Seminare dhe Institute
Mësimi 38: Doktrina e Besëlidhje 31–32


Mësimi 38

Doktrina e Besëlidhje 31–32

Hyrje

Në shtator 1830 Zoti e thirri Tomas B. Marshin që të predikonte ungjillin dhe të ndihmonte në ngritjen e Kishës. Kjo thirrje, që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 31, përfshiu gjithashtu premtime dhe këshilla për ta udhëhequr Tomasin në jetën e tij vetjake dhe si misionar. Në tetor 1830 Jozef Smithi mori zbulesën tashmë të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 32, në të cilën Zoti i thirri Parli P. Pratin dhe Ziba Pitersonin t’i bashkoheshin Oliver Kaudërit dhe Piter Uitmer të Riut, në një mision te lamanitët në Misurin perëndimor. Zoti premtoi se do të ishte me këta burra në punët e tyre misionare.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 31:1–8

Zoti e thërret Tomas B. Marshin që të predikojë ungjillin dhe të ndihmojë në ngritjen e Kishës

Ftojini studentët të mendojnë rreth pjesëtarëve të familjes së tyre dhe ndjenjave që kanë për ta. Ju mund të paraqisni një fotografi të familjes suaj dhe të përshkruani shkurtimisht dashurinë tuaj për ta. Kërkojini studentëve të marrin parasysh nëse ka ndonjë në familjen e tyre që nuk është anëtar i Kishës apo nuk është duke jetuar aktualisht sipas besëlidhjeve të tij apo të saj me Zotin. Ju gjithashtu mund të doni t’i ftoni studentët të përsiatin shpresat e tyre për pjesëtarë të tillë të familjes.

Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 31, Zoti iu drejtua një të sapokthyeri në besim, të quajtur Tomas B. Marshi dhe i foli për familjen e tij.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rrethanat e këtij seksioni, ftojeni një student të lexojë përshkrimin vijues të mënyrës se si Tomas B. Marshi u bë anëtar i Kishës.

Ndërsa jetonte në Boston të Masaçusetsit në 1829, Tomas B. Marshi arriti në përfundimin se asnjë nga kishat që njihte nuk ishin në përputhje me mësimet e Biblës. Ai shkroi: “Unë besova se Shpirti i Perëndisë më diktoi të bëja një udhëtim në perëndim”. Ai u largua nga bashkëshortja e tij, Elisabeta, dhe familja e tij e re për të kërkuar të vërtetën. Pas një udhëtimi tre mujor, Tomasi po kthehej për në shtëpi kur “dëgjoi për [një] Libër të Artë të gjetur nga një i ri i quajtur Jozef Smith”. Ai udhëtoi për në Palmira të Nju‑Jorkut, ku u takua me Martin Harrisin. Tipografi i dha Tomasit një fletë boce që përmbante gjashtëmbëdhjetë faqet e para të Librit të Mormonit. Tomasi më vonë shkroi: “Pasi arrita në shtëpi … i tregova bashkëshortes sime gjashtëmbëdhjetë faqet e Librit të Mormonit … me të cilat ajo u kënaq shumë, duke besuar se ishte puna e Perëndisë”. Rreth një vit më vonë, pasi mësoi për organizimin e Kishës, Tomasi dhe familja e tij u shpërngulën në Palmira. Ndërsa jetonte në zonë, ai u pagëzua pranë Fajetit dhe u shugurua plak nga Oliver Kaudëri në shtator 1830 (shih Thomas B. Marsh, “History of Thomas Baldwin Marsh”, Millennial Star, 11 qershor 1864, f. 375).

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth kërkimit të Tomas B. Marshit për të vërtetën?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 31:1–2 dhe ftojeni klasën të kërkojë frazat që përdori Zoti për ta nxitur Tomasin pas pagëzimit të tij.

  • Çfarë nxitjeje i dha Zoti Tomasit në këto vargje?

