orës mësimore, shkruajeni parimin vijues në një fletë letre: Nëse ia vëmë veshin këshillës së profetëve, do të jetë mirë për ne. Vendoseni letrën në një zarf dhe në pjesën e jashtme të zarfit shkruani Si mund të bekohemi tani dhe gjithmonë.
Fillojeni orën mësimore duke iu treguar studentëve zarfin. Thuajuni atyre se ai përmban udhëzime për mënyrën se si mund të jenë të lumtur tani, se si të shmangin sfida të panevojshme në jetën e tyre dhe se si të marrin bekime të tjera. Shpjegoni që udhëzimet gjejnë zbatim për secilin prej tyre, pavarësisht nga rrethanat e tyre të veçanta. Ftojini studentët të përsiatin pyetjet vijuese:
-
Sa e rëndësishme mund të jetë për ju që t’i merrni udhëzimet në zarf?
-
Nëse do t’i kishit udhëzimet, sa ngushtësisht do t’i kishit ndjekur pasi t’i kishit ato?
Kopjojeni në dërrasën e zezë tabelën shoqëruese përpara se të fillojë ora mësimore. Drejtojuni figurës dhe shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 124:84–118 Zoti u dha udhëzime individuale anëtarëve të caktuar të Kishës që, nëse ndiqeshin, premtonin bekime të mëdha. Ftojeni secilin student të lexojë në heshtje dy ose më shumë nga referencat në tabelë. Vërini ata të kërkojnë ngjashmëri midis udhëzimeve që iu dhanë secilit individ për të cilët ata lexojnë.
Uilliam Lo (DeB 89–90) |
Hajrëm Smith (DeB 94–96) |
Amos Dejvis (DeB 111–114) |
Robert Foster (DeB 115–118) |
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, bëni pyetjen vijuese:
-
Çfarë ngjashmërie vutë re në udhëzimet e dhëna këtyre burrave? (Secili fragment përmban udhëzim për të ndjekur këshillën e Profetit Jozef Smith.)
Ftojini studentët t’i rishikojnë vargjet që lexuan dhe të kërkojnë bekimet që premtoi Zoti nëse këta njerëz do ta ndiqnin këshillën që Ai u dha atyre. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë.
-
Si do t’i përmblidhnit premtimet që Zoti iu bëri këtyre burrave nëse ia vinin veshin Profetit?
Ftojeni një student ta hapë zarfin dhe të lexojë me zë të lartë parimin e shkruar në letër.
-
Si lidhet secili prej bekimeve të premtuara të renditura në tabelë me frazën “do të jetë mirë për ne”?
Kërkojuni studentëve të renditin këshillën e veçantë që ka dhënë Presidenti i Kishës në vitet e fundit dhe ftojeni një student t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.
-
Kur jeni bekuar ose mbrojtur nëpërmjet ndjekjes së këshillës së profetëve? (Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të tregoni një përvojë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:84. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti tha se një anëtar i Kishës, i quajtur Almon Babiti, ishte duke bërë në vend që të ndiqte këshillën e Presidencës së Parë.
-
Sipas vargut 84, çfarë bëri Almon Babiti në vend që ta ndiqte këshillën e Presidencës së Parë? (Ai aspironte të jepte këshillën e vet. Ju mund të doni të shpjegoni se ai haptazi u përpoq t’i bindte disa njerëz që “të mos e bënin” emigrimin drejt Navusë dhe në vend të kësaj të vendoseshin në Kirtland [shih History of the Church, 4:476].)
-
Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si njerëzit mund të japin këshillën e vet në kohën tonë?
Ftojini studentët të marrin në shqyrtim përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve që i përsiatën më parë në mësim rreth dëshirës së tyre për t’i marrë e ndjekur udhëzimet në zarf. Kërkojuni atyre të shkruajnë një synim të veçantë për t’i përmirësuar përpjekjet e tyre që t’ia vënë veshin këshillës së profetëve të gjallë që të mund t’i marrin bekimet e premtuara.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 124:119–122, duke shpjeguar se Zoti i dha udhëzime shtesë Kishës lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Navusë, që duhej të ishte një hotel nën pronësinë e Kishës.
