Seminare dhe Institute
Mësimi 78: Doktrina e Besëlidhje 76:1–19


Mësimi 78

Doktrina e Besëlidhje 76:1–19

Hyrje

Më 16 shkurt 1832 Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni po punonin për rishikimet e frymëzuara të Biblës (nganjëherë të quajtur Përkthimi prej Jozef Smithit). Ndërsa po përkthenin dhe përsiatnin kuptimin e Gjonit 5:29, atyre iu dha një vegim, që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 76. Gjatë këtij vegimi, Shpëtimtari u tregoi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit një seri vegimesh të veçanta që pohuan vërtetësinë dhe hyjnueshmërinë e Jezu Krishtit, dhanë mësim mbi rënien e Satanit dhe të bijve të humbjes, dhe zbuluan natyrën e tri mbretërive të lavdisë dhe të atyre që do t’i trashëgojnë ato. Presidenti Uilford Udraf tha: “Unë do t’i referohem vetëm ‘Vegimit’ [në seksionin 76], si një zbulesë që jep më shumë dritë, më shumë të vërtetë dhe më shumë parim sesa çdo zbulesë që përmbahet në ndonjë libër tjetër që mund të lexojmë ndonjëherë. Ajo e bën të qartë për të kuptuarin tonë gjendjen tonë të tanishme, nga erdhëm, përse jemi këtu dhe ku do të shkojmë. Çdo njeri mund ta dijë nëpërmjet asaj zbulese se cili do të jetë roli i tij dhe gjendja e tij” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 120–121).

Doktrina e Besëlidhje 76 do të zhvillohet në katër mësime. Ky mësim mbulon një vështrim të shkurtër të vegimit, bekimet e Zotit të premtuara për besnikët dhe veprimet që e çuan Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin në marrjen e vegimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Vështrim i përgjithshëm i Doktrinës e Besëlidhjeve 76

Kërkojuni studentëve të emërtojnë disa vende ku ata do të donin të shkonin me pushime ose për festa. (Renditini përgjigjet e tyre në tabelë.) Qarkojeni njërin prej vendeve të renditura në tabelë. Kërkojuni studentëve të shkruajnë një përshkrim të rrugës që do t’u duhej të udhëtonin me qëllim që të arrinin në vendin e zgjedhur. Pas një ose dy minutash, ftojini disa studentë që të tregojnë atë që shkruan. Pastaj zgjidhni një vend të renditur në tabelë, që është në mënyrë të dukshme e ndryshme nga vendi i parë, dhe më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Nëse ndiqni udhën që përshkruat për vendin e parë, a do t’ju çojë ajo udhë te vendi i dytë?

  • Si e ndikon vendi që ju zgjidhni, udhën që duhet të merrni për të shkuar atje?

Shpjegoni se në shkurt të vitit 1832 Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni morën një vegim që zbuloi fatet e mundshme të përjetshme të njerëzimit. Ky vegim, i shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76, përshkruan tri shkallët (ose mbretëritë) e lavdisë dhe shkallën e zhvillimit shpirtëror të atyre që do t’i trashëgojnë ato. Ftojini studentët të përcaktojnë zgjedhjet që çojnë te jeta e përjetshme në mbretërinë çelestiale, ndërkohë që e studiojnë këtë vegim në katër mësimet e tjera vijuese. Përveç kësaj, ftojini ata të përsiatin nëse zgjedhjet që po bëjnë aktualisht, po i çojnë ata drejt fatit të përjetshëm që do t’u sjellë atyre lumturinë më të madhe.

Për të dhënë një pasqyrë të shkurtër të përmbajtjes së Doktrinës e Besëlidhjeve 76, jepuni studentëve një kopje të skemës shoqëruese. (Ju mund të doni ta bëni kopjen mjaft të vogël që studentët ta vendosin në shkrimet e tyre të shenjta dhe t’i drejtohen asaj kur studiojnë seksionin 76.) Shpjegoni se skema përvijon atë që Jozefi dhe Sidni panë dhe mësuan në vegimin që morën.

mbretëritë e lavdisë

Doktrina e Besëlidhje 76:1–10

Zoti u premton bekime atyre që janë besnikë ndaj Tij

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:1–5. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë fjalë dhe fraza që përshkruajnë karakteristikat e Jezu Krishtit.

  • Cilat nga karakteristikat e Jezu Krishtit të përmendura në këto vargje janë të rëndësishme për ju? Përse?

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te karakteristikat e Shpëtimtarit të përshkuara te Doktrina e Besëlidhje 76:5.

  • Sipas vargut 5, çfarë duhet të bëjmë që të përjetojmë mëshirën dhe hirin e Zotit? (Ne duhet ta kemi frikë Atë. Shpjegoni se në këtë kontekst, të kesh frikë Zotin do të thotë ta nderosh, respektosh dhe ta duash Atë.)