  • Çfarë premtimi i dha Zoti Tomasit në lidhje me familjen e tij?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 31:1–2 që mund të na ndihmojë nëse kemi pjesëtarë të familjes që nuk janë anëtarë të Kishës ose nuk po jetojnë me besnikëri sipas besëlidhjeve të tyre? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të dallojnë parimin vijues: Përmes besnikërisë sonë, pjesëtarët e familjes sonë mund të bekohen për të besuar dhe ditur të vërtetën. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Cilat janë disa mënyra se si individët mund të bekohen nëpërmjet besnikërisë së pjesëtarëve të familjes? Çfarë shembujsh të kësaj keni parë?

Vërini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 31:3–4 dhe të përcaktojnë atë që Zoti e thirri Tomas B. Marshin të bënte. Ftojini të raportojnë atë që gjejnë. Pastaj kërkojini një studenti të lexojë thënien e mëposhtme nga Presidenti Gordon B. Hinkli, në lidhje me bekimet që u vijnë atyre që shërbejnë besnikërisht si misionarë. (Ju mund të doni t’i jepni secilit student një kopje të kësaj thënieje për ta mbajtur në shkrimet e tyre të shenjta.) Ftojeni klasën të dëgjojë se kush është bekuar përmes shërbimit misionar.

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ju do të bekoni jetën e atyre që u jepni mësim dhe pasardhësve të tyre pas tyre. Ju do të bekoni vetë jetën tuaj. Ju do të bekoni jetën e familjes suaj, që do t’ju mbështetë dhe do të lutet për ju” (“Of Missions, Temples, and Stewardship”, Ensign, nëntor 1995, f. 52).

  • Kush është bekuar nëpërmjet shërbimit misionar?

Ndajeni klasën në tre grupe. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 31:5–8. Vëreni një grup të kërkojë bekimet që do t’u vinin atyre të cilëve Tomas B. Marshi do t’u jepte mësim. Vëreni grupin e dytë të kërkojë bekimet që do t’i vinin Tomas B. Marshit ndërsa shërbente si misionar. Vëreni grupin e tretë të kërkojë bekimet që do t’i vinin familjes së Tomas B. Marshit ndërkohë që ai ishte larg tyre. Pasi studenti të lexojë, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë bekimesh do t’u vinin atyre të cilëve Tomasi do t’u jepte mësim?

  • Si do të bekohej Tomasi për shërbimin e tij misionar?

  • Si do të bekohej familja e tij?

  • Si e ka bekuar jetën tuaj ose jetën e dikujt që ju njihni, shërbimi misionar i një personi tjetër?

Ju mund të doni të tregoni shembuj të mënyrës se si ju e keni parë shërbimin misionar të bekojë jetë njerëzish.

Doktrina e Besëlidhje 31:9–13

Jezu Krishti i jep këshillë vetjake Tomas B. Marshit

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 31:9–13 përfshin këshillën që dha Zoti për ta ndihmuar Tomas B. Marshin në jetën e tij vetjake dhe si misionar. Përpara orës së mësimit, shkruani në tabelë udhëzimet vijuese ose përgatitini ato në një fletushkë për secilin student:

Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 31:9–12 dhe përcaktoni një gjë nga këshilla që e ndieni se do të ishte e rëndësishme për ne që ta ndiqnim sot. Përgatituni t’i përgjigjeni pyetjeve vijuese:

  1. Cilën pjesë të këshillës zgjodhët? Si mendoni, përse kjo këshillë është e rëndësishme për ne sot?

  2. Cila është një mënyrë se si mund ta zbatojmë këtë këshillë në jetën tonë?

  3. Si mund të përfitojmë nga ndjekja e kësaj këshille?

Caktojini studentët të punojnë në dyshe. Kërkojuni atyre të studiojnë individualisht Doktrinën e Besëlidhjet 31:9–12 dhe pastaj t’ua thonë përgjigjet e tyre për pyetjet partnerëve të tyre.