Doktrina e Besëlidhje 124:123–145
Zoti jep emrat e atyre që duhet të shërbejnë në detyra të ndryshme udhëheqëse të priftërisë
Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë disa nga detyrat udhëheqëse të priftërisë në Kishë.
Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 124:123–145, Zoti përmendi individë të veçantë që të shërbenin në detyra të ndryshme udhëheqëse të priftërisë. Vëreni gjysmën e klasës t’i hedhë një sy vargjeve 123–132 dhe gjysma tjetër vargjeve 133–142, duke kërkuar detyrat udhëheqëse të priftërisë që Zoti i përmendi. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë dhe renditini në tabelë detyrat udhëheqëse të priftërisë që nuk u renditën më parë.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:143. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyet përse Zoti i thërret udhëheqësit e priftërisë dhe jep çelësa të priftërisë.
-
Përse Zoti thërret udhëheqës të priftërisë dhe jep çelësa të priftërisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti i thërret udhëheqësit e priftërisë që të qeverisin punën e shërbesës dhe të ndihmojnë për t’i përsosur shenjtorët.)
Ftojini studentët të marrin në shqyrtim mënyrën se si udhëheqësit e tyre të priftërisë i kanë ndihmuar ata në përpjekjet e tyre për ta ndjekur më mirë Jezu Krishtin dhe për t’u bërë më shumë si Ai. Ju mund të doni t’i ftoni disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 125
Zoti i udhëzon shenjtorët të mblidhen në vendet që Ai cakton
Shpjegoni se, pasi shenjtorët u dëbuan nga Misuri në dimrin e viteve 1838–1839, ata udhëtuan drejt Ilinoisit dhe Ajouas, ku ngritën koloni në të dy anët e lumit Misisipi. Përmblidheni zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 125, duke shpjeguar se ajo u mor në mars të vitit 1841 dhe zbuloi vullnetin e Zotit lidhur me shenjtorët që jetonin në Territorin e Ajouas dhe ata që planifikonin të shkonin atje. Në këtë zbulesë, Zoti i udhëzoi shenjtorët të mblidheshin dhe të ndërtonin vendet që Zoti do t’i caktonte nëpërmjet Profetit Jozef Smith, duke përfshirë një qytet në Ajoua që do të quhej Zarahemla. Kisha kishte blerë më shumë tokë në Ajoua se sa në Ilinois, duke sugjeruar që udhëheqësit e Kishës nuk kishin si qëllim që të gjithë shenjtorët të vendoseshin në Navu.
Doktrina e Besëlidhje 126
Brigam Jangut nuk i kërkohet më që të lërë familjen e tij për të shërbyer në misione të tjera
Ftojini studentët të përfytyrojnë se si do të ishte t’i linin familjet e tyre për të shërbyer në misione për Zotin gjatë pesë stinëve të ardhshme të verës dhe më pas të thirreshin për të shërbyer një mision në një vend të huaj për pothuajse dy vjet.
-
Si do të ndiheshit rreth largimit nga familja juaj kaq shumë herë?
-
Si do të ndiheshit rreth largimit nga familja kaq shumë herë nëse ju do të ishit përgjegjës për sigurimin e nevojave të familjes suaj?
