Mësimi 93
Doktrina e Besëlidhje 88:70–117
Hyrje
Ky është mësimi i tretë i katër mësimeve nga Doktrina e Besëlidhje 88. Pjesa e zbulesës në të cilën do të përqendrohet mësimi, u dha në një konferencë të priftërinjve të lartë më 27–28 dhjetor 1832. Në të Zoti i udhëzoi pleqtë e Kishës që ta mësonin njëri-tjetrin dhe të përgatiteshin për të shërbyer si misionarë. Zoti gjithashtu na mësoi lidhur me shenjat e Ardhjes së Dytë, rendin e përgjithshëm në të cilin do të ringjallen të gjithë njerëzit dhe disa prej ngjarjeve që do ta rrethojnë betejën përfundimtare me Satanin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 88:70–117
Zoti i urdhëron pleqtë e Kishës që të përgatiten për shërbesën e tyre dhe zbulon ngjarjet përreth Ardhjes së Tij të Dytë
Ftojeni një student të dalë përpara klasës dhe t’i mësojë një studenti tjetër mënyrën se si ta bëjë një detyrë të thjeshtë, të tillë si lidhjen e një kravate (ose një detyrë tjetër që studenti i dytë nuk di se si ta bëjë). Kërkojuni studentëve ta ngrenë dorën nëse kanë ndihmuar t’ia mësojnë një mësim apo një aftësi një njeriu tjetër kohët e fundit. Kërkojuni disa studentëve të përshkruajnë atë që e dhanë mësim. Më pas diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Çfarë mësuat nga përgatitja për të dhënë mësim dhe nga të mësuarit e dikujt tjetër?
-
Përse mendoni se ne shpesh mësojmë më shumë nga përgatitja për të dhënë mësim, sesa kur na jepet mësim nga të tjerët?
Kujtojini studentët se Zoti ia dha zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 88 një grupi të mbajtësve të priftërisë, të cilët ishin lutur të dinin vullnetin e Zotit lidhur me ngritjen e Sionit. Në këtë zbulesë, Zoti iu referua këtij grupi të mbajtësve të priftërisë si “punëtorët e parë në këtë mbretëri të fundit” (shih DeB 88:70, 74) dhe i urdhëroi të organizonin e të frekuentonin një shkollë për ta përgatitur vetveten që të predikonin ungjillin mes kombeve të tokës (shih DeB 88:74, 84, 127).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:73–76. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi këta mbajtës të priftërisë të bënin për t’u përgatitur që t’iu jepnin mësim të tjerëve.
-
Çfarë u urdhëruan të bënin këta “punëtorë [të] parë” për t’u përgatitur që t’iu jepnin mësim të tjerëve si misionarë? (Ju mund të doni t’i kërkoni një studenti që të veprojë si shkrues dhe t’i shkruajë përgjigjet e studentëve në tabelë.)
-
Çfarë mund të bënim që të “organizohe[shim]”, “përgatite[shim]” dhe “shenjtërohe[shim]” për t’u bërë më të efektshëm në shpërndarjen e ungjillit?
-
Si ndikon të qenit të pastruar nga mëkati në aftësinë tonë për ta shpërndarë ungjillin?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:77–80. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi këta mbajtës të priftërisë të bënin kur mblidheshin së bashku. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.
-
Çfarë u premtoi Zoti atyre që japin mësim me zell? (Se hiri i Tij do të jetë me ta dhe se ata do të mësohen në mënyrë më të përsosur në gjithçka që iu nevojitej të kuptonin për sa i përket mbretërisë së Perëndisë.)
-
Çfarë do të thotë që “hiri [i Zotit] do të jetë me ju” (DeB 88:78)? (Zoti do të na ndihmojë kur përpiqemi me zell ta japim mësim dhe ta mësojmë për veten tonë ungjillin.)
-
Nga ajo që mësuat te vargjet 77–78, si do ta shprehnit një parim rreth mësimdhënies? (Studentët mund të përcaktojnë një mori parimesh, përfshirë sa vijon: Ndërsa i japim mësim njëri-tjetrit me zell, Zoti do të na ndihmojë t’i kuptojmë të vërtetat e Tij në mënyrë më të përsosur. Nëpërmjet të mësuarit të njëri-tjetrit, ne mund të përgatitemi për të folur për ungjillin me të tjerët. Ju mund të doni t’i shkruani këto parime në tabelë duke përdorur fjalët e studentëve.)