Pasi studentët të kenë dhënë përgjigjet e tyre, ftojini të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 31:13 dhe të përcaktojnë bekimin që Zoti ia premtoi Tomas B. Marshit nëse ai do të ishte besnik. Ftojeni një student të vijë në tabelë dhe ta shkruajë këtë premtim në formën e një parimi, duke përdorur fjalët nëse dhe atëherë. Nxiteni pjesën tjetër të klasës ta ndihmojë studentin sipas nevojës. Edhe pse studenti mund të përdorë fjalë të ndryshme, parimi vijues duhet të jetë i qartë: Nëse jemi besnikë deri në fund, atëherë Zoti do të jetë me ne. Vini në dukje se kjo e vërtetë gjen zbatim për ne kur përpiqemi t’u flasim të tjerëve për ungjillin si edhe në situata të tjera.

  • Kur e keni ndier se Zoti qe me ju ndërsa u përpoqët të jeni besnikë ndaj Tij? (Jepuni studentëve kohë që ta përsiatin këtë pyetje përpara se të përgjigjen. Merreni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj.)

Doktrina e Besëlidhje 32

Zoti i thërret Parli P. Pratin dhe Ziba Pitersonin t’i bashkohen misionit për te lamanitët

Kërkojuni studentëve të shikojnë te harta në shkrimet e tyre të shenjta, e titulluar “Lëvizja e Kishës Drejt Perëndimit” (shih Harta të Historisë së Kishës, Harta 6). Ose ju mund të paraqisni një hartë të madhe që tregon largësinë midis Nju-Jorkut dhe Misurit në SHBA.

  • Ku u thirrën për të predikuar ungjillin Oliver Kaudëri dhe Piter Uitmer i Riu? (Nëse studentët nuk e mbajnë mend, ftojini ata t’i drejtohen Doktrinës e Besëlidhjes 28:8–9; 30:5. Këta misionarë u thirrën për t’u predikuar “Lamanitëve”, në kufirin perëndimor të Misurit. Ndihmojini studentët të gjejnë vendndodhjen e kësaj zone në hartë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 32. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë pyetjen që kishin disa pleq të Kishës në lidhje me misionin që Oliver Kaudëri dhe Piter Uitmer i Riu qenë thirrur që të kryenin.

  • Çfarë pyetje kishin disa pleq të Kishës në lidhje me misionin te lamanitët? (Ata donin të dinin nëse misionarë të tjerë mund të thirreshin për t’u dhënë mësim lamanitëve.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 32:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Parli P. Prati dhe Ziba Pitersoni u thirrën për të bërë dhe çfarë u premtoi Zoti atyre.

  • Çfarë u thirrën për të bërë Parli dhe Ziba?

  • Çfarë u premtoi Zoti atyre?

Ju mund të doni të vini në dukje ngjashmërinë midis premtimeve të dhëna te Doktrina e Besëlidhje 32:3 dhe parimit të shkruar në tabelë: Nëse jemi besnikë deri në fund, atëherë Zoti do të jetë me ne.

Ju mund të doni të shpjegoni se gjatë vjeshtës së vitit 1830 dhe dimrit të viteve 1830–1831, ky grup i vogël i misionarëve (të cilit më vonë iu bashkua një i kthyer në besim nga Ohajo, i quajtur Frederik G. Uilliams) udhëtoi gati 2 400 kilometra nga Fayeti në Nju‑Jork, deri në Indipendëns të Misurit, duke e bërë në këmbë pjesën më të madhe të rrugës. Këta katër misionarë mbërritën në Indipendëns në mes të janarit të vitit 1831. Si pjesë të udhëtimit të tyre, ata duruan të ftohtë të madh, erëra të forta dhe rraskapitje, duke jetuar kryesisht me bukë misri të ngrirë dhe mish derri të gjallë. Në disa vende, bora ku ata ecën ishte një metër e thellë. Pavarësisht nga këto vështirësi misionarët patën sukses me paraqitjen e ungjillit te indianët e Amerikës, të cilët jetonin në Territorin Indian, pranë kufirit perëndimor të Misurit. Ata e predikuan ungjillin edhe në Mentor të Kirtlandit në Ohajo, në një bashkësi njerëzish që po kërkonin rivendosjen e krishtërimit të Dhiatës së Re. (Studentët do të mësojnë më shumë rreth këtyre njerëzve dhe udhëheqësit të tyre, Sidni Rigdonit, në studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 35.) Zoti e përmbushi premtimin e Tij se Ai do të ishte me këta misionarë dhe që asgjë nuk do t’i mundte ata. (Shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 84–85.)