  • Çfarë duhet të bëjmë ne për të marrë nderimin e Zotit? Çfarë mendoni se do të thotë t’i shërbesh Zotit “në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund”?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:6–9 dhe të kërkojnë bekimet që u premton Zoti atyre që e nderojnë Atë dhe i shërbejnë Atij.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh u vijnë atyre që e nderojnë Zotin dhe i shërbejnë Atij? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se fjala misteretvargun 7 u drejtohet të vërtetave shpirtërore që mund të njihen vetëm nëpërmjet zbulesës.)

Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse e nderojmë Zotin dhe i shërbejmë Atij deri në fund, Ai do të na nderojë duke …

Ftojini studentët të plotësojnë parimin në tabelë. Ata duhet të përcaktojnë sa vijon: Nëse e nderojmë Zotin dhe i shërbejmë Atij deri në fund, Ai do të na nderojë duke na e zbuluar të vërtetën.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si Zoti mund të na e zbulojë të vërtetën, tregoni një llambë (ose elektrik dore) dhe i pyetni se si mund të lidhet ajo me ndikimin e Shpirtit. Pasi studentët të përgjigjen, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:10. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar ide shtesë për mënyrën se si llamba (ose elektriku i dorës) mund të lidhet me ndikimin e Shpirtit.

  • Në ç’mënyrë është ndikimi i Shpirtit si një burim drite, i tillë si një llambë? (Përgjigjet e studentëve mund të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Zoti na ndriçon me anë të Shpirtit.)

  • Çfarë do të thotë ndriçon? (Të na jepen njohuri apo ide shpirtërore që e rritin kuptimin tonë ose na ndihmojnë të shohim të vërtetën.)

  • Kur e keni përjetuar të qenit të ndriçuar nga Shpirti? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, ju mund të doni të tregoni edhe një përvojë nga vetja juaj.)

Doktrina e Besëlidhje 76:11–19

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni përshkruajnë rrethanat që çuan në vegimin e tyre

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:11–14. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë përmbushjen e premtimeve të përmendura te vargjet 5–10.

  • Në çfarë mënyrash ishte përvoja e Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit një përmbushje e premtimeve të përmendura te vargjet 5–10?

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur ata i kanë lexuar shkrimet e shenjta dhe nuk e kanë kuptuar atë që po lexonin.

  • Çfarë keni bërë për t’i kuptuar më mirë shkrimet e shenjta?

Shpjegoni se veprimet e Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit përpara marrjes së këtij vegimi mund të na mësojnë se si të kuptojmë më mirë shkrimet e shenjta dhe ta ftojmë Shpirtin e Shenjtë që të na e zbulojë të vërtetën.

Caktojini studentët që të punojnë në dyshe. Ftojeni një student në çdo dyshe të lexojë në heshtje hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 76. Ftojeni studentin tjetër në çdo dyshe të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:15–19. Vërini studentët të kërkojnë atë që Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni kishin bërë ose po bënin, që i përgatiti për të marrë kuptueshmëri për shkrimet e shenjta nëpërmjet zbulesës. (Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë hyrjen e seksionit, mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala të ndryshme do të thotë të tjera. Ju mund të doni të shpjegoni se në kohën e Jozef Smithit, shumica e njerëzve që besonin në Bibël mendonin se pas Gjykimit Përfundimtar të gjithë njerëzit do të dërgoheshin ose në qiell ose në ferr.) Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, kërkojuni t’i raportojnë partnerit të tyre atë që gjetën. Më pas bëjuni studentëve pyetjet vijuese:

  • Çfarë bënë Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni që i përgatitën ta merrnin këtë vegim? (Ata po studionin dhe meditonin mbi Gjonin 5:29.)

  • Çfarë do të thotë të meditosh për shkrimet e shenjta? (Përgjigjet mund të përfshijnë përsiatjen ose të menduarit për atë që po lexoni, duke bërë pyetje rreth asaj që po lexoni dhe duke e lidhur atë që po mësoni me atë që ju tashmë e dini.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit? (Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë parimin vijues: Kur i studiojmë dhe përsiatim shkrimet e shenjta plot lutje, ne e përgatitim veten tonë për të marrë kuptueshmëri nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se si t’i studiojnë plot lutje dhe t’i përsiatin shkrimet e shenjta, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës që të dëgjojë për veprimet që kanë lidhje me studimin dhe përsiatjen plot lutje të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni t’i jepni secilit student një kopje të thënies që të mund ta ndjekin.)