Informojini studentët se, pasi Brigam Jangu u bashkua me Kishën në prill të vitit 1832, ai shërbeu disa misione gjatë nëntë viteve pasues. Misioni i tij i parë ishte gjatë dimrit pasi u pagëzua. Pesë misione të tjera, përfshirë pjesëmarrjen e tij në Kampin e Sionit, ndodhën çdo verë nga viti 1833 deri në vitin 1837. Këto misione ishin të gjata nga tre deri në pesë muaj. Më 8 korrik 1838, Brigam Jangu, me Apostujt e tjerë, u thirrën të shërbenin në një mision në Britaninë e Madhe. Ata e ndoqën udhëzimin e Zotit që të niseshin për në këtë mision nga Far-Uesti në Misuri, më 26 prill 1839 (shih DeB 118). Brigam Jangu dhe Apostujt e tjerë i kaluan disa nga muajt pasues në Ajoua dhe Ilinois, duke bërë përgatitje të mëtejshme për të udhëtuar për në Britaninë e Madhe. Një epidemi malarieje e goditi zonën në verën e vitit 1839, ku u prekën edhe ata prej saj.
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Brigam Jangu. Kërkojini klasës të dëgjojë për qëndrimin e tij ndaj shërbimit për Zotin pavarësisht se ishte kaq i sëmurë sa nuk mund të hipte në karrocë pa u ndihmuar kur u nis.
“Isha i vendosur të shkoja në Angli ose të vdisja duke u përpjekur. Qëndrimi im i vendosur ishte se unë do të bëja atë që po më kërkohej të bëja në Ungjillin e jetës dhe shpëtimit, ose unë do të vdisja duke u përpjekur ta bëja atë” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 5).
Shpjegoni se shërbimi misionar i Brigam Jangut kërkoi sakrifikim edhe nga ana e familjes së tij. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese të rrethanave të familjes së Brigam Jangut kur ai u largua për në misionin e tij në Britaninë e Madhe:
Brigam Jangu u largua nga Montros në Ajoua për në Britaninë e Madhe më 14 shtator 1839, vetëm 10 ditë pasi gruaja e tij, Meri Ana, lindi fëmijën e tyre të katërt. Meri Ana gjithashtu po vuante nga malaria. Kjo ishte hera e pestë që kur ata ishin martuar, që ajo e kishte përcjellë Brigamin në mision. Ngaqë ishin dëbuar nga shtëpia e tyre dhe i kishin humbur shumicën e zotërimeve të tyre në Misuri vitin e kaluar, ata ishin në thellësitë e varfërisë. Brigami ishte në gjendje ta linte Meri Anën me vetëm 2,72 dollarë për familjen e tyre. Brigami dhe Meri Ana mirëbesonin se Zoti do të siguronte për ta dhe u mbështetën në një premtim nga Profeti Jozef Smith që familjet e Apostujve do të kishin përkujdesje për nevojat e tyre ndërkohë që Apostujt ishin larg në misionet e tyre. (Shih Leonard J. Arrington, Brigham Young: American Moses [1985], f. 74–75, 413, 420.)
Shpjegoni se, pasi e udhëhoqi punën misionare të Kishës në Britaninë e Madhe, Brigam Jangu mbërriti në Navu të Ilinoisit më 1 korrik 1841. Profeti Jozef Smithi e mori zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 126 tetë ditë më vonë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 126:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i tha Brigamit rreth shërbimit të tij. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala vep[ër] i referohet punës së zellshme të bërë gjatë një periudhe të gjatë kohore.)
Shpjegoni që, edhe pse Zoti nuk i kërkoi më atij ta linte familjen e vet, Brigam Jangu më vonë përmbushi disa misione afatshkurtra. Ftojini studentët të përcaktojnë një parim nga vargjet 1–2, i cili na mëson se çfarë do të ndodhë nëse punojmë me zell për Zotin. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse punojmë me zell për Zotin, atëherë Ai do ta pranojë ofertën tonë të drejtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në anë të shkrimeve të tyre të shenjta.)
-
Kur e keni ndier se Zoti u kënaq me shërbimin tuaj?
Ftojini studentët të mendojnë rreth mundësive që kanë ata për t’i shërbyer Zotit. Nxitini ata që ta ndjekin shembullin e udhëheqësve të tillë si Brigam Jangu për të punuar me zell në këto mundësi. Jepni dëshminë tuaj se Zoti do t’i pranojë ofertat e drejta të përpjekjeve të tyre të zellshme në punën e Tij.