Ju mund të doni ta përfundoni këtë mësim duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 31

Zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 31 është një prej disa zbulesave (shih DeB 30–36) që dha Zoti mbi punën misionare, ndërmjet kohës që zbuloi së pari parimin e mbledhjes së popullit të Tij (shih DeB 29:1–8) dhe kur Ai cilësoi për herë të parë një vend mbledhjeje për ta (shih DeB 37).

Doktrina e Besëlidhje 31:2, 5–8. Nëpërmjet besnikërisë sonë, pjesëtarët e familjes sonë mund të arrijnë ta njohin të vërtetën

Çdo individ që mëson rreth ungjillit të Jezu Krishtit duhet të zgjedhë për veten e tij ose të saj nëse duhet ta pranojë atë. Megjithatë, shembulli ynë i besnikërisë mund të ndikojë tek të tjerët për mirë. Mënyrat dhe koha e Zotit për përmbushjen e premtimeve si ato që Ai i bëri Tomas B. Marshit te Doktrina e Besëlidhje 31:2, 5–8, mund të mos i kënaqin shpresën apo pritshmëritë tona. Megjithatë, historia e mëposhtme nga Presidenti Tomas S. Monson rreth një përvoje që pati si president misioni në Kanada, tregon se si Zoti i përmbush premtimet e Tij për besnikët:

Presidenti Tomas S. Monson

“Një ditë u ul në zyrën time një misionar që sapo kishte ardhur. Ai ishte i zgjuar, i fortë, i mbushur me entuziazëm dhe dëshirë për të shërbyer; qe i lumtur dhe mirënjohës që ishte misionar. Teksa fola me të i thashë: ‘Elder [Plak], e përfytyroj se babai dhe nëna jote të mbështesin me gjithë zemër në thirrjen tënde të misionit’. Ai e uli kokën dhe u përgjigj: ‘Në fakt, jo tamam. E kupton, President, babai im nuk është anëtar i Kishës. Ai nuk beson siç besojmë ne, prandaj nuk mund ta vlerësojë plotësisht rëndësinë e detyrës sime.’ Pa hezituar dhe i nxitur nga një burim jo i imi, i thashë atij: ‘Elder [Plak], nëse do t’i shërbesh ndershmërisht e me zell Perëndisë në shpalljen e mesazhit të Tij, babai yt do të bashkohet me Kishën para se misioni yt të përfundojë’. Ai ma shtrëngoi dorën shumë fort, iu mbushën sytë me lot që filluan t’i rridhnin në faqet e tij dhe tha: ‘Ta shoh babanë tim të pranojë të vërtetën, do të ishte bekimi më i madh që do të mund të vinte në jetën time’.

Ky i ri nuk ndenji duarkryq duke shpresuar e uruar se premtimi do të përmbushej, por përkundrazi ai ndoqi shembullin e Abraham Linkolnit, për të cilin është thënë: ‘Kur ai lutej, lutej sikur gjithçka të varej prej Perëndisë dhe pastaj punonte sikur gjithçka të varej prej tij’. I tillë ishte shërbimi misionar i këtij të riu.

Në çdo konferencë misioni, unë do ta kërkoja përpara se të fillonin mbledhjet dhe do ta pyesja: ‘Elder [Plak], si po përparon babi?’

Përgjigjja e tij në mënyrë të pandryshueshme, do të ishte: ‘Asnjë përparim, President, por unë e di që Zoti do ta përmbushë premtimin që më është dhënë nëpërmjet jush si presidenti im i misionit’. Ditët u kthyen në javë e javët në muaj dhe më në fund, vetëm dy javë para se ne vetë të linim fushën e misionit për t’u kthyer në shtëpi, mora një letër nga babai i këtij misionari. Do të doja t’jua lexoja sot.