Plaku D. Tod Kristoferson

“Kur unë them ‘studioni’, dua të them diçka më shumë se leximi. … Ju përfytyroj ndonjëherë duke lexuar pak vargje, duke ndaluar për të medituar, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish, dhe ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, luteni për kuptueshmëri, bëni pyetje në mendjen tuaj, prisni për mbresa shpirtërore dhe i hidhni në letër mbresat dhe pikëpamjet që ju vijnë, që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë. Duke studiuar në këtë mënyrë, ju mund të mos lexoni shumë kapituj ose vargje në gjysmë ore, por ju do t’i bëni vend në zemrën tuaj fjalës së Perëndisë dhe Ai do t’ju flasë juve” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 11).

  • Çfarë veprimesh lidhi Plaku Kristoferson me studimin dhe përsiatjen plot lutje të shkrimeve të shenjta?

  • Përveç sugjerimeve të Plakut Kristoferson, çfarë tjetër keni bërë për t’i studiuar dhe përsiatur plot lutje shkrimet e shenjta? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Çfarë keni përjetuar si rezultat i studimit dhe përsiatjes plot lutje të shkrimeve të shenjta?

Nxitini studentët të zbatojnë hapat që kanë diskutuar sot në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për studimin dhe përsiatjen plot lutje të shkrimeve të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Vështrim i përgjithshëm i Doktrinës e Besëlidhjes 76. Zgjidhni shtegun e duhur për fatin e dëshiruar

Historia e mëposhtme, e treguar nga Plaku Sterling W. Still i Të Shtatëdhjetëve, ilustron rëndësinë e zgjedhjes së shtegut që do të na çojë drejt fatit të përjetshëm që ne e dëshirojmë më shumë:

Plaku Stërling W. Sill

“Ne mund të mësojmë shumë mësime mjaft të rëndësishme nga historia e treguar shumë vite më parë nga Dr. Heri Emerson Fosdiku, të titulluar ‘Në Autobusin e Gabuar’. Tregon për një burrë [në Shtetet e Bashkuara] i cili hypi në një autobus me qëllimin dhe dëshirën për të shkuar në Detroit. Por kur arriti në fund të udhëtimit të gjatë, ai e pa veten në Kansas-Siti. Në fillim, nuk po e besonte. Kur pyeti për [udhëzime] që të shkonte në Uduord Avenju dhe iu tha se atje nuk kishte Uduord Avenju, ai u zemërua – e dinte se kishte. Për njëfarë kohe ai nuk mund ta pranonte faktin se pavarësisht nga qëllimet e tij të mira dhe dëshira e tij e sinqertë, ai nuk ishte aspak në Detroit, por në Kansas-Siti. Çdo gjë ishte mirë përveç një hollësie të vogël; ai thjesht kishte marrë autobusin e gabuar.

A nuk është interesante që kaq shumë qenie njerëzore arrijnë në ndonjë vend në jetë, ku nuk e kishin kurrë për qëllim të shkonin! Ne zgjedhim synime për nder, sukses e lumturi dhe pastaj ndonjëherë ne hipim në autobusë që na çojnë në vende të ngarkuara me turp, dështim dhe pakënaqësi. Qëllimi kryesor i përvojës sonë në vdekshmëri është të na përgatitë për jetën që shtrihet përtej. Dhe fati ynë i mundshëm është ndarë në tri nënndarje kryesore, të cilat Pali i krahason në dëshirueshmëri me dritën e diellit, të hënës dhe të yjeve. …

Dhe kështu ne kthehemi sërish te kjo ide kryesore, e cila është një nga më të rëndësishmet në botë; së pari, që ne ta dimë se ku duam të shkojmë dhe e dyta, që ne të hipim në autobusin që do të na çojë atje” (“On the Wrong Bus”, New Era, korrik 1983, f. 4, 6.)

Doktrina e Besëlidhje 76:11–12. “Me anë të fuqisë së Shpirtit sytë tanë u hapën”

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni thanë se ndërsa ata po përkthenin Gjonin 5:29, ata ishin “në Shpirt” (DeB 76:11) dhe “me anë të fuqisë së Shpirtit” (DeB 76:12) sytë e tyre u hapën. Në këtë kontekst, këto fraza i referohen gjendjes së përkohshme fizike dhe shpirtërore të quajtur shpërfytyrim. Shpërfytyrimi ndodh kur “njerëzit … përkohësisht ndryshohen në pamjen e jashtme dhe natyrën fizike – domethënë ngrihen në një nivel më të lartë shpirtëror – kështu që ata të mund të durojnë praninë dhe lavdinë e qenieve qiellore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërfytyrimi”, scriptures.lds.org).

Doktrina e Besëlidhje 76:19. Studimi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth ndryshimit midis studimit e përsiatjes dhe rreth marrëdhënies midis përsiatjes dhe marrjes së zbulesës:

Presidenti Henri B. Ajring

“Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele dhe lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatim, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (“Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60).