-
Në çfarë mënyrash ju ka ndihmuar mësimdhënia e ungjillit të tjerëve që ta kuptoni më mirë atë?
-
Sipas vargut 79, çfarë temash të tjera janë të rëndësishme për ne që t’i kuptojmë? Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë të fituarit e një njohurie të tillë, të gjerë, që t’ua mësojmë të tjerëve ungjillin?
Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë rëndësinë e parimeve që përcaktuan më lart, dhe t’i vënë në jetë ato, caktoni grupe me nga katër studentë që t’i përgatitin dhe t’ua mësojnë mësimet e vogla vijuese pjesëtarëve të grupit të tyre. Kërkojuni dy studentëve në secilin grup të punojnë së bashku për t’u përgatitur që të japin mësim Doktrinën e Besëlidhjet 88:81–86 dhe kërkojuni dy studentëve të tjerë të punojnë së bashku për t’u përgatitur që të japin mësim Doktrinën e Besëlidhjet 88:87–98. Bëni kopje të udhëzimeve vijuese për secilin grup. Kërkojuni atyre që t’i lexojnë udhëzimet dhe vargjet e shkrimeve të shenjta deri në fund dhe më pas të vendosin se si do ta japin secilin mësim të shkurtër. (Nxitini që të dy studentët në secilën dyshe që të marrin pjesë në mësimdhënien.) Shpjegoni se secila dyshe do të ketë rreth pesë minuta kohë për t’u përgatitur dhe rreth shtatë minuta për të dhënë mësim. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, ftojini dyshet e caktuara për Doktrinën e Besëlidhjet 88:81–86 që t’iu japin mësim studentëve të tjerë në grupet e tyre. Më pas kërkojuni studentëve të shkëmbejnë rolet dhe ftojini dyshet e caktuara për Doktrinën e Besëlidhjet 88:87–98 të japin mësim. (Shënim: Nëse e parapëlqeni, ju mund të zgjidhni t’i jepni mësimet e shkurtra vetë, në vend që t’u kërkoni studentëve që t’i japin mësim njëri-tjetrit.)
Pasi grupet e studentëve t’i kenë dhënë mësim njëri-tjetrit, bëjani pyetjen vijuese të gjithë klasës:
-
Çfarë mësimesh ju bënë përshtypje në diskutimin tuaj rreth Doktrinës e Besëlidhjeve 88:81–98?
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 88:97–107 duke shpjeguar që Zoti zbuloi se të vdekurit do të ringjallen sipas rendit të tyre të drejtësisë. Ata që ringjallen të parët, do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale (shih DeB 88:97–98). Ata që ringjallen të dytët, do të trashëgojnë mbretërinë terrestriale (shih DeB 88:99). Ata që do të trashëgojnë mbretërinë telestiale, do të ringjallen pas Mijëvjeçarit (shih DeB 88:100–101). Më së fundi, ata që “mbeten … të fëlliqur” – ata që kanë jetuar në tokë dhe janë bërë bij të humbjes – do të ringjallen dhe flaken në errësirën e jashtme (shih DeB 88:102). Në fund të njëmijë vjetëve të paqes, të njohura si Mijëvjeçari, Satani dhe pasuesit e tij do të vijnë në betejë kundër popullit të Perëndisë, të udhëhequr nga Mikaeli (ose Adami). Satani dhe pasuesit e tij do të munden dhe do të flaken në errësirën e jashtme.
Tregoni me gisht parimin vijues në tabelë: “Ndërsa e mësojmë njëri-tjetrin me zell, Zoti do të na ndihmojë t’i kuptojmë të vërtetat e Tij në mënyrë më të përsosur”. Më pas bëni pyetjen vijuese:
-
Si u thellua kuptueshmëria juaj për Doktrinën e Besëlidhjet 88:81–86 ose 88:87–98, kur ia mësuat ato fragmente dikujt tjetër sot?
Nxitini studentët të gjejnë mundësi për t’ua mësuar ungjillin të tjerëve. Dëshmoni për bekimet që do të marrin ngaqë e bëjnë këtë.