‘I dashur Vëllai Monson,

Do të doja t’ju falënderoja aq shumë, që jeni përkujdesur kaq mirë për birin tim, i cili këto kohët e fundit përfundoi misionin në Kanada.

Ai ka qenë një frymëzim për ne.

Birit tim, kur u nis për në misionin e tij, iu premtua se unë do të bëhesha anëtar i Kishës përpara kthimit të tij. Ky premtim, besoj, iu dha atij prej jush, një i panjohur për mua.

Jam i lumtur t’ju njoftoj se unë u pagëzova në Kishë, një javë para se ai të përfundonte misionin e tij. …

… Vëllai i tij më i vogël u pagëzua kohët e fundit dhe u konfirmua anëtar i Kishës.

Dua t’ju falënderoj përsëri për gjithë mirësinë e dashurinë që i është dhënë birit tim nga vëllezërit e tij në fushën e misionit gjatë dy viteve të kaluara.

Me shumë respekt,

Një baba mirënjohës.’

Lutja e përulur e besimit kishte marrë edhe një herë përgjigje” (në Conference Report, prill 1964, f. 131–132).

Doktrina e Besëlidhje 31:10. Në ç’mënyrë ishte Tomas B. Marshi “një shërues për kishën”?

Tomas B. Marshi kishte fituar disa aftësi në përdorimin mjekësor të barërave të buta dhe ishte në gjendje t’i ndihmonte njerëzit me njohurinë e tij. Megjithatë, thirrja e tij më e madhe ishte shërimi i shpirtrave. Ka shumë raste të shënuara të Tomas B. Marshit duke e dhënë kohën e tij për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës të zgjidhnin problemet e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 32. A ishte i suksesshëm misioni te lamanitët?

Megjithëse misioni i parë te lamanitët nuk qe shumë i suksesshëm në predikimin te indianët e Amerikës, ai pati një ndikim domethënës në historinë e hershme të Kishës. Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Udhëtimi prej pak më shumë se dymijë e katërqind kilometrash, përmes vendit të shkretë në pjesën më të madhe të rrugës dhe me mot të keq në pjesën më të madhe të kohës, kërkoi pothuajse katër muaj kohë. Megjithatë, ai ishte një udhëtim shumë i dobishëm, meqë shumë njerëz e përqafuan Ungjillin gjatë kësaj kohe dhe degë të qëndrueshme u ngritën në Kirtland dhe pjesë të tjera, dhe shumë burra të vendosur u futën në Kishë. Ky ishte udhëtimi i parë misionar në perëndim të shtetit të Nju-Jorkut dhe rezultatet e tij do të provoheshin si të pallogaritshme në dobi të Kishës” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:150).

Doktrina e Besëlidhje 32:1–3. Parli P. Prati dhe Ziba Pitersoni

Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 32 iu drejtua Parli P. Pratit dhe Ziba Pitersonit. Merreni parasysh të lexoni me zë të lartë informacionin e mëposhtëm historik për ta ndihmuar klasën të mësojë më shumë për këta dy burra:

Në verën e vitit 1830, Parli P. Prati dhe bashkëshortja e tij, Thenkfulli, udhëtuan nga shtëpia e tyre në Amherst të Ohajos për të vizituar të afërmit e tyre në shtetin e Nju-Jorkut. Fryma e Shenjtë e nxiti Parlin të ndalonte në fshatin Njuark të Nju-Jorkut, pranë Palmirës, ku ai mësoi rreth Librit të Mormonit. Më vonë ai shkroi përgjigjen e tij për librin:

Parli P. Prat

“Lexova gjithë ditën; të haja ishte një barrë, nuk kisha dëshirë për ushqim; kur nata erdhi, gjumi ishte një barrë, sepse parapëlqeva të lexoja sesa të flija.

Ndërsa lexoja, shpirti i Zotit ishte mbi mua dhe e dija dhe e kuptova se libri qe i vërtetë” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt [1938], f. 20).

Parli udhëtoi për në Palmira, ku u takua dhe u mësua nga Hajrëm Smithi. Shpejt, Hajrëmi dhe Parli udhëtuan për në Fajet të Nju‑Jorkut, për t’u takuar me anëtarët e një dege të Kishës që po rritej. Parli u pagëzua dhe u shugurua plak nga Oliver Kaudëri në shtator të vitit 1830.