Plaku Marvin J. Ashton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Marvin J. Ashton

“Duke përsiatur ne i japim Shpirtit mundësi që të lërë mbresa dhe të drejtojë” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20).

Doktrina e Besëlidhje 76. “Vegimi”

Nën drejtimin e Jozef Smithit u shkrua një variant poetik i Doktrinës e Besëlidhjeve 76, zakonisht i quajtur “Vegimi”. Poema u shtyp më 1 shkurt 1843 në Times and Seasons, një gazetë e Kishës e botuar në Navu të Ilinoisit nga nëntori 1839 deri në shkurt 1846 (shih Times and Seasons, 1 shkurt 1843, f. 82–85). Tabela më poshtë tregon pjesë nga Doktrina e Besëlidhje 76, strofa që përputhen nga poema dhe ide që ne mund të marrim nga të dyja.

Doktrina e Besëlidhje 76

Interpretimi Poetik

Ide

Vargu 24

“Se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë.”

Strofat 19–20

“19. Dhe unë dëgjova një zë të fuqishëm, që dëshmonte nga qielli,

Ai është Shpëtimtari dhe i vetëmlinduri i Perëndisë –

Se nëpërmjet tij, nga ai dhe prej tij, të gjitha botët u krijuan,

Madje i gjithë ky hov në qiejt pambarim,

20. Banorët e të cilit, gjithashtu, nga i pari tek i fundit,

Shpëtohen nga i njëjti Shpëtimtar i yni;

Dhe natyrisht, janë bij dhe bija të lindura të Perëndisë,

Nga të njëjtat të vërteta dhe nga të njëjtat fuqi.”

Jezu Krishti është Shpëtimtari, jo vetëm për banorët e botës sonë, por edhe për banorët e të gjithë botëve të krijuara prej Tij.

Vargjet 72–73

“Vini re, këta janë ata që vdiqën pa ligj;

Dhe gjithashtu ata që janë shpirtrat e njerëzve të mbajtur në burg, të cilët Biri i vizitoi dhe u predikoi ungjillin, që ata të mund të gjykohen sipas njerëzve në mish.”

Strofat 54–55

“54. Vini re, këta janë ata që kanë vdekur pa ligj;

Paganët e kohëve që kurrë nuk patën shpresë;

Dhe ata në vend dhe në hijen e vdekjes,

Shpirtrave në burg, ajo dritë iu soll.

55. Shpirtrave në burg, që dikur Shpëtimtari u predikoi,

Dhe ungjillin u mësoi, me fuqi të ripërtërirë;

Dhe pastaj të gjallët u pagëzuan për të vdekurit e tyre,

Që të mund të gjykohen si njerëzit në mish.”

Ndryshe nga Alvin Smithi, i cili do ta kishte pranuar ungjillin po të kishte pasur mundësi për ta marrë atë përpara se të vdiste (shih DeB 137), ka shumë njerëz që nuk do ta kishin pranuar ungjillin po ta kishin marrë atë gjatë vdekshmërisë. Por për shkak të mëshirave të mëdha të Perëndisë, këta njerëz do të kenë mundësinë ta dëgjojnë dhe ta pranojnë ungjillin në burgun e shpirtrave dhe të gjykohen sikur të ishin në mish.

Vargjet 74–77

“Të cilët nuk morën dëshmi për Jezusin në mish, por më pas e morën atë.

Këta janë ata që janë burra të ndershëm të tokës, të cilët ishin të verbuar nga dredhitë e njerëzve.

Këta janë ata që marrin nga lavdia e tij, por jo nga plotësia e tij.

Këta janë ata që marrin nga prania e Birit, por jo nga plotësia e Atit.”

Strofat 56–57

“56. Këta janë ata që janë burra të ndershëm të tokës;

Të cilët u verbuan dhe u mashtruan nga dredhitë e njerëzve:

Ata nuk e morën të vërtetën e Shpëtimtarit në fillim;

Por e morën, kur e dëgjuan atë në burg sërish.

57. Joguximtar për të vërtetën, ata nuk e morën kurorën,

Por janë të asaj lavdie që i ngjan hënës:

Ata janë ata që vijnë në praninë e Krishtit,

Por jo në plotësinë e Perëndisë, në fronin e tij.”

Ka shumë njerëz të ndershëm që nuk e pranojnë ungjillin në këtë jetë, por më vonë pendohen dhe e pranojnë ungjillin, kur u mësohet në botën e shpirtrave. Ata do të marrin lavdinë terrestriale, e cila krahasohet me dritën e hënës. Ata do të jenë në gjendje të shoqërohen me Jezu Krishtin, por nuk do të marrin nga plotësia e Perëndisë, Atit.