Dihet pak rreth kthimit në besim të Ziba Pitersonit. Ne dimë se ai u pagëzua nga Oliver Kaudëri në prill të vitit 1830 dhe u shugurua plak në qershor të po atij viti.

Doktrina e Besëlidhje 32:3. “Asgjë nuk do t’i mundë ata”

Historia e mëposhtme është një shembull i mënyrës se si Zoti e bekoi Parli P. Pratin ndërsa përmbushte misionin e tij:

Tetëdhjetë kilometra në perëndim të Kirtlandit, Parli u arrestua me një “akuzë pa vlerë ligjore”, u gjykua dhe “u dënua të futej në burg” ose të paguante një gjobë (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt [1938], f. 36). Ngaqë nuk mund të paguante, Parli e kaloi natën i mbyllur në një han publik. Të nesërmen në mëngjes ai u vizitua për pak kohë nga shokët e tij dhe i nxiti të vazhdonin udhëtimin e tyre, duke u premtuar se do t’i arrinte shpejt. Parli raportoi: “Pasi u ula për pak kohë pranë zjarrit, duke qenë i kontrolluar nga oficeri, i kërkova që të dilja jashtë. Dola në sheshin kryesor i shoqëruar prej tij. E pyeta, ‘Z. Pibadi, a jeni i mirë në garë?’ ‘Jo’, tha ai, ‘por është qeni im bulldog, dhe ai është trajnuar gjatë këtyre viteve të më ndihmojë në detyrën time; ai do t’i hidhej çdokujt sipër me urdhrin tim’. ‘Mirë, z. Pibadi, ju më detyruat të ecja një milje, por unë kam bërë dy milje me ty. Ju më keni dhënë mundësinë të predikoj, këndoj, dhe gjithashtu më siguruat fjetje dhe mëngjes. Tani unë duhet të vazhdoj udhëtimin tim; nëse jeni i mirë në garë mund të më shoqëroni. Ju falënderoj për gjithë dashamirësinë tuaj – mirupafshim zotëri.’

Pastaj fillova udhëtimin teksa ai qëndroi i habitur dhe i paaftë për të hedhur qoftë edhe një hap përpara. … Ai nuk u përmend nga mahnitja e tij aq sa të më ndiqte derisa unë kisha fituar, ndoshta, 183 metra largësi. … Tani ai filloi duke më thirrur dhe duke i bërtitur qenit të tij që të më kapte. Qeni, duke qenë një nga më të mëdhenjtë që kisha parë ndonjëherë, erdhi pranë gjurmëve të mia me gjithë tërbimin e tij; oficeri që ishte ende prapa duke më ndjekur, i përplaste duart e tij duke thirrur: ‘Stuboj, stuboj – kape – shiko – mbërtheje, të them – vëre poshtë’, dhe duke treguar me gisht në drejtimin që po vrapoja unë. Qeni po më arrinte me shpejtësi dhe në çastin që ishte gati për t’u hedhur mbi mua, e shpejtë si një rrufe, më lindi ideja ta ndihmoja oficerin, duke e dërguar qenin plot tërbim në një pyll, pak metra përpara meje. Tregova me gisht në atë drejtim, i përplasa duart dhe bërtita duke imituar oficerin. Qeni kaloi nxitimthi pranë meje drejt pyllit, me një shpejtësi të dyfishuar; i shtyrë nga unë dhe nga oficeri, dhe ne të dy duke vrapuar në të njëjtin drejtim.”

Pasi iu shmang qenit si edhe oficerit, Plaku Prat u bashkua me shokët e tij nga një rrugë tjetër. Më vonë Parli mësoi se Sajmon Karteri, të cilit ai i kishte lënë një Libër të Mormonit, së bashku me gjashtëdhjetë njerëz të tjerë në atë zonë, u bashkuan me Kishën (shih Autobiography of Parley P. Pratt, f. 38–39).